Dëgjoja mbrëmë njërin që nxirrte nga goja gjithfarë marrëzish në televizion, dhe e kapa veten duke thënë: “ky qenka bërë për ta lidhur.” Në fakt këtë e tha gjuha brenda meje, në trajtë shfryrjeje, pa marrë unë pjesë fare në akt. Se pastaj shprehja më tingëlloi pak e ashpër, veçanërisht dëshira për “ta lidhur” dikë, ngaqë thoshte gjepura dhe budallallëqe, me fjalë të tjera, ngaqë po paraqitej si “i marrë”. E kisha lejuar shqipen time që të riprodhonte dhe të më impononte, pa qenë unë fare i vetëdijshëm, një klishe të mbrapshtë, dhe pikërisht atë që të marrët “u dashkan lidhur”.
Ky derëziu, diçka midis psikopatit dhe psikotikut, nuk është se po kërcënonte njeri; përveçse po kërcënonte logjikën e sendeve, ose atë marrëveshje të heshtur që kemi me njëri-tjetrin, rreth mënyrës si funksionon bota. Ishte subversiv, por vetëm për shkak të atyre që thoshte. Edhe sikur të kishin hyrë në studio autoritetet dhe ta kishin “lidhur”, kjo nuk do t’ia mbyllte gjë gojën. I vetmi efekt i të lidhurit do të ishte privimi simbolik i lirisë.
Tradicionalisht, kulturat janë kujdesur për të marrët duke i lidhur; mbase që këta të mos i bëjnë dëme vetes dhe tjetrit, mbase që të mos trazojnë qetësinë publike, mbase që të mos e bëjnë tjetrin të dyshojë për shëndetin e vet mendor. Shqipja thotë “qenka bërë për t’u lidhur”; por edhe italishtja ka “pazzo da legare.” Presupozimi se i marri mund të jetë agresiv dhe të sulmojë dikë nuk mjafton – ka tepër shumë histori, për njerëz të sëmurë, që i kanë mbajtur mbyllur, në gjithfarë bodrumesh e dhomash të fshehta, të lidhur pas një hapësire private. Të lidhurit e dikujt është shifra minimale e burgut.
Ideja bazë është ajo e heqjes së lirisë – duke u përfytyruar kjo, liria, si mospengim i lëvizjes, në hapësirë dhe në komunitet. Te Jane Eyre, Mr. Rochester-i e mbante të shoqen, Bertha Mason, “të lidhur” në papafingo – duke ia mohuar çdo kontakt me botën, përfshi këtu edhe rolin si bashkëshorte. Ky zbulim e shtrëngon pastaj protagonisten e romanit që “të zgjidhet” nga hapësira e shtëpisë Rochester – kushedi ngaqë Jane pa te Bertha një version të përçudnuar të fatit që mund ta priste.
Njerëz që lidhin njerëz, duke mishëruar pushtetin e tyre lakuriq. Por nëse njeriu është i tillë në atë masë që është i lirë, të lidhurit e privon nga thelbi i të qenit, pa çka se nuk e pengon as të flasë as të mendojë: në mënyrë të tillë që mundësia e papenguar për të lëvizur në hapësirë vjen dhe shënjon figurativisht gjithfarë mundësish të tjera. Të cilat një i dalë mendsh nuk e meriton t’i gëzojë, sepse është “ç-mendur”, ose e ka bjerrë thelbin e vet si homo sapiens.
Me gjasë, të lidhurit e tjetrit, si praktikë sociale, e ka zanafillën te marrëdhënia që kemi me kafshët “tona” – nga qeni te kali, nga lopa te gomari, nga kau tek ariu i cirkut; të gjitha të buta/të zbutura, të cilat kanë hequr tashmë dorë nga liria për të jetuar (dhe për të vdekur) sipas dëshirës. Madje një kafshë e butë, si kali, e përjeton të lidhurit si kontekst normal të ekzistencës; në kuptimin që është gjithnjë i lidhur diku, të paktën pas të zotit. Përfytyroni pastaj elefantin që e tërheq pas i zoti i vet indian a tajlandez i vogël – aq i fortë është pushteti i frerit, sa gjigandit as që i shkon në mendje sa të lehtë do ta kish ta hiqte qafe.
Të themi se për kafshën e zbutur, litari është përmasa sipas së cilës kjo mirëfilli e realizon atë pak liri që i ka mbetur.
I marri, që përfundon i lidhur, nuk është veçse njeri që ia kanë reduktuar statusin në atë të kafshës; duke ia qethur disa të drejta, njëlloj si të pandehurit që e sjellin të lidhur me pranga në gjyq. Vetëm se tani litarët që ia shtrëngojnë krahët dhe këmbët dhe kyçet i shërbejnë drejtpërdrejt zbutjes, si një lloj terapie. Presupozimi këtu është se i marri, kur e lënë të lirë, nuk mund veçse të rrezikojë lirinë e të tjerëve – dhe eventualisht të vetën.
Prangat që ia shtrëngojnë kyçet të akuzuarit, në sallën e gjyqit, dërgojnë edhe një mesazh tjetër të tërthortë – duke nënkuptuar se i lidhuri, thjesht si i lidhur, është katandisur tani në dëshirë për të ikur. Edhe sikur, në realitet, i akuzuari vetë të mos e mendojë këtë, ikja është gjithnjë pjesë e statusit të tij, sa kohë që vetëm duke e penguar këtë, ikjen, mund të mishërohet “heqja e lirisë”. Qarkojeni një bllok qyteti me policë a me tela me gjemba, dhe të gjithë banorët do të duan të ikin. Rojet dhe qentë e kufirit ndjellin tek ata brenda ëndrra të arratisjes. E kështu me radhë. Edhe i marri, të cilin ende nuk e kanë lidhur por që të gjithë e gjykojnë si “për t’u lidhur”, e përjeton marrëzinë e vet (përkohësisht) si ikje (në ligjërim): që këtej shprehjet i dalë mendsh, i ikur mendsh, i ikur nga meseleja, i ikur nga trutë, i iku tepeleku, i iku fiqiri, i ka ikur mendja…[1]
Sa lehtë na vjen ta përfytyrojmë sundimtarin t’u japë rojeve këtë urdhër për një fajtor çfarëdo: “lidheni!” Dakord, lidheni për ta ndëshkuar, që ky të mos kundërshtojë, të mos i rezistojë forcës, të bindet. Por urdhri shkon edhe më thellë – të lidhurit e dikujt është mënyra më e thjeshtë, që këtij t’ia heqësh kontrollin ndaj vendit që zë në botë (ajrit që zhvendos). Njeriun e lidhur mund ta hedhësh në burg, ta tërheqësh zvarrë pas devesë në shkretëtirë, ta mbysësh në pus, sikurse mund ta çosh edhe në teatër a në bordello – është edhe në mëshirën edhe në përgjegjësinë tënde.
Të lidhurit është pengim i vullnetit të lirë, nëpërmjet dëbimit nga hapësira sociale.
Më kujtohet një proverb: “burri lidhet për fjalësh, kau lidhet për brirësh.” Sërish njeriu dhe kafsha futen në situata paralele, ku të lidhurit merr pamjen e një mënyre për të vënë rregull në rrethanat. Konceptin e gjen të shprehur edhe te “lidhim besë, lidhim marrëveshje, e lidhim fjalën” – të gjitha këto nënkuptojnë një kufizim të lirisë (sërish) nëpërmjet përgjegjësisë morale, detyrimit karshi tjetrit.
Është ky detyrim që mund të ta lidhë gojën ose gjuhën, duke të detyruar të heshtësh, edhe kur të vjen fjala në grykë. Kjo e të pasurit gojën të lidhur i karakterizon të gjithë ata që e dinë vendin që u takon në shoqëri (dhe në ligjërim). Edhe mbreti nuk i thotë dot të gjitha – e pengon vetë statusi i të qenit mbret. Vetëm loloja e gëzon privilegjin e gojës së zgjidhur, ose të drejtën për të luajtur rolin e të marrit, pa rrezikuar që dikush dikur diku të lëshojë urdhrin për ta lidhur.
(c) 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa leje.
[1] Këtu do përmendur edhe gjëza kur i lidh ikin, kur i zgjidh rrinë (këpucët), e bazuar te një paradoks që i referohet sjelljes së kafshës.