Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi / Letërsi

HEINRICH BÖLL: ANEKDOTË PËR ULJEN E ETIKËS SË PUNËS

Përkthimi dhe komenti shoqërues nga gjilpëra

Punojmë për të jetuar apo jetojmë për të punuar? Kjo është pyetja që torturon njeriun modern, të kapur në grackë mes kultit të produktivitetit, të rendimentit të lartë, të suksesit me çdo kusht në punë, dhe dëshirës aq të natyrshme për kohë të lirë e për të qenë i ngeshëm, që t’iu gëzohet atyre që ka – shëndetit, familjes, shoqërisë dhe ëndjeve, – me aq mirëqenie sa ka.

Kësaj pyetjeje shkrimtari gjerman Heinrich Böll iu përgjigj me një anekdotë provokuese, të shkruar në vitin 1963, në kulmin e bumit ekonomik të pasluftës, të Mrekullisë Ekonomike Gjermane, siç u bë e njohur më pas epoka, dhe të publikuar mu në Ditën e Punës, në 1 Maj të atij viti.

Që atëherë ka kaluar shumë kohë, por kjo pyetje edhe sot mbetet po aq aktuale sa gjashtë dekada më parë. Mbyllja e detyruar nga epidemia – pezullimi gati i plotë, dyvjeçar i jetës publike – ishte për shumë veta edhe një periudhë qetësie dhe reflektimi, si efekt anësor i shkëputjes nga xhirimi trullosës i një kapitalizmi në steroide, çka solli për shumë njerëz edhe një rivlerësim të prioriteteve në jetë dhe një riorientim për të ardhmen.

Pas pandemisë, shumë prej tyre – disa miliona punëtorë – nuk u kthyen më në punët e mëparshme. The Great Resignation ose The Big Quit është quajtur fenomeni; Braktisja e Madhe. Ku kanë shkuar gjithë punëtorët? – është pyetja që po lë pa gjumë kapitalistët dhe politikanët anembanë Perëndimit.

Morali i anekdotës së Heinrich Böll ndoshta ndihmon për të shpjeguar më mirë dukurinë. Shumë prej të “larguarve”, në fakt, janë kthyer prapë, por në punë e zanate të reja, të paguara më mirë ose që u shkojnë më tepër për shtat; disa të tjerë vendosën të punojnë më pak se më parë, në favor të jetës private e familjare, ndërsa disa të tjerë vendosën të mos punojnë më fare, për t’iu përkushtuar aktiviteteve të tjera personale, sociale apo krijuese (muzës!), por gjithsesi joprodhuese e jofitimprurëse, në kuptimin kapitalist të këtyre fjalëve.

Kjo dilemë – sa të punojmë e sa të jetojmë – shtrohet sot edhe para nesh,  shqiptarëve, që, si në shumë gjëra të tjera, iu futëm të vonuar rrugës së kapitalizmit dhe të mirëqenies, e sidomos prek ata prej nesh që e njohën punën në të dy sistemet, në atë të socialist (‘ne bëjmë sikur punojmë, ata bëjnë sikur na paguajnë’) dhe në këtë kapitalist (‘jetojmë për të punuar’). Por, si në shumë gjëra të tjera, ashtu edhe për punën, natyrisht, nuk ka as përgjigje shabllon, as një zgjidhje të vetme për të gjithë. Secili e vendos vetë, sipas nevojave dhe dëshirës, por brenda mundësive që lejon ose që detyron sistemi (temë më vete kjo), sa e si e ku të punojë. Një gjë ama vlen për të gjithë, për punëtorët e mëdhenj e ata të vegjël, për të zellshmit dhe për të ngeshmit, për të varfrit e për të pasurit: me vete, në botën tjetër, nuk marrim dot asgjë! Lexim të këndshëm.


 

Heinrich Böll: Anekdotë për uljen e etikës së punës.

Një peshkatar i veshur varfër është shtrirë në varkën e tij dhe po dremit, në një liman të vogël diku në perëndim të Evropës. Një turist i veshur shik, që po kalon atypari, vendos sakaq një film të ri me ngjyra në aparatin fotografik. Peizazhi idilik duhet fiksuar në celuloid sa më parë: qielli blu, deti i jeshiltë me valët shkumëbardha, varka e zezë dhe kapuçi i kuq i peshkatarit. “Klik”, bën aparati. “Klik”, edhe një herë tjetër. Për të qenë fare i sigurt – e meqë gjërat e mira janë gjithmonë tre – turisti e shkrep edhe për së treti: “klik”. Kërcitja e thatë, gati-gati armiqësore e aparatit, e zgjon peshkatarin, i cili, i përgjumur siç është, ngrihet përgjysmë dhe si i përhumbur fillon të kërkojë paketën e cigareve. Por turisti është më i shpejtë: aty për aty nxjerr paketën e vet dhe ia zgjat gjithë zell, madje edhe cigaren e merr dhe ia vë në dorë. Një kërcitje e katërt, ajo e çakmakut, e përmbyll mirësjelljen plot ngut të të huajit. Nga gjithë ky zell i tepruar krijohet një situatë disi e nderë, që turisti, i cili e flet gjuhën e vendit, kërkon ta kapërcejë duke hapur një bisedë.

— Sot keni për të kapur goxha peshk.

Peshkatari bën “jo” me kokë.

— Por mua më thanë që koha është e mirë për të peshkuar.

Peshkatari miraton me krye.

— Pra nuk keni për të dalë për peshkim?

Ndërsa peshkatari mohon përsëri me kokë, turisti fillon të bëhet nervoz. Doemos, atij i dhimbset peshkatari i veshur me rroba të vjetra që po humbet kështu një rast të mirë për peshkim.

— Ah, mos nuk ndiheni mirë?

Peshkatari më në fund heq dorë nga shenjat dhe vendos të flasë.

— Ndihem për bukuri, — thotë ai, — ndihem aq mirë sa rrallëherë.

Peshkatari ngrihet në këmbë dhe fillon të shtriqet e të tendoset, a thua se do të tregojë fizikun e tij prej atleti.

— Si s’ka më mirë!

Turistin e kaplon dëshpërimi. Pyetjen, që gati po ia çan zemrën më dysh, nuk e mban dot më përbrenda:

— Po atëherë përse nuk dilni të peshkoni?

Përgjigja vjen e shpejtë dhe e prerë:

— Sepse unë dola në mëngjes për peshkim.

— Kapët shumë peshk?

— Kapa aq shumë sa s’kam nevojë të dal prapë sot: kam katër gaforre të mëdha deti dhe dy duzina me skumbri në rrjetë…

Peshkatari, tashmë i zgjuar krejt, vjen në formë dhe i bie shpatullave turistit, për ta qetësuar. Fytyra e këtij e merakosur tregon shqetësim të sinqertë për peshkatarin, edhe pse ca të tepruar.

— Madje unë kam kapur peshk boll për nesër edhe për pasnesër, — i thotë ai vizitorit, si për t’ia hequr merakun njëherë e mirë, dhe i zgjat paketën.

— Doni një cigare nga këto të miat?

— Po, faleminderit.

Vendosin cigaret në buzë. Bën “klik” për së pesti. Vizitori zë vend në anë të varkës, tund kokën dhe lë mënjanë aparatin fotografik; tani atij do t’i duhen të dyja duart për të theksuar atë që do të thotë.

— Unë nuk dua të përzihem në punët tuaja. — fillon ai, — Por përfytyroni njëherë sikur të dilnit sot dy, tre apo katër herë në det për peshkim dhe të kapnit tre, katër, pesë, e pse jo, dhjetë duzina skumbrish. Mendoni sikur!

Peshkatari pohon me kokë.

— Jo vetëm sot, — vazhdon turisti, — por edhe nesër, edhe pasnesër e në çdo ditë me kohë të mirë. Sikur të dilnit dy, tre, ndoshta edhe katër herë për të peshkuar, e dini se çfarë do të ndodhte atëherë?

Peshkatari bën “jo” me krye.

— Pas një viti, jo më vonë, ju do të blinit një motor për varkën tuaj; pas dy vitesh do të blinit ndoshta një varkë të dytë dhe pas tre apo katër vitesh edhe një peshkarexhë të vogël. S’do mend që ju, me dy varkat dhe me peshkarexhën tuaj, do të kapnit goxha peshk më shumë dhe një ditë ju mund të bëheni me dy peshkarexha, madje ju mund të… — nga entuziazmi atij i merret fryma për pak çaste, — madje ju mund të ndërtonit këtu një frigorifer peshku, ndoshta dhe një punishte tymosjeje, më vonë edhe një fabrikë konservash. Po ka dhe më tepër: një ditë ju mund të keni edhe helikopterin tuaj, për të gjetur se ku janë tufat më të mëdha të peshqve në det dhe për të drejtuar pastaj aty varkat tuaja me anë të radios, ju mund të siguronit edhe licencën e salmonit, të hapnit një restorant peshku ose t’i eksportonit gaforret tuaja drejt e në Paris. Dhe pastaj…, — përsëri i ikën zëri vizitorit të ngazëlluar.

Tund prapë kokën. Ndihet i prekur dhe kënaqësia e pushimeve tani sikur e ka lënë krejt, ndërsa rri e vështron baticën që afrohet paqësisht, me peshqit e pakapur që lodrojnë gjithë qejf mbi ujë.

— Dhe pastaj…, — vazhdon turisti por fjalët i meken përsëri në gojë.

Peshkatari i rreh shpinën, si fëmijës që po mbytet duke kapërcyer ushqimin.

— Dhe pastaj? — e pyet ai me butësi.

— Pastaj, — i thotë vizitori me entuziazëm të shuar, — pastaj ju mund të vinit dhe të rrinit këtu në liman, të ngroheshit në diell dhe të kundronit detin e mahnitshëm.

— Po unë tamam këtë jam duke bërë edhe tani,— i thotë peshkatari, — jam shtrirë këtu në liman dhe po dremis. Vetëm shkrepjet e aparatit tuaj ma prishën rehatinë.

Turisti u largua i zhytur në mendime. Dikur edhe ai kishte besuar se po punonte, që një ditë të mos i duhej më të punonte. Për peshkatarin me rroba të vjetra tashmë nuk ndjente më keqardhje, përkundrazi, vetëm pak zili.


© 2022 Peizazhe të fjalës™ dhe përkthyesi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin