Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Lexim

Ç’ËSHTË ESEJA?

nga Arben Dedja

Kam ca që shkruaj ese. Ndonjërën edhe e kam botuar, te “Peizazhe të fjalës”. Sa kohë që reagimi i lexuesit ishte i vakët, indiferenca e tij rrinte në përpjestim të drejtë me fodullëkun tim, por, kur dikur reagimi u shpall, ujërat u qartësuan. Thirrjet drejtuar revistës (ishte fjala për një ese timen) që të mos ta ulë veten e të botojë “artikuj” të këtij niveli apo batutat që “studimi” në fjalë thjesht nuk ka as qëllim e as konkluzione, për t’i lënë mënjanë përçkëndimet e tjera, më bënë të mendoj se kish një keqkuptim në gjithë këtë.

Në një intervistë Arrigo Sacchi e ka rrëfyer mirë përvojën e tij të parë si trainer, me skuadrën Bellaria IM (jemi në vitet e largëta shtatëdhjetë, kategoria e katërt e kampionatit italian). Faza e parë e kampionatit: vetëm humbje. Sepse, kujton Sacchi, me skuadrën time merresha me themelet e lojës dhe “finché [uno] fa delle fondamenta va sottoterra e non sopra”.

Gjithashtu, më kujtohet që kisha një të njohur në Radiotelevizion që më ankohej për të ndjerin Ardian Klosi, për periudhën e shkurtër kur e pati drejtor:

“Bën mbledhje ku na shpjegon: ‘Ç’është lajmi?’ Ai të ma shpjegojë mua? Unë kam njëzet vjet punë aty.”

Mos e dhashtë Zoti t’i shkel, me shputën time sedërmadhe, marrëdhëniet me lexuesin, por edhe unë po orvatem pak të merrem me diçka thelbësore, t’i përgjigjem pyetjes (se, me gjasë, këtu qëndron keqkuptimi): “More po eseja, ç’është?” Të shkruaj, pra, një ese për esenë. Dhe për këtë më duhet ta filloj nga themelet. Natyrisht, shpresoj të dal nga kjo mesele me dy Kupa Kampionësh dhe jo me një dorëheqje.

Meqë, ndryshe nga anglosaksonët, që i fillojnë shpesh (do të thosha gati gjithmonë) frazat e tyre me një term pohues (“Well,…”), ne shqiptarët, natyra negative, kemi prirjen ta fillojmë ftillimin me shprehje kundërshtuese, edhe unë, kryeherazi, po shpall ç’nuk është një ese. Një ese nuk është shkrim kritik, as pamflet, as polemikë, nuk është artikull, nuk është studim.[1]

Përkufizimin definitiv të esesë e ka dhënë, sipas meje, Samuel Johnson-i, në të famshmin A Dictionary of the English Language (1755):[2]

ESSAY — A loose sally of the mind; an irregular indigested piece; not a regular and orderly composition.

Anglishtfolësve ndoshta përkthimi im mund t’u ngjajë çapraz: “Një hyxhym i shpenguar i mendjes; një copë e çrregullt dhe konfuze; jo një vepër e rregullt dhe e disiplinuar.”Ama, si shumë gjëra angleze që janë me origjinë franceze, edhe Dr. Johnson-i e merr konceptin nga një francez, Michel de Montaigne (1533-1592). Montaigne i vuri emrin i pari kësaj forme të çuditshme letërsie: essai, nga folja essayer që do të thotë provoj, testoj, eksperimentoj. La gjithsej njëqind e shtatë ese, më e shkurtra e të cilave, “Le profit de l’un est dommage de l’autre”, është a s’është një faqe gjë, kurse më e gjata: “Apologie de Raymond Sebond”, plot dyqind e dyzet e tre (faqe). I lexon ato dhe e kupton që Montaigne i dha jetë një krijese me një bukuri të brishtë, një forme letrare plot ide, por jo plotësisht të formuara; ama, nga ana tjetër, ide stimuluese, provokuese. Në to Montaigne nuk mëton kurrë të thotë fjalën e fundit, por mbetet gjithnjë subjektiv (qëllimisht – e shpall haptazi që nuk mundet dot të jetë objektiv); kështu shpreh, thotë: “krejt tiparet e karakterit tim”. Po cilat janë këto tipare? Montaigne është një tip flâneur-i ante litteram, tejet ekscentrik, kontradiktor, përtac, hutaq, i pasigurt, skeptik… Por, mbi të gjitha, nuk është fanatik. Nuk ka kurrë mesazhe për lexuesin e as ndonjë teori për të shpallur; në qoftë se ngrë një pyetje …i përgjigjet me një breshëri pyetjesh të tjera, të lezetuara këto me histori e anekdota që çojnë, madje, drejt përfundimesh të kundërta.  Le të këqyrim pak në kundërdritë një ese çfarëdo të tijën. Marrim, për shembull, atë që titullohet “Mbi të çalët” (“Des boyteux”, faqe 1369-1384 në botimin italisht të Adelphi-t).

Faqet e para janë një ankesë e autorit për reformën gregoriane (të kalendarit), hyrë në fuqi bash në kohën kur eseja po shkruhej; Montaigne, bile, sugjeron si mund të kryhej më mirë (reforma). Pastaj autori ynë fillon të përsiatë lirisht se si njerëzit përballen me risitë dhe faktet e çuditshme: kërkojnë shkaqet më fort se të merren me thelbin e tyre dhe, kur besojnë te diçka, rreken të bindin edhe të tjerët, duke shtuar nga vetja mballoma “faktesh” të shpikura. Vazhdon pastaj një arsyetim i tij mbi të vërtetën dhe gënjeshtrën që “ne i shohim me të njëjtin sy”. Pastaj menjëherë, me një mbivendosje imazhesh, përshkruan sa të dobët ndihen njerëzit përballë një mashtrimi të pastër, sa kollaj tërhiqen për hunde nga çdo e ashtuquajtur “mrekulli”, si kumtohet ajo gojë më gojë dhe, zakonisht, në kahje të kundërt: nga ai që di më pak drejt atij që di më shumë, nga ai që ndodhet më larg drejt atij që ndodhet më afër. Edhe unë vetë, thotë autori, nuk i shpëtoj nganjëherë tundimit (dhe vu qortimet për veten, për prirjen që ka t’i hiperbolizojë faktet). Në përgjithësi njerëzia mendon shtrembër, thotë Montaigne dhe, kur njerëzit që besojnë te diçka bëhen shumë, atëherë ajo automatikisht merret si e vërtetë. Hajde mbroje dot gjykimin tënd përpara turmës! Edhe zotër e njerëz intelektualisht të ngritur ndodh të besojnë në shëronjës gjithfarësh e gënjeshtra që, thjesht për fat, mund të kenë për do kohë një farë suksesi. Dhe rrëfen historinë e tre të rinjve që natën, të fshehur nën altarin e kishës së fshatit predikonin, sikur të ishin shpirtëra nga përtejvarri, konvertimin e botës, gjykimin universal, derisa filluan të thonë gjëra aq trashamane sa i zbuluan dhe i burgosën. Se gabimet lindin ngaqë nuk guxojmë të shprehim çiltër injorancën tonë dhe pranojmë kështu për të vërteta gjërat që nuk jemi në gjendje t’i hedhim poshtë. Për çdo gjë flasim në mënyrë të pagabueshme dhe dogmatike, në një kohë që mua, thotë Montaigne, më pëlqejnë jashtëzakonisht shprehje të tilla, që e ëmbëlsojnë ligjërimin: “më duket”, “ndoshta”, “në njëfarë mënyre”, “ndonjë”, “thuhet”, “mendoj” e të tjera.

Në këtë pikë të esesë Montaigne vihet rehat në tryezën e punës dhe për nja pesë faqe kapet me një nga çështjet gjyqësore më të famshme të kohës së tij, atë të Martin Guerre (identitet i dyfishtë, shkëmbim personi, mashtrim) dhe me një histori shtrigash. Këto, natyrisht, atëbotë përfundonin me dënim kapital (prerje koke në rastin e Martin Guerre-it “të rremë”; djegie në turrë të druve të shtrigës). Montaigne argumenton që është kundër dënimit me vdekje për këto raste, përderisa mungon evidenca “përtej çdo dyshimi” e asaj që ka ndodhur.

“Tekefundit, është t’u vësh hamendjeve të tua një çmim shumë të lartë që të duash, për hir të tyre, të pjekësh të gjallë një qenie njerëzore” thotë Montaigne.

Ndërkohë kemi lexuar dy të tretat e esesë dhe fjalën “i çalë” s’e kemi hasur gjëkundi (përveç titullit). Jemi bindur tashmë paq – duke e njohur autorin, s’ka gjë për t’u habitur – që në këtë ese çalamanët shërbejnë vetëm si pretekst, janë një metaforë e intelektit të çalë të njeriut; çalamanët janë gjykatësit, të çalë në shpirt e në ndërgjegje, që çalojnë si vetë vendimet e tyre.

Është pikërisht ky momenti kur Montaigne kujtohet për titullin dhe fillon e flet për të çalët në kuptim literal. E fillon me “të çalat” në fakt, se përmend, pa një pa dy, thashethemin që gratë e çala janë shumë të zonjat në shtrat.[3] Si shpjegohet, pyet autori ynë? Të ndodhë ngaqë kryejnë lëvizje të çrregullta? Mundet. Por, shton, “sapo mësova që filozofia e lashtë e ka përcaktuar këtë gjë” (faqe 1381). Dhe, në fakt, Aristoteli, thotë diku që muskujt e vaginave të këtyre grave janë më të zhvilluar sepse marrin ushqimin që u mungon këmbëve. Pasi Montaigne-i lë të llafosë filozofin e shquar dhe sjell edhe shembuj të tjerë nga lashtësia (historinë e amazonave, që i shtrembëronin kastile që foshnje djemtë, që të rriteshin “të zot” vetëm për atë diçka që u duhej: kjo puna e të çalëve vleka për të dyja gjinitë), e merr përsëri fjalën dhe kall një dyshim: “Për çfarë nuk mund të flasim, kësisoj?” (faqe 1382). Të gjitha teoritë e këtij lloji janë për të mos u zënë besë. Dhe shpall që, i brerë nga dyshimet, e eksperimentoi vetë këtë punë (bëri seks me një grua të çalë, me një fjalë) dhe mbërriti në një konkluzion tjetër: të jesh apo jo i çalë nuk ndikon asfare në atë punë – është thjesht imagjinata jonë që na shtyn të besojmë që po bëjmë qejf më shumë se zakonisht. Tekefundit, të qenët e mendjes njerëzore “e fandaksur” është e vetmja gjë për të cilën mund të jemi të sigurt. Përfundimi i esesë është i jashtëzakonshëm dhe nuk ka fare lidhje me titullin dhe hyrjen e saj.

Ky është Montaigne, ati ynë i përbashkët.

I mbrujtur kësisoj, e marr esenë me sportivitet. E shkruaj esenë si të ishte tregim. Ndërsa te tregimi kemi një personazh (kryesisht) njerëzor që e çon përpara ngjarjen; tek eseja kemi një ide, një dukuri, qoftë edhe një fjalë e vetme, (diçka pa trup, pra), që është “personazhi që çon përpara ngjarjen,”. Në një tregim timin të dikurshëm, për shembull, personazhi kryesor është një kirurg i urgjencës. Në një ese timen, shkruar pak më vonë, “personazhi kryesor” është… futbolli. Tregimi me mjekun është shkruar në vetë të parë dhe aty ai dialogon me personazhe të tjerë, pak a shumë kalimtarë, që mbijnë si kërpudha pas shiut, siç është e udhës në një urgjencë. Natyrisht, në esenë mbi futbollin, e cila, forza maggiore, është shkruar në vetë të tretë, futbolli nuk dialogon dot (veç në mos e pezullofshim mosbesimin – suspension of disbilief – deri në atë farë feje), por gjithçka vërtitet rreth tij; të tjerët dialogojnë për të, ka flashback, përshkrime të lojës, krahasime, arsyetime mbi lojën. Stili i të rrëfyerit, qasja ndaj “personazhit”, figurat retorike, evokimi i imazheve që orvatem të ndjell, janë ato të një tregimi.

Dhe së fundi, qoftë edhe thjesht për të mprehur thikat, po kumtoj disa ese që po dua t’i shkruaj në të ardhmen. Gjëra që i bluaj në mend. Njëra do të titullohet (pak a shumë): “Mbi rimën (në poezinë shqipe)”. Një tjetër: “Pse Kosova është e fortë në xhudo?” Ese alla-Montaigne, ama, jo “studime” bibliogafiko-patriotike.

As përrallë ju rrëfeva po desha e ju gënjeva.

©2022 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Për të gjetur “artikuj” ose “studime” të miat ftoj kureshtarët t’i kërkojnë ato në PubMed, por bëj me dije që argumentet janë tejet teknikë. Ja titulli i njërit syresh, të sapobotuar, ku unë jam, modestisht, vetëm bashkautor: “Customized bioreactor enables the production of 3D diaphragmatic constructs influencing matrix remodeling and fibroblast overgrowth”. Revista ku është botuar? Nature Portfolio Journal: Regenerative Medicine. Por punimi është open access, ndaj gjithkush mund ta “shijojë”.

[2] E kuptoj që citimi është një çikë i vjetër, por ky jam unë: burrë zamani.

[3] Edhe shqipja e ka një fjalë të urtë për këtë, që unë, si burrë me namuz, nuk mund ta riprodhoj dot këtu.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin