Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

EMRI I GJIROKASTRËS DHE KRONIKA E DROPULLIT

nga Tannhäuser

Shkas për këtë shkrim është libri i fundit i Panajot Barkës, i cili trajton historinë dhe identitetin e qytetit të Gjirokastrës.[1] Ajo që dua të veçoj nga libri, të paktën për nevojat e këtij shkrimi, është përdorimi nga ana e autorit si burim parësor Kronikës së Dropullit në botimin e A. Petridis. Këtë gjë e vë në dukje edhe Shaban Sinani i cili i ka përgatitur parathënien e librit. Shkruan Sinani (f.18): “Autori referohet para së gjithash në burime referenciale, si ‘Kronika e Dropullit’, rikthyer në vëmendjen e studiuesve edhe gjatë këtij viti, pas një artikulli nënshkruar me heteronimin Tannhäuser (huazuar prej operas me të njëjtin titull të kompozitorit gjerman Richard Wagner). Titullin në burim ‘Το χρονικό της Δρυϊνούπολης’ autori e interpreton në shqip disi ndryshe, si Kronika e Gjirokastrës (Αργυροκάστρου).” Për sa më përket mua, well, guilty as charged! Veçse më duhet të ritheksoj, ashtu siç kisha bërë edhe tek shkrimi i mëparshëm, se “Kronika e Dopullit” nuk është gjë tjetër veçse një fabrikim letrar dhe natyrisht nuk duhet të merret parasysh si burim historik. Pra, nuk është një kronikë origjinale që përmban elemente mitologjike apo fragmente historike të paqena siç ndodh shpesh në kronika mesjetare dhe siç menduan disa autorë që replikuan me shkrimin tim (dhe kur them disa autorë e kam fjalën për P. Xhufin); është një vepër e shkruar posaçërisht për t’u paraqitur si kronikë dhe që kërkon të plotësojë atë mungesë informacionesh historike për trevën e Epirit.

Natyrisht Barka nuk është i vetmi që e merr si të mirëqenë “Kronikën e Dropullit”. Konkretisht për historinë dhe emrin e Gjirokastrës shkruan Lefter Dilo: “Një mbështetje kryesore për të caktuar moshën e kalasë, që është njëkohësisht edhe mosha e qytetit, mbetet kronika mesjetare e Gjirokastrës, një kopje e së cilës ndodhej gjer në vitin 1806 në arkivin e Mitropolisë së Gjirokastrës. Themeluesi i Gjirokastrës, sipas këtij dokumenti, është Argjiri, prijës ushtarak, i cili e ndërtoi kalanë në vitin 568 të erës së re për arsye strategjike”.[2] Po ashtu edhe studiuesja Mimoza Karagjozi Kore, e cila në monografinë e saj për qytetin ka përmbledhur të gjitha teoritë rreth emrit të Gjirokastrës[3] në f. 89 shkruan: “Teoria më e mbështetur është ajo që e sjell emrin nga fisi Argyrini, apo prijësi ti tij Argjiri. Kjo teori ka mbështetje historike, sepse ky fis ka jetuar në këto troje në lashtësi. Po kështu ka mbështetje arkeologjike, mbështetje dokumentare, por edhe gjuhësore”. Në fakt jo. Me të vërtetë ekziston fisi i Αργυρίνοι-ve të cilët përmenden në një kalesë lakonike si fis epirot nga Stefan Bizantini: “Argyrinët, fis epirot, sipas Timaios-it, Theon-it. Dhe Lycophron-it ‘tek pyjet e dendura të Argyrinëve dhe Keraunëve’[4] por prijësi Argyri dhe ndërtimi prej tij i qytetit të Gjirokastrës është një informacion që jepet ekskluzivisht nga “Kronika e Dropullit”[5] pa asnjë mbështetje tjetër historike. Nga ana tjetër Hasan Ceka mendon se fisi i Argyrinëve ka pasur një qytet me emrin Argyri, dhe që më vonë i është shtuar prapashtesa –kastër.[6]

Në një shkrim para disa vite në Peizazhe të Fjalës, Ardian Vehbiu duke kërkuar origjinën e formës ‘Gjinokastër’ për qytetin e Jugut shprehet se: “Në greqishte, emri ka kuptimin “kështjellë e argjendtë” dhe emërtimi është strukturalisht në pajtim me “kastrat” e tjera të zonës.” Po ashtu Dhori Qirjazi duke u mbështetur në shkrimin e mësipërm të Vehbiut thekson: “Duhet të shtojmë se toponimi Gjirokastër është i errët për shqiptarin mesatar që nuk di greqisht, pasi asnjë nga kompozitat e tij nuk lidhet me fjalorin e shqipes bashkëkohore. Ndryshe nga greqishtja që inkuadroi në fjalorin e saj f. κάστρο < (lat. castrum), shqipja huazoi nga latinishtja f. qytet/ qitet (< civitatem), që sot ka kuptimin ‘qytet’, por që më herët mbarte edhe kuptimin e ‘vendbanimit të fortifikuar’”.[7]

Sigurisht, emërtimi i Gjirokastrës (në thelb Αργυρόκαστρο – Argjirokastro) nuk paraqet ndonjë vështirësi etimologjike as ka ndonjë paqartësi fonetike në fjalëformim pasi është formuar në mënyrë të rregullt sipas ligjeve të greqishtes. Në gjuhën greke ndeshen toponime të hershme dhe të vona si: Ριζόκαστρο, Πολύκαστρο, Νεόκαστρο, Αργυρόκαστρο, Παλιόκαστρο, Σιδηρόκαστρο, Λαχανόκαστρο, Αγγελόκαστρο etj. Po ashtu edhe apelativë si νεραϊδόκαστρο, δρακοντόκαστρο, παλιόκαστρο etj. Edhe nga ana historike dëshmitë që kemi flasin kategorikisht për formën Αργυρόκαστρο, siç është përmendja e parë nga perandori bizantin Kantakouzeni[8], “Kronika e Tokove”,[9] “Kronika e Janinës”,[10] dhe regjistri osman o Sanxhakut Arvanid i vitit 1431 (në format Argirikasrı, Aryukasru, Aryurikasrı, Argyrikastro).[11] Por, përveç këtyre dëshmive që janë pak a shumë të njohura, do sjell më poshtë edhe disa fakte që, nga sa kam njohuri unë, nuk i ka vënë ndonjëri në dukje. Kështu pra, në burimet historike, na dëshmohen të paktën edhe dy Argyrocastra (Αργυρόκαστρο) të tjera; një në Siri sipas dëshmisë së historianëve bizantinë Anna Komnena[12] dhe George Cedrenit[13] dhe një në Peloponez që e përmend kronisti venedikas Stefano Magno (Argiro Castrum vel Agnocastrum).[14] Pra siç duket, emri nuk ka as origjinalitet pasi na del si një emër vendi i zakonshëm.

Që është një emërtim i zakonshëm kjo duket edhe nga një veçori tjetër. Elementi i parë përbërës ‘argyro’ (αργυρό-) vërtet ka kuptimin ‘i argjendtë’ në greqishte por mua këtu më duket se ka më shumë kuptimin ‘i bardhë’, ‘i ndritshëm’. Pak nga historia e fjalëve këtu. Një nga metalet e para që ka njohur njeriu ishte argjendi, i cili në greqishte u quajt άργυρος, që ashtu si fjala αργός ka kuptimin ‘i bardhë, i ndritshëm’.[15] Dhe kjo si kontrast me metalin tjetër të hershëm që njohu njeriu, arin, i cili në greqishte quhet χρυσός dhe që lidhet me fjalën χρώση (ngjyrim).  Pra një metal i bardhë dhe tjetri i ngjyrosur (kjo lidhje e brendshme e fjalës ar me fjalën ngjyrë më duket si etimologji më e bindshme sesa një huazim hipotetik prej një gjuhe semitike).

Të njëjtin kuptim, pra ‘i bardhë, ndriçues, verbues’ kanë edhe fjalët αργέτα, αργέτης, αργοναύτης, αργεμώνη, αργύφας, αργεννός, άργιλος, αργίχρως etj. të greqishtes së lashtë por që ruajnë kuptimin edhe në greqishten mesjetare tek fjala άργυρος.[16] Pra emërtimi Αργυρόκαστρο (dhe Αργυροπολίχνη – Argyropolichne = qytezë e bardhë, sipas historianit bizantin Chalcokondyles[17]), përmban si kuptim ekuivalentin e qytetit Άργος të lashtësisë, Beogradit, Belgorodit, Akçehisarit (siç u quajt nga turqit Kruja), Bijela Tabijës në Bosnjë etj. Normalisht emërtime të tilla të qyteteve ose të kështjellave vijnë nga guri gëlqeror i cili përbënte elementin kryesor që përdorej për ndërtim. Dhe padyshim ky guri i bardhë, i përdorur në Dropull dhe Gjirokastër është një nga tiparet më karakteristike të vendit.[18]

Vendasit grekë e kanë quajtur gjithmonë KastroΚάστρο, qytetin e Gjirokastrës dhe banorët e saj καστερνούς ose καστρηνούς (< gr. mesjetare καστρηνός[19]), kurse vendasit shqiptarë e kanë quajtur Kasaba (sidomos Zagoria, < turq. kasaba “qytezë”), Ergjëri (< turq. Ergeri, Lunxhëria), Gjirokastër, kurse në qarqet intelektuale është përdorur edhe Argjirokastër e Gjinokastër. Trajta e fundit sipas Vehbiut “është se Gjinokastër është një krijim savant i Rilindjes, për ta shkëputur qytetin nga sfera onomastike dhe kulturore greke.” Si sfidë të madhe simbolike e shikon edhe studiuesja Nathalie Clayer përpjekjen për riemërimin e Gjirokastrës në Gjinokastër.[20]

Nga këto më sipër u pa besoj sesi një emërtim i zakonshëm, i përdorur shpesh në toponimi dhe që korrespondon edhe në gjuhë të tjera, me qartësi etimologjike, ngrihet në një problem të rremë kur nuk përdoren kritere shkencore, historike dhe gjuhësore, ose kur elemente të politikës kanë përparësi ndaj shkencës.

(c) 2022 autori dhe Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Të interesuarit për riprodhim duhet të kontaktojnë me email redaksinë e revistës.


[1] Barka, P., Gjirokastra – Argjyrokastro. Perëndimi i Lindjes, Elikranon, Athinë 2021.

[2] Dilo, L., “Kalaja e Gjirokastrës”, në Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike (12-18 janar 1968), v. II, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë 1969, f. 463.

[3] Karagjozi Kore, M., Gjirokastra. Vështrim historik, gjuhësor, etnologjik, Botimet Dudaj, Tiranë 2014, f. 82-90.

[4] Stephani Byzantinii Ethnocorum quae supersunt (ed. A. Meineke), Berlin 1849, s.v. Αργυρίνοι.

[5] Historia Politica et Patriarchica Constantinopoleos. Epirotica (ed. I. Bekker), Bonnae 1849, f. 275. Po përdor në këtë shkrim botimin e Bekker-it pasi kur përdora botimin e Petridis që është më i plotë në shkrimin e mëparshëm, disa autorë menduan se e bëj për të çuar kufijtë e minoritetit grek gjer në Tepelenë (dhe kur them disa autorë e kam fjalën për P. Xhufin). Natyrisht teksti i njëjtë është në pikat kryesore, por kjo tregon se midis meje dhe replikuesve, unë ngelem ai që e kam lexuar tekstin.

[6] Ceka, H., Në kërkim të historisë ilire, Akademia e Shkencave e RSH, Instituti i Arkeologjisë, Tiranë 1998, f. 209-210.

[7] Κυριαζής, Δ.Κ., “Απ’ το αυθαίρετο του γλωσσικού σημείου στο «αυθαίρετο» των μετονομασιών”, në Δημητρόπουλος, Δ. – Κυραμαργιού, Ε. (red), Αλλάζοντας τον χάρτη. Ζητήματα μετονομασιών στη Μεσόγειο, 19ος – 20ός αιώνας, Εθνικό Ίδρυμα Ερευνών, Ινστιτούτο Ιστορικών Ερευνών, Athinë 2020, f. 257-258.

[8] Ioannis Cantacuzeni Eximperatoris Historiarum Libri IV (ed. L. Schopen), v. I, CSHB, Bonnae 1828, f. 509-510.

[9] Cronaca dei Tocco di Cefalonia di Anonimo. Prolegomeni – testo critico, traduzione di Giuseppe Schirò, Academia Nazionale dei Lincei, Romë 1975, f. 458, 462.

[10] Βρανούσης, Λ.Ι., “Το χρονικό των Ιωαννίνων κατ’ ανέκδοτον δημώδη επιτομήν”, Επετηρίς του Μεσαιωνικού Αρχείου 12 (1962), f. 100.

[11] İnalcık, H., Hicrî 835 Tarihli Sûret-i Defter-i Sancak-i Arvanid, Türk Tarih Kurumu Basimevi, Ankara 1954, dok. 1b, 1n3, 4a, 7, 28b, 19, 23, 29, 33, 36, 42, 58, 59.

[12] Annae Comnenae Alexiadis Libri XV (ed. L. Schopen), v. II, CSHB, Bonnae, 1878, f. 123.

[13] Georgius Cedrenus Ioannis Scylitzae Ope (ed. I. Bekker), v. I, CSHB, Bonnae 1839, f. 496.

[14] Botuar tek Hopf, C., Chroniques gréco-romanes. Inédites ou peu connues, Librairie de Weidmann, Berlin 1873, f. 203.

[15] Liddell, H.G. – Scott, R. – Jones, H.S. – McKenzie R., A Greek – English Lexicon, With a Supplement edited by E.A. Barber, Clarendon Press, Oxford 1968, f. 236; Montanari, F., Σύγχρονο Λεξικό της Αρχαίας Ελληνικής Γλώσσας [= Vocabolario della Lingua Greca], Εκδόσεις Δημ. Ν. Παπαδήμα, Athinë 2013, f. 334; Beekes, R., Etymological Dictionary of Greek, v. I-II, Brill, Leiden – Boston 2010, f. 126-127; Chantraine, P., Ετυμολογικό Λεξικό της Αρχαίας Ελληνικής [= Dictionnaire étymologique de la langue grecque. Histoire des mots], Αριστοτέλειο Πανεπιστήμιο Θεσσαλονίκης, Ινστιτούτο Νεοελληνικών Σπουδών [Ίδρυμα Μανόλη Τριανταφυλλίδη], Selanik 2022, f. 164-165.

[16] Καζάζης Ι.Ν. – Καραναστάσης Τ.Α., Επιτομή του Λεξικού της Μεσαιωνικής Ελληνικής Δημώδους Γραμματείας 1100-1669 του Εμμανουήλ Κριαρά, v. I (A-K), Selanik 2001, f. 186.

[17] Laonici Chalcocondylae Atheniensis Historiarum Libri Decem (ed. I. Bekker), CSHB, Bonnae 1843, f. 209.

[18] Shih edhe mendimin e Z. Sakos cituar sipas Karagjozi Kore, op. cit. f. 83.

[19] Trapp E. (unter Mitarbeit von W. Hörandner und J. Diethart), Lexikon zur byzantinischen Gräzität, besonders des 9.–12. Jahrhunderts, v. I (A-K), Veröffentlichungen der Kommission für Byzantinistik VI, Verlag der ÖAW, Vienë 2001, f. 771-772.

[20] Clayer, N., “Shqiptarizimi i toponimeve në Shqipërinë e midis dy luftërave ose ulje ngritjet e një konstruksioni të ngadaltë shtetëror”, në: de Rapper, G. – Sintes, P. (red), Të emërtosh dhe të klasifikosh në Ballkan (përkth. A. Puto), fjala publishing, Tiranë 2015, f. 295.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin