Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Feminizëm / Sociologji

FRIKA NGA NJË GRUA E LIRË: SANNA MARIN

nga Irma C.

Ka ditë që kryeministrja finlandeze Sanna Marin[1] është në qendër të një cikloni mediatik për shkak të një (apo dy) videoje kërcimi. Kjo ndodhí, mendova, duhet shikuar disi me kujdes, pasi cikloni i lajmeve kundër Sanna Marin-it nuk qe thjesht një flakë shkrepëseje, e cila mund të harrohet ashtu siç edhe u ndez. T’i marrim ndodhitë me radhë: ditë më parë publikohet online një video ku Marin-i kërcen me shoqe e shokë para një smartfoni, gjatë një feste private. Ndërsa nëpër mediat konservatore gulçojnë tituj si «Finish Prime Minister party scandal» apo «Leaked video showing married Finnish PM dancing to a mystery man», Marin-i i deklaron shtypit më 19.08.2022 se këto video ishin marrë gjatë një feste private, se ajo ishte «thjesht një njeri» dhe se nuk do ta ndryshonte mënyrën e saj të festuarit. Gjithashtu Marin-i deklaroi se kish kryer një test antidroge – alkool kish patur me bollëk, por droga të tjera jo, me sa dinte Kryeministrja –  sot 36 vjeçare, më e reja në botë kur u zgjodh në 2019.

Pyetja më e parë që më erdhi: si nuk u komentua prej mediave me të njëjtën furi videoja e kërcimit e një ndoshta të dehuri Boris Johnson me një grua? A thoni se përveç disa të qeshurave kjo video shkaktoi diçka tjetër? Si nuk na interesoi statusi civil i Johnson-it kur i afrohej dhe largohej gruas në video? Përse na duhet informacioni se Marin-i është e martuar kur kërcen me këngëtarin (mik!) në video? Gjithashtu, mendoj se kush nuk jeton në Gjermani, apo nuk është i/e lidhur disi ngushtë me jetën dhe kulturën gjermane, nuk di send për një video të konservatorit Friedrich Merz[2], i cili këtë verë pushtoi pistën e kërcimit – fakt që përtej disa të qeshurave, ndoshta aty aty fremdschämend të disave, nuk tronditi asgjë tjetër. Askujt nuk iu desh të bënte test droge si Sanna Marin-i. Sanna Marin-i na paskësh kërcyer «scatenata», shkruajnë konservatorët italianë – kur kjo e fundit kërcen, siç kërcen një vajzë, apo grua e një moshe të re në një festë private, lirisht. Në fakt, fjala «scatenata» supozon se diku ka një zinxhir (catena) – të cilin Marin-i me sa duket e zgjidhi dhe kjo nuk i përshtatet përfytyrimit konservator të një politikaneje të re, që në Instagram poston foto personale në koncerte, me xhaketë lëkure prej rockstar-eje, apo në ballkon, duke ia fryrë flokët era. U dashka pra, që në Perëndim, ku gruaja qenka e lirë, ende të sillemi siç na e kërkon patriarkati: të urta, në një qosh, me detyrën (këtu: politikën) në vend të parë. Politika, profesioni i Marin-it, është në fakt dhe zinxhiri në këtë rast, pasi ende e konsideruar si profesion mashkullor, dëshiron që të paktën gruaja në këtë detyrë, të na bëjë të harrojmë se është grua: një politikane, e cila kërcen dhe lëviz trupin lirisht, kujton se përtej pozicionit politik ekziston dhe një njeri, një person me një jetë që shkon përtej këtij pozicioni, e tejkalon këtë. Andaj duhet patur kujdes prej kujt na thotë se jemi njerëz (! mbi të gjitha vajza dhe gra) pak seriozë, nëse kërcejmë në një mënyrë që vetë ne na duket e e bukur, apo e mirë – pra një vendim personal i marrë ndaj vetes sonë – pasi ky person po na thotë se nuk mund të kihet respekt para nesh në këtë moment të lumtur (personal).

Në rrjet lexoj se përkrahësi/et e Marin-it ankojnë një pabarazi trajtimi të saj përkundrejt politikanëve finlandezë, burra, të dehur, të cilët nuk u sanksionuan as lajmeve, as detyrave që mbulojnë. Disa shtojnë, se në fakt nuk duhet harruar sa halë në sy është e reja Sanna Marin që prej zgjedhjes së saj si Kryeministre, në mes të konservatorëve. Helsingin Sanomat, e përditshmja me tirazhin më të lartë në Finlandë, nuk ka i kursyer lajmet sensacionale, të denja veçse për clickbait kundër Marin-it. Është i hidhur standardi i dyfishtë, i cili ende aplikohet vendeve perëndimore – ku gruas ende i tregohet vendi[3] nëpërmjet mesazheve si ky ciklon që përfshiu Sanna Marin-in: konservatorët në fakt e pranojnë gruan pa shami (se kështu qenka e lirë) por jo të tillë, që kjo të vendosë vetë si të sillet; të tillë që ta vendosin ende ata si ka të drejtë të ekzistojë: me një jetë private anonime e gojëmbyllur, pra një «grua e mirë për sh’pi». Rinia dhe vitaliteti i Sanna Marin-it janë kundër ideologjisë konservatore, e cila duke iu vërsulur asaj mediatikisht, kërkon ta nënshtrojë – kështu që dhe gra e vajza të tjera të mësojnë (e ta dinë ku e kanë vendin).

Nuk dëshiroj të lë pa përmendur Berlusconi-n, të cilit, edhe pse pati dëshmitarë për festat e tij të emërtuara Bunga-Bunga, ku pati edhe pjesëmarrëse të mitura, nuk iu desh të kalonte kush e di se çfarë turpërimi mediatik, apo të kryente teste antidroge. Po kështu, as edhe Matteo Salvini, që kërcen me rroba banjoje, come se non ci fosse un domani, u vu në pikëpyetje politikisht (të paktën jo për këtë arsye). Fotot nudo të Ramës, përveçse shkaktuan dhe ato nja dy të qeshura, për më tepër nuk u nevojitën – edhe pse Shqipërinë po e distancoj paksa nga vendet më perëndimore, edhe për shkak se një vend jo në BE, jo i fortë ekonomikisht, i udhëhequr nga një burrë  – pak u intereson mediave ndërkombëtare.

Me pak fjalë: asnjë nga burrat politikanë që kam përmendur më lart ka kaluar nëpërmjet mediave, çka iu desh të kalonte një politikaneje grua, të re, që kërcen pa ndonjë lloj druajtje – pa i bërë dëm kujt, përveçse imagjinatës së frenuar të konservatorëve. Kurrkush prej tyre nuk u akuzua se duke u sjellë në aksh mënyrë privatisht, shkelte detyrimet e pozicionit politik që mbulonte.

Intoleranca e konservatorëve i kundërvihet subjektit grua të pabindur, e cila manifeston sipas mënyrës së saj gëzimin e të qenit gjallë. Në fund të fundit, bashkë me të pabindurit e saj, Sanna Marin-i them, ndoshta ndoshta ngjall edhe zili: zili, që sipas Jacques Lacan e ndiejmë, për kë gëlon nga jeta. Përgjatë gjithë Republikës së Finlandës vajza dhe gra, si kundërpërgjigje ndaj konservatorëve, publikojnë video, ku kërcejnë gjallërisht, ku edhe ato tregojnë se gëlojnë nga jeta, për të mbështetur Kryeministren Marin. Të shpresojmë që motoja work hard, party harder, të cilën duket se ndjek Sanna Marin-i, t’ua mbushë jetën sa më tepër konservatorëve ziliqarë përballë grave të lira dhe vetë jetës. Madje, tani që dhe testi i drogës së Marin-it doli negativ, le ta kryejnë dhe liderët meshkuj – mjaft më me boys will be boys, ndërkohë që një grua, që argëtohet me miq privatisht, trajtohet si hedoniste e shfrenuar (që edhe po të ishte kështu, do të justifikohej përballja me këtë fakt, veç atëherë kur kjo anë e saj do të cenonte detyrimet ndaj veprimtarive lidhur me pozicionin politik të Marin-it).

Java e fundit kish qenë «tejet e vështirë», shprehet Sanna Marin-i. Ajo uron që politikane/ët të vlerësohen në bazë të punës dhe jo në sajë të faktit, si dëfrehen apo jo, në kohën e lirë.

 

© 2022 Irma C. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1]  Ky shkrim nuk është asesi mbështetje apo kundërshtim imi personal i vlerave të politikës së Kryeministres finlandeze Sanna Marin. I kam lejuar vetes të trajtoj vetëm dukurinë që shkaktoi kërcimi në një festë private i një politikaneje të re, grua.

[2]    Friedrich Merz, aktualisht lideri i CDU-së, më 1997 votoi kundër ligjit, i cili ndëshkonte përdhunimin në martesë.

[3]    Këtë temë e kam trajtuar më gjërësisht në një shkrim për revistën Shota. Për më shumë, ftoj të lexohet vepra e Silvia Federici-t.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin