Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Antropologji / Media

FAKE NEWS NUK KURSEN AS GJON SHLLAKUN

Një tekst që i atribuohet përkthyesit të “Iliadës” Gjon Shllaku po qarkullon në rrjetet sociale, në forumet online, në portalet e ndonjëherë edhe në mediat më tradicionale, ndonjëherë edhe i shoqëruar me fotografinë autentike të autorit të supozuar, por pa ndonjë përmendje burimi. Në rrjetet sociale gjithnjë gjenden lexues entuziastë, të cilët e bashkëndajnë me të tjerë pa e vënë në dyshim autenticitetin; dhe të shumtë janë ata që, të nisur nga autoriteti i mirëfilltë i Gjon Shllakut si lëvrues i gegnishtes letrare, i marrin për të mirëqena gjërat e çuditshme që thuhen atje.

Mes të tjerash, teksti kuturiset ta ndajë gegnishten nga shqipja, për ta paraqitur si “gjuha ma e vjetër e kontinentit” dhe pasqyrë e gjallë e vjetërsisë së vet. Si të mos mjaftonte kaq, gegnishtja shpjegon “qartë” edhe shumë fjalë të greqishtes klasike, aq sa të duket sikur “ose ndonjë malësor shqiptar i para 2800 vjetsh ka shkru Iliadën e Odisenë”, ose “edhe malsori shqiptar i Veriut edhe Homeri flasin identikisht të njëjtën gjuhë.” Me fjalë të tjera, “Iliada e Homerit është shkru në Gegnisht”.

Edhe pse është shumë e vështirë të provosh një negative, duket e pamundur që kjo paçavure të ketë ndonjë lidhje me Gjon Shllakun intelektual, filolog dhe përkthyes të rrallë. Madje mjafton t’i hedhësh një sy shpejt e shpejt copëzës, për t’u bindur se – ndryshe nga Gjon Shllaku përkthyes i Iliadës – autori i saj nuk arrin ta shkruajë mirë “gjuhën më të vjetër të kontinentit”, meqë teksti vjen si një çorbë formash të standardit dhe të gegnishtes, ku përzihen rëndom trajta si “është” dhe “ashtë”, “gegërishtja” dhe “gegnishtja”, “më (shumë)” dhe “ma (shumë)”. Më fort se kampion i një varianti letrar alternativ, autori anonim i tekstit, me mënyrën si shkruan, e prezanton veten si kloun drejtshkrimor.

Përtej drejtshkrimit – që nuk ka penguar kurrë as njerëz as argumente – kjo copëz aludon ndaj një narrative mitologjike, tek e cila do kërkuar edhe çelësi i suksesit të copëzës vetë. Gegnishtja vjen aty si “gjuha ma e vjetër e kontinentit” – një atribut që, në këto kontekste, zakonisht iu ka mveshur shqipes; por tani na thuhet se gegnishtja “nuk është dialekt i asnjë gjuhe, përfshi shqipen”. Krahinizmi e shtyn mënjanë kombëtarizmin, sa kohë që shqipja ka edhe elemente të tjera (p.sh. toskërishten) me të cilat kjo gegnishte mitologjike nuk dëshiron të ngatërrohet. Si kaq e vjetër, gegnishtja “ma shumë se asgja tjetër tregon rrajët tona si etnogjenezë e autoktoni në Ballkan.” Ka një metodë në këtë marrëzi – dhe që është e njëjta me atë të shqipes si “e para gjë”.

Dhe meqë vjetërsia merret vetvetiu si e vyer, atëherë ajo edhe provohet, nëpërmjet krahasimit me greqishten klasike – vetë përkthyesi i “Iliadës” (në gegnishte) na thotë se kjo poemë e Homerit “është shkru në gegnisht”, dhe se ai e paska përkthyer “nga shqipja në shqip.” Kjo me gjithë atë problem të vogël që del, po të kemi parasysh se pak më lart, në manifest, thuhet se “gegërishtja nuk është dialekt i asnjë gjuhe, përfshi shqipen”.

Që Homeri ka shkruar në shqipen e vjetër, këtë e kemi dëgjuar edhe herë tjetër – dhe nuk na habit, sa kohë që shqipja (ose gegërishtja, që është nëna e shqipes) është më e vjetra e gjuhëve – të paktën të kontinentit; këtë e sqaron bukur edhe metafora e “dhambëve të ingranazheve”. Kësisoj, gegnishtja vihet në themel jo vetëm të gjuhëve por edhe të vetë kulturës klasike; dhe grekët, si edhe herë të tjera, mbeten me gisht në gojë.

Po pse pëlqehen dhe shpërndahen tekste të tilla, megjithëse thjeshtësisht absurde? Pse ia lejojnë vetes internautët shqip të ulin çdo mburojë kritike ndaj informacionit dhe të gënjehen kaq lehtë? Si mund të besojë një njeri sado pak i shkolluar, se Gjon Shllaku, përkthyesi me nam i Homerit, mund të flasë kështu? Kjo do të shpjegohet, para së gjithash, me padijen që sa vjen e shtohet, në brezat e rinj të përdoruesve; në predisponimin për të përqafuar pa kushte e rezerva gjithçka që lëmon egon identitare; por edhe në kontekstin gjithnjë e më të pasur, me narrativa të tilla mendjelehta, të cilat tani e kanë gjetur rrugën edhe në televizione dhe në librari.

Kulti i gegnishtes ndër ne është i vjetër dhe pjesërisht i përligjur, sidomos sa i përket pasurisë gjuhësore të atij dialekti dhe të varianteve letrare që janë mbështetur në të. Në krahasim me toskërishten, gegnishtja – ashtu siç u përpunua në variantet e saj letrare – është më elegante, më kompakte dhe më e përkulshme; idealisht, do të kish funksionuar më mirë se toskërishtja, si bazë e standardit. Por e dimë se standardin gjuhësor nuk e përcaktojnë aq vetitë intrinseke të një varianti a të një dialekti, sa faktorët socialë dhe politikë. Dhe, në çdo rast, identiteti krahinor geg sot, sidomos ai katolik nga njëra anë dhe kosovar nga ana tjetër, e ka një komponente “di risentimento”, të themeluar mbi vetëdijen se gegëve u është bërë një padrejtësi e thellë brenda Shqipërisë londineze.

Tekste të tilla duan parë edhe si simptoma të kompensimit psikologjik, ndaj një traume reale a imagjinare, që lidhet me inferioritetin kulturor e gjuhësor. Në një sistem politik, ekonomik dhe social, ku zotërimi funksional i standardit është në thelb kusht minimal për emancipim dhe karrierë sociale, gegnishtja mund të perceptohet edhe si viktimë e një diskriminimi. Që këtej edhe miti i vjetërsisë, i ruajtjes, i pasurisë, i pastërtisë, i thellësisë së këtij realiteti gjuhësor – që rikthehet në vetëdije nëpërmjet mitizimit (heroizimit). Në fakt, narrativa mitizuese e gegnishtes rimerr shumë elemente të narrativës mitizuese të shqipes vetë – por në trajtë tashmë të tkurrur.

Brenda kësaj narrative, greqishtja e vjetër gjithnjë ka luajtur rol qendror, ngaqë është “më e vjetra” gjuhë e “më së vjetrës” kulturë të kontinentit dhe nga afërsia gjeografike e grekëve të vjetër me shqiptarët e vjetër (nëse mund ta përdor këtë term). Edhe miti pellazgjik i përpunuar në krye nga arbëreshët dhe pastaj nga Rilindës të tjerë, njëlloj synonte ta provonte lashtësinë e shqipes dhe të shqiptarëve, nëpërmjet raportit – të supozuar – me pellazgët, një popullsi relativisht e panjohur, që burimet greke të lashta e shihnin si pararendëse të grekëve. Për t’u shënuar se, ndryshe nga mitet dhe hipotezat ilire, kjo e pellazgëve lulëzoi më lirshëm në mjediset arbëreshe dhe toske, ku ndihej e fortë trysnia e kulturës moderne greke dhe e ortodoksisë greke.

Por përpjekja e tanishme, sado elementare, për ta vënë jo shqipen por gegnishten drejtpërdrejt në marrëdhënie me greqishten e vjetër, nëpërmjet një qarku të shkurtër, shënjon një risi brenda mitit (dhe paranojës së mitit) – sepse tashmë toskërishtja dëbohet krejt nga ekuacioni, si irrelevante, dhe lashtësia i delegohet gegnishtes pa ndërmjetësime “të tepërta”.

Është në natyrën e rrjeteve sociale shqip që disa nga këto “infeksione” idesh të qarkullojnë pa u verifikuar, duke mos lënë njeri pa gënjyer; por dukuria bëhet më serioze, kur të njëjtat nxjerrin kokë në portale, si 360 gradë, shkodraweb, albaniantimes e ndonjë tjetër. Suksesi i tyre për t’u replikuar dhe për të kaluar lehtë nga një mendje në tjetrën, më bën të mendoj se ka diçka në rrenën e Internetit, që ndryshe njihet edhe si “fake news”, që e bën seduktive për lexuesin dhe ia heq këtij aftësinë për refuzim kritik.

Citoj filozofin Byung-Chul Han:

Në vetvete, informacioni nuk e ndriçon botën. Përkundrazi, mund ta errësojë. Nga një moment i caktuar e më tej, informacioni nuk informon më, por deformon. Tanimë kjo pikë kritike është kapërcyer në masë të madhe. Entropia informative, me rritjen e saj shumë të shpejtë, d.m.th. kaosi informativ, na çon me të shpejtë në një shoqëri post-faktuale, që e rrafshon diferencën mes së vërtetës dhe rrenës. Tani informacioni qarkullon pa asnjë ankorim në realitet, brenda një hapësire hiper-reale. Edhe “fake news” është informacion, me gjasë më efikas se faktet e verifikuara. Çfarë ka rëndësi, është efekti në afat të shkurtër. Efikasiteti ia zë vendin së vërtetës.

(Byung-Chul Han, Le non cose, Come abbiamo smesso di vivere il reale, Einaudi 2022, f. 10).

Tekstin objekt të këtij shkrimi, të ambalazhuar si pseudo-citat, e aftëson Gjon Shllaku, si autoritet kulturor (gegnishtja, Iliada, persekutimi politik); gegnishtja si gjymtyra më e mirë por edhe më e persekutuar e shqipes; atributi i vjetërsisë, si më i vyeri për t’u treguar; greqishtja e vjetër, si pikë referimi për lashtësinë; Homeri, si babai i letërsisë antike; udhëzimet se çfarë duhet të bëjnë gjuhëtarët, shkencëtarët dhe Akademia; konfirmimi i etnogjenezës dhe i autoktonisë. Janë këto elemente që, të kombinuara, e shndërrojnë një tekst banal në një makinë memetike të pandalshme.

Natyrisht, teksti vetë nuk shquhet për asgjë mes gjepurave të shumta që qarkullojnë në rrjete dhe që e bartin përgënjeshtrimin me vete. Çfarë kërkon vëmendje kritike është suksesi i tij, aftësia për t’u shpëtuar filtrave të racionalitetit dhe përhapja përndryshe e papërligjur. Me Byung-Chul Han, do të pranojmë se autorët kanë synuar efikasitetin dhe kanë ditur t’ia luajnë telat publikut – edhe pse, në thelb, ndarja e gegnishtes nga shqipja është kaq groteske, sa duhej ta kish ndezur një zile alarmi edhe në mendjet më mirëbesuese. Por le ta pranojmë se sot edhe idiotësia mund të rekrutohet, në dobi të viralitetit; dhe se, prapa një fasade absurde dhe copë-copë, ky tekst ushqen ide dhe paranoja para-ekzistuese, në mendjet dhe botëkuptimet e shumë prej atyre të cilëve u flet.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: Se çfarë mendonte Gjon Shllaku për shqipen (gegnishten) përballë greqishtes së vjetër, këtë e kthjellon pasazhi më poshtë, nxjerrë nga një intervistë e Shpëtim Kelmendit me atë dijetar, botuar në Përpjekja shqiptare:

SH.K. – Me përkthimin e lliadës, veç të tjerash, ju keni dhanë prova se gjuha shqipe asht gjuhë e fortë, e aftë me u përballë edhe me nji gjuhë tjetër të madhe, si greqishtja e vjetër. Ju jeni i pari që e pohoni këtë fakt nëpërmjet punës.

Gjon Shllaku – Gjuha shqipe asht aq e fortë me përkthye letërsinë antike e moderne, sa mund të çuditeshit. Duhet ta dini dhe të jeni të bindun, se fjalët e para me të cilat fillon Iliada, janë shqip (reciton në greqishten e vjetër vargjet e para; “Këndo hyjneshë mëninë e Akil Pelidit…”). Në origjinal asht: “menos” = mëni, mëri. Gjithashtu, kemi fjalët “thymos” = thumbos, nguc, zemëroj. Tashti, le të marrim fillimin e veprës “Odiseu” (reciton sërish në greqishten e vjetër: “Më dëfto muzë, njeriun me jetë të rrahun…”). “Andra” asht kallëzorja e “anir” = anir, njeri. Vetëm te Iliada kam gjetë 170 fjalë shqipe. Kemi, për shembull, fjalën “Kronos” = krua, kroi, kroni. Kemi fjalën “daju” = daj, ndaj, me nda.

Më duket, pra, e pamundshme që i njëjti Gjon Shllaku si ky më lart, të ketë thënë, gjetiu, se “Iliada e Homerit asht shkrue në gegnisht”; dhe kjo pavarësisht nga fakti që ndonjë etimologji e cekur në intervistë mund të diskutohet.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin