Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Teatër

GJYSMAGJELI I ELSA DEMOS

nga Altin Basha

“Një gjysmë e vërtetë është një gënjeshtër e plotë” thotë Benjamin Franklin. Nuk do ta shkruaja këtë reagim nëse artikulli i Elsa Demos mbi konkursin për drejtor të Teatrit Kombëtar nuk do ishte i mbushur me gjysmë të vërteta.

U bë një kohë e gjatë që kjo gazetare shkruan artikuj kritikë mbi punën time dhe deri këtu nuk shoh asgjë të keqe, por mbushjen e artikujve me gjysmë të vërteta dhe për pasojë me gënjeshtra, me sa duket, e ka kthyer në stil ose në qëllim.

Më poshtë po rendis disa nga gënjeshtrat dhe të vërtetat përkatëse:

GËNJESHTRA 1
Altin Basha mori pa konkurs detyrën e drejtorit të Teatrit Kombëtar Eksperimental në 2020.

E VËRTETA 1
Ka patur konkurs. E gjithë procedura është bërë bazuar në ligjin për Artin dhe Kulturën. Ka patur intervistë të hapur në dt 23 Nëntor 2020. Mes dy kandidatëve unë u shpalla fitues.

GËNJESHTRA 2
Ka qenë regjisor i spektaklit “Portokalli” për aq kohë sa nuk e dinte nëse do i kthehej më teatrit.

E VËRTETA 2
Znj. Demo përpiqet të krijojë përshtypjen te lexuesi se unë nuk kam qenë aktiv në teatër një kohë të gjatë për shkak të angazhimit në televizion. Asnjëherë nuk jam shkëputur prej teatrit. Po përmend vetëm disa projekte të realizuara në atë periudhë: Alegreto Albania, Nata e Helverit, Amadeus, Mosieur Malausene, Darkë te Gjyshja, I ligu për mend, Karnavalet e Korçës, Made in Albania, Rojat e Taxhit, Gomari i Babatasit etj.
Për më tepër, vlerësimet më të mëdha në teatër i kam marrë në kohën kur drejtoja “Portokallinë”.

GËNJESHTRA 3
Teatri Kombëtar Eksperimental nën drejtimin e Bashës e zbriti prodhimin në një premierë në vit, pjesën tjetër u vu në shërbim të produksioneve private.

E VËRTETA 3
Sipas Institutit të Statistikave Teatri Kombëtar Eksperimental Kujtim Spahivogli ka pasur numrin më të madh të produksioneve nga të gjithë teatrot e sistemit. Shfaqjet e miratuara nga bordi artistik i TKEKS vetëm përgjatë Janar – Qershor 2022:

Projekti “Të zhveshur por bashkë” – regjisor dhe autor Leonard Bombaj. Projekti është bashkëprodhim i “SIREA” Film dhe TKEKS.
Projekti “Pak Pakt” – regjisor dhe autor Ledian Gjeçi. Projekti është prodhim i TKEKS.
Projekti “Pa zë” – regjia Klaudia Piroli autore Norah Sadava dhe Amy Nostbakken. Projekti është prodhim i TKEKS.
Projekti “Dita më e bukur” – regjia Ledio Topalli autor David Foenkinos. Projekti është bashkëprodhim i shoqatës së artistëve të rinj të skenës dhe TKEKS në kuadër dhe të Pranverës së Frankofonisë 2022.
Projekti “Dhimbje e lehtë” – regjisor Valdrin Asani, autor Harold Pinter. Projekti është bashkëprodhim i aplikantit dhe TKEKS.
Projekti “Çimka” – regjia Zana Hoxha , autor Shpëtim Selmani – bashkëprodhim i TKEKS dhe Artpolis.
Projekti “Kukulla” – regjia Elma Dorezi, autor Miro Gavran. Projekti është produksion i TKEKS.
Projekti “Përvjetori i ditëlindjes” – regjisor Besmir Bitraku autor David Eldrige. Projekti është bashkëprodhim i shoqatës së artistike “Pulcinela”, TKEKS dhe Teatrit Kombëtar.
Projekti “Luka” – autor dhe regjisor Klejdi Meta. Prodhim i TKEKS për fëmijë.
Projekti “Lulet e Idës së vogël” – autore dhe regjisore Shegushe Bebeti. Prodhim i TKEKS për fëmijë.

GËNJESHTRA 4
Evidenton problemin dhe në kuadrin e një gjoja analize, krahasimet i bën me epokën e para nëntëdhjetës.

E VERTETA 4
Kjo lidhet me temën e debatit mbi dramën shqipe dhe vështirësinë e ripozicionimit të saj në përballje me dramën e huaj para dhe pas viteve 90. Unë shpjegova para Komisionit se një shkak i rëndësishëm për braktisjen e saj ishte ideologjizimi ekstrem para viteve 90 dhe identifikimi me këtë njollë pas viteve 90. Argumenti i dhënë nuk ka të bëje aspak me shmangien e përgjegjësive mbi politikat kulturore të mëvonshme.

GËNJESHTRA 5
Në asnjë rast ai nuk identifikon ndonjë përgjegjësi të afërt dhe aktuale të drejtuesit të Teatrit Kombëtar, të Ministrisë dhe Qeverisë.

E VËRTETA 5
Qëndrimet e mia mbi përgjegjësitë dhe problemet e Teatrit Shqiptar janë publike dhe mund të gjenden lehtësisht në rrjet. Jam ndoshta artisti që ka shkruar dhe është prononcuar më shumë për to. Prezantimi i platformës për drejtimin e Teatrit Kombëtar ka për qëllim paraqitjen e një alternative për adresimin e problematikave dhe një shpërfaqje të vizionit të së ardhmes brenda një kohe të kufizuar. Ky ishte fokusi im.

GËNJESHTRA 6
Bashkë me Hervin Çulin e ndonjë tjetër, ai ka shprehur publikisht besimin në politikat e Edi Ramës ministër i Kulturës për reformën në artin skenik në vitet 1998-2000, politikë që kishte në thelb dobësimin e publikes, mbështjen e privates dhe jo bashkëjetesën e tyre në konkurrencë.

E VËRTETA 6
Çfarë akuze, si mbledhjet e Byrosë në komunizëm. Unë paskam bërë një mëkat të tmerrshëm. Paskam shprehur publikisht besim në politikat kulturore të Edi Ramës në vitin 1998. Projekti reformues i Edi Ramës ish Ministër Kulture me krijimin e Qendrës së Artit i jepte mundësinë të gjitha iniciativave të pavarura artistike të kishin të drejtë hyrje në buxhetin për financimin e projekteve. Ai projekt adresonte të gjithë vuajtjen tonë si artistë të pavarur për mbështetje financiare dhe vinte në diskutim monopolin e kompanive shtetërore mbi ndërtesat e teatrove. Krijimi i Qendrës së Artit hapte rrugën bash për konkurrencë të barabartë mes kompanive private dhe shtetërore duke shfrytëzuar të dyja palët infrastrukturën teatrore. Siç e kam mbështetur publikisht këtë projekt, kam kundërshtuar po publikisht mbylljen e Qendrës së Artit me Ramën Kryeministër dhe Mirela Kumbaron Ministre Kulture në vitin 2013-2014.

GËNJESHTRA 7
Teatri Kombëtar reflekton atë që periferia është dhe teatrot në rrethe janë një kopje në miniaturë sipas frymës së TK-së. Basha na jep të besojmë idenë se emancipimi mes teatrove mund të vijë vetiu rrugës nëpër turne.

E VËRTETA 7
Platforma ime synon Teatrin Kombëtar dhe punën e tij. Emancipimi duhet të vijë nëpërmjet konkurrencës jo vetiu. Unë theksova në paraqitjen e platformës se Teatri Kombëtar ka detyrim të shfaqë projekte jo vetëm në Tiranë, por kudo nëpër Shqipëri sepse ndryshe nuk mund të quhet Kombëtar. Duke patur një nivel më të lartë artistik, prezantimi i shfaqjeve të Teatrit Kombëtar në rrethe padyshim do të rrisë cilësinë e ofertës për publikun dhe për rrjedhim do ti vendosë në kushte konkurrencë teatrot lokale. Nëse ky parim do të aplikohej në një skemë kombëtare turnesh për të gjithë teatrot e sistemit aq më mirë.

GËNJESHTRA 8
Në rini Basha shkëlqeu për prirjen drejt teatrit alternativ, kur kompanitë private dhe të pavarura teatrore po kontribuonin në pasurimin e prodhimit teatror, metodologjive dhe risive në aktrim, regjisurë, dramaturgji. Por sot nuk po i bie ndërmend gjë për valën e produksioneve të pavarura e që nesër ai do t’u japë skenën me qira.

E VËRTETA 8
Për këtë akuzë mjafton si përgjigje ose model lista e bashkëprodhimeve të Teatrit Kombëtar Eksperimental Kujtim Spahivogli me kompanitë e pavarura teatrore në dy vjetët që kam drejtuar këtë teatër.

#Projekti “MEPHISTO” regjisor Dino Mustafic. Projekti është bashkëprodhim me MAM Foundation i drejtuar nga Ema Andrea.
#Projekti “Të zhveshur por bashkë” – regjisor dhe autor Leonard Bombaj. Projekti është bashkëprodhim i “SIREA” Film dhe TKEKS.
#Projekti “Dita më e bukur” –regjia Ledio Topalli autor David Foenkinos. Projekti është bashkëprodhim i shoqatës së artistëve të rinj të skenës dhe TKEKS në kuadër dhe të Pranverës së Frankofonisë 2022.
#Projekti “Dhimbje e lehtë” – regjisor Valdrin Asani, autor Harold Pinter. Projekti është bashkëprodhim i aplikantit dhe TKEKS.
#Projekti “Çimka” – regjia Zana Hoxha , autor Shpëtim Selmani – bashkëprodhim I TKEKS dhe Artpolis Kosovë.
#Projekti “Përvjetori i ditëlindjes” – regjisor Besmir Bitraku autor David Eldrige. Projekti është bashkëprodhim i shoqatës artistike “Pulcinela”, TKEKS dhe Teatrit Kombëtar.

GËNJESHTRA 9
Deklaratat për marrëdhëniet juridike me aktorët, i ka kontradiktore. Një herë thotë që kontratat duhet të jenë afatshkurtra, që aktorët të kenë mundësi të lëvizin nga një teatër në tjetrin, herë tjetër thotë: po, ne kemi mundësi për teatër repertori, sepse trupën stabël e kemi që e kemi, madje aktorët duhet të trajtohen mirë financiarisht, sa të mos kenë nevojë për pesë punë paralele.

E VËRTETA 9
Nuk ka asnjë kontradiktë. Teatri Kombëtar punon me dy lloj kontratash. Kontratat afatshkurtra do të aplikohen për vendet e lira të punes. Kontratat aktuale të trupës janë afatgjata dhe kjo gjë mundëson teatrin e repertorit. Vlerësimi me bonus performance synon ta kthejë shpërblimin artistik vetëm për burimet njerëzore që janë aktive në skenë.

NË PËRMBLEDHJE
Si suksese të tjera të rëndësishme personale brenda dyvjeçarit që kam drejtuar Teatrin Kombëtar Eksperimental Kujtim Spahivogli do përmend: Fondin për Artistët e rinj me 14 produksione nëpër Shqipëri dhe Tiranë që do kulmojë në dhjetor me Festivalin Teatror për të rinj. Në këtë projekt janë punësuar rreth 90 të rinj. Festivalin MOISIU që rikthen fuqishëm bashkëpunimin dhe garën mes teatrove shqiptare në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri për herë të parë i bashkëfinancuar nga Ministritë e Kulturës përkatëse. Teatri Kombëtar Eksperimental Kujtim Spahivogli është i vetmi institucion teatror në Shqipëri ku aktorët i marrin rolet me audicion sepse paguhen për të punuar dhe jo për të ndenjur.

NË MBYLLJE
Përveç gënjeshtrave artikulli është i mbushur me një frymë që provon të kompromentojë punën time gati 25-vjeçare në teatër, seriozitetin, korrektësinë, kontributin, pasionin dhe përpjekjet e vazhdueshme për shfaqje sa më cilësore. Me keqdashje të pajustifikuar autorja mundohet të bëjë pis gjithë historinë time personale dhe familjare që më lidh me artin e teatrit, të cilin qëllimisht autorja e shkrimit e ngatërron me godinën, por unë nuk do merrem me këtë aspekt.

Të rëndësishme janë faktet e pakundërshtueshme që rendita më lart. Me cilësinë e gazetarisë merret publiku që besoj do të kuptojë si qëndrojnë faktet dhe se si një gazetari pa nivel mund ti shtrembërojë ato. Shpresoj se ky reagim i detyruar do të tërheqë vëmendjen e sponsorëve që mbështesin këtë gazetari si dhe të botuesve që e publikojnë atë.

Ata mund t’i japin lirinë gazetares të ketë qëndrimet e veta, por jo të publikojë gënjeshtra dhe të deformojë qëllimisht faktet.

 

(c) Altin Basha, 2022.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin