Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Antropologji / Folklor

GJERGJI, (Ž)ELEZI DHE ALIA

nga Albert Riska

Këto tri fjalë i përkasin tri gjuhëve të ndryshme, por duhet të jenë të njohura për një pjesë të mirë të popujve të Ballkanit, duke qenë se bashkohen në emrin e një heroi legjendar. Legjenda tregohet nga shqiptarët, nga boshnjakët, nga turqit, si edhe nga hungarezët apo edhe ndonjë popull tjetër, kuptohet që në variante të ndryshme, dhe normalisht edhe emri i heroit do të shfaqet me trajta të ndryshme.

Ndër shqiptarë njihet me emrin Gjergj Elez Alia, ndër boshnjakë trajta më e përhapur është Đerzelez (Xherzelez) Alija, por njihet edhe si Đerđelez (Xherxhelez) Alija, ndërsa në hungarishte kemi Gerz Ilyas e në turqishte Gürz Ilyas.

Do të ishte normale që në sfond të një gojëdhëne apo të një legjende të tentohet “të lexohen” të dhëna ose fakte që do të ndriçonin rrethanat e natyrës historiko-shoqërore në të cilat ka lindur dhe, me kohë, është përpunuar krijimi popullor, që na vjen në ditët tona si bartës i kujtesës kolektive.

Ndërkohë, është për t’u vënë re se në rastin e legjendës në fjalë mjaft të dhëna interesante do të mund të “lexohen” edhe vetëm duke shpjeguar historinë e emrit të heroit. Gjykojmë se duke gjurmuar burimin e elementëve përbërës të emrit, kohën e përftimit të tyre, mënyrën e kompozimit, si edhe mënyrën e perceptimit nga popuj të ndryshëm, do të mund të ndërtojmë një ide për ato ngjarje historike të Ballkanit që ka përcjellë legjenda. Normalisht, analiza e emrit do të përjashtonte çdo lidhje me figura reale historike, siç mund të dëgjohet në ndonjë nga rrëfenjat folkhistorike të vendeve fqinje.

Për nga përbërja vihet re që vetëm në shqip emri na del me tri njësi të veçuara, ndërsa në gjuhët e tjera dy njësitë e para janë shkrirë në një.

Njësia Gjergj apo edhe trajta sllave Đerđ, që mund të veçohet lehtësisht në variantin boshnjak, duhet t’i përkasë shqipes. Megjithëse me burim nga greqishtja Γεωργιος “ai që punon tokën, bujku”, γεω– + –ουργός < έργον (në greqishten e sotme del me trajtën GiórgoV = Jorgos), e ardhur, ndoshta, edhe nëpërmjet latinishtes Geórgius (nga ku italisht Giórgio, frëngjisht Geórge, anglisht Geórge, rumanisht Jórgu, por edhe Gheórghe etj.), trajta shqipe gëzon një tipar identifikues. Siç e ka sqaruar edhe prof. Sh. Demiraj, ndryshe nga të gjitha përgjegjëset e gjuhëve të tjera, Gjergj vjen me zanoren rrënjore /e/ dhe jo me /o/, çka do të thotë se në trajtën shqipe theksi i trajtës burimore greke, apo edhe asaj latine, është spostuar në zanoren nistore. Është për t’u besuar se theksi nistor duhet të ketë përbërë normë edhe për fjalët trirrokëshe në ilirishte (Durrës, Ishëm, Drisht etj.), po ashtu edhe në shqipen e hershme, duke qenë se shfaqet në disa emra të trashëguar, si emën(ë)/emër(ë), dimën(ë)/dimër(ë) etj., por edhe në ndonjë huazim nga greqishtja e vjetër, si mokën/mokër, lakën/lakër etj. Për më tepër që edhe forma me theks në /o/ nuk mungon në gjuhën shqipe, ku kemi edhe Gjorg apo Gjorgj, që normalisht duhet të nënkuptojë një huazim të mëvonshëm.

Njësia e dytë duhet t’i përkasë sllavishtes dhe duhet të jetë nga fjala želez “hekur”. Kjo fjalë sllave duhet të jetë takuar me fjalën shqipe, ndoshta kur ende nuk ishte kryer procesi i palatalizimit, pra Đerđ. Në këtë mënyrë, nga Đerđ + želez mund të jetë fituar në sllavisht Đerzelez apo Đerđelez, që, për shkak të njohjes më të hershme të njësisë së parë, vetëm në gjuhën shqipe u perceptua me dy njësi të ndara, Gjergj Elez.

Njësia e tretë, Alia/Alija, që gjithandej del e veçuar, mund të jetë edhe njësia më e re dhe duhet të jetë me burim nga turqishtja. Kjo do të dëshmonte në favor të faktit që legjenda ka qenë shumë e njohur në periudhën e pushtimit turk të Ballkanit, përderisa u përvetësua edhe nga pushtuesit.

Kështu, nga njohja e burimit të elementëve përbërës të emrit, Gjergj, Elez dhe Ali, mund të themi se në krijimin e figurës mund të kenë kontribuuar tre popuj, shqiptarët, sllavët (boshnjakët) e turqit, dhe të përfshihen katër gjuhë, greqishtja, shqipja, sllavishtja, turqishtja.

Me shumë mundësi Gjergji i legjendës duhet ta ketë burimin te shën Gjergji.

Në kalendarët fetarë përmenden shumë shenjtorë me emrin Gjergj, por më i njohuri prej tyre është shën Gjergji nga Lyda ose Gjergj Tropeprurësi, që njihet të paktën që nga shekulli IV. Si për kalendarin katolik, ashtu edhe për kalendarin ortodoks, dita e këtij shenjtori është 23 prilli. Pikërisht këtë ditë njeh si Shëngjergj edhe tradita jonë popullore në shumë zona të vendit, kështu që kuptohet se edhe shqiptarët e krishterë nderojnë Gjergj Tropeprurësin, por në Valsh të Shpatit festohet edhe një Shnjergj më 3 nëntor dhe, sipas “Thesarit”, ndër besimtarët ortodoksë në këtë ditë përkujtohet vendosja e trupit të tij në një kishë madhështore që u ndërtua në Lyda “sapo pushuan përndjekjet”, pra jemi po në shekullin IV.

Në përfytyrimin romano-katolik Shën Gjergji është mbrojtës i ushtarëve, kalorësve, harkëtarëve etj., është një saurokton (bishëvrasës).

Edhe në përfytyrimin greko-ortodoks ai është një kryegjeneral, por te “Thesari” përmendet një fakt që duket interesant: “Sipas një tradite vrau një dragua, i cili nuk lejonte që të merrnin ujë nga liqeni, afër të cilit kishte strofkën, vetëm në rast se i jepnin njerëz për ushqim”. Edhe ikonat e paraqesin gjithmonë mbi kalë duke gjuajtur një dragua me shtizë.

Veçse, siç është vënë re edhe nga disa studiues, madje që nga Hahni, ndryshe nga ç’përmendëm për romano-katolikët e greko-ortodoksët, shën Gjergji për përfytyrimin tradicional shqiptar nuk ngjan të jetë një saurokton, por duket më shumë si një figurë e besimit pagan. Kështu, në Valsh të Elbasanit, Shnjergji, 23 prill, “është festa e luleve dhe del haja”, ndërsa në Vithkuq të Korçës “festohet duke vendosur kurora me degë shelgjesh në kokë dhe bel për të mos pasur dhembje”. Këto praktika të kujtojnë “ditën e verës” dhe Shën Gjergji duhet të shënojë ringjalljen e natyrës. Ka mundësi që edhe shën Gjergji i 3 nëntorit të lidhet me fundin e “stinës së mirë”.

Në disa zona të Shqipërisë Shën Gjergji festohet në 6 maj, madje, kjo ditë festohet në disa zona me popullsi që sot i përkasin tërësisht besimit mysliman, si edhe në zonat sllavofolëse. Dita e 6 majit, në fakt, është dita e Shën Gjergjit për kalendarin fetar sllavo-ortodoks, që nuk e ka njohur korrigjimin e bërë në kalendarin julian nga papa Gregori XIII, në vitin 1582.

Megjithëse edhe për kishën sllavo-ortodokse shën Gjergji është një luftëtar, великомъченик, dhe 6 maj është edhe dita e ushtrisë bullgare (Гергьовден, Ден на храбростта и българската армия), në përfytyrimin popullor sllav ai gjithashtu ka tipare pagane, përderisa në Prespë Shën Gjergji është dita kur “rreh peshku”. Madje, është thënë edhe se shën Gjergji tiparet pagane i ka fituar në përfytyrimin e popujve sllavë.

Nuk ka ndonjë arsye që të na bëjë të mendojmë se për karakterin “pagan” të shën Gjergjit ndër të krishterët shqiptarë të ketë ndikuar kisha sllavo-ortodokse. Përveç që datat e festave ndërmjet shqiptarëve e sllavëve nuk përkojnë, trajta e emrit, siç u pa edhe më lart, tregon se ai duhet të jetë njohur mjaft herët nga stërgjyshërit e shqiptarëve dhe se te sllavët shenjtori nuk mund të jetë njohur para shekullit IX, kohë kur besohet se janë krishteruar sllavët. Ndaj mund të mendojmë se shën Gjergji ka ardhur te shqiptarët po me ato atribute që i njeh edhe sot kultura popullore.

Sa për lindjen e figurës legjendare duhet menduar si shkak pikërisht ndërrimi i atributit të shenjtorit dhe besohet se atributin e sauroktonit shën Gjergji e ka fituar vonë, pas shekullit X. Në qoftë se është kështu, atëherë duhet theksuar se edhe sllavët e kanë njohur shenjtorin para se ai të fitonte atributin e ri ose, përveç ç’na tregon tipari fonetik i emrit, do të kishim në dorë një tjetër argument që do të na shtynte të mendonim se janë Shqiptarët që kanë ndikuar te sllavët për njohjen shenjtorit, si edhe për përqafimin e krishterimit.

Në këtë mënyrë, me përfytyrimin popullor shqiptar, me përfytyrimin popullor sllav dhe idenë e çlirimit të liqenit nga dragoi, që përmend “Thesari”, kemi tri arsye të mendojmë se Gjergj Elez Alia si figurë legjendare nuk mund ta ketë burimin te shën Gjergji pagan, por te shën Gjergji saurokton, dhe se legjenda nuk do të mund të ishte më e hershme se shekulli  XI.

Pra, ndryshe nga çka ndodhur me institucionet fetare, populli ruajti në kujtesën e vet shën Gjergjin me tipare pagane, ndërkohë që me shën Gjergjin saurokton ndërtoi figurën e heroit legjendar.

(c) 2022 Albert Riska. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: St. George Slaying the Dragon ca. 1435–1491 Martin Schongauer

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin