Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Lexim / Libri Shqip

ZOTI SHYTI NË PAK RRESHTA

Me rastin e botimit të tanishëm të Qortimeve të zotit Shyti nga Albas, po i sjell lexuesit një përmbledhje miniaturash nga të tre librat – Ndërhyrjet, Kusuret dhe Qortimet.


Z. SHYTI PËRBALLET ME NJË GJIGANT

Flisnim për efektet anësore të madhështisë, kur kaloi aty pari një gjigant, i cili ndaloi dhe, pa na përshëndetur, i tha zotit Shyti: Kam dëgjuar se në këtë grupin tuaj flitet keq për mua. Këtij z. Shyti iu përgjigj kështu: në fakt, nuk para na bie muhabeti te gjigantët, sepse këta nuk janë interesantë për ne. Sa për atë çfarë mund të keni dëgjuar, unë nuk do t’i jepja rëndësi, vazhdoi z. Shyti. Dija e ka provuar dhe konfirmuar tashmë se gjigantëve u keqësohet dëgjimi jo vetëm para kohe, por edhe mjaft herët.

Z. SHYTI FËRKON BËRRYLAT ME LEGJISLATIVIN

Hyri në kafe një deputet i Partisë Legjitimiste, u hodhi një sy tavolinave, dhe u mat të dilte sërish, por pastaj i zuri syri zotin Shyti, që nuk mundi të mos ngrihej dhe t’i dilte përpara për ta takuar. Jam me ngut, i tha deputeti, dhe ti e di pse. Z. Shyti pohoi me kokë, duke i shprehur empatinë e vet më të thellë – si të mos e mirëkuptosh një përfaqësues të popullit, që shkrihet i tëri në punë, aq sa mezi ka kohë të përshëndoshet me miqtë e vjetër? “Ti e di pse!” përsëriti z. Shyti fjalët e deputetit ironikisht me vete, tek po zinte vend sërish në tavolinë. E ka fjalën për atë ligjin e ri që janë duke bërë, vazhdoi ai; dhe kur ne e pyetëm nëse kish ndonjë informacion më tepër, na tha se, me sa kish arritur të marrë vesh, komisioni hartues deri më tash kish arritur t’u jepte dorën e fundit vetëm përjashtimeve, ndërsa nga java tjetër do të fillonte puna mirëfilli për ligjin.

Z. SHYTI SHPREH NJË PAKËNAQËSI RETORIKE

Nuk e kuptoj pse të gjithë ata që rreken të kritikojnë diçka në publik, e fillojnë muhabetin me fjalët “nuk e kuptoj pse…”, u ankua z. Shyti.

Z. SHYTI PËR MBINGARKESËN E KALENDARIT

Kush është më i madh, pyetëm ne: ai që i festohet datëlindja, apo ai që i kremtohet datëvdekja? Z. Shyti nuk dha ndonjë përgjigje të prerë për këtë dilemë. Kjo puna e datëvdekjes duhet parë nga afër, tha ai; sepse disa nga ata të mëdhenjtë fare mund të mos kenë vdekur akoma, disa të tjerëve mund t’u njihet, me ligj, vetëm datëlindja; dhe më në fund disave – le ta pranojmë – data e vdekjes nuk u kremtohet por u festohet, meqë populli gëzon që nuk i ka më nëpër këmbë. Nga ana tjetër, vërejti ai, datëlindja u festohet të gjithëve, me kusht që t’u dihet.

Z. SHYTI PËR ATËVRASJEN

Po kthehen enveristët, i tha njëri zotit Shytit. Më shumë se enveristëve, iu përgjigj z. Shyti, unë ua kam frikën këtyre që e vranë Enverin, pasi e kishin adhuruar për dekada; sepse nuk ka më ç’t’ua ndalë dorën atyre që kanë shembur përdhé të atin, si totem dhe si tabu.

ZOTIN SHYTI E PROVOKOJNË

U fut me vrull në lokal Shpëtim L., një provokator i njohur, dhe i tha zotit Shyti: “A jeni ju gati, z. Shyti, që ta jepni jetën për atdheun?” Z. Shyti i hodhi këtij një vështrim zhbirues nëmos përbuzës, dhe pastaj shtoi: “Më lër ta mbaroj këtë të shkretë espresso.” Më pas gazetat shkruan se z. Shyti nuk e jepte jetën për atdheun, pa mbaruar më parë kafenë; por nuk e kishin mirë, sepse nuk ishin bona fide; sikurse e shpjegoi edhe vetë i zoti i punës, në privat dhe në publik, ai vetëm sa kish thënë se donte që ta mbaronte espresson, para se t’i përgjigjej pyetjes së vështirë të Shpëtimit; dhe jo se i jepte përparësi kafesë, para mundësisë ose edhe vetë shansit të rrallë për t’u flijuar për atdheun. Çfarë e la, në analizë të fundit, pyetjen e provokatorit Shpëtim L. gjithsesi pa përgjigje.

Z. SHYTI ARSYETON PËR TROLLËT NË DEBATE

Kanë ardhur ditë, tha z. Shyti, kur është më e arsyeshme për ty të supozosh se trolli yt keqdashës është provokator i paguar, sesa që është thjesht budalla. Paske ndërruar mendje, z. Shyti, thamë ne: deri para pak kohësh, na thoshe se është më e arsyeshme për ty të supozosh se trolli yt keqdashës është thjesht budalla, se që është provokator i paguar. Nuk jam unë që kam ndërruar mendje, tha z. Shyti, por janë agjencitë e informacionit që po rekrutojnë gjithnjë e më shumë trollë nga radhët e budallenjve, ose edhe budallenj nga radhët e trollëve.

Z. SHYTI PËR FUNKSIONIN E ZËDHËNËSIT

Doli në ekran Egla, zëdhënësja e Partisë Popullore, një vajzë aq e hijshme sa disa prej nesh e kishin gjithnjë të vështirë të përqendroheshin në ato që thoshte; por magjepsjen na e ndërpreu këtë herë zoti Shyti i cili tha se nuk e kuptonte pse e quanin atë rol a profesion zëdhënës, a thua se personi në fjalë ia jepte vërtet zërin Partisë Popullore, pa çka se dihej që zërin Partisë Popullore ia jepte kryetari i saj, Dragushi; dhe se Egla, e shumta, ishte zgjedhur për t’ia dhënë asaj partie fytyrën.

Z. SHYTI SHFAJËSON GHOST WRITERS

Kjo Ozena Shirgji, tha z. Shyti, nuk është e vetmja që s’e ka problem t’ua shkruajë romanet e vona patriarkëve; tek e fundit, profesioni i ghost writer-it gjetiu në botë është po aq i nderuar sa, të themi, ai i stuntman-it ose aktorit dublues; dhe faji moral për këtë travesti, nëse ka vërtet të tillë, i mbetet shfrytëzuesit, jo të shfrytëzuarit. Por këtu në Shqipëri, vazhdoi z. Shyti, u pat hapur fjala edhe për atë firaunin, Ben Fikretin, se ia paskësh shkruar, përkundrejt një honorari të kripur, tre vëllimet me kujtime ish-sekretarit privat të Familjes Mbretërore, kolonel Shpend Ukës; një libër që pastaj fitoi çmimin e madh të Republikës dhe e përfshinë deri edhe në programet shkollore, madje u lexua kaq shumë, sa pastaj kur u kujtua Ben Fikreti të nxirrte një roman të vetin, sakaq e qortuan se ishte ndikuar nga “stili unik i gegnishtes së Shpend Ukës”; madje shoqata Besa-Besë, një OJQ monarkiste, kërcënoi se do ta hidhte autorin në gjyq për plagjiaturë. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo komedi, u ngrit që nga sanatoriumi ku vegjeton në Zvicër edhe ai kryehipokriti, Shpend Uka vetë, dhe tha se “e kish falur” Fikretin. Të shkretët ghosts, psherëtiu z. Shyti, edhe po t’i shkelësh me këmbë, prej atyre pritet që të kërkojnë ndjesë.

Z. SHYTI PËR DOMETHËNIEN E ZONAVE ORARE

Një ditë prej ditësh e gjetëm kafenenë të rinovuar nga brenda: Fatja, pronari i lokalit, i kapur nga ndonjë frymëzim kozmopolitan apo ngaqë do ta kish parë të njëjtin marifet gjëkundi tjetër, kish instaluar ca orë të mëdha në një nga faqet e murit, në rresht afër tavanit, të identifikuara hijshëm, me etiketat LONDON, ABU-DHABI, TOKYO, SIDNEY, LAS VEGAS dhe NEW YORK. Sa bukur, tha zoti Shyti që pa u ulur mirë në tryezë: tani do të dimë orën e saktë në metropolet kryesore të globit, çfarë do të na bëjë të ndihemi më shumë pjesë e planetit tonë dhe të vibrojmë me ritmin e valëve kozmike. Dhe ashtu do të jemi në gjendje t’i themi botës: ora dhjetë e drekës, në Londër, dhe ne jemi në kafe; mesditë në New York, dhe ne jemi në kafe; mëngjes herët në Tokio dhe ne jemi në kafe; mesnatë në Las Vegas, dhe ne jemi në kafe. Ecë e mos e beso, që qendra e botës është këtu me ne!

Z. SHYTI RRËMON NË TË FSHEHTAT E LIBËRSHITJES

Doli në ekran fytyra e ndritshme e shkrimtares Valmira Shalësi, e ftuar në emisionin e mëngjesit Të njohim librin, në Top Klan, për të prezantuar librin e saj të fundit, Si të shkruash një bestseller. Kjo zonjë mund të jetë shumë e zonja, por romanet e deritashëm nuk ia ka blerë kush, thamë ne: nga e mësoi si shkruhet bestselleri, aq sa t’ua tregojë edhe të tjerëve? Por libri i tanishëm i ka ecur shkëlqyeshëm, tha z. Shyti; madje për Shqipërinë fare mirë mund të konsiderohet bestseller. Edhe pastaj? – pyetëm ne. Si edhe pastaj? – e ngriti zërin z. Shyti. Ja ku e ka edhe ajo bestsellerin që ia kërkuat!

Z. SHYTI RRËFEN NJË HISTORI TË SHKURTËR ME DIKTATOR

Na ishte njëherë një diktator që, si e kish siguruar mirë pushtetin, zuri të ushtronte hobby-n e diktatorëve anembanë botës: TË DIKTONTE. Një ditë prej ditësh, tek u bënte diktim një grupi shtetasish që kish thirrur në pallatin e vet, diktatori pa se njëri prej këtyre nuk po mbante shënime, si shokët. Më shumë i habitur se i zemëruar me këtë karshillëk kaq qesharak ndaj diktatit të tij, ngriti përpjetë vetullat si pendë korbi, i tundi gishtin fajtorit dhe i bërtiti: ORE TI ATJE! KU E KE PENËN? PSE S’I SHKRUAN KËTO QË THEM UNË? Dhe fajtori u përgjigj: të më falni, zoti diktator, por unë i ziu nuk di shkrim e këndim, jam analfabet…Kjo histori, shpjegoi z. Shyti, edhe pse pa ia kërkuar kush, tregon se në diktaturë edhe analfabetizmi mund të shërbejë për të sfiduar pushtetin.

Z. SHYTI JEP MËSIME JETE

Nëse do ta kuptosh një njeri, tha z. Shyti, gjeje se kë po mundohet të impresionojë. Ja për shembull, vazhdoi duke u kthyer nga ne; ju jeni në rregull, sepse ju e keni kapur me mua.

Z. SHYTI SAJON NJË GJËZË DHE I PËRGJIGJET PO VETË

Ja një gjëzë për ju, na tha z. Shyti. Një natë merr zjarr dhe digjet krejt biblioteka e madhe e enciklopedistit Llambro Ziso. Vetëm një libër i shpëton shkrumbimit. Shteti ofrohet t’ia ribëjë profesorit erudit bibliotekën me fondet publike (“asgjë nuk do të kursehet,” etj.), por a mund t’ia ringresh bibliotekën një gjiganti të dijes të përmasave të Zisos, nga një libër i vetëm që e kanë kursyer flakët? Njëlloj siç bënin paleontologët qëmoti, kur ia rindërtonin skeletin një dinozauri, nga një eshtër e vetme? Po jua jap unë përgjigjen, vazhdoi z. Shyti, sepse ju s’paskeni mendje për të vrarë: po, mund të rindërtohet: libri që paska shpëtuar aq mrekullisht, është katalogu i bibliotekës.

Z. SHYTI JEP NJË PËRKUFIZIM KOMBËTAR

Shqipëria, tha z. Shyti, është ai vend për të cilin i merr malli njerëzit që jetojnë në Shqipëri.

 


© për përmbledhjen dhe prezantimin Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin