Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Kulturë / Letërsi / Nostalgji

QYTETE NË PËLHURË

nga Ajkuna Dakli 

Pjesa e parë

Nuk e di saktësisht pse uji i liqenit ka atë ngjyrë. Vjen, mbase, nga përthyerja e dritës në faqen e zhveshur të Malit të Thatë, qerthulli i maleve rreth tij ose thellësia. Për mua, ajo ngjyrë, sapo shfaqej kur fillonte zbritja nga Qafëthana, ishte kufiri që ndante të përditshmen me imagjinatën.

Padurimi kishte nisur më parë, që në Elbasan, mes turmës që u turrej trenave të mbushur kapicë, me shpresën se do të gjenim një vend për t’u ulur. Një vend pranë dritares, nga mund të sodisja ujin e kuqërremtë të Shkumbinit rrethuar me gjelbërim, luginën e ngushtë mes maleve, varg njëri pas tjetrit, ndërsa dëgjoja zërin e tim eti që më tregonte emrat e tyre dhe gojëdhënat për to, pamjen e grykës që shfaqej në urën në hyrje të Librazhdit, dheun e kuq në shpatet që vinin më pas deri në Përrenjas.

Aty zbrisnim nga treni dhe prisnim me orë të tëra për autobusin që do t’i ngjitej së përpjetës së Qafëthanës, në radhën e makinave, që zbatonin me përpikëri hierarkinë e ngjitjes dhe të zbritjes. Ngjitja ishte disi e mundimshme, por pak pasi fillonte zbritja, kur shfaqej bluja e Liqenit të Ohrit rreth Gadishullit të Linit, dhe më tutje, në breg të liqenit të harkuar, qyteti me çatitë me tulla të kuqe në mes të pemëve, lodhja shkrihej si të ishte një re pa peshë.

Atëbotë, Pogradeci ishte qytet me shtëpi një- ose dykatëshe, me oborre të vogla shtruar me çimento ose pllaka, mbjellë me lule e mbuluar me pjergulla dhe rrethuar me kangjella. Ishte i vetmi qytet në Shqipëri ku lejohej të merrje një dhomë me qira për pushime dhe kjo sillte, bashkë me komoditetin, edhe një atmosferë që, përpos ngjyrës gurkali të çelur të liqenit kur ishte i qetë, i jepte atij vendi njëlloj magjie dhe paqeje që nuk e gjeje askund tjetër.

Nganjëherë, kur dua të çlodh mendjen, përpiqem të risjell në kujtesë dhomën me dysheme druri në shtëpinë e madhe njëkatëshe ku rrinim, oborrin e vogël mbuluar me pjergull, të zonjën e shtëpisë që piqte speca në skarë, manin e madh të bardhë në oborr që e shkundnim në një çarçaf të madh, rrugicën e vogël nga ku dilej në bulevard, pleqtë që shihnin me kureshtje pushuesit. Nga oborret e vilave buzë bulevardit, të zotët e shtëpisë ulur në shkallët, nënën time me kaçurrelat e zeza ngritur lart me një rreth, babanë në breg të liqenit duke na parë kur laheshim ose kur voziste barkën me rrema, peshqit e vegjël që i zinim me kavanoz në breg e përpiqeshim t’i ushqenim me thërrime buke, ngjalat që zinte djali i shtëpisë kur rrëshqisnin në një tepsi të madhe, kthimin pasdite vonë duke pikuar ujë nga larja e fundit në liqen.

Më pas, në ato kujtimet gjysmë reale dhe gjysmë fantazi, shoh vajzën e shtëpisë, moshataren time me fizikun e fortë dhe të folurën e shpejtë në dialekt, e cila më mësoi të notoja. Çastin kur u shkëputa nga supi i saj ku mbahesha dhe notova vetë për herë të parë. Më pas e shoh veten dhe tim vëlla, në mes një tufe kalamajsh të zeshkët në ecejaket zbathur shtëpi – liqen, si një tufë peshqish të vegjël, nga ata që notojnë cekët në breg dhe pothuaj e ndiej fizikisht nxehtësinë e asfaltit nën shputat e mia të zbathura. Hapa që më duket sikur avullojnë në kujtesë dhe sjellin me vete gjithë aromën e atij vendi dhe atyre ditëve.

Kishte një aromë ai vend, që as sot nuk di ta përshkruaj po e kam ende në mendje. Kumbullat gjatoshe mbase, vilet e rrushit nga pjergulla, manat e pjekur, uji i liqenit ose të gjitha bashkë, një aromë të pangatërrueshme, që mund ta gjeje vetëm aty.

Aromë pushimesh, qetësie dhe paqeje, aroma e të pasurit, mbase pa e ditur, gjithçka që të duhet në jetë.

Në kujtesë, Pogradeci ka mbetur prapë për mua i njëjti vend idilik, ku e rigjen veten sa herë kthehesh. Pasdite të qeta me diell, çati të kuqe me tjegulla, pjergulla dhe lule, bulevard i nxehtë me pllaka asfalti, liqeni si cipë gurkali e tendosur, sa nga larg duket se mund të ecësh mbi të, dhe, në fund të pushimeve, një ditë me stuhi, qiell i nxirë dhe i ashpërsuar, dallgë që përplasen mbi plazhin bosh, barka përmbys në breg. Një grand finale, bukuri e egër, pa të cilën magjia e atij vendi nuk mund të ishte e plotë.

U deshën të shkojnë vite të gjata pas pushimeve të fëmijërisë, që rruga të më sjellë përsëri në këto anë.

Asgjë nuk është më siç ka qenë. Koha dhe njerëzit, po sidomos njerëzit kanë qenë të pamëshirshëm.

Ndonëse e ka ruajtur disi pamjen e pjesës buzë liqenit, parkun, lulet në anë të rrugëve dhe atmosferën mikpritëse, qyteti nuk i ka shpëtuar etheve të betonit. Rruga e buzë parkut, që dikur popullohej me vila tipike mesdhetare të lyera në të verdhë të ngrohtë dhe stolisur me gdhendje të bardha mbi dritare, me oborre të vogla rrethuar me kangjella, tashmë popullohet nga ndërtesa 5-6 kate, që janë ngritur pa kurrfarë kriteri apo ngjashmërie me njëra-tjetrën dhe kanë zënë plotësisht pamjen e ndërtesave që vijnë më pas. Trotuaret, dikur të lira, në të cilat ecja fëmijë me kokën në diell, zhytur në atë botën time, tashmë janë zënë nga kafenetë dhe bulevardi është ngushtuar nga makinat e parkuara. Nëse ngjitesh pak më sipër, transformimi është edhe më i thellë dhe qytetit nuk i ka mbetur asnjë nga çatitë e kuqe.

Kërkoj disa herë shtëpinë ku kemi ndenjur vite me radhë, diku pas ish-Kampit të Pionierëve dhe nuk e gjej dot. Me siguri është shembur dhe zëvendësuar nga një ose disa pallate. Përpiqem ta gjej me hamendje duke u nisur nga plazhi, po edhe aty nuk jam e sigurt.

Rruginat e vogla që të çonin në shtëpitë buzë rrugës janë fshirë nga harta. Shtëpitë buzë shëtitores, gjithashtu. Edhe ato pak që kanë mbetur, nuk njihen më ashtu gjysmë të rrënuara, me siguri shtëpi emigrantësh, që kërkojnë fatin diku nëpër botë.

Edhe e shkuara e Pogradecit duket se është e groposur nën beton.

 

Pjesa e dytë

Gjendet në të vërtetë një vend në Pogradec, ku qyteti i vjetër ruhet pa u cenuar. Ky vend ndodhet diku në rrugicat në lindje të qytetit, e vetmja pjesë kjo që e ka ruajtur disi formën e saj të vjetër, ndonëse shtëpitë ekzistuese janë, në pjesën më të madhe, të rindërtuara.

Diku aty rrotull duhet të ndodhen shtëpitë e Lasgushit dhe Kutelit, të përfolura mjaft vitet e fundit në projekte të Ministrisë së Kulturës. Nuk e di në janë realizuar projektet për rehabilitimin e tyre ose të lagjes së vjetër.

Do të ishte mirë që i gjithë qyteti të përfshihej në një projekt të madh rehabilitimi, sepse është qytet turistik dhe, si i tillë, e ka vlerën e tij pikërisht në godinat tradicionale, rrugicat, kangjellat, lulet, e gjithë çka mund të ofrojë një qytet për të çlodhur mendjen.

Nëse kalon kufirin dhe shkon pak më tutje në Ohër, vë re se, pavarësisht rritjes së qytetit, arkitektura karakteristike është ruajtur. Po historia është ndryshe në Shqipëri. Qytetet turistike janë transformuar egërsisht, për të kënaqur etjet afatshkurtra për fitim, pa u kujdesur për traditën.

Kësisoj, Pogradeci i vjetër duket se ka mbetur vetëm në kujtesën e pushuesve të dikurshëm si unë, që kërkojnë gjurmët e tij në harta të shprishura kohësh moderne.

Në lagjen e vjetër në hyrje, pasi pyes dy-tre kalimtarë të rastit, drejtohem në një rrugicë të ngushtë, në të cilën shoh një portë të pikturuar. Kjo hapet në një oborr të vogël stolisur gjithashtu me piktura dhe objekte të vogla të gdhendura, gjë që  dëshmon praninë e syrit të mprehtë të një artisti. Në këtë oborr, ngjitur me shtëpinë dykatëshe, hapet dera e xhamtë e një studioje piktori.

Është studioja e piktorit Anastas Kostandini ose, siç njihet me emrin artistik, Taso, i cili është tashmë prej shumë vitesh “një profil i pangatërrueshëm i artit shqiptar”. [1]Parafjalë e prof.dr. Luan Topçiut nga katalogu “Grafika Taso”, botuar në Ombra GVG, 2007

Artist me një stil të veçantë, që mund ta njohësh edhe pa e parë nënshkrimin në cep të telajos.

Anastas Kostandini nuk ka lëvizur kurrë nga Pogradeci. Nëse hedh një sy të shpejtë në studio, nuk është vështirë ta kuptosh pse. Piktura të panumërta, vaj, akuarele, grafikë, peizazhe të ngrohta me të kaltrën e ujërave dhe të kuqen e çative mesdhetare, kompozime me njerëz e ndërtesa me stilin e tij karakteristik, që anon paksa nga kubizmi, dhoma, studio e qilarë, ku fermentohet vera e zihet rakia, portrete, etyde, grafikë me kurbat e lakuara të udhëve e pemëve, gjithçka dëshmon për një lidhje të fortë dhe të thellë të artistit me qytetin. Dëshmon se për të ky qytet nuk është vetëm një grumbull godinash, që i krijon atij lehtësinë e të banuarit, por një qenie që merr frymë me të gjithë bukurinë e tij, butësinë dhe egërsinë e natyrës, gjallërinë e verës dhe vetminë e dimrit, me të tashmen dhe të shkuarën e tij.

Në studio më bien në sy disa punime nga Pogradeci i vjetër. Janë jo pak dhe datojnë kohët e fundit. Duket se zhbërja e qytetit, fshirja nga harta e pjesëve të tëra të historisë, ka prekur në mënyrë të pashmangshme edhe lidhjen artist – qytet. Qyteti është tashmë i dyzuar. Një qytet aktual dhe një retrospektiv. Një metamorfozë e qytetit kjo që nuk mund të kalojë pa u vënë re nga syri i mprehtë i artistit. Një qenie me dy pamje në konflikt me njëra-tjetrën, konflikt ky që ka nxitur krijimtarinë e Anastas Kostandinit.

“….nëpërmjet ngjyrave dhe formave mund të them gjëra që nuk do të mundja t’i thosha në mënyra të tjera “ – Georgia O’Keeffe.

Në një kënd më tërheqin vëmendjen një grumbull grafikash. Janë pamje të Pogradecit të vjetër, shpjegon mjeshtri, dhe shton se po përgatitet për një ekspozitë.

Ekspozita me punime të Anastas Kostandinit,  e titulluar “Retrospektivë” dhe e hapur këto ditë në Pogradec, i paraqet publikut pikërisht këtë qytet retrospektiv.

“Principi i artit të vërtetë nuk është të portretizojë, por të evokojë”Jerzy Kosinski.

Në këtë ekspozitë, artisti evokon të shkuarën, po jo në një risjellje të thjeshtë fotografike të saj. Duke rikrijuar qytetin ashtu siç ka qenë, ai përfshin edhe veten dhe të gjithë ata që, në një mënyrë ose tjetër, janë të lidhur me atë çka qyteti ka qenë para metamorfozës që kanë shkaktuar ethet e betonit.

Duke evokuar të shkuarën në art, artisti evokon, në të vërtetë, atë lidhje emocionale dhe organike të qytetit me banorët e tij, po edhe me pushuesit, e cila po anashkalohet deri në mohim nga ndërtuesit e rinj.

A mundet vallë arti ta ndalë revanshin e betonit?

Vështirë t’i përgjigjesh në mënyrë pohuese kësaj pyetjeje në realitetin shqiptar.

Arti nuk është ajo çka sheh artisti, po ajo çka i bën të tjerët të shohin” –  Edgar Degas

Një artist që ka aftësinë të shohë detaje në dukje të parëndësishme, për t’i sjellë ato mjeshtërisht në sytë e publikut, të mbrujtura me dashurinë për të bukurën, është si një misionar.

Në këtë epokë shqiptare të betonit, misioni i një artisti shqiptar është, midis të tjerash, që me artin e tij të evokojë traditën për të edukuar ose riedukuar shijet estetike dhe perceptimin e publikut. Artisti mund të mos e ndryshojë dot të tashmen, por ka fuqinë që nëpërmjet artit të tij të frymëzojë, për t’i paraprirë kështu ndryshimit.

Le të kthehem prapë tani aty ku u nisa, tek lagjja e pushimeve të fëmijërisë sime.

Atë e gjej më në fund. Sigurisht jo fizikisht. E gjej të hedhur në telajo, në studion e piktorit. E njoh menjëherë, por jo sepse është një riprodhim besnik i asaj që ka qenë. Madje as nuk do ta kujtoja saktësisht siç ka qenë. Ka shkuar shumë kohë dhe çdo kujtim i saj në mendjen time është i mjegullt.

Po kur vështroj me vëmendje në pëlhurë vijat e lakuara të shtëpive, dritaret e hapura, siluetat e njerëzve, trungjet e hardhive, që ngjiten drejt çative me tulla të kuqe, butin e verës në një cep, më duket se përshkoj përsëri udhëzën mes oborrit, kaloj zbathur mbi pllakat e bulevardit drejt liqenit, që duket si një cipë e tendosur gurkali, mbi të cilën mund të ecësh, ndiej përsëri nën shputa nxehtësinë e asfaltit, shquaj ende vezullime dritëhijesh dhe dëgjoj sërish llapashitje lopatash.

Atëherë më rrethon një aromë që nuk di ta përshkruaj, po që e njoh mirë e vetëm këtu mund ta gjej.

Aromë pushimesh, qetësie dhe paqeje, aroma e të pasurit mbase, pa e ditur, gjithçka që të duhet në jetë.

References

References
1 Parafjalë e prof.dr. Luan Topçiut nga katalogu “Grafika Taso”, botuar në Ombra GVG, 2007

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin