RRNO VETËM PËR M’U DHUNUE

nga Idlir Nivik

Mirëpo, bota jonë e gjorë i ngjan xha Jobit plak,
që rrinte majë plehut, gjithë plagë e zemëratë.

George Bernanos, Ditari i një prifti fshati

 

(Ky shkrim i referohet një imazhi të mbrojtur me copyright. Sugjerojmë që të lexohet duke e mbajtur parasysh edhe imazhin, i cili mund të afishohet duke klikuar këtu.)

Ta zëmë se vajza në foto nuk është reale.

Jo në kuptimin se është fake, si fake news ; apo si fake tits (gjokse silikoni) në industrinë porno.

Ta zëmë se është thjesht rimishërim, transmigrim i shpirtit në kohë.

Ta zëmë se është, për shembull një formë e pasvdekjes e Thérèse de Lisieux, shenjtes që parashtroi nocionin e Hirit të perëndisë (la Grâce).

Ose formë e pasvdekjes e Bule Naipit, a Persefoni Kokëdhimës, dy partizane të varura në litar gjatë luftës tashmë të harruar kundër fashizmit.

Ose ndoshta edhe forma rimishëruese, allasoj, të Liri Belishovës apo Musine Kokalarit, të eliminuara nga komunistë makiavelikë.

Ta zëmë se edhe qeni këtu nuk është real.

Jo në kuptimin që s’ka racë.

Ta zëmë është thjesht një zemër, si ajo e qenit me vaginë të transplantuar në romanin e Bulgakovit.

Ta zëmë është një transfigurim më butak i Mefistofelit.

Ose forma e pas vdekjes e Pierre Cardin, që i avitet sërish modës, « sikundër qeni i kthehet vjelltinës së vet », sipas Proverbës 26 :11 të Biblës.

Mirëpo kanapeja shik mbetet objekt, kësisoj thjesht kanape.

Edhe tryeza rimeso mbetet po aq tryezë, paçka kuptimit që mund t’i atribuojmë apo simbolit që mund të mishërojë.

E kësisoj dhe libri në këto duar mbetet po ai:

Rrno vetëm për me tregue, i at Zef Pllumit.

Janë po ato kujtime të burgut.

Po ato rrëfime të priftit të vrarë.

Po ato ditare të gulagut.

Është po ai libër historie të persekutimit e të vrasjes.

Sado valëzimi i fustanit të vajzës të përçojë artificialisht erën e San Tropesë apo të plazhit të Jalës, libri që ajo mban shpenguar, e qeshur, e rehatuar, e rrezitur, lëkurëfekse, mbetet prapë libri i kujtimeve të mortit e të ndëshkimit të lig.

Edhe sikur vajza këtu të ish Salomeja pagane, prapë libri në dorë, që ajo mban shpenguar, e qeshur, e rehatuar, e rrezitur, lëkurëfekse, (gati “me pordhë”), prapë mbetet pergamena i një jete të rrudhur e të vrarë.

Sa bukur e përvetëson persekutimin industria e modës!

(Talenti i fotografit këtu nuk diskutohet: distanca mes syve të vajzës dhe tekstit të at Zefit është baras me largësinë nga mjekra e saj te gjuri përpjetë. Distancimi i leximit, që na tregon ashiqare :- Kjo s’ka shans ta lexojë këtë lloj libri !, kompensohet me tallazin e fundit rozë, mbi të cilin modelja rri si macja kur u përgjum mbi pelerinën e profetit Muhamet. Sa për këmishën ushtarake, ajo na jep pak dozë nga lufta e fundit, pra një çikë Histori në pelush).

Sa bukur ka ndryshuar vdekja me rrjetet sociale !

Sa i lëbyrtë është bërë turpi në Shqipërinë virtuale!

Sa mirë dhunon skandali me Photoshop!

Padre Zefi ndoshta e kish diç gabim kur pat bërë dallim strukturor (jo thelbësor) mes burgjeve të komunizmit tonë dhe ato ‘pak ma ndryshe’ të kampeve të nazizmit.

Sa rehat rivjen tani fashizmi ! sa mes nesh banon, rron e dhunon !

© 2022 Idlir Nivik. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

(Kopertina: Photo by Phil Hearing on Unsplash)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin