Rusia – ky vend i pari në botë për truall, i është shfaqur shpesh historisë me anijet e saj të luftës.
Pakkush e priste katastrofën e kryqëzorit Moskva, anija admirale e flotës së Detit të Zi, që i kërcënohej Odesës me zjarr e flakë; por tani janë të shumtë ata që e panë mbytjen e saj si domethënëse në mos simbolike.
Unë jam rritur me imazhin dhe emrin e një tjetër kryqëzori rus: Aurora – e cila pat lajmëruar, me një të shtënë topi, fillimin e sulmit kundër Pallatit të Dimrit në Petrograd. Na e përshkruanin, atë të shtënë, si sinjalin e “shekullit të ri”, pararendës jo vetëm të pushtetit sovjetik, por edhe të triumfit të komunizmit anembanë botës.
Më pak kishim dëgjuar për një tjetër anije të famshme të historisë ruse dhe të artit sovjetik: korracatës Potemkin, e cila hyri në imagjinatën planetare përmes filmit të Sergei Eistenstein-it. Filmit që rrëfen një kryengritje marinarësh në anije, sikurse bën (dhe rrëfen) edhe historinë e kinemasë.
Asnjë nga këto dy anije kaq ikonike, Aurora dhe Potemkin, nuk morën pjesë në ndonjë betejë epike në det dhe as fituan ndonjë luftë: e para lajmëroi një coup d’état, e dyta dëshmoi se çfarë mund të arrinte kinemaja, si art i shtatë.
Njëlloj si Moskva-ja, që nuk arriti t’i demonstronte dot hiret dhe virtytet e veta luftarake.
Mendohej se mund të luante një rol në sulmin – e supozuar – të ushtrisë ruse kundër Odesës tashmë ukrainase; çfarë do ta afronte, të paktën në kuptim, me korracatën e filmit të Eisenstein-it, e cila gjithashtu e qëlloi pak Odesën me artileri.
Skena e famshme e karrocës për fëmijë që rrokulliset teposhtë shkallëve mund të përsëritej, këtë herë në realitet. Madje ajo skenë e rrëfen më mirë luftën sot, se ç’rrëfen një histori përndryshe të harruar të fillimshekullit XX.
Odesën hë për hë rusët po e bombardojnë vetëm me ankth.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.