Duke kërkuar sot të dhëna për Covid-in në Shqipëri, ndesha në këtë frazë të çuditshme:
E cila mbase do të mbetet në histori për shprehjen lapidare “kanë rritur shtimin”, simbol të vakuumit mendor që përfton gjuha e drunjtë.
Në kontekst, foljet rrit dhe shtoj thonë të njëjtën gjë, duke përcjellë një kuptim abstrakt, të cilin mund edhe ta shprehim me shenjën (+). Duket sikur formuluesi i thënies më lart, i pavendosur nëse do të thotë “kanë rritur… numrin” apo “kanë shtuar… numrin”, ka lejuar një kompromis dhe i ka hipur të dy foljet në furgonin e frazës, duke e shndërruar njërën në emër prejfoljor (shtimin).
Po si mund të rritet shtimi? Vallë tamam siç mund të shtohet rritja?
Analiza më e imtë tregon se nuk është fjala thjesht për një ngatërresë fjalësh. Madje edhe sikur “kanë rritur shtimin” të jetë lapsus për “kanë shkaktuar shtimin”, “kanë sjellë shtimin”, “kanë mundësuar shtimin”, “janë bërë shkas për shtimin”, “kanë nxitur shtimin” etj., me kuptimin kauzativ “kanë bërë që të shtohen”.
Le të supozojmë për një çast se thënia synonte të tingëllonte kështu:
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli tha sot në një konferencë për shtyp se në Shqipëri nënvariantet e reja të Omicron e kanë rritur numrin e të infektuarve.
Kjo thënie tingëllon e formuar mirë, e megjithatë, pjesa e dytë e saj (nënvariantet e reja të Omicron kanë rritur numrin e të infektuarve) e përmban tashmë farën e mendimit të drunjëzuar.
Le të arsyetojmë me atë që flet, duke u nisur nga çfarë na thuhet pikërisht – që Omicron-i po infekton më shumë persona. Po të ruajmë tonin dhe stilin e shprehjes, mund ta kishim riformuluar thënien kështu:
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli tha sot në një konferencë për shtyp se në Shqipëri janë shtuar të infektuarit me nënvariantet e reja të Omicron.
Këtë riformulim e realizuam duke i vendosur të infektuarit si kryefjalë; duke përdorur foljen shtoj si kallëzues; dhe duke i vënë nënvariantet e reja të Omicron-it në rolin e rrethanorit (në thelb, të rrethanorit të agjentit, si kryefjalë e heshtur e foljes infektoj, e cila shprehet tërthorazi te kryefjala sipërfaqësore të infektuarit).
Në thelb, Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, thotë se po sëmuren më shumë njerëz me nënvariantet e reja (ju kujtohet ajo +). Ky është edhe informacioni i ri në thënie, i cili meriton t’i përcillet publikut.
Le të kthehemi sërish te varianti i thjeshtuar:
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli tha sot në një konferencë për shtyp se në Shqipëri janë shtuar të infektuarit me nënvariantet e reja të Omicron.
Në përqasje me origjinalin, do të vërejmë se tani mungon, mes të tjerash, fjala numrin. Të krahasojmë:
Janë shtuar të infektuarit me nënvariantet e reja të Omicron.
Dhe
Është shtuar numri i të infektuarve me nënvariantet e reja të Omicron.
Çfarë i shton kjo fjalë, numri, thënies? Përgjigjja e thjeshtë do të ishte: asgjë. Nuk ka ndonjë dallim kuptimor midis janë shtuar të infektuarit dhe është shtuar numri i të infektuarve; dhe kjo, sepse koncepti i numrit përmbahet tashmë në kuptimin e foljes shtoj.
Prandaj edhe fjalë të tilla sinjalizojnë praninë e gjuhës së drunjtë. Për t’u bindur se është vërtet kështu, që kemi të bëjmë një flluskë leksikore, le të krahasojmë:
Xha Sulos i janë shtuar huqet.
Xha Sulos i është shtuar numri i huqeve.
Ku thënia e dytë tingëllon absolutisht qesharake. Por kjo vetëm ngaqë, ndryshe nga ligjërimi i mediave (publicistik), ligjërimi bisedor nuk e pranon gjuhën e drunjtë.
Teknikisht, kjo është shtuar numri mund të merret edhe si pleonazëm, ose redondancë (tepri) leksikore, e ngjashme me shprehje të tilla si përmbledhje e shkurtër, ngjitem lart, kombinoj së bashku, pjesët përbërëse, zbres poshtë, planifikim paraprak, me ngjyrë të gjelbër, banorët vendës, u takuan me njëri-tjetrin, periudhë kohe, etj. Askush nuk ka imunitet ndaj pleonazmave (me siguri do të gjendet ndonjë edhe te ky shkrim), por prania e tyre në një tekst shpesh dëshmon se folësi (shkruesi) po kërkon të fitojë kohë, sepse nuk di si t’ia mbajë të pakëputur fillin ligjërimit.
Dhe për të fituar kohë, ky folës a shkrues nxjerr një përbërëse kuptimore nga fjala që sapo ka thënë ose nga fjala që gatitet të thotë, dhe e “leksikalizon” sakaq:
I dhuroi një trëndafil të kuq
I dhuroi një trëndafil me ngjyrë të kuqe
Ky proces mundëson formulime të tilla si:
Është shtuar numri i të infektuarve…
Ku fjala numër nuk është veçse një leksikalizim i një elementi kuptimor si të foljes shtoj ashtu edhe të emrit në shumës të infektuarve.
Ngjashëm me numër, në këto kontekste do të gjejmë edhe fjalë si raste:
Janë shtuar rastet e infektimeve me Covid
Ku sërish, fjala rastet vetëm sa leksikalizon një element kuptimor si të foljes shtoj ashtu edhe të emrit infektimeve (në kuptimin që çdo infektim është edhe rast infektimi).
Kur të vijnë pleonazmat, hapu derën:
Vëreni këtu, përtej numri e rasteve edhe rritet edhe më shumë, që mbase shënjon ndonjë rritje në shkallë të dytë (përshpejtim të përshpejtimit); përndryshe, operatorët (+) si “më shumë” dhe “edhe më shumë” janë pjesë e kuptimit të foljes rriten. Vëreni edhe si “ditëve të ardhshme” mund edhe të hiqej nga fjalia, sepse ditëve të ardhshme u referohet logjikshëm kallëzuesi “mund të rritet”.
Ose ky shembull tjetër:
Ku edhe folja rritet vjen e zbërthehet në “ka pësuar (një) rritje…”.
***
Çfarë na bën të themi është shtuar numri i infektimeve në vend të janë shtuar infektimet? Ose më mirë, çfarë kujtojmë se i mungon shprehjes janë shtuar infektimet, që na shtyn ta plotësojmë duke thënë është shtuar numri i infektimeve? Pse nuk na pëlqen janë rritur infektimet te fëmijët, dhe preferojmë janë rritur rastet e infektimeve te fëmijët?
Një arsye mund të ishte se kjo rastet lejon burokratizimin e ligjërimit, me fjalë të tjera, trajtimin e çdo eventi si element të numërueshëm dhe të klasifikueshëm (të dhëna, shifra, data). P.sh.: “janë rritur rastet e dhunës në familje gjatë pandemisë…”, një thënie që komunikon se ka pasur më shumë dhunë në familje. Por rastet e dhunës e kthen vëmendjen drejt rafteve të burokracisë së ligjit dhe të rendit publik, duke i nxjerrë gratë e dhunuara nga fokusi… Sikurse rastet me Covid tingëllon më teknike se të sëmurët me Covid, edhe pse ata që vuajnë janë të sëmurët, jo rastet!
Bëni vetë një kërkim në Google për “janë rritur rastet”, për t’i parë vetë absurditetet që na detyron të themi e të shkruajmë gjuha e drunjtë:
Shembulli më lart, autentik, përtej xhevahirit “numri i rasteve do të rritej sepse janë rritur rastet”, dëshmon edhe kombinimin fatlum: rritje e numrit të rasteve.
Një shpjegim alternativ do të ishte ai i gjuhës modulare, ose i prirjes për ta ndërtuar thënien jo me fjalë, por me blloqe të gatshme (parafabrikate) – në shembullin tonë, të tilla si është shtuar numri (i rasteve), janë rritur rastet, është ulur përqindja, ku emra super-abstraktë, si numri, rastet, përqindja u ngjiten foljeve si rimorkio. Dukuria përfiton edhe nga fakti që kryefjalët e natyrshme të foljeve si shtohet, rritet, pakësohet, ulet, zvogëlohet, zmadhohet, shpejtohet shënjojnë procese, të cilat ndonjëherë nuk është lehtë t’i kuantifikosh. Për shembull, infektimi është ajo që i ndodh dikujt që infektohet nga një mikrob a virus, por edhe rezultati i këtij procesi; i infektuari është viktima përkatëse. Nëse virusi përhapet, duke infektuar më shumë persona (+), atëherë na vjen natyrshëm të themi se shtohet numri i të infektuarve ose, alternativisht, rriten rastet e infektimeve – dhe ashtu togjet shtohet numri ose rriten rastet mund t’i marrim edhe si kallëzues të përbërë, të cilët kërkojnë një “kundrinë” në rasën gjinore.
Ja si mund të hartohej edhe gramatika e gjuhës së drunjtë!
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.