Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Lojëra

LOJËRA ME URË

Ky kujtim do të kish zënë vend mirë te Sende që nxirrte deti dhe kushedi një ditë do ta shtoj, po ta ribotoj librin. Sepse edhe këtu do të rrëfej për një send që e patëm gjetur në një plazh. Vende-vende rrëfimi do të bëhet teknik, mbase i mërzitshëm (sorry), dhe shumë lexuesve mund të mos u interesojë – por jam përpjekur ta mbaj teknikalitetin brenda kufijve të nevojshëm për argumentin.

___

Dikur nga fundi i viteve 1970, me gjasë si kishim mbaruar të mesmen, e kalonim verën e gjatë të Tiranës duke luajtur me letra. Luanim pesëkatësh, thjesht për qejf, derisa erdhi një ditë kur pesëkatëshi na u mërzit.

Ndërkohë ishim bërë kuriozë për një lojë me letra që e luanin “të huajt” në romanet pulp që na binin rastësisht në dorë – jo poker, që ishte loja e bixhosçinjve, por brixh, të cilën e shoqëronim mendërisht me sqimatarët dhe spiunët gjithfarësh.

Donim të luanim edhe ne brixh, por nuk njihnim njeri që të na e mësonte.

Por një shok yni, E.N., në bibliotekën e vet plot pasuri të vjetra e të mrekullishme, paskësh pasur edhe një Enciclopedia Pratica Bompiani, 1941, e cila i kish rezervuar një “zë” goxha të hollësishëm brixhit (dhe pikërisht, versionit të standardizuar, të njohur si contract bridge).

Sfida jonë: a mund ta mësonim një lojë me letra nga një enciklopedi?

Brixhin italianët e viteve 1930 kishin vendosur ta quanin Il Ponte, duke e përkthyer ballazi nga anglishtja: ishin vitet e pastrimit fashist të leksikut.[1] Njëlloj të përkthyera ishin edhe shumë terma të lojës.

Brixhi ndjek disa rregulla bazë të ngjashme me lojën e letrave në pesëkatësh, por dallohet prej kësaj – dhe shumë të tjerave – ngaqë lojës së letrës i paraprin një seancë ofertash a deklarimesh a relancimesh, në anglisht “bidding”, ku lojtarët, të ndarë në ortakëri dyshe, zotohen për numrin e “duarve” që do të fitojnë, në bazë të letrave që u janë dhënë.

Seanca e biddings vazhdon me secilin lojtar duke e ngritur stekën, ose duke bërë pass; pas tri pass-esh të njëpasnjëshme, seanca konsiderohet si e mbyllur dhe fiton oferta e fundit. Pas kësaj, ortaku i deklaruesit final i hap letrat e veta në tryezë (duke u bërë dummy, italisht il morto) dhe deklaruesi i merr ato në kontroll dhe luan edhe me to, sipas radhës përkatëse.[2]

Nga lojërat me letra, brixhi është ai që i afrohet më shumë mendërisht shahut; meqë loja lejon gjithfarë ndërlikimesh pa lidhje me “shansin” dhe lojtarët e mirë kanë gjithnjë hapësirë për të treguar zotësi (në një version special brixhi të njohur si duplicate bridge, që luhet me skuadra me nga katër lojtarë secila, shansi eliminohet krejtësisht, duke i këmbyer skuadrat letrat që ndahen).

Të dyja fazat – edhe ajo e deklarimit edhe ajo e lojës kanë vështirësitë e tyre. Gjatë fazës së ofertave, partnerët synojnë të komunikojnë mes tyre duke përdorur një gjuhë deklarimi shumë të kufizuar, me fare pak fraza të lejueshme – partnerët mund të merren vesh për këto fraza dhe kuptimet e tyre shtesë, me kusht që të mos shkelen rregullat elementare të deklarimit (nuk mund t’i kërkosh haptazi ortakut që të vazhdojë të deklarojë në spathi, dhe as t’i thuash që ke në dorë honoret A♣,Q♣ dhe J♣.

Ashtu ia arritëm, atë verë, të luajmë një formë rudimentare të brixhit, edhe pa qenë në gjendje ta verifikonim nëse po e bënim tamam. Më pas, gjatë viteve të universitetit, brixhi na ka marrë me dhjetëra e dhjetëra pasdite të gjata, në shtëpinë e A.K., ku veç meje vinin edhe T.K. dhe N.Q.; kishim edhe një bllok, ku firmosnim rezultatin, pas çdo loje të përfunduar.[3]

Meqë e patëm mësuar lojën nga një libër, duke shkoqitur një kod, gjatë deshifrimit na kishin shpëtuar gabime. Një nga këto gabime, një rregull të cilën e patëm adoptuar pa e vrarë mendjen, por që – siç do ta mësoja më pas – nuk ekzistonte në manual, ishte i tillë që do t’ia ndërronte natyrën lojës sonë, aq sa ta kthente në diçka të re, si variant tonin lokal.

Rregulla e re – ose gabimi ynë – kish të bënte me fazën e deklarimit. Gjatë kësaj faze, oferta prej një lojtari mëton të arrijë dy synime: (1) të jetë zotim për numrin e duarve që do të fitohet nga skuadra përkatëse dhe (2) të përcjellë informacion sipas rregullave të komunikimit, për ortakun por edhe për dy lojtarët e tjerë, lidhur me letrat që ka në dorë deklaruesi.

Për shembull, nëse ty të kanë ardhur letra të mira, me disa figura në ngjyra të ndryshme, por edhe pesë ose gjashtë spathi çfarëdo, atëherë të intereson të zotohesh për të fituar duar në një lojë ku spathia të shërbejë si “briscola” (fr. atout, angl. trump), ose ngjyra e fortë. Prandaj mund t’i hapësh ofertat me “1♣”, duke u zotuar se ti dhe partneri, së bashku, do të fitoni shtatë duar (nga 13 të mundshme) me spathinë si briscola. Nëse partneri yt ka edhe ai letra të mira dhe gjykon se spathia si briscola i intereson edhe atij, mund ta ngrejë deklaratën tënde në “2♣” ose “3♣”; ose alternativisht, mund të kalojë në një ngjyrë tjetër, për të treguar edhe ai se ku e ka forcën. E kështu me radhë.

Çdo lojtar është i lirë të deklarojë edhe kur nuk ka letra të mira, sikurse është i lirë të thotë pass edhe kur ka letra të mira. Një rast ekstrem deklarimi, do të ishte kur lojtari taktikisht zotohet në një ngjyrë në të cilën nuk ka kurrfarë force – p.sh. kur ty të ka ardhur vetëm një spathi në dorë, dhe ti megjithatë vendos të deklarohesh në spathi. Arsyet pse mund të duash ta bësh këtë janë të ndryshme – p.sh. do të jesh marrë vesh me ortakun tënd, se oferta e parë do të bëhet thjesht për të treguar forcë të përgjithshme, jo forcë në ngjyrën e ofertës (kjo është e lejueshme, me kusht që ky konvencion t’u jetë njoftuar edhe kundërshtarëve); ose thjesht për të ngatërruar.

E reja që, pa dashur, patëm sjellë ne në brixh, ishte që kur njëra palë deklarohej në një ngjyrë të caktuar, atëherë kjo palë “e zinte” ngjyrën dhe pala tjetër nuk mund të deklarohej edhe ajo në atë ngjyrë (në terma teknikë, kjo nënkupton edhe që ne, kushedi pse, nuk e lejonim cue bidding; një arsye mund të ketë qenë se bridge-i që luhej në Italinë e viteve 1930 gjithashtu nuk e lejonte; por këtë nuk jam në gjendje ta verifikoj menjëherë; shoh që edhe sot, disa sisteme deklarimi nuk e lejojnë cue bidding në raundin e parë të deklarimeve, por kjo rregull është pjesë e sistemit të deklarimit, jo e lojës). Ashtu, kur mua më vinte një dorë me vetëm një spathi të vogël, dhe kisha të drejtën e deklarimit të parë, mund të supozoja se kundërshtarëve do t’u kishin ardhur spathi të mira dhe/ose në sasi të mëdha; dhe për të mos i lejuar që të deklaronin në atë ngjyrë, “e zija” ngjyrën, me një deklaratë “false”. Ky marifet i ngjante disi blofit në poker, sepse unë zotohesha për të marrë një numër duarsh, në ngjyrën ku isha më i dobët.

Mirëpo në rubber bridge (që pritej të ishte edhe brixhi ynë) një rregull e tillë nuk ekziston dhe lojtari që deklaron nuk mund ta “zërë” ngjyrën. Nëse unë deklaroj “1♣”, kundërshtari im mund të vazhdojë lirisht me “2♣”, e kështu me radhë. Çfarë edhe do ta bënte brixhin “tonë” lojë tjetër, me shije dhe aromë tjetër.

Në Napoli fillova të kuptoj edhe natyrën e sistemeve të deklarimit, edhe natyrale edhe artificiale, të cilat u ngjanin, për nga artikulimi, teorisë së hapjeve në shah. Lojtarët që marrin pjesë rregullisht në turné brixhi përvetësojnë një numër të madh deklaratash konvencionale dhe kombinimesh të tyre, të cilat lehtësojnë komunikimin mes ortakëve. Këto deklarata dhe kombinime organizohen në sisteme, të cilat ndonjëherë kërkojnë me qindra faqe libri për t’u shtjelluar.

Aq seriozisht merrej brixhi në ca sallone të Napolit, sa prej andej kish dalë edhe një sistem artificial deklarimi, i quajtur fiori napoletano; brenda të cilit, deklarata fillestare “1♣” ka domethënie specifike, të koduar, pa lidhje me forcën reale në spathi. Ashtu ti mund ta fillosh deklarimin me “1♣”, por pastaj kundërshtarët të marrin kontroll të deklarimit dhe të vazhdojnë deri në slam (të vogël ose të madh)… në spathi. Çfarë në sistemin tonë do të ishte e pamundur!

Një gazetë italiane që e blija shpesh, La Repubblica, botonte një rubrikë të rregullt brixhi, ku ilustroheshin lojëra heronjsh dhe fitore të vështira. Besoj se atë periudhë e perfeksionova disi edhe brixhin tim, por si ai qyqari i barceletës, nuk kisha se me kë të luaja. Ajo që e kishim mbajtur për passatempo të sofistikuar në Perëndim, këqyrej – prej shoqërisë që krijuam në Napoli – si engledisje zonjash të fishkura aristokrate; dhe mua, që tek e fundit vija nga “lindja”, më shkokësh më shumë shahu.

Çfarë ishte atëherë loja që kishim mësuar dhe luanim? Një lloj brixhi, por i modifikuar – i personalizuar – jo qëllimisht, por për shkak të një gabimi në interpretimin e kodit. Në rrethana normale, këtë gabim do të na e kishin korrigjuar menjëherë të tjerët (këtë do ta quaja “korrigjim inercial”, i cili kushtëzohet nga rezistenca, që u bën loja vetë, modifikimeve të rastësishme për shkak të padijes, kujtesës së keqe, keq-interpretimeve, interferencave aksidentale nga lojëra të tjera të ngjashme, etj.) ; por në mjedisin tonë brixhin s’e njihte kush, aq sa ne u detyruam “të luanim me veten”.[4]

Edhe lojëra të tjera qarkullonin në versione alternative – kam folur dikur për versionet e damës (me detyrim e përcaktim, vetëm me detyrim, etj.), por kam ndeshur të tilla versione edhe në tavëll: këtej në Perëndim nuk kam parë kurrë të luhen ato dy pjesë të lojës që ne i quanim “burg” dhe “qyl” (por që njihen në vende të tjera të Ballkanit dhe të Lindjes së Afërme dhe të Mesme). Nuk di të them për lojërat me letra, të tilla si pesëqindshja, murlani, spathitë, xingu – nëse janë edhe ato variante lojërash të ngjashme që luhen gjetiu. Këto lojëra – përfshi edhe shahun – tek ne mësoheshin me rrugë orale; me shpjegime të drejtpërdrejta ose duke parë si luanin të tjerët. Teknika të tilla të mësuari garantojnë qëndrueshmëri të rregullave, sepse tjetri – që e dinte tashmë lojën – nuk të linte të gaboje, në atë masë që synimi yt, si lojtar “i ri”, ishte që të pranoheshe si pjesëmarrës në lojë(ra). Në kuptimin që ti mësoje shah, që të mund të luaje pastaj shah me të tjerët që shahun dinin ta luanin. Dhe, në çdo rast, loja shërbente si instrument socializimi, nëpërmjet edhe efektit dëfryes që kishte te lojtarët.

Përkundrazi, në rastin tonë të brixhit, ne u nisëm nga një tekst i shkruar, si ai detari që kërkon të arrijë tek ishulli i thesarit duke i besuar një harte; paçka se e bëmë megjithatë një gabim jo të vogël, gjatë transkriptimit të kodit. Gabimi ynë, që kish të bënte me rregullat e deklarimit (bidding) mbijetoi sepse nuk e pengonte deklarimin dhe as krijonte kontradikta, të paktën në nivelet e ulëta të lojës.

Shumë krahasime më erdhën ndër mend, kur i shkruaja përsiatjet më lart: gabimet në përkthimin e shkrimeve të shenjta, të cilat na kanë dhënë sot metafora të pazëvendësueshme si ajo e devesë në vrimën e gjilpërës ose e Evës së krijuar nga brinja e Adamit; zbulimi pa dashur i kontinentit amerikan nga Kolombi; filozofi arab Averroes i Borges-it, që nuk arrinte ta rrokte konceptin e “teatrit” tek Aristoteli; gjeografi Jacques Paganel te “Bijtë e Kapitenit Grant” të Jules Verne-it, që mësoi gabimisht portugalishten, në vend të spanjishtes; dijetarët te “Zëri i padronit” të Stanislaw Lem-it, që u përpoqën të deshifronin një sinjal kozmik, me rezultate të habitshme. Dhe ideja paradoksale se, për të përftuar risi, nuk mjaftojnë gabimet por duhet edhe pamundësia për t’i korrigjuar; ose që, ndonjëherë, distanca i lejon të gjitha palët të deklarohen të kënaqur.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Etimologjia e anglishtes bridge si emër i lojës nuk është dhe aq e sigurt; fjala mund të mos ketë lidhje me bridge “urë”, por të vijë nga emri i një loje ruse, Бирюч (бирчий, бирич), ose uist rus, që u përhap në qarqet diplomatike në Stamboll, gjatë shekullit XIX.

[2] Ky përshkrim i lojës është detyrimisht i shkurtër dhe i pasaktë; bëhet vetëm për të krijuar lexuesi një ide, pa e hutuar këtë me hollësi.

[3] Ndryshe nga pokeri, brixhi nuk luhet zakonisht me pará. Prej lojtarëve pritet të shijojnë një kombinim të pasurisë intelektuale të lojës, me mundësinë për biseda shoqëruese. Alkooli ndihmon.

[4] Më pas kam dëgjuar për një grup që luante brixh në ILB (Institutin e Lartë Bujqësor), të nisur nga N.Q.; por ky rridhte njëfarësoj nga e njëjta shkollë me cen që na kish formuar edhe ne.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin