Këto ditë që ka ardhur në vëmendje XHUBLETA, si veshje karakteristike e Veriut (katolik) të Shqipërisë, u bëra kurioz për etimologjinë e fjalës dhe shkova ta qëmtoj në burimet e pakta që kemi: Çabej, Dizdari, Topalli. Më poshtë po sjell disa përsiatje, ashtu siç më erdhën – mbase vlera e tyre më e madhe është që të hapin një diskutim dhe të ndihmojnë për zbulimin dhe qarkullimin e informacionit.
Duket nga njëra anë e sigurt që ajo XHUB- në krye të fjalës i referohet nga njëra anë tërthorazi shqipes XHYBE (por edhe XHUP), nga ana tjetër arabishtes XHUBBÁ dhe turqishtes CÜPPÉ, të cilat i ndesh, në variante të ndryshme, edhe në rumanishte, serbokroatishte e bullgarishte në Ballkan; por në ekuacion merr pjesë edhe italishtja GIUBBA, të cilën e nxjerrin nga një arabishte ĞUBBEH (këtë Treccani e shkruan GIUBBA dhe e përkufizon si veshje të brendshme prej pambuku). Italishtja ka edhe GIUBBOTTO dhe GIUBBETTO. Te Fjalori Etimologjik, Topalli thotë që XHUBLETA, edhe pse e ardhur nga XHYBE me prapashtesim, mund të jetë ndikuar nga GIUBBETTO. Duket sikur fjala është e re, edhe pse sendin që shënjon, xhubletën si veshje, gjithnjë e përshkruajnë si tradicionale. Nuk është megjithatë lehtë të zgjedhësh mes prejardhjes së fjalës nga osmanishtja (prej arabishtes) apo italishtja (venecianishtja, prej arabishtes); mua vetë më duket më bindëse lidhja me GIUBBETTO, pavarësisht nga origjina fillestare.
Por këtu dalin disa kontradikta – duke filluar nga ajo që xhubleta, si lloj veshjeje, ka qenë prodhuar në mënyrë artizanale – dhe nuk ka qenë shitur në treg, prandaj huazimi i emrit nuk mund të përligjet shpejt e shpejt, si efekt i rrafshimit terminologjik të tregut (nëse ka ndikuar tregu, kjo do të ketë ndodhur tërthorazi ose me ndërmjetësim); për të vazhduar pastaj me atë që kjo veshje, siç e kanë parë shumë studiues, duhet të jetë më e vjetër se emri që mban – pavarësisht nëse ky i fundit ka prejardhje arabo-italiane, apo arabo-osmane. Mund të supozohet një ndërrim emri, edhe pse arsyeja mbetet për t’u marrë me mend. Në ndërrimin e emrit mund të ketë ndërmjetësuar edhe një palë e tretë, duke u orvatur të çiftojë një veshje relativisht sa unike aq edhe të izoluar si xhubleta, me një emër më të njohur, si xhybja ose giubbetto. Të mbahet këtu parasysh edhe se Çabej me të drejtë ka vërejtur se fjalët me xh- nistore në shqipe janë zakonisht “të huaja” (në kuptimin që kanë hyrë relativisht vonë, zakonisht nga italishtja ose nga turqishtja).
Shumë emra veshjesh tradicionale të shqiptarëve paraqiten sot si huazime nga turqishtja, me salcë ballkanike. Për hyrjen e këtyre, shpjegimi më i mirë është tregu, sepse tregu shërben si përshpejtues i fortë i qarkullimit të emrave të artikujve që tregtohen – duke mbajtur parasysh edhe që disa veshje përhapen jo vetëm duke u shitur, por edhe duke u replikuar; dhe të tjera këshillohen (kërkohen) nga autoritetet kulturore/fetare. Megjithatë, në rastin e xhubletës duhet gjetur gjithsesi një mënyrë për të pajtuar vjetërsinë e veshjes (që disa e gjejnë edhe tek ilirët e më herët akoma) me moshën e re të emrit; sidomos në qoftë se nuk ka dëshmi se xhubletat u kanë qenë shitur malësorëve ndonjëherë në treg. Kjo mënyrë duhet të shpjegojë njëfarësoj edhe pse ka ndodhur ndërrimi i emrit për një artikull veshjeje kaq karakteristik.
Mund të spekulohet që emri “i lashtë” i xhubletës ka pësuar atë që e quajnë ndonjëherë semantic drift; p.sh., në rrethana të një varfërimi material kritik, ta ketë zgjeruar kuptimin, duke u shtrirë edhe mbi veshje të tjera të ngjashme – dhe pastaj të jetë krijuar rishtas nevoja për një emër të ri për veshjen. Gjithnjë duke spekuluar, nëse xhubleta ka qenë quajtur dikur tirk (sipas Gazullit dhe Çabejt (SE VII), në Malësinë e Veriut tirk është edhe “një lloj shajaku që endin vetë banorët e atyre anëve”) dhe pastaj kjo fjalë, tirk, është specializuar për kofsharët prej shajaku të burrave malësorë të Veriut, atëherë është dashur të gjendet një emër tjetër për veshjen xhubletë. Për tirk Çabej e thekson se kuptimi bazë ka qenë “gjë e tjerrë, e endur me fije të tjerrë”; dhe vetëm aksidentalisht fjala është kufizuar pastaj te kofsharët. Zhvendosja kuptimore mund të kish ndodhur edhe në një drejtim tjetër. Gjithsesi, një pasiguri e krijuar nga zhvendosja e ka bërë gjuhën të zgjedhë pastaj të parin element të përshtatshëm për ta zëvendësuar fjalën “e dalë boje” – ashtu duke adoptuar një emër veshjeje tjetër, me gjasë të ofruar nga tregu ose palë e tretë.
Një hipotezë tjetër – edhe pse më e dobët – për emrin (ndërrimin e emrit) do të ishte se xhubleta tradicionalisht dhe deri vonë mund të mos jetë parë si njësi veshjeje unike – njëlloj siç nuk kemi një emër sot për kombinimin këmishë + pantallona, ose këpucë + çorape. Në këtë rast, emri xhubletë do të ketë hyrë në përdorim në momente shndërrimesh sociale dhe ekonomike, ose kur është parë me vend të përdoret një emër i vetëm për atë që, deri pak më parë, ishte një kombinim elementesh të pavarura.
Nuk kam gjetur të dhëna se kur është dokumentuar për herë të parë xhubleta si fjalë – çfarë më lë të kuptoj se dokumentimi nuk do të jetë dhe aq i hershëm. Por nuk kam dyshim se hetimi i paradoksit të një emri kaq të ri për një artikull veshjeje kaq të hershëm, do të ndihmojë për të kuptuar më mirë historinë e xhubletës dhe të krahinave që e përdorin.
(c) 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.