nga Ervin Nezha
Thuhet se për disa vite Tolstoi takohej shpesh me Çehovin dhe ndanin mendime rreth artit, jetës, politikës, por bisedat e tyre vërtiteshin kryesisht drejt letërsisë. Çehovi kishte për Tolstoin një admirim, të cilin nuk e fshihte, e quante si shkrimtarin më të madh rus. Ndërsa Tolstoi nuk kishte mendim shumë të qartë për Çehovin, novelat e tregimet e tij i quante “të lehta” për nga tematika dhe përmbajtja, shto faktin që kishte një mendim të prerë se personazhet e Çehovit, përfaqësonin një tipologji vulnerabël, që nuk mund të krijonte as heronj dhe as antiheronj të mëdhenj. Çehovi qe i njohur me këtë mendim të mikut të tij të madh e, megjithatë, kurrë nuk hoqi dorë nga simpatia që kishte për të, por nga ana tjetër nuk u përpoq kurrë ta tjetërsonte veprën e tij as nga volumi i faqeve e as nga tipologjia e personazheve. Pasi ka kaluar rreth një shekull nga ikja e tyre nga kjo botë, të dy këta autorë zënë pa diskutim vendet më të epërme të letërsisë së përbotshme, megjithëse kur flitet për romancierë të mëdhenj, dikush mund ta lerë jashtë listës së tij Tolstoin, me argumente të tipit, se ai ka një qetësi të bezdisshme në rrëfim apo se te “Lufta dhe Paqja” gjen pa fund kapituj që shpjegojnë situatën politike të kohës, gjë që nuk i ngjall asnjë interes lexuesit të sotëm, apo se te “Ana Karenina” ka bërë personazh kryesor një tip si Vronski, që flet vetëm për koburet dhe kuajt. Kjo nuk ndodh me Çehovin bie fjala, kur dikush përpilon listën e vet të tregimtarëve të preferuar. Çehovi, me të drejtë, merret si tregimtari më i mirë i të gjitha kohërave dhe zor ta heqësh. Parë në këtë prizëm, kritika e Tolstoit ndaj Çehovit ka qenë diçka kot, pa asnjë vlerë. Ndërsa stoicizmi i Çehovit për të mos u lëkundur nga fjala e një autoriteti aq të madh është thjesht dëshmi se talenti i një shkrimtari nuk lidhet vetëm me intuitën për të shkruar bukur, por edhe me intuitën për të kuptuar se po bën diçka të mirë. Kështu ajo shprehja banale që ua dëgjon rëndom disa shkrimtarëve “le të na gjykojë lexuesi” jo vetëm që nuk pi ujë, por është thjesht një kamerdare shpëtimi, në rast se e ndien se nuk po shkruan si duhet e megjithatë beson, se lexuesit ende mund t’i pëlqesh duke shkruar keq. Por ka edhe raste më radikale se i Tolstoit.
Fraza e egër – “Ti bir nuk duhet të shkruash më” – që Ivan Turgenievi i tha shkrimtarit të ri francez Alfons Dodé, prej së cilës ky i fundit qau, sepse shikonte te Turgenievi një idhull të madh, është mjaft e famshme. E prapë, Dodé nuk e ndoqi këtë këshillë kaq cinike. Dhe mirë bëri, sepse pavarësisht të metave, vepra e Dodesë zë një vend të nderuar në panteonin francez të letërsisë, por edhe atë botëror.
Shto këtu faktin se qe po ky Turgeniev i madh, tek i cili Dostojevski shihte miniaturën e një shkrimtari sa qesharak, aq edhe dinak, sa ambicioz, aq edhe cinik, duke e bërë personazh qendror në romanin e tij “Djajtë” dhe duke e parodizuar mendjemadhësinë e tij.
Edhe në realitetin tonë ekziston një mani e madhe për të dhënë këshilla, sidomos në marrëdhënien “i vjetri ndaj të riut”, të llojit, këtu ta bëje kështu, atje ta bëje ashtu, këtë personazh ta bëje femër, atë tjetrin ta bëje plak etj. Kjo është si t’i kërkosh llogari Zotit pse barin e bëri jeshil dhe, bie fjala, s’e bëri të kuq dhe pse qiellin e bëri blu dhe nuk e bëri lejla. Këshilla në procesin e krijimit nuk ka dhe aftësia për të mos dëgjuar këshilla është aftësia akoma më e virtytshme, për të kërkuar të vërtetën brenda vetes. Nuk mund të vijë asnjë këshillë e mirë nga jashtë për të diktuar një proces thellësisht të brendshëm.
Është njësoj sikur arkitekti të ketë ndërmend ta bëjë çezmën në një kthinë të shtëpisë dhe hidrauliku t’i thotë nxirre këtu përpara se e kam më kollaj për të lidhur tubat. Po të ndiqet kjo këshillë, rrezikon që të duhet projekt nga e para. E dyta, ekziston një mendim se këshillat janë të vlefshme në të shumtën e rasteve në jetën e përditshme dhe kjo është e vërtetë, sepse si ai që jep këshilla, si ai që i merr, janë pjesë e një realiteti të vëzhguar dhe të perceptuar njëkohësisht, ndërsa në një tregim, poezi apo roman si botë individuale, banor në të cilat nuk është as krijuesi i tyre si formë e jo më të jetë edhe dikush tjetër.
Një autor pa përvojë, që i kërkon një tjetri me përvojë ta lexojë, nuk e bën këtë që ky ta mbushë me këshilla, por se ka bindjen e rreme se do të legjitimojë vetveten si shkrimtar dhe ky naivitet është thuajse sëmundje në rini, që normalisht shërohet vetvetiu, kur individualiteti krijues piqet dhe përsoset, si “ves” duket vërtet i pasjellshëm, por buron nga sinqeriteti dhe nga respekti që ke ndaj personit, nga i cili ke dëshirë të lexohesh.
Dhe vetëm vonë ky shkrimtar në perspektivë e kupton se të tjerë dëshiron që ta lexojnë dhe të tjerë janë ata që e lexojnë vërtet, ndaj për të mos lodhur veten, mbështetet te këta të dytët. Dhe këtu futemi te vendosja e marrëdhënies së rregullt shkrimtar-lexues, që është lidhje organike jo mekanike. Ndërsa shkrimtarit me përvojë i mbetet që këshillat më të dobishme që mund t’i bëjë kolegut pa përvojë, të jenë e shumta ndonjë nevojë redaktimi ose ndonjë marifet botimi. Tjetër gjë s’ka se ç’t’i thotë…
© 2022 Ervin Nezha. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.
Kopertina: Tolstoi dhe Çehovi.