Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Filologji

ME ILIADËN E SHLLAKUT

Pas një shkrimit tim kushtuar Gjon Shllakut dhe abuzimit me trashëgiminë e tij prej pseudo-gegofilëve dhe trollëve të Internetit, u ktheva nga pushimet me frikë se nuk do ta gjeja dot “Iliadën” e tij gegnishte në bibliotekën e familjes – por ajo për fat u kish mbijetuar zhvendosjeve dhe trazirave të tjera.

Libër fort i bukur dhe i vyer, edhe për këtë arsye personale.

Botimi është i vitit 1965, nga N.Sh. Botimeve “Naim Frashëri”; me kolegjium redaktues S. Papakristo, H. Lacaj, D. Siliqi, S. Çomora, M. Xhaxhiu dhe S. Xhaj.

Është i lidhur mirë, me kapak të fortë dhe letër që pothuajse nuk është zverdhur fare (në krahasim me të, shumë nga librat shqip edhe të viteve 2017-2018, që kam në bibliotekë, kanë filluar që tani të zverdhen).

Hapet me një parathënie të gjerë, nga Spiro Çomora, me titull “Iliada dhe bota homerike”, i cili duhet të jetë kujdesur edhe për shënimet e imta shpjeguese, gati 40 faqe me font të vogël, në fund të librit – të cilat përmbajnë informacion jashtëzakonisht të larmishëm për mitet dhe kulturën greke të lashtë.

Faqja e parë e poemës, edhe pse e kam lexuar kaq herë, më preku edhe një herë – duke më kujtuar se, edhe kur jam përgatitur për provimin e letërsisë antike në vitin e parë të universitetit në Tiranë, sërish kam përdorur versionin gegnisht, jo atë të normalizuar.

Duke e shfletuar vëllimin, më ra menjëherë në sy diçka tjetër – poemën Gjon Shllaku e ka përkthyer në një formë të gegnishtes letrare veriperëndimore, por parathënia dhe shënimet janë në toskërishten letrare. Ndodhte ende, në 1965, që brenda të njëjtit libër të botuar rishtas, të rrinë gegnishtja dhe toskërishtja krah për krah.

Faqja e parë e parathënies, në toskërishten letrare.

Ja çfarë thotë në fund të parathënies Çomora – i cili ndërkohë po përkthente “Odisenë”:

Ky përkthim dinjitoz në gjuhën shqipe i «Iliadës» e pasuron shumë bibliotekën e Artit e të Kulturës sonë.

Vështirësitë e kësaj pune të madhe nuk mund të kenë qenë të vogla. Përveç të tjerave, fjalori jashtëzakonisht i madh e i shumanshëm i poemit i cili kërkon një studim serjoz e të zgjedhur, të thesarit tonë gjuhësor.

Perkthenjësi ka punuar shumë. Duhet thënë se edhe komisioni redaktonjës, që ka verifikuar këtë përkthim me origjinalin dhe me përkthime në gjuhë të ndryshme (greqishte e re, rusishte, italishte e frëngjishte), ka dhënë një ndihmë të çmuar për shprehjen sa më besnikërisht e bukur të fjalës e të mendimit homerik në gjuhën tonë.

Plot 69 vjet përpara, në vitin 1896, Naim Frashëri përktheu dhe botoi këngën e parë të «Iliadës». Mëndja e tij, e ndritur nga qëllimet e Rilindjes Kombëtare, ndjeu që atëhere nevojën e pasurimit tonë me diturinë klasike.

Homeri, sot, është pronë e gjuhës dhe e popullit tonë.

Për fat të keq, Çomora nuk mundi – për arsye mirëfilli politike – të përmendte se një këngë të “Iliadës” së Homerit (të pestën) e pat përkthyer, pjesërisht, edhe Gjergj Fishta; ndoshta i njëjti lloj koercioni nuk e la të përmendte përkthyes të tjerë të hershëm të këngëve të poemës, si Frano Allkaj dhe Nikollë Dakaj.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin