FINANCAT E HESHTJES

Kur shoh, lexoj e dëgjoj ç’thuhet në publik, veçanërisht në TV e në rrjetet sociale, rrekem t’i jap të drejtë – pa e vrarë mendjen – proverbit “heshtja është flori”, edhe pse në formën “heshtja do të ishte flori”, meqë bota me siguri do të kish qenë vend më i mirë, sikur shumë nga këta që flasin e flasin të kishin zgjedhur heshtjen. Por pastaj, kur kam kohë të mendoj më gjatë, më qëllon që të shoh, të lexoj e të dëgjoj se ç’thuhet në publik, veçanërisht në TV e në rrjetet sociale, dhe të nis të dyshoj se ka diçka të gabuar te proverbi “heshtja është flori”, meqë do të kisha dashur t’i dëgjoj e t’i lexoj ca nga ata që heshtin, me po aq shpresë e dëshirë sa ç’do të kisha dashur që ca nga ata që flasin, të kishin heshtur.

Kur flasim, gjithnjë duhet të pyesim veten se pse flasim; dhe mbase edhe e pyesim. Më rrallë na ndodh që pyesim veten pse rrimë të heshtur, kur rrimë të heshtur; sidomos kur kemi diçka për të thënë, dhe zgjedhim të mos e hapim gojën. Ka diçka meskine, te çdo vendim “për të mos u ngatërruar”, pavarësisht nga petkat që i veshim. Themi me vete: nuk është fusha jote, nuk është puna jote – por shpesh thjesht nuk duam të ekspozohemi.

Heshtja është flori, po për kë? Për atë që e mban gojën të mbyllur, për atë që flet e ndonjëherë edhe pëllet duke e uzurpuar hapësirën që lë ti bosh, apo për atë tjetrin, që do të bezdisej sikur ti të flisje? Janë pyetje të komplikuara, por të cilave edhe mund t’u përgjigjesh thjesht. Në rrjetet sociale, ndodh që t’ia ndiesh praninë tjetrit – mikut, kolegut, mendjes që admiron – si mungesë a si zbrazëti; madje ndodh edhe që ta formulosh ti në mendje, sado “në heshtje”, fjalën që prisje prej Tjetrit, duke e evokuar këtë Tjetër si personazh në skenën e mendjes dhe të mendimit. Edhe mes kakofonisë, fjala që mungon dëgjohet më fort, për veshët që ia kanë nevojën.

E ndiejmë si censura sot ushtrohet nëpërmjet zhurmës shurdhuese: kur salla e teatrit gumëzhin, është vështirë të dëgjosh se çfarë thonë aktorët në skenë. Vështirë, madje e pamundur. Ti e gëzon – në parim – lirinë e fjalës; dhe kërkon ta ushtrosh, por fjala jote nuk dëgjohet, sepse e mbyt kori i të tjerëve. Ashtu edhe paradoksi, i zhurmës që e dënon fjalën me heshtje.

E ndiejmë edhe si censura – tradicionalisht – manifestohet si heshtje e atyre që duan të flasin; sepse ua kanë shurdhuar fjalën, ose ua kanë qepur gojën, ose edhe më keq – ua kanë prerë kordat vokale. Disa nuk flasin, sepse kanë frikë – mbrojnë një vend pune, një pozicion, një rrogë, një marrëveshje (“të heshtur”); të tjerë ende flasin, por menjëherë duket se fjalët e tyre janë vetëm për të mbuluar të pathënshmen; kur nuk janë përpjekje të trishtuara për konformim.

Në rrjetet sociale heshtja merr edhe formën e monologut të kujt flet për veten dhe kuron imazhin që kërkon t’u tregojë monologuesve të tjerë. Kjo, sepse diskursi publik kërkon dialog, dhe dialogu nuk përftohet dot si shumatore a kombinim monologësh. Fjala që zë vend, është ajo që zhvendoset nga A në B, sipas një trajektoreje që synon të arrijë tjetrin.

Flitet shumë: ngado që të kthehesh, ndesh në portale, kanale, biseda, debate, talk shows, “stories” – por sa më nga afër t’i shqyrtosh, aq më qartë duket se efekti kryesor i këtyre është zhurmues, kakofonik; edhe kur janë në përpjekje të sinqertë për ta mbajtur publikun pas vetes, e bëjnë duke ia lidhur vëmendjen me vargonj. Ashtu fjala e atij tjetrit, të tretit, është si pema që rrëzohet në pyll, kur nuk ka asnjeri që ta dëgjojë.

Heshtja më e zhurmshme është ajo e kujt nuk arrin të dëgjohet, sepse nuk e lënë. Ka ikur koha kur dikujt ia hiqnin të drejtën e fjalës me dekret; sot censura mjaftohet të ruajë iluzionin, se ti je ende i lirë të flasësh. Nën totalitarizëm, heshtja publike ishte e mbarsur me ligjërim të ndrydhur; sot të njëjtën heshtje e maskon kakofonia.

Dhe kjo kakofoni përftohet nga një mizëri gojësh që flasin gjepura – ndonjëherë budallallëqe, ndonjëherë tjetër thjesht bullshit; ka edhe nga ato që i shpenzojnë monedhat e fjalëve në performativitet. Këto janë gojët që, në mendjen e të urtit të proverbit, duhej të kishin heshtur dhe t’i ruanin, në mos t’i shumëfishonin “florinjtë”. Prandaj, po ta mendojmë heshtjen si produkt të një vakuumi të mendjes, kakofonia që shurdhon është emanacion i heshtjes, si entropi e mendjes dhe e gjykimit.

Zhurma e kësaj heshtjeje të mendjes bosh kompensohet nga heshtja e mendjeve gumëzhitëse; duke qenë kjo e fundit flori, ose të paktën kapital, për ata që janë në pushtet dhe që e përfytyrojnë diskursin publik, në mos si kasë akustike të klisheve që duan, të paktën si një sfond duartrokitjesh legjitimuese. Kjo është heshtja që thotë JO, pa çka se nuk e dëgjon kush. Aq më keq, kur ty të heshturin të kanë riprodhuar tashmë si avatar dhe të shëtisin nga një talk show në tjetrin, si parodi a karikaturë të fjalës së lirë.

Jetojmë ditë të tilla, kur njeriu duhet të fillojë të pyesë nëse ka ende hapësirë publike për të thënë JO; apo mos diskursi publik është degraduar aq keq në performativitet, sa të mos mbetet më vend për refuzimin – të artikuluar dhe të pa-artikuluar. Censura, si vullnet për të kontrolluar fjalën e Tjetrit, sot po përshtatet në vullnet për të kontrolluar heshtjen e Tjetrit, duke e zëvendësuar heshtjen refuzuese me heshtjen default ose statusin zero të kujt nuk është më. Ashtu dikotominë e vjetër mes zërit dhe heshtjes së shpejti do ta gjejmë të transformuar në dikotomi mes performativitetit dhe paralizës.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin