Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

ARBËRISHTJA GJUHË E RREZIKUAR

nga Edmond Cane

Para dy vjetësh, me krijimin e QSPA[1], filluam të njiheshim me kuadrin e Gjuhëve të Rrezikuara (GjRr) në gjithë botën si dhe me ato pak studime që ishin bërë për arbërishten. Ndërsa gradualisht rritej njohja dhe dija jonë, po kështu rritej edhe shqetësimi mbi gjendjen e arbërishtes. Megjithatë, kuadri i njohjes sonë ishte modest dhe rezervimi ishte maksimal. Mënyra e shprehjes ka qenë e kujdesshme edhe për faktin që katedra e studimeve shqipe në Kalabri ka qenë e distancuar – faktikisht, nuk a ka pranuar idenë e rrezikimit të arbërishtes. Kërkimet dhe të dhënat për këtë problem kanë qenë tepër të pakta për arbërishten, që është disi e pafavorshme në ditët e sotme kur konstaton studimet e shumta për gjuhët e tjera në Europë e më gjerë në botë.

Fenomeni i GjRr njihej edhe më herët. Por, në fillim të viteve 1990, gjuhëtarët filluan të konstatonin ritme të përshpejtuara që po çojnë drejt një katastrofe gjuhësore për shkak të globalizmit. Për këto 30 vjet, ka pasur vëmendje speciale gjuhësore, studime e kërkime, fonde, grante si dhe një eksplozion dijesh me përfshirjen e katedrave më të njohura gjuhësore në SHBA, Kanada, Australi, Britani, Spanjë, Holandë, Finlandë, Francë, Belgjikë, etj.[2] Shumë nga gjuhët minoritare po bëjnë përpjekje për mbijetesë: mbi bazën e studimeve të avancuara gjuhësore, kanë ndërtuar strategji dhe politika gjuhësore, kanë siguruar shkollim për fëmijët meqë është dëmtuar mekanizmi i transmetimit te brezi më i ri në kushtet moderne me globalizëm. Krahasuar me këtë lëvizje dhe përkushtim, situata për arbërishten ndodhet ende në një dilemë fillestare. Edhe ato pak studime janë bërë kryesisht nga autorë jashtë Kalabrisë dhe zonave të tjera arbëreshe, dhe për to nuk ka pasur referime – për këtë arsye edhe nuk janë njohur nga komuniteti akademik e universitar në zonat arbëreshe dhe në Shqipëri. Ndër studimet kërkimore kryesore janë: teza doktorale e Carmela Perta-s (në Universitetin e Edinburgut) dhe disa artikuj të tjerë të saj më pas në bashkëpunim me studiues të tjerë italianë, Derhemi në një sërë artikujsh nga 2002 deri 2022, përfshi edhe tezën doktorale në 2003, Gianni Belluscio me raportin që bëri në 2010 për gjendjen e arbërishtes për programin kërkimor të BE-së Mercator, si dhe artikullin e 2019 për nivelet e rënies së gjuhës në 4 komuna arbëreshe objekt i studimit.

Që në 2003, në tezën doktorale, Derhemi theksonte se synimi i studimit të saj ishte vlerësimi i arbërishtes nëpërmjet simptomave të gjendjes së rrezikimit dhe vitalitetit, shqyrtimi i proceseve të ndërhyrjes institucionale dhe komunitare për rigjallërimin e arbërishtes dhe përcaktimi i hapave në të ardhmen. Ende sot, nuk kemi të parashtruar dhe të diskutuar, një vlerësim institucional kërkimor për gjendjen e rrezikut dhe aq më tepër, një strategji për mbijetesë. Si rezultat, nuk ka asnjë politikë gjuhësore si në shtetin italian as nga shteti shqiptar që të adresojë këtë problem. Madje nuk ka politikë gjuhësore në përgjithësi.

Në përgjithësi dija shkencore ka kapacitetin dhe vlerën unike që u paraprin fenomeneve, arrin të skanojë dhe të perceptojë që herët praninë e kërcënimit apo dëmtimit, identifikon dhe analizon faktorët, dhe bazuar në të gjitha rrethanat, paradigmat, dijen e disponueshme, zhvillon skenarë dhe alternativa kurimi, zgjidhje dhe zhvillim. Për GjRr, pika kulmore ka qenë në vitet 1991-1992, që i hapën rrugë një angazhimi masiv të katedrave universitare, institucioneve shkencore. Gjuhëtarët kanë paraprirë duke analizuar se ritmet e sotme të shuarjes së gjuhëve nuk janë të zakonshme, përbëjnë një humbje të dijes dhe thesarit konjitiv akumuluar në shekuj nga komunitetet e rrezikuara, një vlerë për të cilën justifikohet ndërhyrja institucionale, fondet dhe vëmendja shtetërore. Brenda studimeve arbëreshe dhe albanologjike, nuk është zhvilluar ende një nëndegë kërkimi në GjRr, që të përcjellë këto zhvillime të shkencës botërore në funksion të arbërishtes, arvanitishtes etj., të kultivonte këtë dije, informacion dhe mekanizma për të matur dhe vlerësuar shkallën e rënies së gjuhës, ndërgjegjësim të komunitetit, ndërgjegjësim të institucioneve italiane dhe shqiptare, politikë gjuhësore dhe ndoshta angazhim real për ndërhyrje shtetërore.

Një përmbledhje e fakteve të deritanishme për gjendjen e sotshme të arbërishtes.

Siç u përmend më sipër, ka pasur studime për komuna të veçanta, por ka munguar një studim i përgjithshëm për nivelet e përdorimit të arbërishtes, dhe sidomos, ka mbetur e pambuluar Kalabria, që ka më shumë se gjysmën e popullsisë arbëreshe. Prandaj në ekspeditën e qershorit 2022 ne u fokusuam në komunat e Kalabrisë. Gjetjet janë shumë më shqetësuese nga çfarë parashikonim[3]. Nivelet e përdorimit të gjuhës raportuar nga 288 subjekte konfirmojnë se, ndër brezin e vjetër, gjuha vijon në nivele të larta, shumë pak të ndikuara, ka një përthyerje të konsiderueshme të grupmoshat më poshtë, dhe ka një dominim të lartë të italishtes tek 20-vjeçarët  dhe një rënie drastike, pothuaj italianizim tek adoleshentët dhe fëmijët. Ndërsa brezat më herët e merrnin kontaktin e parë me italishten në shkollën fillore dhe mbanin arbërishten si gjuhë primare edhe pas shkollimit, sot fëmijët dominohen nga italishtja që 2 vjeç në scuola materna. Kur hyjnë në fillore, në moshën 6 vjeç, ata janë tashmë italianizuar. Të gjitha kontekstet ku ata veprojnë dhe komunikojnë dominohen nga italishtja, Për më tepër, fëmijët po përdorin italishten me shokët/shoqet e tyre arbëreshë si dhe në familje.

Këto gjetje janë në të njëjtën rezultante dhe konfigurim me studimet më te hershme: në Sicili (Derhemi 2002, 2003), Chieuti në Apuglia (Maria Teresa Massaro 2010), San Marzano di San Giuseppe në Taranto, Apuglia (Belluscio 2018, Fritiofsson 2013), komunat në provincën e Campobassos, rajoni i Molises (Perta 2005), Greci në Campania; (Milano & Valente 2010), Villa Badessa në Abruzzo (Perta et al. 2014), 2 komuna në Catanzaro (Belluscio 2018).

Komuniteti arbëresh po vuan insuficiencën akademike, mungesën e kërkimeve dhe dijes shkencore. Përgjithësisht ka një vitalitet mbi mesataren në nivelin e komunitetit, por një mbështetje të munguar nga institucionet akademike, institucionet e qeverisjes lokale dhe institucionet në nivel shtetëror. Në raste të tjera, si për shembull në gjuhët minoritare në veri të Italisë, në Spanjë, Holandë, Gjermani, Kroaci,, Finlandë, Belgjikë (ndoshta dhe në Serbi, Ukrainë, Rusi, të cilat kanë ratifikuar Kartën Europiane në fjalë dhe kanë marrë përsipër angazhimet evropiane), është krijuar një mjedis më i favorshëm. Janë 25 vende evropiane që kanë ratifikuar Kartën Europiane. Këtu nuk përfshihen shtete si Greqia, Turqia, etj. Edhe Italia e Franca nuk e kanë ratifikuar, dhe përpiqen të mbajnë një status të vagullt, kryesisht në nivele deklarative duke shmangur thelbin dhe zbatimin real. Në këtë pikë, bëhet e qartë se arbërishtja ndodhet në kontekstin e shumë faktorëve që nuk janë as vrasës absolutë dhe as mbështetës të qartë. Qëndrimi i shtetit italian, i shprehur edhe në ligjin 482 të vitit 1999 është dashamirës por jo konstruktiv – pasi po lejon në mënyrë të qartë shuarjen e ngadaltë të arbërishtes. Ndonëse nuk ka dhunën sociale, psikologjike dhe institucionale siç ishte në rastin e arvanitishtes (në Greqi), që dihet se po shkon drejt vdekjes së sigurtë, edhe arbërishtja është tashmë drejt kësaj rruge.

Përse vlen dija shkencore?

Arbërishtja do të kishte një shans më shumë nëse studiuesit arbëreshë apo albanologët do të kishin dhënë të parët alarmin për humbjen e gjuhës. Në mënyrë më empirike, kishin shfaqur preokupim Gangale (1976), Zef Schiro di Maggio, Vehbi Bexheti, Rrahman Pacarizi, etj. Më pas, kur për gjithë botën u bë e qartë masakra që po shkaktonte globalizmi, gjuhëtarët kanë qenë ndërmjetësit kryesorë për të ndërgjegjësuar nga njëra anë komunitetin, dhe nga ana tjetër politikë-bërësit. Për arbërishten, pati studimet e mirëfillta në terren në nivel individual, domethënë jo institucional – Derhemi, Belluscio, Perta.

Ka shumë gjuhë në Europë që kanë ndërprerë kursin e rënies apo humbjes, dhe kanë filluar ringritjen. Studimet gjuhësore si dhe kuadri i GjRr i Unesco’s, Këshillit të Europës kanë detyruar shumë shtete evropiane të fillojnë mbrojtjen me ligj dhe me ndërhyrje institucionale. Arbërishtja nuk e ka këtë mbështetje, ndodhet në kushtet e një gjysma-ligji, që funksionon për gjuhët minoritare në veri, por jo për gjuhët në Italinë e Jugut. Për arbërishten ka studime fragmentare, jashtë institucioneve akademike dhe ndërgjegjësimi për shkallën e kërcënimit gjuhësor është në nivele të ulta. Ka një ndjesi instinktive për vijimin e gjuhës nga brenda komunitetit, dhe ende gjallon lidhja e njerëzve me identitetin arbëresh, me gjuhën e të parëve. Megjithatë, në kushtet e vijimit të jetës së përditshme, prindërit zgjedhin të mos këmbëngulin me fëmijët që flasin pak ose aspak arbërisht në familje. Ligji vërtet jep të drejtë për organizimin e kurseve të gjuhës arbëreshe, megjithatë ana tjetër e medaljes është se prindërit preferojnë anglishten, frëngjishten, gjermanishten, spanjishten, pasi kjo ndihmon të ardhmen dhe karrierën e fëmijëve të tyre. Ka prindër që megjithatë dërgojnë fëmijët në kurse, por mësuesit shohin shpesh se mungon vëmendja – fëmijët vijnë për hatër të prindërve, dhe ecuria nuk është e mirë. Ka një seri problemesh që nga përshtatshmëria e metodës, koha e papërshtatshme gjithmonë pas shkollës, dhe në limite didaktike – 1-2 orë në javë, deri te çështje më të mëdha, duke filluar nga fakti që është jashtë sistemit arsimor, nuk është brenda një kurrikule të caktuar. Është kurs jashtëshkollor, por jo shkollim.

Njerëzit e zakonshëm besojnë se ligji është i mirë, por ky ligj ‘i mirë’ nuk ka bërë të mundur as përhapjen normale të kurseve të e arbërishtes në komunat arbëreshe. Shumë nga komunat ose i kanë ndërprerë këto kurse (na thanë për mungesë fondesh, mungesë mësuesish, ose prindërit nuk dëshirojnë) ose nuk i kanë hapur asnjëherë. Pra shkollimi për arbërishten rezulton i parealizuar, por ekspertët dhe studiuesit duhet të kishin perceptuar që herët se ligji i vitit 1999 nuk ishte i “përkushtuar” në misionin e tij, dhe ishte i ndryshëm nga çka parashtronin standardet e Unesco-s dhe standardet e Kartës Europiane. Po ashtu, nëse do të kishte studime akademike, do të ishin zgjidhur një sërë problemesh: cili variant i gjuhës duhej organizuar në kurrikulën shkollore dhe në tekstet, si do organizoheshin tekstet, si do organizohej përgatitja e mësuesve të arbërishtes. Nëse do të kishte studime, komuniteti do të ishte më i ndërgjegjshëm se arbërishtja është më shumë se instinkt identitar e trashëgimor, është një vlerë që nuk duhet humbur. Kjo duhet të ishte kultivuar në vijimësi në komunitet, për prindër e fëmijë, që ka një letërsi, histori arbëreshe. Nxënësit arbëreshë, sidomos ata që vijojnë studimet në scuola superiore ose edhe studentët në universitet, mund të kishin një hapje më të madhe për letrat shqipe në një kontekst më të gjerë, ashtu si nxënës e studentë të përfshirë në mësimin e anglishtes, frëngjishtes, zgjerohen me erudicion për letrat, historinë, letërsinë angleze e franceze. Ky është standardi që ofrojnë shtetet evropiane për minoritetet, edhe Shqipëria për fëmijët e minoritetit grek në shkollat fillore, të mesme e më tej. Gjatë ekspeditës në Kalabri në qershor 2022, ne pamë se me përjashtim të një grupi të vogël, kryesisht të diplomuar në Universitetin e Kalabrisë, njerëzit e tjerë pothuaj nuk e njihnin letërsinë apo historinë arbëreshe. Ata që lexonin arbërisht ishin shumë të paktë.

Nëse katedrat që lidhen me studimet albanologjike në përgjithësi do të kishin parë zhvillimet në Europë e në botë, do ishin njohur me studimet për GjRr, do kishin mundësuar dhe formalizuar rrezikun e gjuhës, do ta kishin përcjellë kauzën tek institucionet shtetërore me forcën që të jep dija, do të kishin dijen shkencore dhe profesionale për ndërtimin e zgjidhjeve. Këto zgjidhje do të nisnin me të drejtën që fëmijët të mësojnë në gjuhën e mëmës, dhe gjithë kornizën kurrikulare që e mundëson këtë. Sot fëmijët arbëreshë nuk mësojnë gjuhën e mëmës. Ndërsa, të dhënat e studimit që u krye në Kalabri në 2022 dhe të dhënat më herët për katunde të tjera konfirmojnë në mënyrë të qartë se gjuha po humb te brezi më i poshtëm. Të vjetrit na u shprehën ende më këmbëngulës për gjuhën, megjithatë shumica ishin realistë dhe u shprehën që gjuha do të vijojë edhe për 1 ose 2 gjenerata. Prindërit shikojnë qartë që gjuha tashmë ishte në rrugën e humbjes, por kanë më pak ndjeshmëri se brezi i vjetër. Ata e shikonin si një tranzicion dhe humbje natyrale, pasi jeta e tyre dhe e fëmijëve të tyre vijon normalisht në italishten dominante.

Studimet akademike kanë nxjerrë në pah që, ndryshe nga ç’mendohet nga publiku i zakonshëm, mësimi paralel i gjuhës mëmë dhe asaj zyrtare, dmth. bilingualizëm, nuk është dizavantazh dhe pengesë, por favorizon zhvillimin e përgjithshëm konjitiv, psikologjik e social. Kjo filozofi do mundësonte një qasje të re për prindërit në radhë të parë dhe për institucionet arsimore në Itali për krijimin e një konteksti ku të valorizohet dhe aktualizohet mjedisi i bilingualizmit. Sot mbizotëron e kundërta. Gjithashtu, bilingualizmi si kulturë dhe mentalitet do ta bënte më të favorshëm trajtimin dhe lobimin për arbërishten në kontekstin italian, në kërkesat që do t’i parashtroheshin shtetit italian për fillimin e një linje dhe strategjie të re, ku një ligj i ri, i bazuar në kërkesat evropiane do të niste rrugën e gjatë për një ndërhyrje të angazhuar italiane.

Studimet e shumta për GjRr në gjithë botën kanë konverguar në disa paradigma dhe korniza të caktuara, që janë bërë orientuese për studimet teorike dhe për studime të rasteve individuale gjuhësh të rrezikuara. Sipas sistemit për vlerësimin e niveleve të rrezikut, përcaktimi bëhet mbi bazë të 9 faktorëve që përgjithësisht njihen dhe aplikohen nga studiuesit e GjRr[4]. Arbërishtja përcaktohet si “definitivisht e rrezikuar”[5] ose me status “e kërcënuar, niveli 6b”[6]. Këto përcaktime janë në thelb të ngjashme pavarësisht terminologjisë së aplikuar, dhe i referohen situatës kur gjuha paraqet qartë nivelet e bjerrjes, në shkallë të tillë që brezi i fëmijëve nuk po mëson gjuhën. Niveli i mëpasshëm është kur gjuha shkon drejt shuarjes, pasi do ta përdorin vetëm brezi i vjetër. Siç u përmend më sipër, studimet për arbërishten kanë qenë të pakta, fragmentare. Përcaktimet në dokumentet ndërkombëtare janë bërë herët, në bazë të të dhënave të përgjithshme të mangëta. Ndërkohë, edhe brenda këtij niveli përcaktuar për arbërishten ka shumë diferenca e zhvillime, që janë të rëndësishme për të kuptuar nivelin specifik të rënies, si dhe për të përcaktuar strategjitë më të efektshme për rivitalizimin e gjuhës.

Fillimisht duhet vënë në dukje se si në Itali edhe në Shqipëri, nuk janë zhvilluar studime dhe politika gjuhësore për rigjallërimin e gjuhëve minoritare apo diasporike, që është një mungesë e rëndësishme dhe parakusht për të tentuar diçka.

Pse Shqipëria? Çfarë roli ka?

Ka një pritshmëri të arbëreshëve për Shqipërinë. Praktikisht, kjo është shprehur deri në takime rëndësishme. Në një takim në qershor 2022 të disa përfaqësuesve lokalë arbëreshe dhe një delegacioni të Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, përfaqësues arbëreshë i paraqitën këtij komisioni realitetin që ligji për mbrojtjen e 12 gjuhëve minoritare në Itali, me një format kompleks, siguron mbrojtje dhe mbështetje të privilegjuar për minoritete të caktuara në veri, pasi këto mbështeten nga Gjermania, Franca, Spanja, etj., por ligji nuk ka qenë efektiv për arbërishten, dhe gjatë kësaj kohe, shteti shqiptar ende nuk ka artikuluar ndonjë kërkesë. Një nga përfaqësuesit arbëreshë përmendi edhe faktin që vetë ligji parashikon nënshkrimin e memorandumeve mes Italisë dhe shtetit të origjinës historike të gjuhës minoritare. Ka aq shumë memorandume mes dy vendeve, por asnjë që të ketë lidhje me preokupimin dhe interesin për mbrojtjen dhe zhvillimin e arbërishtes.

Një njohje më e mirë e përcaktimeve për GjRr dhe dokumenteve ndërkombëtare si psh. Karta përkatëse e Këshillit të Europës, kuadri i UNESCOs, raporteve eksperte ndërkombëtare do të orientonte Shqipërinë nëse mund të angazhohet, në çfarë shkalle, dhe si. Janë një sërë raportesh delikate politike, diplomatike por edhe komunitare. Përveç njohjes jo shumë të mirë të rolit që mund të luajë, në qëndrimet aktuale ka pasur edhe pasaktësi ose papërshtatshmëri – si për shembull aplikimi shabllon i gjuhës standarde shqipe, ndërkohë që te arbëreshët kjo ka shkaktuar frustrim. Por më shumë bie në sy pasiguria e Shqipërisë nëse duhet të ngrejë këtë çështje dhe mungesa e qartësisë çfarë duhet të kërkojë.

Gjithashtu, Shqipëria dukshëm ka më shumë kapacitete akademike dhe institucionale për studime teorike dhe të aplikuara për kauzën në fjalë, për zhvillimin e një mjedisi të nevojshëm gjuhësor, të unifikuar sipas një skeme standardizimi të përshtatshme – jo detyrimisht ndërtuar mbi standardin e shqipes dhe filozofinë me frymën e viteve 1970 që e përshkon këtë koncept. Duhet thënë që kjo degë e re e studimeve gjuhësore nuk njihet ende në Shqipëri[7].

Si rezultat, nuk është angazhuar as faktori politik dhe as ai akademik. Kur këto palë t’i përgjigjen sfidës, Shqipëria do të jetë në gjendje të përgatisë dhe të konceptojë një politikë gjuhësore, një strategji të ndërhyrjes gjuhësore të avancuar me shpresën e rigjallërimit të gjuhës. Pyetja kritike është: “A mund të presë arbërishtja deri sa të zhvillohet ky kapacitet?”

Kjo dije nuk është gati.

Disa aktorë kryesorë nuk janë gati: aktorët akademikë, aktorët politikë-bërës, ndërkohë që aktorët politikë lokalë vërtiten brenda një kafazi të ngushtë pa potencialin e duhur

Gjuha po bjerret me shpejtësi. Të dhënat nga studimet ende të pakta në dispozicion tregojnë që koha për veprim është ngushtuar shumë.

Dijet aktuale në GjRr rekomandojnë një skenar të mundshëm shprese: lobim i aktorëve të interesuar: komunitetit, mësuesve arbëreshë, asociacioneve, drejtues lokalë në komunat dhe provincat arbëreshe, rajone, institucione të rëndësishme në Shqipëri (institucione akademike, politike), që të hapin diskutimin për një ligj të ri, me një ndërhyrje krejt ndryshe, për një angazhim të institucioneve akademike dhe arsimore që të ndërtojnë politikë gjuhësore, strategji për shpëtimin e arbërishtes, zhvillimin e kornizës kurrikulare dhe kurrikulave specifike për arbërishten, hapjen e programit universitar për mësues të arbërishtes që sa më shpejt të kemi mësues me laurea në mësimin e arbërishtes (jo të shqipes), që të gjenden fondet e duhura për klasat dhe mësuesit e arbërishtes dhe fëmijët arbëreshë të kenë të drejtën e gjuhës së mëmës dhe të mësojnë lëndë të tjera mbi bazë bilingue: domethënë, në shkollën fillore, media, ndoshta edhe superiore, të jepet mësim lexim, histori, etj. mbi bazën e italishtes dhe arbërishtes.

Problemi i angazhimit të të gjitha palëve më sipër është një ekuacion me shumë të panjohura. Krijimi i një ligji të ri do të jetë vetëm fillimi i përpjekjes. Duke pasur parasysh gjendjen e sotme të arbërishtes, faktin që transmetimi pothuajse është ndërprerë te fëmijët në shumë komuna, pas një gjenerate, domethënë, pas 20-30 vjetësh, kjo përpjekje nuk do të jetë më e nevojshme pasi nuk do ketë as fëmijë arbëreshë që të duan dhe të mund të mësojnë, dhe as prindër që të duan arbërishten për fëmijët e tyre. Të dhënat e studimeve të deritanishme konvergojnë të gjitha në një parashikim të pafavorshëm: në shumicën e komunave arbërishtja nuk po transmetohet, numri absolut dhe numri proporcional i folësve që vërtet e flasin arbërishten ka pasur secili rënie radikale. Ato pak fshatra që do të mbeten, do të jenë ishuj të parëndësishëm, për të cilat nuk do ketë arsye të bëhet ligj i ri apo ndërhyrje shtetërore. Që të shikosh se çfarë do të ndodhë pas një brezi (20-30 vjetësh), duhet kurajë dhe fuqi me dije shkencore.

Konkluzioni paraprak nga sa më sipër është se, në këtë kohë të ngushtë që mund të ketë ende hapësirë për të pasur gjallërim real të arbërishtes, profili i aktorëve dhe ecuria e tyre e deritanishme nuk tregon se do të ketë surpriza dhe ndonjë ndryshim radikal të kursit të tanishëm. Një veprim i shpejtë, një angazhim i gjithanshëm, do të ishte shpresa e vetme. Për këto një test direkt do të jetë nëse për 1-2 vjet, aktorët e interesuar do të kërkojnë dhe do të lobojnë  për një ligj të ri (mbi 20 vjet të vonuar), sipas shumicës së vendeve të BE, në përputhje me Kartën përkatëse Europiane – të cilën, Italia me sa duket ka pasur arsye mos ta ratifikojë. Ndoshta ligji 482 nuk u konceptua që të siguronte mbijetesën e arbërishtes. Ligji italian ishte rrjedhojë e një kuadri më të gjerë – presionit mbarëeuropian për mbrojtjen e gjuhëve minoritare që po kërcënoheshin në epokën e globalizmit – pra pikërisht për këtë kërcënim që arbërishtja do ta kishte në këto 20-30 vitet e fundit. Në vend të kësaj, ligji devijoi nga kursi evropian dhe siguroi vetëm një vëmendje dhe respekt për arbërishten, homazh, botime librash, projekte kulturore dhe disa kurse për fëmijë.

Në lidhje me një parashikim të mundshëm të perspektivës arbëreshe, ky parashtrim e drejton fokusin te probabilitetet më poshtë:

Cilët nga aktorët do të ndryshojnë rrjedhën e deritanishme dhe brenda 1-2 vjetësh do projektojnë dhe formalizojnë kuadrin ligjor institucional të ndërhyrjes?

Edhe nëse kjo bëhet, do ketë fonde të mjaftueshme, studime, zhvillim strategjie e politikash, përgatitje mësuesish, ndërtim kurrikular, planifikim në nivel shkollash, krijim mjedisi që prindërit dhe fëmijët arbëreshë ta besojnë se do jetë ndërtuar një trase për zhvillim arsimor, social e profesional me bazë arbërishten?

Përkundër kontekstit jo shumë të favorshëm parashtruar më sipër, qëndron avantazhi i vitalitetit arbëresh që mendoj se është i pranishëm edhe në realitetin e sotëm në 2 nivele të rëndësishme. Së pari, brenda komunitetit, brenda familjeve arbëreshe. Megjithë konstatimet referuar nga studimet, përfshi edhe gjatë ekspeditës sonë, shkalla e rezistencës komunitare është e lartë. Siç e ka referuar edhe Derhemi në disa kumtesa (FEL25 në 2021, Seminarin e Prishtinës 2022), qëndresa dhe vijimi i arbërishtes dhe arbëreshëve është një fenomen për t’u konstatuar në kushtet e sotme të globalizmit dhe vështirë të presësh më shumë se kaq në nivel komunitar. Gjatë ekspeditës sonë ne hasëm shumë raste që e ilustrojnë këtë, por këto do të meritonin hapësirën e një shkrimi tjetër. Së dyti, është faktori i inteligjencies lokale, veçanërisht mësuesve, pavarësisht se nuk janë brenda një institucioni ose një kornize të caktuar institucionale. Mësues apo njerëz të letrave që kemi takuar në komuna (San Cosmo, Civita, Firmo, Lungro, San Martino, San Demetrio, Vaccarizzo Albanese, Spezzano Albanese, Cerzeto, etj. kanë zhvilluar individualisht, për 20-30 vjet rresht, materiale kurrikulare të nivelit të lartë, që do të ishin modele të avancuara kurrikulare edhe për institucionet tonë shtetërore. Përpjekjet, eksperienca dhe outputet që kanë zhvilluar deri tani Ambrogio Bellizzi, Vincenzo Bruno, Annunziata Bua, Carmine Stamile, Alessandro Constantino, Vincenzo Perelli etj., janë një bërthamë nga mund të ndërtohet adresimi dhe përpjekja për mbijetesën arbëreshe në një mënyrë të shëndetshme dhe moderne.

Ne kemi hulumtuar, me kujdes dhe kuriozitet, si anën e kërcënimit, edhe anën e vitalitetit. Të dyja kanë kompleksitete të shumta shkencore dhe jetësore. Kjo sfidë jo detyrimisht është një fatalitet, siç mendojnë shumë njerëz. Studimet për GjRr përfshijnë si realizmin e kërcënimit, edhe potencialet e vitalitetit.

(c) 2022 Edmond Cane. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët

[2] Disa universitete kanë zhvilluar edhe programe master, doktorate si dhe shumë evente të rëndësishme shkencore. Ka pasur konferenca tematike si dhe konferenca vjetore të rregullta në kuadër të disa programeve dhe rrjeteve ndërkombëtare: ICLDC (http://ling.lll.hawaii.edu/sites/icldc/), ELDP (https://www.eldp.net/) etj. Fondacioni i Gjuhëve të Rrezikuara (FEL – Foundation of Endangered Languages – https://www.ogmios.org/), është një tjetër rrjet ndërkombëtar që po vepron prej 25 vjetësh, dhe promovon, organizon, mundëson konferenca, seminare, bashkëpunime për gjuhët e rrezikuara. Këto rrjete shkencore kanë qenë kontribuesit kryesorë në një sërë dokumentesh botërore të rëndësishme, përfshi Raportin e UNESCO-s 2003, Atlasin botëror të Gjuhëve të Rrezikuara (1996, 2001, 2010). FEL organizon edhe konferencat vjetore ndërkombëtare të gjuhëve të rrezikuara.

[3] Të dhënat do të botohen së shpejti në një organ shkencor, për të prezantuar në mënyrë të plotë mekanizmat matës, të dhënat dhe analizën e tyre. Të dhënat janë marrë nga 10 komuna dhe 2 katunde, pjesë e një komune më të madhe, nga provinca e Kozencës, 2 nga 3 komunat në Crotone dhe nga Barile, provinca e Potenzës..

[4] Shih raportin e Unesco 2003, Chistopher Moseley 2010, Simons & Lewis 2013

[5] Shih Moseley 2010 (Atlasi I UNESCO’s për Gjuhët e Rrezikuara)

[6] shih https://www.ethnologue.com/size-and-vitality/aae

[7] Në lidhje me standardizimin, ka pasur disa valë të mëpasshme studimesh dhe qasjesh teorike, që e shikojnë të tejkaluar preokupimin centrist deri 50 vite më parë. Sot rekomandohet një qasje pluricentriste për kontekste të ngjashme me shqipen, me balancën për frymëmarrje mes dialekteve, dhe harmonizimin e tyre brenda një kornize kombëtare, jo detyrimisht të kufizuar me rregulla të ngurta, dhe jo detyrimisht me një qendër standardi.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin