Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kujtime

ALETTA JACOBS – KUJTIME

fragmente përkthyer nga Albana Shala

Rreth autores:

Aletta Henriëtte Jacobs (9 shkurt 1854 – 10 gusht 1929) ishte e para mjeke holandeze dhe një nga figurat më të spikatura në lëvizjen kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e grave. Jacobs u regjistrua dhe ndoqi studimet në universitet dhe u diplomua si mjekja e parë në vend.  Në 1882, ajo hapi klinikën e parë në botë për kontrollin e lindjeve dhe më pas organizoi fushata të suksesshme që synonin të përmirësonin kushtet e punës dhe të jetesës së grave, të godisnin prostitucionin, të siguronin të drejtën e grave për të votuar dhe të mobilizonin opinion publik kundra luftës.

E lindur në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, Jacobs dëshironte të bëhej mjeke si i ati. Pavarësisht pengesave dhe mentalitetit të atershëm, ajo me sukses vazhdoi studimet e larta dhe ishte e para grua që mbrojti doktoraturën në mjekësi në Holandë. Jacobs shqetësohej për kushtet e jetësës të puntorisë, të femijëve dhe grave që jetonin në varfëri e skamje. Pozita ekonomike e grave në atë kohe ishte shumë e keqe dhe plot rreziqe. Ligjet në vend nuk ofronin mbrojtjen e duhur të shëndetit të gruas. Jacobs hapi një klinikë në Amsterdam ku ofronte shërbime falas dhe edukonte gratë e shtresave të varfra në lidhje me higjienën dhe kujdesin ndaj fëmijëve. Më pas, Jacobs filloi të ofronte shërbime edhe informacion edhe për metodat kontraceptive.

Ja tri fletë nga disertacioni i Dr. Aletata Jacobs: Mbi lokalizimin e dukurive fiziologjike dhe patologjike në trurin e vogël.

Që nga fillimi i punës e deri në fund të jetës,  si askush tjetër Jacobs i sfidoi autoritetet duke kërkuar të drejtën e grave për votë dhe bashkëpunuar me të tjera gra të emancipuara të asaj kohe, që të ndryshohej legjislacioni që kufizonte pjesëmarrjen aktive të grave në shoqëri dhe barazinë e tyre me burrat. Pas shumë përpjekjesh e fushatash ndërgjegjësimi, Jacobs arriti të siguronte që orari i pushimit në punë të bëhej i detyrueshëm (me ligj). Në 1919 u arrit edhe e drejta e votës për gratë në Holandë. Duke qenë e përfshirë në lëvizjen ndërkombëtare të grave, Jacobs udhëtonte, mbante leksione e fjalime e propagandonte globalisht çështjen e barazisë së grave dhe dokumentonte me rigorozitet çështjet socio-ekonomike dhe statusin e tyre politik. Ajo luajti një rol të rëndësishëm në themelimin e Lidhjes Ndërkombëtare të Grave për Liri dhe Paqe dhe kontribuoi për njohjen e të drejtave të grave në rang ndërkombëtar. Për lexuesin po sjellim në shqip një fragment nga autobiografia monumentale e saj, me dëshirë që të njihet e vlerësohet një nga figurat më të ndritura të Holandës dhe lëvizjes botërore për emancipim.

Në vitin 1928, Jacobs shkruante: Ndihem e lumtur sepse tri objektivat e mëdha të jetës sime janë përmbushur krijimi i kushteve që gratë e vajzat të arsimohen dhe të praktikojnë në bazë të studimeve që kanë kryer, zgjedhja e lirë dhe jo e detyruar e mëmësisë dhe barazia politike e grave.

KUJTIME e Aletta Jacobs është botuar në Amsterdam nga Van Holkema & Warendorf (1924) dhe është ribotuar disa herë, së fundmi edhe nga Boom uitgevers (2019).

FRAGMENT –

III. Qëndrimi në Londër

Mbërritja – Miqtë e rinj – Shkollim dhe dëfrim – Kthimi në Holandë – Kongresi i Mjekësisë në Amsterdam – Banore e kryeqytetit.

Në Sappemeer më kishin treguar histori të frikshme për karrocierët e Londrës që i çonin vajzat larg, në adresa të gabuara, rrugë pa rrugë. Megjithëse këto histori nuk më bënin shumë përshtypje, për çdo rast e studiova me kujdes hartën e kryeqytetit britanik. Kur mbërrita në Londër, e dija mirë se cilën rrugë duhet të merrja për të arritur në adresën e shtëpisë së zonjës Rennefeld, ku kisha marrë me qira dy dhoma. Ndërkohë, karrocieri, të cilin e gjeta rastësisht, nuk kishte asnjë qëllim të keq ndaj meje. Ai mori rrugën më të shkurtër për në destinacion, dhe ja atje po më priste zonja në fjalë. Më përshëndeti dhe më ndihmoi të shpaketoja rrobat e të sistemohesha në ato dhoma që pas pak ndryshuan dhe morën një pamje komode shtëpie falë gjërave që kisha sjellë me vete nga Holanda. Më pas u nisa dhe shkova së bashku me zonjën Rennefeld në shtëpinë e familjes së saj. Më pritën shumë ngrohtë. Kalova me ta pjesën tjetër të ditës dhe pata nderin që të takoja edhe piktoren me famë botërore Alma Tadema. Shumë shpejt, në atë mjedis të ri, u ndjeva aq mirë dhe e shpenguar si të isha në shtëpinë time; kur u ktheva në darkë në banesë, mu duk sikur kisha jetuar prej vitesh në atë vend.

Të nesërmen në mëngjes më priste një tjetër surprizë e këndshme. Ndërsa po haja mëngjes, erdhën që të më takonin dy zonjusha. U prezantuan si studente të mjekësisë, të njohura të zotit Gerritsen nga Amersfoort-i, i cili me anë të një telegrami i kishte vënë në dijeni dhe i kishte angazhuar që të më gjendeshin gjatë qëndrimit tim aty. Më ofruan ndihmë. Shpejt akulli u thye dhe biseda u ngroh. Së bashku me mikeshat e reja u nisa për në shkollën mjekësore të femrave në Rrugën Henriette, ku u prezantova me shumë profesorë dhe studente. Gjatë kësaj vizite, shumë prej profesorëve më ftuan që të ndiqja leksionet që jepnin. Prej andej shkuam te Doktor Drysdale, i cili ndikoi shumë në formimin tim, megjithëse gjatë qëndrimit në Londër nuk u takova shpesh me të. Përmes Dr Drysdale u lidha me Annie Besant. Në ato vite, ajo dhe Charles Bradlaugh, propagandonin lirinë e shprehjes dhe të mendimit. Pas disa kohësh u njoha edhe me vetë Bradlaugh dhe të bijat.

Për dikë nuk ndoshta ka shumë njohuri për personalitetet e Londrës së asaj kohë, duhet të sqaroj se Charles Bradlaugh (1833-1891) ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç kur i shpalli luftë Krishterimit dhe shkroi manifestin me titull: ‘Disa fjalë mbi besimin e Krishterë’ (1850). Gjatë qëndrimit tim në Londër, kuptova që si ai dhe Dr Drysdale ishin përkrahës të teorisë Maltusiane. Përmes tyre u lidha edhe me shumë burra dhe gra të tjerë, të cilët propagandonin ‘mëmësinë e ndërgjegjshme’ dhe idenë e ‘kufizimit te vetëdijshëm dhe të lirë të numrit të fëmijëve’, ide të cilat e tronditën Anglinë hipokrite të atyre kohëve.

Para se arrija të formuloja mirë objektivat e mia, dhe të vendosja se çfarë doja në të vërtetë, isha përfshirë në aktivitetet e grupeve radikale shkencore, politike dhe morale të Londrës, të cilat luftonin ashpër konservatorizmin dhe hipokrizinë. Mora pjesë në shumë takime ku Bradlaugh dhe grupi i vogël që e ndiqte diskutonin pikëpamjet e tyre mbi politikën e ditës. Të dielave shkoja në mbledhjet e ‘Shoqërisë Fabian’ të asaj kohe sepse më interesonin shumë edhe takimet e punëtorisë.

Më lejoni të sqaroj lexuesin që “Shoqëria Fabian”, megjithëse ishte tërësisht e prirur ndaj bindjeve socialiste, nuk dëshironte rebelim të punëtorisë. Anëtarët e saj si atëherë, si edhe sot, i përkasin kryesisht klasës së mesme intelektuale. Ata besojnë në mundësinë e një kuptimi e vizioni më të mirë për pasurinë. Emri i shoqatës vjen nga Fabius Cunctator, një konsull romak, i njohur për taktikat e zgjuara që përdorte në luftën kundër Hanibalit.

Pas shumë orësh pune të lodhshme, mbrëmjet i kisha të zëna me takime. Çdo ditë në mëngjes, isha e angazhuar në spitalin e madh të fëmijëve në Great Ormondstreet. Fillimisht në poliklinikë, më pas vazhdoja të shoqëroja vizitat e mjekëve nëpër pavijone. Pasditeve ose shkoja në një nga spitalet e grave, ose ndiqja leksionet e një profesori të njohur, ose shkoja që të shikoja të zbatuar në praktikë atë që kisha mësuar në teori. Dhe të mendosh, që ndërsa studenteve angleze të cilat donin të pranoheshin në spitale u duhej të kapërcenin shumë shumë pengesa, për mua i hapën menjëherë të gjitha dyert.

Në ato kohëra, ato pak mjeke femra që ishin në Angli nuk arrinin të merreshin vesh me kolegët e tyre meshkuj. Sindikata nuk u jepte anëtarësi dhe u ndalohej që të merrnin pjesë në takimet e mjekëve profesionistë. Ndërsa me mua ishin dashamirës. Të martuarit më ftonin në shtëpi, ndërsa beqarët sa herë që shoqërohesha me ta, ishin bujarë dhe shumë të sjellshëm. Asnjëherë nuk kam arritur ta kuptoj plotësisht arsyen e këtij ndryshimi në qëndrim. Sigurisht, ata e dinin që unë do të kthehesha në vendin tim dhe nuk më konsideronin si rivale. Po edhe studentet amerikane që erdhën në Londër për të përfunduar studimet nuk ishin konkurrente. E megjithatë po të njëjtët mjekë nuk ishin miqësorë me to. Ndoshta për këtë trajtim të privilegjuar i detyrohem rinisë dhe faktit që, edhe pse shumë e re, detyrat i përmbushja me shumë seriozitet dhe përkushtim.

***

Më shumë nga të gjithë spitalet që vizitova në Londër, më interesoi spitali i vogël i femrave, i cili sapo ishte hapur në rrugën Marylebone. Atë e drejtonte mjekja e parë angleze, zonja Garrett Anderson. Mjeket që punonin me të, edhe pse të pakta në numër, kishin studiuar jashtë, kryesisht në Paris, dhe ishin diplomuar atje. Meqenëse të gjitha mjeket i kishin kaluar të dyzetat, mua më konsideronin si çupëlinë. Më pritën shumë ngrohtë, dhe e rrethuar nga koleget e nderuara vërtetë u ndjeva si në shtëpi. E simpatizoja shumë zonjën Garrett Anderson, e cila jo vetëm që interesohej për shkencën dhe mjekësisë, por edhe për problemet shoqërore. Gjithashtu më pëlqente shumë edhe motra e saj zonja Millicent Fawcett, e cila në ato vite ishte presidente e Shoqatës angleze për të Drejtën e Grave për të votuar.

Falë lidhjeve me to, vazhdimisht isha e ftuar në ‘takimet e sallonit të vizatimit’, ku mblidheshin dyzet apo pesëdhjetë gra nga qarqet e larta, të cilat bisedonin dhe mbanin leksione mbi dobinë dhe domosdoshmërinë e së drejtës së grave për të votuar.

Nuk kisha dyshim për domosdoshmërinë e votës së gruas. Kisha vite që mendoja se ishte e qartë përse gratë duhet të kishin të njëjtat të drejta si edhe burrat në politikë. Ndihesha mjaft mirë që mund të merrja pjesë në ato takime, sepse aty mësova mënyrën se si të argumentoja e të bindja të tjerët. Aty e ka zanafillën njohja dhe bashkëpunimi im me pararojën e grave që luftonin për të drejtën e gruas për të votuar në Angli. Këto lidhje në shumicën e rasteve u kthye në miqësi të ngushtë dhe intime.

Në librin përkujtimor të viteve 1894-1919 të botuar nga Shoqata për të Drejtën e Gruas për të Votuar, i kam kushtuar një artikull të veçante kësaj periudhe të qëndrimit tim në Angli.

***

Në Holandë u ktheva më herët nga ç’e kisha parashikuar. Nga data 8 deri më 15 shtator 1879, në Amsterdam u mbajt një kongres ndërkombëtar për përparimin e shkencës së mjekësisë.  Do të shkonin edhe shumë profesorë e doktorë anglezë të cilët i njihja personalisht. Më këshilluan që të shkoja edhe unë, me idenë që pas kongresit të kthehesha dhe të rifilloja studimet në Londër. Në fakt nuk shkoi kështu sepse gjatë kongresit pata shumë kërkesa nga familjet e Amsterdamit që donin të më punësonin si mjeken e tyre, dhe shumë nëna më kërkuan të kujdesesha për fëmijët e tyre, saqë m’u duk më e udhës të qëndroja e të mos largohesha.

Gjatë kongresit, emri im qarkullonte nga goja në gojë. E pashë me vend të përfitoja nga ky publicitet i papritur dhe i pakërkuar dhe vendosa menjëherë që të filloja si mjeke praktikuese në kryeqytet. Sa shpesh m’u përmend emri nëpër gazeta gjatë atyre ditëve! Sa herë që kryesia e kongresit, nën drejtimin e profesor Donders, prononcohej për aktivitetet dhe evenimentet, përmendte që e vlerësonte edhe praninë time.

Në këtë kuadër, më lejoni të citoj nga artikulli i gazetës Algemeen Handelsblad të 9 shtatorit, 1879 me titull: ’Mjekët në Bashkinë e Qytetit’ në lidhje me pritjen që iu bë pjesëmarrësve në kongres nga këshilli bashkiak në mbrëmjen e ditës së parë në Prinsenhof:

“Portieri njoftonte me zë të lartë për mbërritjen e të ftuarve. Zotërinjtë falenderonin bashkinë, të kryesuar nga kryebashkiaku. Në orën nëntë salla kryesore ishte mbushur plot, por të ftuarit nuk rreshtnin.

Kur portieri njoftoi ardhjen e saj, të gjithë u bënë të vëmendshëm. “Dr. Aletta Jacobs”,  njoftoi portieri dhe mjekja e parë holandeze u fut në sallë me shumë modesti. Kryebashkiaku bëri një përjashtim për të. Jo vetëm që u përkul gjithë nderim, por e priti dhe e përshëndeti personalisht me shumë dashamirësi dhe simpati.”

Tani pas më shumë se dyzet vjetësh, sjell qartë ndërmend edhe një tjetër mbrëmje gjatë kongresit. Ishte një mbledhje festive, e organizuar për nder të mysafirëve të huaj. Programi përfshinte dy tablo. Në tablonë e parë, e cila supozohej të përfaqësonte të tashmen dhe të kaluarën, në fushën e betejës ishin pikturuar Lister përballë Ambroise Paré. Salla jehonte nga duartrokitjet, që nuk pushonin dhe u shndërruan në një ovacion për studiuesin anglez që ishte i pranishëm. Njerëzit bërtisnin e brohorisnin aq shumë, sa Lister* më në fund u detyrua të ngjitej në podium dhe të falënderonte të pranishmit.

Tabloja e dytë, ‘E ardhmja’, ishte një kopje e ‘Mësimit të Anatomisë’ së Rembrandtit, ku meshkujt ishin zëvendësuar me femra. Më 6 shtator 1879 gazeta Algemeen Handelsblad shkruante:

“Prof. Tulp* ishte një profesoreshë e njohur. Veshja, shtati dhe fytyra e saj ishin imituar aq bukur sa të gjithë me të parë tablonë shqiptuan emrin e saj. Ndërsa tani i ka ardhur rradha Dr. Aletta Jacobs që të mirëpritet e simpatizohet nga të gjithë.”

Revistat e huaja nuk mbetën pas.

Dr Petithan, i cili raportoi për kongresin në një revistë mjekësore franceze, ‘Le Scalpel’, shkroi:

‘‘J’ai saisi l’occasion de la 4e conclusion pour rendre hommage à l’étude de la médecine par les femmes, si bien représentées au Congrès par Mlle. Jacobs. J’ai dit que c’était aux femmes médecins qu’il appartenait d’apprendre à leurs soeurs, toutes les lois de l’hygiène et leurs devoirs les plus essentiels trop souvent ignorés.

‘Il nest’ pas possible de se figurer la science sous une forme plus charmante que celle de cette jolie juive de 25 ans, suivant les discussions les plus délicates avec un aplomb et un tact   parfait, restant femme gracieuse toujours, et me remettant, en signe de reconnaissance, un savant mémoire sur les localisations cérébrales’[1].

Më lejoni, tani si grua në moshë, ta përfundoj këtë kapitull duke thënë në mirëbesim se shumë mjekë nga të gjitha anët e Europës më kërkuan dorën dhe më ofruan zemrat gjatë atyre ditëve të kongresit dhe më pas. Nuk po e fsheh faktin që këto propozime për martesë më ledhatuan sedrën. Por zemrën nuk ma prekën.

IV Vitet e para të punës

Pioniere në të gjitha frontet  – Si ishte Amsterdami para dyzet vjetësh – Njohja me Carel Victor Gerritsen – Miqësitë e reja – Këshillimi i punëtorisë – Një goditje e rëndë.

 Menjëherë pas kongresit fillova të punoj si mjeke në Amsterdam. Klinikën e parë e hapa në Herengracht pranë Koningsplein, në shtëpinë e një vejushe e cila më la me qira disa dhoma. Çdo ditë, pas pune, rreth orës gjashtë shkoja në Ferdinand Bolstraat, ku jetonin nëna dhe babai. Darkën e hanim së bashku.

Që në fillim kisha aq shumë pacientë sa e ardhmja në profesion dukej krejt e sigurt. Çdo ditë nga ora një deri në tre, prisja klientët në klinikë. Ndërsa paradite dhe pasdite shkoja dhe i vizitoja të sëmurët në shtëpi.

Vendosa të anëtarësohesha në Muzeun e Leximit në Rokin, që të mund të ndiqja rregullisht zhvillimet nga revistat mjekësore në gjithë bota. Në Groningen, sa herë që kisha pasur nevojë të kontrolloja ndonjë material apo ndonjë të dhënë kisha shkuar në Muzeun e Leximit. Edhe në Londër, pjesën më të madhe të kohës së lirë e kaloja në Muzeun Britanik. Pse duhet t’i mohoja vetes kënaqësinë e shfletimit të librave dhe revistave të cilat nuk i posedoja, atëherë kur kisha pak kohë për të studiuar? Prandaj një ditë shkova në Muzeun e Leximit për të pyetur se cilët formularë duhej të plotësoja për t’u regjistruar si anëtare. Sa shqetësim shkaktoi kjo pyetje e thjeshtë! Më thanë se isha në një muze leximi për zotërinj.

Vazhduan të më sqaronin se një gruaje kurrë nuk i kishte shkuar ndërmend  që të aspironte anëtarësimin në bibliotekë. U përpoqën të më pengonin duke sugjeruar që meqenëse isha femër, do të më skualifikonin nga anëtarësimi. Nëse nuk do të ndodhte kjo, në kundërshtim me hamendjen e tyre, atëherë vazhduan ata shumë zotërinj do të hiqnin dorë nga anëtarësia për të shmangur ‘problemet e brendshme’. U thashë se nuk e kuptoja lidhjen midis të dyjave dhe m’u përgjigjën që bashkëshortet do t’i jepnin një tjetër rëndësi anëtarësisë së burrave të tyre në Muzeun e Leximit nëse do të merrnin vesh që atje ata do të mund të takonin një grua apo gra të tjera. Pavarësisht nga gjithë kundërshtimet, vendosa të mos heq dorë nga ideja ime. Prandaj, menjëherë ju afrova disa prej anëtarëve të pranishëm, dhe i shpjegova se sa e vështirë ishte të punoja pa koleksionin e librave dhe revistave që kishte muzeu i leximit, dhe në fund i pyeta nëse ata, duke e ditur pozicionin tim, ishin të gatshëm të më pranonin si anëtare. Zotërinjtë e pranuan kërkesën time, dhe kështu u futa dhe u paraqita për votim.

Gratë dhe vajzat e reja që tani pranohen nëpër biblioteka dhe muze leximi pa asnjë problem, me siguri do ta kenë të vështirë të besojnë se disa zonja në Amsterdam menduan se ishte e nevojshme të më jepnin edhe leksione, dhe të me nisnin edhe letra anonime, për faktin se kisha guxuar të vija kandidaturën për anëtarësim në një institucion të themeluar nga meshkuj dhe për meshkuj. Madje dy zonja erdhën dhe në shtëpi dhe më mbajtën një leksion krejt pa takt.  I lashë të flisnin e ta nxirrnin dufin pa e humbur toruan. Dhe nuk u çudita aspak kur më njoftuan që anëtarët e Muzeut ishin dakord me anëtarësimin tim. Më lejoni të shtoj këtu se që në atë moment askush nuk më pengoi të punoja në Muzeun e Leximit, ku shpesh kam kaluar orët e e lira.

Disa zotërinj kolegë erdhëm dhe deklaruan se ishin të gatshëm të më ndihmonin me fjalë e me vepra që ‘të gjeja rrugën’ në Amsterdam, dhe jam i bindur se ishin të sinqertë. Fatkeqësisht, këshillat e tyre nuk përkonin e përputheshin me pikëpamjet e mia dhe shpejt interesi i tyre u zbeh, pasi e kuptuan që nuk më pëlqenin këshillat që po më jepnin. Sigurisht që do të kishte qenë më mirë që t’i lejoja, të bëja sikur, dhe t’i respektoja. Megjithëse e vlerësova angazhimin e tyre,  këshillat nuk i ndoqa, thjesht sepse nuk e kisha në natyrë. Sa situata të pakëndshme do të kisha shmangur atëherë por edhe më vonë, nëse do të kisha ditur që nganjëherë t’i fshihja mendimet e mia?

Kur mendoj qetësisht tani për ato situata, ende ndjej se si vlonte gjaku kur i dëgjoja tek thonin: ’Duhet të mos hapeni, por të kufizoheni në ofrimin e kujdesit në lindje’, më këshillonin mjekët, të cilët nuk ishin obstetër. Dhe më siguronin që kështu do të mund të kisha mbështetjen e bashkëpunimin e të gjithë kolegëve në Amsterdam. Të tjerë më këshillonin ‘Ulni tarifën e vizitave dhe konsultave, sepse kështu mjekët e tjerë do ta kuptojnë që ju nuk e konsideroni veten të barabartë me ta’. Sa të tronditur dhe të shokuar mbetën kur i sigurova se në të vërtetë qëllimi im, si mjeke, ishte të vendosja veten në një pozitë të barabartë me mjekët e tjerë në Amsterdam. Dhe kur deklarova e indinjuar se, si e rritur me vëllezër, isha ulur gjithmonë në bankat e shkollës dhe kolegjit me djem, dhe asnjëherë nuk e kisha vënë re ndonjë epërsi intelektuale të djemve apo burrave, habia e tyre kthehej haptazi në bezdi.

Dua të ndaj këtu një ngjarje jo të papërsëritshme në vitet e para të punës, pikërisht në lidhje me shpërblimin për shërbimet e mia mjekësore. Pas një trajtimi të gjatë, arrita të shëroj gruan e njërit prej aristokratëve të Amsterdamit, nga një sëmundje serioze gjinekologjike nga e cila kishte vuajtur për vite me radhë. Siç ishte zakon në ato kohë, faturën ua nisa në fillim të vitit të ri. Disa ditë më vonë erdhi për vizitë i shoqi i pacientes. Ende e shoh duke hyrë në dhomë, tek mbante me gishtin e madh dhe treguesin e dorës së majtë faturën time. Ende e dëgjoj irritimin e tij në zë kur më qortoi se unë, një grua, kisha guxuar t’i dërgoja një faturë aq të lartë sa një mjek koleg burrë.

‘Si mundët ta shkoni nëpër mend? Duhet të kuptoni se askush nuk ka ndërmend të paguajë punën e grave njësoj si atë të burrave.’

Fakti që një njeri me një pozicion të rëndësishëm në tregtinë me shumicë të Amsterdamit po më qortonte ishte mjaft interesant, dhe vetëm sepse kisha guxuar të kërkoja pagesën që më takonte sipas tarifave të mjekëve. Nuk arrita të zemërohem me tonin ndëshkues të vizitorit.

“Atëherë,” e pyeta me qetësi,”kur gruaja juaj ishte vërtet aq rëndë e sëmurë, përse kërkuat ndihmë mjekësore të dorës së dytë? Sepse isha më e lirë se të tjerët? Mendoj që ju së pari ishit të interesuar të gjenit doktorin më të mirë dhe më të përshtatshëm. Kjo është arsyeja pse ju u drejtuat tek unë, sepse unë jam e vetmja mjeke femër në Holandë.”

“Vërtet keni ardhur të ankoheni për një faturë të bazuar në tarifat e përcaktuara nga kolegët meshkuj? – vazhdova.

“Më mirë vlerësoni faktin që unë i përmbahem atyre tarifave, në vend që të përdor pozicionin tim të privilegjuar si doktoresha e vetme femër në këtë kohë dhe në këtë vend, për të faturuar më shumë se gjithë mjekët e tjerë në Amsterdam.”

Nuk mbaj mend se çfarë tha vizitori im ‘filipikë’, por mbaj mend që disa ditë më vonë erdhi e shoqja pagoi faturën, dhe shprehu keqardhjen për sjelljen e burrit të saj.

Dr. Aletta Jacobs në vitin 1882 me një nga pacientet e saj.

A mund të imagjinojnë qindra gra që kalojnë çdo ditë nëpër Kalverstraat që dyzet vjet më parë, kjo rrugë plot dyqane ishte e ndaluar për zonjat ‘e respektuara’ që nga ora 12 e drekës deri në 4 të mëngjesit? Gjatë atyre orëve, frekuentohej vetëm nga zotërinjtë që shkonin në Bursë dhe nga prostitutat që dilnin në afërsi të Sheshit Dam dhe shëtisnin nëpër Kalverstraat. Në ato kohë,  asnjë grua me reputacion të panjollosur nuk guxonte të ecte nëpër Kalverstraat. Sepse paraprakisht e dinte se po ekspozohej dhe po futej në situata të pakëndshme, dhe se që sjellja e saj do të kritikohej si në tryezat e zotërinjve, ashtu edhe në rrethet e qëndisjes së bashkëmoshatareve. A duhet të them se që në fillim kjo traditë nuk më pengoi që të ushtroja të drejtën për të ecur përgjatë Kalverstraat në çdo orë të ditës dhe të natës? Ata që e kanë ndjekur historinë e jetës sime deri më tani e dinë mirë këtë. Por bëra edhe më shumë. Sa herë që kisha mundësi, i nxisja gratë të ndiqnin shembullin tim.  Në këtë mënyrë do të mund t’i jepnim fund kësaj gjendje të turpshme ku në mes të ditës, në zemër të kryeqytetit, mbahej në këmbë as shumë as më pak një treg publik i shitjes së grave. Ishte poshtëruese për gratë, dhe pa dyshim e rrezikshme për burrat.

Kjo është arsyeja përse mendova se, mjaftonte cenimi i moralit shoqëror, që të bënte që gratë  të cilat deri atëherë e shmangnin Kalverstraat pasdite, të dilnin e të shëtisnin atje gjatë kohës së panairit.

***

Gratë dhe vajzat që studiojnë dhe punojnë sot, e konsiderojnë si gjënë më normale në botë të lëvizin nëpër rrugë lirshëm ditën apo natën, dhe nuk e kanë të lehtë të kuptojnë në thelb se çfarë do të thoshte të ecje natën në rrugë dyzet vjet më parë. As njerëzit dhe as policët nuk ishin mësuar me këtë liri; prandaj edhe burrat që caktoheshin nga shteti që të mbanin rregullin e të siguronin rrugët dështonin në detyrë.

Çdo mbrëmje pas darke, rreth orës shtatë – tetë, kthehesha nga shtëpia e prindërve në apartamentin tim. Një mbrëmje, një zotëri i cili më shqetësonte vazhdimisht duke më ndjekur pas, guxoi të më kapte para një polici. Sigurisht që u drejtova për tek kapteri që të ankohesha për sjelljen e zotërisë. Në vend që të më mbronte nga ai që po më sulmonte, oficeri i rendit publik më këshilloi: ‘Rri në shtëpi natën, që të mos kesh probleme në rrugë.’  Edhe pse u zemërova, e lashë çështjen të qetësohej derisa, herët a vonë, do të vinte rasti për t’u ankuar për së mbari.

Një mbrëmje pas një vizite në spital mbërrita në shtëpi pak pas mesnate. Zbrita nga pajtoni dhe kur u ngjita lart në apartament gjeta një shënim ku më kërkohej të shkoja të vizitoja sa më parë një pacient në Herengracht pranë Thorbeckeplein. Telefoni nuk ishte shpikur ende në ato kohëra.

Pra, nuk bëhej fjalë që të porositja një pajton me telefon. Për më tepër, më duheshin vetëm pesë minuta në këmbë që të arrija te fëmija i sëmurë. Rruga ishte e qetë. I vetmi person me të cilin u përballa ishte një polic. Më vuri re. Kur mora të kthehem në shtëpi pas vizitës, ndesha përsëri të njëjtin polic. Ai pati guxim të më kapte që të më fuste duart. U mbrojta duke bërtitur e duke thënë emrin tim dhe që do të raportoja sjelljen e tij. Të nesërmen në mëngjes kërkova të takoja shefin e policisë dhe i tregova për sjelljen e padëshirueshme të vartësit. Shefi e vlerësoi ankesën time dhe më konfirmoi që gjëja e parë që duhej të bënin forcat e rendit ishte që të siguronin qytetarët,  përfshirë edhe femrat. U largova nga zyra e tij pasi më siguroi se nuk do të më duhej të ankohesha më për policinë e Amsterdamit. Ai premtim dhe parashikim ka dalë i saktë.

***

Kur i kujtoj të gjitha ato tradita të asaj kohe e cila duket pafundësisht e largët për njeriun modern, më vjen ndër mend edhe rregulli i çuditshëm i Teatrit të Qytetit që kërkonte që zotërinjtë të uleshin në plate, dhe zonjat në ballkone. Me sa dija, nuk kishte rregullore të nxjerra për këtë praktikë. Ishte thjesht një zakon, ritual, që ende nuk ishte vënë në diskutim.

Në fillim të shfaqjes dhe gjatë pushimit, burrat përdornin paturpësisht binoklet për të inspektuar grate që ishin ulur nëpër ballkone dhe lozhë. Nuk e di nëse të vëzhguarat ishin ankuar për këtë praktikë. Sidoqoftë, më kujtohet se një ditë bordi i Teatrit të Qytetit dekretoi: ‘Femrat e pashoqëruara nga burrat nuk pranohen më në teatër’. Në këtë kontekst, duhet të sqaroj se të ashtuquajturat zonja të respektuara, nëse nuk do të shoqëroheshin nga burri apo vëllai,  duhet të shkonin në teatër  apo në koncert të shoqëruara nga një pazh. Pazhi paguhej me orë për shoqërimin, si edhe në varësi të kapelës që mbante e cilësisë së mëndafshit të saj. U ndjeva e detyruar të protestoja kundër këtij vendimi jo si mjeke, por si femër. Megjithëse nuk frekuentoja rregullisht teatrin, nuk doja të më detyronin të shkoja e shoqëruar nga një pazh, aq më tepër kur mendoja që isha e zonja të mbroja veten.

Prandaj pa një pa dy, protestova me shkrim kundra vendimit të marrë nga bordi i Teatrit. Shfrytëzova rastin për të vënë në dukje marrëzinë e ndarjes së rreptë gjinore në Teatrin e Qytetit të Amsterdamit. Në përgjigje të protestës, mora një letër nga bordi, ku thuhej se vendimi nuk do të zbatohej për gratë si unë. Qëllimi i tyre kishte qënë përjashtimi i vizitoreve të cilat fyenin publikun me veshjet dhe sjelljet e tyre të papërshtatshme.

Sa e pamend ishte kjo politikë, u pa qartë një mbrëmje, kur bashkëshortja e një zotërie të mirënjohur në Amsterdam duhej të linte teatrin, sepse disa nga pjesëmarrësit mendonin që veshja e saj  ishte shumë ekstravagante. Për fat në momentin e fundit ky gabim trashanik u rregullua. Dhe që atëherë, me sa di, vizitoret nuk kanë nevojë të shkojnë të shoqëruara.

Menjëherë pas ardhjes time në Amsterdam, tek imë atë shkoi për vizitë një djalë të ri, i cili, pa qenë i lidhur personalisht me mua, kishte treguar se ishte një mik i vërtetë sa herë që i krijohej mundësia. Carel Victor Gerritsen e pyeti tim atë nëse kishte ndonjë kundërshtim që ne të njiheshim. Me të drejtë, babai, të cilit vizitori i la një përshtypje shumë të mirë, e ftoi ta vizitonte sa herë që të dëshironte, dhe mendoi se edhe unë do të dëshiroja ta falënderoja personalisht zotin Gerritsen për mirësinë e tij të vazhdueshme. Por duke qenë se unë mblidhesha aty vetëm për darkë, im atë e këshilloi mikun e panjohur që të vinte të më takonte një pasdite ose një mbrëmje, në Herengracht.

Për të qenë e sinqertë, duhet të them se megjithëse pas çdo provimi apo arritjeje merrja një urim të ngrohtë prej tij, të cilit i përgjigjesha me një letër falënderuese, dhe megjithëse zotit Gerritsen i kisha shprehur mirënjohjen për gjithë kontaktet e prezantimet e vlefshme që e kishin lehtësuar qëndrimin tim në Londër, kurrë nuk kisha bërë ndonjë përpjekje për të mësuar më shumë rreth këtij dashamirësi të panjohur.

Gerritsen, nga ana e tij, kishte kohë që merrej me mua. Më kish ndjekur në të gjitha fazat e studimeve,  si edhe kur mbrojta  doktoraturën në Groningen. Ndrojtja nuk e kishte lejuar që të vinte dhe të më uronte personalisht siç bënë shumë të tjerë. Më pëlqeu ideja e të njohurit personalisht të këtij djalosh, kaq të interesuar.  Por u desh kohë përpara se miqësia e ngushtë që zumë të shndërrohej në dashuri.

***

Kuptohet që edhe rrethi im i të njohurve në Amsterdam u zgjerua falë jetës aktive publike.

Disa nga gratë që dëshironin të më njihnin ishin Hélène Mercier, Catharina Alberdingk Thym, Cornelie Huygens dhe Elise Haighton. I njihja me emër sepse të gjitha shkruanin e botonin. Miqësinë që lidha me këto shoqe e ruajtëm ndër vite dhe deri në vdekje.

Nuk ishin vetëm këto gra të shquara që më konsideruan të denjë për shoqërinë e tyre. Zotërinj si B.H. Heldt, udhëheqësi i atëhershëm i Bashkimit të Përgjithshëm të Sindikatave të Punëtorisë holandeze, Dr W. Doorenbos, babai shpirtëror i lëvizjes letrare të viteve 1880, si edhe shumë të tjerë, emrat e të cilëve nuk po i përmend këtu, më simpatizonin për punën që bëja. Falë lidhjes me gjithë këta njerëz me peshë dhe me mend, arrita të zhvilloj botëkuptimin tim në lidhje me problemet politike dhe shoqërore në vend.

***

Nëpërmjet B.H. Heldt u lidha me anëtarët e tjerë të Kryesisë së Sindikatës së Punëtorëve, dhe nëpërmjet tyre arrita të njoh dhe të miqësohem me gratë e tyre. Bisedat me ta më bënë të kuptoj që klasa punëtore kishte nevojë urgjente të informohej në lidhje me higjienën, veçanërisht në lidhje me kujdesin ndaj fëmijëve. Falë angazhimit dhe bashkëpunimit të Heldt-it, i cili arriti të sigurojë dhe të vërë në dispozicion pa pagesë disa dhoma në ndërtesën e Sindikatës, që edhe sot e kësaj dite është mbi pijetoren e Spuistraat, në cep të Kattegat -it, në dimrin e vitit 1880 arrita të filloj një kurs edukimi për gratë. Dy herë në javë, në mbrëmje, flisja me to për parimet e problemet e higjienës. Gjithashtu i informoja dhe i mësoja se si të kujdeseshin për foshnjat.

Si rezultat i këtyre mësimeve, më vunë në dispozicion njërën nga dhomat ku mëngjeseve, dy herë në javë ofroja shërbim mjekësor falas për gratë dhe fëmijët e sëmurë. Për katërmbëdhjetë vjet rresht këtë shërbim e ofrova falas. Kryesia e Sindikatës të Punëtorisë i vlerësonte shumë përpjekjet e mia. Në vitin 1889 kur sindikata u transferua në një ndërtesë të madhe dhe të bollshme në Singel, të quajtur d’Geelvinck, më dhanë menjëherë mundësinë të përdoja për konsulta dhe kurse dy dhoma te mëdha, të mirë ndriçuara. Mirëpo fakti që këto dhoma ishin në katet lart të ndërtesës pengonte që shumë gra të pamundura dhe nënat me fëmijë të sëmurë të ngjiteshin deri atje. Kjo është arsyeja përse vendosa të pranoj një ofertë, që më bëri një vejushë që jetonte në Tichelstraat, ku më vinte në dispozicion dy dhoma për klinikën e të varfërve kundrejt një tarifë të vogël. Me të shkuar atje, marrëdhëniet me Sindikatën u zbehën.

Për katërmbëdhjetë vjet, siç e përmenda edhe më lart, dy herë në javë këshilloja gratë nga të gjitha sferat e jetës. Asnjëherë nuk jam ankuar qe më mungonin  klientët. Shkaku që ndalova me këto konsulta ishte një sëmundje e gjatë, e cila më la pa punë për javë të tëra. Gjatë kësaj kohe vejusha vendosi të jetonte me një nga vajzat e saj, duke na hequr mundësinë e ambienteve të përshtatshme për të rifilluar praktikën.

***

Kur fillova të praktikoj në Amsterdam, po punohej që të krijohej në shoqëri, qëllimi i së cilës do të ishte: ‘zgjimi i jetën politike dhe promovimi i interesave shoqërore’. Emrin ia vunë Bashkimi. Edhe në këtë rast isha e para femër që doja të anëtarësohesha në shoqëri. Madje u desh pak kohë para se të tjerat të ndiqnin shembullin im. Mbledhjet e hapura të shoqërisë Bashkim më dhanë mundësinë që të ndikoja dhe të orientoja të tjerët për shumë çështje të debatuara në shoqëri. Në atë kohëra, njerëzit nuk ishin të mësuar që femrat të merrnin pjesë aktive në mbledhje publike, dhe gazetarët kur raportonin e ndjenin të nevojshme të përmendnin në veçanti praninë time. Vetëm pasi u shpjegova se kjo praktikë më shqetësonte, nuk u morën më me mua.

***

Falë punës (pa pagesë) në Jordan, arrita të njoh e të lidhem me pjesën më të varfër të kryeqytetit. Kur gratë ose fëmijët ishin shumë të sëmurë që të ngriheshin e të vinin për t’u vizituar në klinikë, shkoja dhe i vizitoja në shtëpi. Çfarë mjerimi! Por, në ato kohë, më shumë se varfëria e tmerrshme e familjeve punëtore, më trondisnin kushtet skandaloze të strehimit në lagjet e varfra të qytetit. Si ishte e mundur që njerëzit të jetonin në ato skuta e kthina? Si ishte e mundur që qeveria të lejonte dhe të mos nuk merrte masa kundrejt kushteve denigruese dhe dehumanizuese në të cilat jetonin ata?

Indinjatën dhe keqardhjen time e ndaja me Helen Mercier. E dija që shqetësohej vërtetë për gjendjen e të varfërve. Gjatë kohës që kishte qenë e sëmurë, kjo grua ishte ndërgjegjësuar për problemet shoqërore dhe gjendjen e punëtorisë jashtë vendit, por nuk dinte asgjë për kushtet e tmerrshme të strehimit në qytetin e saj. Rrëfimet e dëshmitë e mia e bënë kureshtare dhe më pyeti nëse mund të më shoqëronte gjatë vizitave në lagjet e punëtorisë, një kërkesë që e plotësova me dëshirë, edhe pse gjithmonë sigurohesha që mikesha ime delikate, të mbetej në balancë fizikisht dhe mendërisht, dhe të mos përballej me doza të mëdha skamje e mjerimi. Vizitat tona në lagjet e varfra e frymëzuan për të shkruar një artikull që u diskutua gjerësisht në ‘Het Sociaal Weekblad’ (E Përjavshmja Sociale). Fakti që kushtet e strehimit në Amsterdam gradualisht u përmirësuan ka të bëjë edhe me kontributin e Hélène Mercier në raportimin dhe denoncimin e realitetit.

Në mars 1881 mora një goditje të rëndë që më paralizoi dëshirën për të punuar dhe përpjekjen për t’u zhvilluar. M’u deshën muaj që të merrja veten.

Papritur humba atin tim të mirë e të mençur. Një hemorragji cerebrale i dha fund jetës së tij në vetëm pak minuta. Nuk do të harroj kurrë se si u ndjeva pranë shtratit të tij të vdekjes. Sa qartë e kuptova se çfarë po humbja me ikjen e tij… Çdo pasdite diskutoja me tim atë për rastet e të sëmurëve që kuroja dhe gjithashtu flisnim e debatonim për lloj lloj çështjesh shoqërore. Nuk pajtohesha gjithmonë me pikëpamjet e tij, por edhe kur pikëpamjet e mia ishin diametralisht të kundërta, i dëgjoja me kënaqësi argumentet e tij. E dija shumë mirë se ai shpesh arsyetonte krejt ndryshe nga unë. Frika se mos futesha në telashe e pengonte që të më forconte bindjet për drejtësi shoqërore. Dashuria dhe kujdesi për fëmijën, se fëmijë kisha mbetur gjithmonë në sytë e tij, e bënte që të ishte shumë i kujdesshëm dhe gjithmonë të parashtronte edhe anën tjetër të medaljes.

Jo, nuk e kam ndjekur gjithmonë këshillën e babait. Por ideja që gjithmonë kisha se ku të drejtohesha në rast hezitimi e dyshimi, duke qenë e ndërgjegjshme që këshilla e tij do të ishte e arsyeshme dhe jo egoiste, më jepte një mbështetje të madhe shpirtërore e morale.

U desh shumë shumë kohë që të mund të pajtohesha me humbjen e tij të pakthyeshme.

Fragment  në shqip – Albana Shala  © Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

____

[1] “Përfitova nga rasti, në sesionin e katërt përmbyllës, që të nderoja femrat që i janë përkushtuar studimit të mjekësisë. Ato u përfaqësuan denjësisht në kongres nga Zonjusha Jacobs. Thashë se është detyrë e mjekeve që t’i mësojnë motrave të tyre ligjet e higjienës dhe detyrat më thelbësore, të cilat ende shpesh neglizhohen. Nuk mund të imagjinohet një formë më e hijshme e shkencës sesa përjetimi i kësaj hebreje të bukur njëzet e pesë vjeçare. Me shumë takt dhe seriozitet ajo ndoqi gjithë takimet dhe gjatë trajtimit të çështjeve delikate mbeti e këndshme dhe e hijshme; në shenjë vlerësimi, Zonjusha Jacobs më dhuroi punën e saj shkencore për lokalizimet cerebrale.”

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin