Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Botime / Letërsi / Libri Shqip

CUNGIME LETRARE

Është praktikë e konsoliduar e të gjithë atyre që informojnë lexuesin për librin artistik, përfshi edhe ata që paguhen me fonde publike për të informuar lexuesin për librin, që të merren rregullisht me “veprën më të fundit”, “veprën që sapo doli nga shtypi”, “romanin më të ri”, e kështu ngjashëm, të thuash se janë duke shitur gazeta.

Kjo praktikë ka një farë kuptimi kur ndiqet nga shtëpitë botuese komerciale, të cilat duan të lajmërojnë lexuesin për titujt e rinj, që ky të shkojë dhe t’i blejë – por përndryshe mbështetet mbi një presupozim, dhe pikërisht që lexuesi është tashmë i informuar për botimet ekzistuese dhe më të vjetra, që nuk qëndron. Madje, pikërisht ngaqë lexuesi nuk është i informuar se çfarë ka botuar ky apo ai autor deri më tash, nuk mund të reagojë logjikisht ndaj “botimit më të fundit.”

Me logjikë, një pjesë e madhe e autorëve që botojnë, i kanë botuar tashmë veprat e tyre më të mira; le të përjashtojmë këtu “të rinjtë”, të cilët ende nuk kanë shpërthyer si duhet, dhe ndonjë tjetër me shpërthim të vonuar, që ende po punon për kryeveprën. Sërish me logjikë, por edhe nga eksperienca, besoj se pjesa më e madhe e autorëve që botojnë sot dhe janë produktivë, do të donin të flitej më shumë, të paktën jashtë konteksteve mirëfilli komerciale, për veprën e tyre ekzistuese.

Se ja, qëllon që del një autor në televizion dhe vihet të flasë për romanin e fundit, që sapo ka nxjerrë – dhe jo rrallë, kur emisioni nuk është i specializuar, përballë një intervistuesi që nuk e ka idenë se çfarë tjetër ka shkruar ky qyqar deri tani, ç’kërkon të arrijë të re, me veprën e tanishme dhe si lidhet kjo me ç’është botuar më parë. Nga ca prej këtyre emisioneve nuk mund të presësh më shumë: ato janë pjesë e cirkuiteve të sipërfaqes, të cilat mund t’i përfytyrosh si të vizatuara mbi një flluskë sapuni – më ka ndodhur të shkoj në ca prej tyre, me librin tim nën sqetull, dhe duke pritur që të nisë emisioni, të kem parë në një raft në cep të korridorit një mori librash të shtrembër dhe gjysmë të palexuar, të cilave pas pak do t’u shtohet edhe ky imi, me dedikimin përkatës. Një varrezë e vogël e përkorë me tituj që i janë dhuruar “emisionit”, shumica edhe me dedikim (!).

Media dhe të gjithë ata që duhet të kujdesen për informimin e lexuesit kanë vendosur ta rrafshojnë përmasën kohore të librit dhe të kulturës, duke i identifikuar veprat me momentin kur sapo kanë dalë nga veza – dhe pastaj duke i lënë në mëshirë të harresës. Shumë e shumë vepra janë botuar këto tridhjetë vjet, mes të cilave edhe shumë të mira, madje tek-tuk gjëra të rralla dhe të papërsëritshme; po kush shqetësohet për t’i mbajtur në qarkullim, për t’ia risjellë lexuesit në vemendje, për t’i përfshirë në cirkuite që nuk janë ato të shitblerjes?

Ka ca, mes punëtorëve të librit, që nuk duan ta kuptojnë se një vepër letrare, që të jetë e tillë, duhet ta kapërcejë fazën e “sapo doli nga shtypi…”, “u prezantua për lexuesin romani i shtatë i…”, “flasim për veprën më të re të autorit të njohur…”; sepse kjo fazë, për librin në fjalë, është ende paraletrare, embrionale, promocionale; dhe se letërsia, si dukuri kulturore, fillon vetëm më pas, kur libri i shkon lexuesit dhe, faktikisht, lexohet. Ka doemos një hendek mes momentit kur libri ndërron pronar dhe i shitet dikujt, dhe momentit tjetër, kur ai që e ka blerë e lexon. Palët e interesuara për fazën e shitblerjes nuk janë doemos po ato që interesohen për fazën tjetër, të leximit.

Në vende me qarkullim letrar të konsoliduar, agjentët letrarë në bashkëpunim me shtëpitë botuese, përpiqen të kultivojnë lexuesin besnik ndaj një autori, i cili pret për veprën e fundit vetëm e vetëm ngaqë kjo pritje i është krijuar, falë leximeve të mëparshme. Ky është edhe lexuesi të cilit mund të flitet me ndërgjegje të qetë, për “librin më të fundit”, paçka se kur një autor i ka përftuar pritjet e nevojshme te lexuesi, zakonisht nuk është më në gjendje t’i kënaqë ato. E megjithatë, edhe ky lloj interesi do të mbahet gjallë duke kultivuar edhe trashëgiminë personale, madje kryesisht duke kultivuar trashëgiminë personale. Kjo madje i bën mirë edhe autorit vetë, sepse e ndihmon të kuptojë më mirë se çfarë po ndodh me të dhe çfarë rruge po ecën bashkë me lexuesin e vet (besnik).

Për faj të këtij rrafshimi temporal, edhe shtëpitë botuese përgjithësisht nuk e vrasin mendjen për veprat më të hershme të autorëve të tyre, duke investuar praktikisht gjithçka në produktin “më të fundit”. Madje edhe kur bëhen promovime rutinë, libra të tjerë të së njëjtit autor i gjen – në rastin më fatlum – të ekspozuar në ndonjë tryezë anësore (me kusht që të jenë nga e njëjta shtëpi botuese). Libraritë rrallë qëllon që të përfshihen në këto procese dhe të rikthejnë në shitje, bashkë me romanin më të ri, edhe ndonjë gjë tjetër nga e kaluara.

Ka një vijë të padukshme, por që shumë duket se e respektojnë, kur është puna për të dalluar mes “shenjtëve” letrarë të së kaluarës, të cilëve nuk ua lë kush eshtrat rehat, dhe të tjerëve të dënuar për të jetuar vetëm në të tashmen. Nuk po sjell shembuj, sepse nuk dua që të fillojë polemika rreth shembujve (punë pa bukë dhe festë e trollëve), por edhe nuk mund të mos e them se ca prej autorëve të traditës, që vazhdojnë të kremtohen institucionalisht, janë të dobët, madje më të dobët se ç’mund të durojë edhe lexuesi më zemërgjerë. Përkundrazi, ca të tjerë më të vonë, që kanë shkruar më mirë, i rrethon indiferenca. Dhe sidomos, askush nuk shqetësohet të tregojë se çfarë i lidh ata të mëdhenjtë e djeshëm me të sotmen, ose më mirë, si është ndërtuar ditë pas dite dhe vit pas viti qenia letrare shqip.

Një autor serioz dhe që respekton lexuesin, kolegët dhe veten, e ndërton veprën e re mbi atë që ka shkruar më parë; siç e ndërton veprën e vet mbi veprën e të tjerëve. Ka edhe produkte letrare të tipit fast food, ose usa e getta, romane aeroportesh, tekste për të vrarë kohën, barasvlera të patateve të skuqura; por edhe brenda zhanreve të tilla ka shtresime kronologjike, aq sa një aficionado mund ta dallojë menjëherë një roman sci-fi të shkruar në vitet 1970, nga një tjetër të viteve 2000. Aq më tepër që brenda çdo teksti letrar përmasa kohore mishërohet në trajtën e intertekstualitetit, ose të kompetencës së lexuesit (model) për ta parë tekstin që ka përpara si të realizuar në një skenografi tekstesh që i kanë paraprirë. Nëse nxënësve në shkollë nuk u mësohet si t’i shquajnë këto shtresa dhe intertekstualitete, atëherë ia kemi rrezikuar rëndshëm letërsisë perspektivën.

Autorët vetë janë relativisht të pafuqishëm që t’i bëjnë të dukshme shtresimet kohore në veprën e tyre – kanë nevojë për një aparat kulturor që t’u dalë zot. Ky aparat mund të jetë aq i thjeshtë, sa edhe një emision televiziv kushtuar librit, që i thërret shkrimtarët të flasin jo për çfarë janë duke lexuar as për çfarë kanë lexuar as për çfarë do të botojnë së shpejti, por për atë vepër të tyre tek e cila u pëlqen të ndalen, ose që besojnë se lexuesi nuk ua njeh sa duhet.

Por ç’sipërmarrje e kotë do të ishte kjo, nëse asaj vepre nuk i gjenden as gjurmët në treg? Sa autorë të mirë shqip ka sot, të cilëve u janë zhdukur nga qarkullimi veprat deri edhe të 3-4 vjetëve më parë dhe që u është fshirë emri nga faqja e dheut, thjesht për shkak të modelit të keq të vlerësimit të librit? Shtëpitë botuese dhe libraritë i kanë gati shpjegimet për këtë shurdhim, por e vërteta e hidhur mbetet se pa një përmasë kohore të pranishme dhe pa autorë të rrokshëm si tërësi veprash të vijueshme, është punë e kotë të pretendojmë se kemi letërsi; dhe aq më pak nga kjo katrahurë mund të na shpëtojnë emrat aq të lakuar të traditës dhe establishmenti post-tradicional që i kremton si të bënte gjimnastikë mëngjesi (në spital).

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: skulptura nga Bruno Catalano.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin