Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

JANI VRETO, KY “GREKOMAN” I NDJERË

nga Sokol Çunga

Historia e arsimit në gjuhën shqipe, me arsye, merret dhe trajton vetëm atë pjesë të arsimit të shqiptarëve që ushtrohej me libra në gjuhën shqipe, alfabet latin të përshtatur për funksionet fonetike të shqipes, dhe ku sidomos mësuesit ishin shqiptarë. Ekzistenca e gjuhëve të tjera të arsimit, shkollave, teksteve dhe mësuesve që japin mësim në gjuhë të tjera (këtu duhet pasur parasysh se mund të ishte shqiptar mësuesi, por jo gjuha), përmendet si përshkrim i përgjithshëm, ose atëherë kur përshkruhet jeta e autorit të ndonjë teksti, arsimi i tij i mëparshëm, apo veprimtaria e tij në vise dhe gjuhë të tjera. Duke e përqendruar diskutimin në kufijtë kohorë nga periudha osmane para Rilindjes Shqiptare (shek. XVII), deri në hapjen e hapjes së shkollës së parë shqipe, është gjerësisht e njohur se në viset e banuara nga shqiptarët kanë funksionuar shkolla në gjuhë të tjera, zakonisht në varësi të përkatësisë fetare të komunitetit, siç e përcaktonin dhe ligjet e Perandorisë Osmane. Përkatësisht, shkollat funksiononin në gjuhë osmane dhe arabe, në greqisht dhe në latinisht, dhe vijuan të funksionojnë kështu deri kur, gradualisht, u zëvendësuan nga shkollat e rregullta e të përhershme shqipe, në tri dekadat e para të shek. XX, kohë që përkon edhe me krijimin e shtetit funksional shqiptar. (Këtu duhet të kemi parasysh dallimin e qartë mes realiteteve të ndryshme që zotërojnë në dy anët e kufirit administrativ të Shqipërisë së pas vitit 1913.) Një mjet për të kuptuar rolin e arsimit të shqiptarëve në gjuhë të huaj na e jep jeta dhe vepra e të mirënjohurit rilindës Jani Vreto. Përmes kësaj trajtese të shkurtër synojmë jo vetëm të cekim disa aspekte të këtij patrioti të dëgjuar si emër, ndonëse jo aq të studiuar, por edhe të kujtojmë 200 vjetorin e lindjes së tij.

Joan Athanas Vretoja (siç e shkruan vetë në Alfabetaren, 1879), lindi më 14 janar 1822 në fshatin Postenan, pranë qytezës së Leskovikut në Kolonjë. Mësimet e para i mori në shkollën greqishte të fshatit, më pas ishte nxënës i shkollës së Vurbianit në Konicë. Më 1843 u regjistrua nxënës në Shkollën Zosimea të Janinës, ku përfundoi studimet më 1847. Jetoi mes Janinës, Stambollit, Korçës dhe Bukureshtit, kurse thuajse tri vitet e fundit të jetës i kaloi në Athinë, ku dhe ndërroi jetë korrikun e vitit 1900. Nga Janina, ku banoi pak vite pas përfundimeve të studimeve, u shpërngul në Stamboll më 1854, më pas u vendos në Korçë, dhe u kthye në Stamboll më 1858. Më 1866 botoi Gramatikë e greqishtes së folur në shqip (Γραμματική της Ομιλουμένης Ελληνικής Γλώσσης εις την Αλβανικήν). Më 1877 ishte një nga themeluesit të Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, lëvizje që më 1879 botoi Alfabetare e Gluhësë Shqip (bashkëautorë ishin Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa, Koto Hoxhi). Po atë vit e hasim si bashkëthemelues të Shoqërisë së të Shtypurit të Shkronjave Shqip, në të cilën Vretoja shërbeu si hartues i Kanonizmës (statutit). Më 1881 udhëtoi drejt Bukureshtit, ku frymëzoi shqiptarët vendës dhe bashkëthemeloi rishtas Shoqërinë e Shkronjave Shqipe, e ngjashme me atë të Stambollit. Më 1884 e gjejmë bashkëpunëtor në themelimin e Shoqërisë Drita të shqiptarëve të Bukureshtit, e cila më 1886 vuri në funksion dhe një shtypshkronjë për synimet botuese të saj. Vretoja menjëherë iu përvesh punës për botimin e veprave të personaliteteve dhe intelektualëve shqiptarë të kohës. Që vitin e parë të funksionimit u botuan 10 tituj, si Vjersha për mësonjëtoret të para, Istori e përgjithëshme për mësonjëtoret të para, E këndimit çunavet. Këndonjëtoreja, të Naim Frashërit, mes tyre dhe veprat e vetë Vretos: Mirëvetija dhe Numëratoreja. Punimin tjetër, Radhuashkronjë të vetin e botoi më 1889. Botoi e ribotoi vepra të Sami dhe Naim Frashërit, mblodhi dhe përgatiti për botim me aparat kritik dhe shpjegime Ervehenë e Muhamet Kyçykut, si dhe riprodhoi vazhdimisht titujt ekzistues, sidomos librat që përdoreshin për mësimin e gjuhës dhe në gjuhën shqipe. Me të drejtë Robert Elsie e ka quajtur Vreton “Gutenbergu i shqipes”.[1]

Po aq, Jani Vretoja ishte dhe debatues i vëmendshëm i çështjes kombëtare, sidomos në rastin e pretendimeve me baza nacionaliste të politikës dhe autorëve grekë të periudhës mbi popullsinë shqiptare të Shqipërisë së Poshtme. Në maj 1878, pas daljes së një radhe artikujsh polemikë në shtypin grek, sidomos në gazetën “Neologos”, që shpallnin pretendime për treva që banoheshin nga shqiptarë në Epir, Vretoja botoi në Stamboll më 1878 punimin në greqisht “Apologjia”, në të cilin shtjellon prejardhjen e shqiptarëve, gjuhën, trevat e banuara prej tyre e të drejtat e tyre. Këtë veprimtari publicistike e vijon sa herë gjen vend dhe arsye të shprehet. Përmbledhur shkurtazi, në marrëdhëniet shqiptaro-greke qëndrimi i Vretos është: “Me grekët jemi vëllezër, për shkak të fqinjësisë, historisë dhe fateve të përbashkëta, por vëllazëria prishet kur njëra palë kërkon të sundojë tjetrën”.

Siç përmendëm më sipër, më 1866 Vretoja botoi një gramatikë të gjuhës greke, të cilën e kishe hartuar enkas duke pasur parasysh nevojat e nxënësve potencialë. Ndaj dhe e titullon Gramatikë e greqishtes së folur në shqip, pra, e përshtatur për shqipfolësit. Ç’e shtyu Vreton të hartojë gramatikë të greqishtes, dhe jo të shqipes, në një kohë kur, siç do të tingëllonte më e natyrshme, duhej shkruar shqip? Më 25 nëntor 1865, teksa po hartonte këtë gramatikë, nëpërmjet një letre publike u drejtohet lexuesve të saj: Shqiptarë! Dhe më poshtë vijon: […] dhe gjithë ata që përparuan në dije dhe pasuri, duket se nuk dëshiruan fare të quhen shqiptarë-grekë, po vetëm grekë. Provë e kësaj është se as ndonjë i përparuar, as i pasur nuk duket se u kujdes për arsimimin e farës së tij dhe çlirimin e saj nga barbaria. […] (Καὶ ὅσοι εἰς τὰ γράμματα ἤ εἰς πλούτον ἐπρόκοψαν, φαίνεται, δεν ἠθέλησαν διόλου να ὀνομάζωνται Ἀλβανοί Ἕλληνες, ἀλλὰ καθ’ ἑαυτούς Ἕλληνες. Ἀπόδειξη δὲ τούτου, ὅτι οὐδείς μέχρι τοῦδε οὔτε προοδευμένος, οὔτε πλούσιος δὲν φαίνεται νὰ ἐφρόντισε διά τὴν παίδευσην τῆς ἀμέσου φυλῆς του καὶ την ἀπελευθέρωσιν ἀπὸ την βαρβαρότητά της. […]).[2]

Dhe më poshtë propozon: […] Të hartohet Gramatikë dhe Fjalor i greqishtes së folur në gjuhën shqipe, si dhe veprimet e domosdoshme të aritmetikës, dhe kjo të bëhet duke marrë parasysh traditën. Pasi fëmijët të mësojnë leximin, t’u mësohet gjeografi dhe histori politike e përmbledhur, pasuar nga greqishtja e folur [shpjeguar] në gjuhën shqipe, si dhe zbatimi i rregullave gramatikore […]. (Νὰ συνταχθῇ Γραμματική καὶ Λεξικὸν τῆς ὁμιλουμένης Ἑλληνικῆς εἰς τὴν Ἀλβανικήν, καὶ αἱ ἀναγκαιώταται πράξεις τῆς Ἀριθμητικῆς, καὶ νὰ γίνεται οὕτω ἀπὸ παράδοση. Ἀφ’ οὗ τὰ παιδιὰ μάθωσι τὴν ἀνάγνωσιν νὰ παραδίδωνται σύντομον πολιτικήν Γεωγραφίαν καὶ Ἱστορίαν, ακολουθομέναι ἀπὸ τὴν ὁμιλουμένην Ἑλληνικὴν εἰς τὴν Ἀλβανικὴν καὶ δι’ ἐφαρμογῆς τῶν γραμματικῶν κανόνων.)

“Thirrja” e Vretos, 25 nëntor 1865, në fund emrat e kontributorëve dhe shumat përkatëse në të holla.

Fatmirësisht, dorëshkrimi i kësaj thirrjeje ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror të RSH. Duket se Vretoja e ka shpërndarë këtë thirrje tek shumë veta në formë dorëshkrimi dhe ajo më pas i është kthyer bashkë me emrat e atyre që dëshironin të ishin blerës dhe njëherazi donatorë, pasi në fund të saj hasim emrat e personave dhe shumat që kanë kontribuar pas ftesës së Vretos, duke mbështetur shtypjen e Gramatikës, që u realizua më 1866. Pra, intelektualët dhe të begatuarit me pasuri që dëshironin edukimin e fëmijëve të tyre, shihnin si dalje nga mosdija dhe barbaria mësimin e greqishtes, po aq sa dhe të shqipes. Ky ishte edhe sfondi ideologjik i Vretos: jemi komb dhe fis i ndryshëm nga grekët, por kultivimi i kombit, arsimi i fëmijëve, duhet të kalojë domosdo mes studimit në greqisht, teksa librat në shqip nuk janë të mjaftueshëm. Kjo dukuri, gjithsesi, nuk është e panjohur, ekziston gjerësisht në Ballkanin e Perandorisë Osmane, siç e hasim edhe në rastin e Iluminizmit Bullgar.

Ndër të paktat botime kushtuar jetës dhe veprës së Jani Vretos, më të zgjeruarat janë punimet e Akad. Alfred Uçit.[3] Është interesant rasti i thirrjes së mësipërme të Vretos, të cilën prof. Uçi e përmend në këtë formë: “Vreto u drejtohet shqiptarëve patriotë të ndihmojnë për të botuar libra shqip që ‘të bëhet kështu zakon që djemtë të mësojnë të kënduarit dhe të jepet mësim për shkurtazi gjeografie dhe historie të përkthyera prej elenishtes në gjuhën shqipe’”.[4] Duket qartë se prof. Uçi i referohet një përkthimi të lirë të tekstit, i cili mund të qëndrojë si përkthim artistik, por përkthyesi (anonim për ne) nuk ka marrë parasysh peshën kontekstuale të fjalëve. Kësisoj, atë që në origjinal Vretoja e ndan mes “mësimit të gjeografisë dhe historisë” dhe në “mësim i greqishtes, përshtatur në shqip”, bëhet “gjeografi dhe histori përkthyer në shqip”. Do të kishin qenë të mirëkuptuara “taksat” politike dhe citatet e udhëheqësit që shpesh u duhej të përdornin studiuesit e periudhës së socializmit në Shqipëri, kurse ky deformim thuajse në formë lapsusi ngjan i pa justifikuar, teksa deformon krejtësisht fjalët e Vretos, si dhe keqinformon dhe keqorienton studiuesit apo lexuesit.

Mes veprës së Vretos, rasti tipik që po marrim si casus dhe na flet për realitetin e mësipërm është punim i tij Mirëvetija. Vepra është shtypur në Bukuresht më 1886 në Shtypshkronjën e Shoqërisë Shqiptare “Drita”, me gjasë pasi u korrigjua dhe u radhit nga vetë Vretoja. Libri ka 176 faqe të përmasave të vogla (pa llogaritur korrigjimet dhe faqet me një tabelë të alfabetit të shqipes). Është shtypur me alfabetin e Stambollit, përshtatur me mundësitë e karaktereve që kishte në dispozicion shtypshkronja, në përpjekje për të përmbushur nevojat fonetike të gjuhës shqipe. Në fund, në faqet e alfabetit të shqipes, jepen edhe shpjegimet fonologjike të rregullave të alfabetit në tri gjuhë, frëngjisht, rumanisht dhe greqisht, dhe shembuj për të ndihmuar drejtshqiptimin.

07. Στοιχειώδης πραγματεία περί των χρεών του ανθρώπου Φραγκίσκου Σοαβίου ή Χρηστοήθεια, Επιδιορθωμένη καὶ ἐπηυξημένη παρᾶ Στεφανου Κομμητα (Traktat elementar mbi detyrimet e njeriut, Krestomacia e Francesk Soavit, e korrigjuar dhe plotësuar nga Stefanos Komitas), Athinë, 1875.

Në parathënien e botimit Vretoja na informon: “[këtë Mirëvetije] e entmë pas Mirëvetijesë Frangjiskut Suabit, kthyerë elinisht prej Stefan Komitajt […]”. Kjo pjesë e parathënies nuk është përfshirë në botimin e përshtatur me alfabetin e shqipes së sotshme nga akad. Uçi, as është shënuar kund prej akademikut tonë se Vretoja e ka përkthyer përkthimin në greqisht të një vepre në gjuhë tjetër.[5] Pavarësisht se “e entmë”, në kontekstin e veprës, nënkupton “e përshtatëm”, dhe nga krahasimi i tekstit në greqisht dhe shqip duket qartë se përkthimi nuk është besnik, është e rëndësishme të shënojmë ndryshimin mes veprës autoriale dhe përshtatjes, nëse jo për arsye të mirëfillta profesionale filologjike, domosdo duhet përmendur për hir të ndershmërisë shkencore. Në gjysmën e dytë të shek. XIX ka ndryshim të madh vepra autoriale nga përkthimi. Pasi, në rastin e Mirëvetijes, nuk kemi thjesht një përkthim të një autori jo shqiptar, por kemi veprën e edukatorit më në zë të Italisë së periudhës para bashkimit, Francesco Soave, nxënës i shkollave më të mira të kohës, intelektual dhe bartës i ideve Iluministe, autor i një numri të begatë veprash për të gjitha ciklet e arsimit në Itali, mësues i Alessandro Manzoni-t dhe, praktikisht, një “best seller” i librit shkollor deri në bashkimin e Italive.[6]

Për dorëshkrimin e veprës Mirëvetija, nëse ka ekzistuar një dorëshkrim i tillë, nuk kemi informacion, dhe nuk dimë as cilin variant të botimit greqisht ka përdorur Vretoja për përkthimin-përshtatjen e saj. Dimë se vepra e Francesco Soave-s nën përkthimin e Stefanos Komitas ka qarkulluar tri herë, deri në kohën kur botohet në shqip. Botimi i parë është kryer më 1827 nga Trattner Matthias në Pesht nën titullin Παιδαγωγικά μαθήματα: αναγνωστικά χρηστοήθεια / συντεθέντα παρά Στεφάνου Κομμητά του εκ Φθίας, εκ Χωραρχίας μεν Κοκοσίου, Κώμης δε Κωφών (Mësime pedagogjike: krestomaci për lexim / hartuar nga Stefanos Komitasi nga Fthia, nga Horarhia sot Kokosi, qytezë e Kofos). Botimi i dytë daton më 1865, shtypur në Athinë në shtypshkronjën e Antonios Lambrinidhis, nën titullin: Στοιχειώδης πραγματεία περί των χρεών του ανθρώπου Φραγκίσκου Σοαβίου ή Χρηστοήθεια, Επιδιορθωμένη καὶ ἐπηυξημένη παρᾶ Στεφανου Κομμητα (Traktat elementar mbi detyrimet e njeriut, Krestomacia e Francesk Soavit, e korrigjuar dhe plotësuar nga Stefanos Komitas), dhe botimi i tretë u shtyp më 1875 nga i njëjti botues, me të njëjtin titull si më 1865. Duke mos ditur se cilin botim ka përdorur Vretoja për përkthimin e tij, hamendësojmë se do të kishte përpara një nga dy botimet e Athinës, të cilat edhe kronologjikisht ishin më të lehta për t’u zotëruar prej tij.

Fletë të Mirëvetijes vijëzuar tek fjalët shqipe të shpjeguara me greqishten në kllapa.

Mirëvetija e Vretos, teksa ndjek një traditë të njohur, atë të lëvrimit të shqipes përmes përkthimit, përbën edhe një shembull të përveçëm të mënyrës se si depërtojnë neologjizmat në gjuhën shqipe, për periudhën në fjalë. Vetë Vretoja na ka bërë të mundur evidentimin me lehtësi të neologjizmave, duke sjellë pranë çdo neologjizmi dhe fjalën a frazën e barasvlershme në greqisht. Kjo dygjuhësi e Vretos na tregon, veç të tjerave, dhe se cili ishte publiku i mundshëm i veprës, siç e hamendësonte Vretoja: shqipfolës, por të arsimuar me greqishten. Pra, në një farë mënyre, vetë Vretoja i qëndron besnik propozimit të vitit 1865: le të kultivojmë shqipen, por të mësojmë greqishten, pasi as libra për t’u arsimuar plotësisht nuk kemi në shqip, as kapacitete të shqipes së lëvruar nuk kemi në periudhën në fjalë. Ky qëndrim i Vretos nuk shënjon kah ideologjik a politik, por dëften se Vretoja ishte edukator pragmatist dhe njohës i shkëlqyer i realitetit kulturor të shqiptarëve, si dhe kishte urtësinë dhe durimin të propozonte zgjidhjen e tij në edukimin kombëtar. Nga ana tjetër, parë më gjerë, puna e Vretos na dëften jo vetëm dygjuhësinë (diku tjetër dhe trigjuhësinë) funksionale të popujve ballkanikë të Perandorisë Osmane, por edhe regjistron, në një farë mënyre, udhëtimin vetjak të Vretos: shqipfolës dhe i arsimuar në greqisht, që punon për t’i shërbyer sa mundet gjuhës amtare, pa reshtur së qeni bartës i ideve të Iluminizmit Neohelen. Vetë Vretoja shpjegon nëpërmjet fjalëve dhe veprës se ç’nënkuptonte, kur thoshte “shqiptarë-grekë” në thirrjen e vitit 1865.

Parë në një kontekst më të gjerë, Jani Vreto ilustron më së miri një realitet arsimor e kulturor të trajtuar përciptazi nga historiografia shqiptare dhe jo shqiptare që merret me Rilindjen Kombëtare në përgjithësi, dhe historinë e arsimit dhe kulturën në veçanti. Në një artikull publicistik Faik Konica e quan Vreton “grekoman”,[7] pikërisht për shkak të këtij qëndrimi të tij miqësor ndaj gjuhës greke, por harron të përmendë sivëllai zosimeas se Vretoja la pas edhe një çelës praktik për të ndriçuar masat jo me propagandë, as me katekizëm të thjeshtë, por me idetë iluministe perëndimore. Pasi vetë modeli arsimor dhe literatura perëndimore që mund të gjendej në shek. XIX në Shqipërinë e Poshtme ishin librat e autorëve evropianë përkthyer e përshtatur në greqisht. Vetë Vretoja mori të paktën një nga këta libra dhe e solli në shqip, siç e përmendëm më sipër. Parë në një kontekst më të gjerë, bazuar në gjurmët ende të prekshme sot, arsimi dhe kultura perëndimore në këtë zonë provohet dhe prej atyre gjurmëve të pjesshme të bibliotekave të institucioneve të krishtera ortodokse apo të shkollave në gjuhë greke që kanë funksionuar në Berat, Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Tiranë, ndoshta edhe gjetiu, dhe që, fatmirësisht, vazhdojnë të ruhen deri sot.[8] Klasikët, si Homeri, Aristoteli, Thukididi, të mëvonshmit ditunarë evropianë si Charles Rollin, Adam Smith, Vittorio Alfieri da Asti, Niccolò Machiavelli dhe i sipërpërmenduri Francesco Soave, apo ballkanasit Evgjenios Vulgaris, Nikiforos Vlemidhis, Anthimos Gazis, Nikiforos Konstandas, voskopojarët Theodhor A. Kavalioti dhe Dhanil Voskopojari, vetëm sa për të përmendur disa, janë autorë që ndonëse në gjuhën greke, kanë përçuar atë dritë të uruar që Naimi e sheh se “lint tek perëndon”, dhe prej andej duhet ta marrim me çdo kusht. Sa grekomanë qenë këta, me gjithë Naimin bashkë?

© 2022 Sokol Çunga. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.

Kopertina: Jani Vreto, detaj i një fotografie të masivizuar nga Nikolla Lako në Paris.

 


[1] Elsie, Robert. Historical Dictionary of Albania (Second Edition), The Scarecrow Press, Inc., 2010, fq. 478-479, ku jepet edhe biografia e Jani Vretos.

[2] AQSH i RSH, F. “Jani Vreto”, D. 1, fl. 1.

[3] Uçi, Alfred. Jani Vreto, Tiranë, 1965; Jani Vreto, Vepra të zgjedhura (mbledhur dhe përgatitur nga A. Uçi), Tiranë, 1973, dhe Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare, Tiranë, 2015. Duket se botimi i vitit 2015 është ribotim i vitit 1973, duke pasur ndryshe vetëm disa faqe të fillimit të hyrjes studimore që paraprin tekstet e përzgjedhura të Vretos, si dhe vjen e qëruar tekstin nga taksat ideologjike që duhej të përmbante çdo vepër botuar gjatë periudhës së socializmit. Por ndryshe nga botimi i vitit 1973, këtij të dytit i mungon fraza “mbledhur dhe përgatitur”, duke u paraqitur tashmë si punim monografik nën siglën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

[4] Uçi, Alfred. Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare, Tiranë, 2015, fq. 24.

[5] Shih: Uçi, Alfred. Jani Vreto…, 2015, fq. 78-101, ku analizohet vepra në fjalë. Korrigjimin se libri ishte përkthim, dhe jo punë autentike e Vretos, e ka vënë në dukje qysh herët prof. Dhori Qirjazi, shih: Κυριαζής, Δώρης. ««MIRËVETIJA» – Η πρώτη αλβανική χρηστοήθεια και το ελληνικό της πρότυπο, Πλαίσιο και προεκτάσεις» (“MIRËVETIJA – krestomacia e parë shqipe dhe origjinali i saj greqisht, kuadri dhe shtrirja”), në: Albanohellenica, nr. 2, 2000-1, fq. 95-99.

[6] Për një informacion të shpejtë mbi F. Soave-n: https://www.treccani.it/enciclopedia/francesco-soave (parë për herë të fundit më 18 gusht 2022).

[7] Elsie, Robert. Ibid, fq. 478.

[8] Rembeci, Andi; Çunga, Sokol. “Koleksioni i librave të vjetër, të shtypur në greqisht, i Arkivit Qendror Shtetëror”, Albanohelenica, nr. 6 (2018), fq. 235-242.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin