Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

MËDYSHJE MORALE

Ka pak që pashë filmin Anthropoid, të Sean Ellis, i cili rrëfen me besnikëri të madhe një ngjarje të njohur nga Lufta II Botërore: atentatin e suksesshëm, më 27 maj 1942, kundër hierarkut të lartë nazist Reinhard Heydrich në Pragë, nga një komando e ushtrisë çekosllovake në mërgim.

Këto shënime nuk kanë të bëjnë me filmin – që m’u duk i arrirë – por me një dilemë morale që i referohet ngjarjes vetë dhe që filmi e risjell me forcë në vëmendje. Në fakt, në reagim ndaj vrasjes së Heydrich-ut, autoritetet naziste vranë me mijëra çekosllovakë të pafajshëm (5 000, sipas një burimi) dhe persekutuan shumë mijëra të tjerë, në një kohë që, nga pikëpamja strategjike, vrasja nuk pati asnjë efekt në ecurinë e luftimeve dhe të Luftës vetë.

Ideja për atentatin erdhi nga qeveria çekosllovake në mërgim në Londër, në bashkëpunim me shërbimet sekrete britanike, të cilat mundësuan që komandoja të hidhej me parashutë në territorin e pushtuar prej nazistëve. Thuhet se asaj qeverie – që përndryshe ishte katandisur në irrelevancë, si shumë qeveri të tjera të ikura prej Europës së pushtuar – i duhej një gjest i tillë i bujshëm, për të shpëtuar reputacionin.

Viktima e atentatit të bujshëm, Reinhard Heydrich, ishte një zyrtar i lartë nazist, ndër arkitektët kryesorë të Holokaustit, dhe i konsideruar prej shumëve si figura më e errët e regjimit nazist. Ekzekutimi i tij ishte moralisht i përligjur – qoftë edhe vetëm për krimet që kish bërë si diktator ushtarak i Bohemisë dhe i Moravisë.

Megjithatë, vrasja e Heydrich-ut solli kosto tejet të larta për popullsinë vendëse – me mijëra të vrarë, mijëra të tjerë të internuar dhe dy fshatra (Lydice dhe Lezáky) të rrafshuara, me banorët ose të pushkatuar ose të dërguar në kampe përqendrimi.

Historianët kanë pyetur nëse gjeste të tilla të bujshme, por me pasoja katastrofike për njerëz që nuk ishin pyetur paraprakisht dhe as kishin dhënë pëlqimin për to, mund të përligjen nga ana morale. Vrasja e një kryenazisti të përbuzshëm si Heydrich-u nuk pati ndikim në operacionet ushtarake dhe as u shoqërua nga ndonjë rritje e rezistencës anti-pushtim në Çekosllovaki – por u përshëndet si fitore për shërbimet sekrete britanike dhe për qeverinë çekosllovake në mërgim; e njëjta qeveri që nuk arriti dot të pengojë ardhjen e komunistëve (pro-sovjetikë) në pushtet pas Luftës dhe përfshirjen e Çekosllovakisë në kampin socialist.

Komandoja që ekzekutoi Heydrich-un, veçanërisht dy atentatorët Jozef Gabčík and Jan Kubiš, kryen një gjest heroik të pashlyeshëm nga analet e përpjekjes anti-naziste, në Çekosllovaki dhe në mbarë botën. Por atentati kundër Heydrich-ut në Pragë dihej se do të sillte pasoja të rënda për popullatën, veçanërisht po të kishte sukses. Vlera simbolike e vrasjes së këtij krye-nazisti nuk diskutohet, por mëdyshja mbetet: sa të drejtë ka një grup i vogël politikanësh dhe konspiratorësh të parrezikuar, në kohë lufte, të rrezikojnë jetët e mijëra bashkëqytetarëve, të cilët nuk kanë dhënë miratimin e tyre për një operacion kaq me rrezik?

Çekosllovakinë e çliroi prej nazistëve Ushtria e Kuqe, tre vjet më pas; dhe vrasja e Heydrich-ut nuk pati ndonjë ndikim, madje as politik, në fatet e vendit. Mijëra të vrarët prej nazistëve, në raprezalje kundër atentatit, madje as e patën kuptuar në ç’altar u sakrifikuan. Dalja e Heydrich-ut nga skena e goditi rëndë psikologjikisht kupolën naziste, por Hitlerit nuk i mungonin zëvendësuesit, mes bashkëpunëtorëve të vet. Dilema morale mbetet dhe zgjidhja nuk vjen kurrë e lehtë.

Titulli i filmit, “Anthropoid”, i referohet emrit të koduar që ia dhanë operacionit shërbimet sekrete britanike (SOE) dhe qeveria çekosllovake në mërgim. Në atë periudhë britanikët nuk ishin drejtpërdrejt të angazhuar në front lufte të hapur me nazistët, por jepnin e merrnin, me operacione të tilla sabotimi, që ta pengonin makinerinë hitleriane anembanë Europës. Ishte pjesë e filozofisë së tyre të strategjisë ushtarake, që të sakrifikonin lirisht jetë dhe interesa lokale, në emër të qëllimit final të “fitores” kundër armikut.

Nga ana tjetër, vështirë t’i kundërshtosh ata që të thonë se, edhe po të mos ish vrarë me atentat Heydrich-u, fatet e Çekosllovakisë do të kishin qenë të njëjta, sepse ato u vendosën tjetërkund.

Dilema morale që shtron atentati në Pragë dhe rimerr filmi i Sean Ellis është rikthyer, me aktualitet të dhimbshëm, në rrethanat e luftës sot në Ukrainë, ku rezistenca – sërish heroike – e ushtrisë dhe e popullsisë vendëse ndaj pushtuesve rusë ka sjellë si pasojë humbje të mëdha në jetë njerëzish, miliona të shpërngulur dhe dëme të pallogaritshme në pronë dhe në infrastrukturë. Qytete të mëdha, si Mariupoli, tani janë kthyer në gërmadha që lëshojnë tym.

Ka analistë, edhe në Perëndim, që mendojnë se rezistenca e Ukrainës ndaj ushtrisë ruse – e mundësuar edhe nga armët dhe municionet që vijnë nga Perëndimi – po shoqërohet me kostot e larta, të papranueshme, të shkatërrimit të përgjithshëm; dhe se ideja për të mbrojtur “çdo centimetër katror” të truallit lë mënjanë, në mënyrë naive, faktin që edhe infrastruktura, qytetet, ndërtesat e banimit dhe jetët e miliona qytetarëve janë edhe ato pjesë e atdheut, të cilat janë sakrifikuar në mbrojtje të atyre “centimetrave” të hartës. Këtë argument e kanë përqafuar me zell të vetëkuptueshëm arkitektët rusë të pushtimit, të cilët tani shpjegojnë se rezistenca e armatosur e ushtrisë ukrainase i intereson politikisht NATO-s dhe SHBA-ve, por jo Ukrainës vetë si realitet kompleks dhe që nuk mund të reduktohet në sipërfaqen fizike brenda kufijve shtetërorë.

Nuk kam ndonjë përgjigje të prerë, për këto dilema morale. Me instinkt, gjithnjë do të preferoja që me përparësi të shmangeshin viktimat civile – meqë luftërat gjithnjë i nisin elitat, dhe janë elitat që përfitojnë prej tyre; pa përmendur milionat që bëjnë fabrikantët e armëve dhe përfituesit e tjerë të panumërt nga mjegulla. Për heroizmin e komandos çekosllovake, në film dhe në jetë, nuk mund të kem veçse admirim; por njëkohësisht besoj se atentati kundër Heydrich-ut – edhe pse triumf simbolik – duhej shmangur, pikërisht ngaqë dihej si do të reagonin nazistët. Edhe për Ukrainën, gjykoj se duheshin mbështetur më fort përpjekjet për armëpushim dhe paqe, se nevojat dhe thirrjet e Zelensky-t për armë. Më shumë se për simpatinë e Perëndimit, viktimat e tanishme të luftës në Ukrainë do të kishin pasur nevojë për parandalimin e dhunës.

Por filmi Antropoid gjithsesi ia vlen të shihet, madje edhe sërish.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin