U bëra kurioz, kur pashë të qarkullonte në rrjet, me përkthimin e R. Çollakut, një “haiku” nga Angelos Siqelianos:
I thashë bajames:
«Më fol rreth zotit».
Dhe çeli lule.
Ndonjë komentues ndërhyri dhe tha se vargjet janë të Kazanxaqis-it, përkthyesi vetë sqaroi se janë të Siqelianos-it por Kazanxaqis-i i ka cituar dhe ndoshta botuar i pari. Një komentues tjetër vërejti se imazhi i bajames që çel lule kur i kërkojnë të flasë për Zotin do të jetë nxjerrë nga ndonjë hagjiografi, pavarësisht nga autorësia specifike e vargjeve.
Një kërkim në Google – në faqet me citate – tregon se me votë popullore, haiku i është atribuuar Kazanxaqis-it: dhe në fakt shfaqet në ndonjë vepër të tij (e verifikova që del te “Report to Greco” dhe si epigraf te “Fratricides”).
Me gjasë, Kazanxaqis-i e sjell në një kontekst ku flitet për Shën Françeskun; çfarë e problematizon citimin jashtë këtij konteksti. Ideja është që “bajamja” do t’i përgjigjej me lule vetëm një shenjti, por jo “unit lirik”. Gjithsesi, rreziku për kitsch nuk mund të nënvlerësohet.
Por më ka ndodhur relativisht shpesh të ndesh në citate – dhe jo vetëm poetike – që i atribuohen gabimisht këtij apo atij autori. Ka shkrimtarë si Borges-i dhe Marques-i, që janë goditur keq nga ky sulm identitar, që gati-gati mund ta quaja “authenticity hacking”.
Keq po abuzohet edhe me Einstein-in: nuk ka mbetur platitude, pa përfunduar në gojën e tij. “Duajeni atdhenë si shqiponja folenë”, Albert Einstein. Dukuria lë shumë të kuptohet, për mënyrën si riprodhohet vetëdija kulturore në rrjet.
Shpjegimi duhet filluar që nga pasioni i disave, për të postuar citate me kuptim moral, didaktik, copëza urtësie sublime, ndonjëherë edhe nga burime mirëfilli fetare. Këto citate kanë nevojë për një gozhdë ku të varen – njëlloj si pikturat në mur. Dhe rolin e gozhdës e luan bukur një emër i njohur, një shenjt laik, një ikonë totale.
Mbaj mend të kem lexuar, para ca kohësh, një ese për “proverbat afrikane” që qarkullojnë në rrjet; autorja shpjegonte se shumë nga këto proverba nuk janë afrikane – dhe se cilësimi u shtohet vetëm për t’u dhënë autenticitet.
Një tregues i falsitetit do të ishte mbiemri “i lashtë”: po t’ju dalë përpara shprehja “proverb i lashtë afrikan”, përpiquni të mos harroni se dikujt i ka hyrë vetja në qejf.
Mirëpo çështja nuk është thjesht filologjike: tek e fundit, misatribuimet autoriale janë aq të vjetra sa edhe tekstet vetë. Çfarë sjell të re Interneti, është kjo ndarje – e butë – mes tekstit dhe autorit; në kuptimin që tekstet dhe autorët (potencialë) lihen të lundrojnë së bashku në të njëjtën supë të vakët, ku pastaj mund të kombinohen përkohësisht, sipas dëshirës.
Dhe këtu mishërohet edhe roli krijues i “sjellësit” të citatit, si ai që kombinon një thënie (një strofë, një aforizëm, një maksimë) me një autor çfarëdo.
Askush nuk i shfleton rrjetet sociale dhe Internetin, në kërkim të autenticitetit. Dhe as në konfirmim të autenticitetit. Autorët “e mëdhenj” – nga Buda te Borges-i, nga Nënë Tereza te Einstein-i, nga Teodor Shkodrani te Dora d’Istria – janë tashmë njëlloj shënjues sa edhe tekstet të cilave u bashkëngjiten.
Të marrim një proverb çfarëdo – jo doemos afrikan dhe aq më pak të lashtë afrikan – p.sh. “njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën”, dhe le t’ia atribuojmë Nënë Terezës. Ashtu të gjithëve do ta na vijnë ndërmend gjestet e Gonxhes, duke u kujdesur për sëmurët në grahmat e fundit.
Por pastaj le të provojmë t’ia atribuojmë Einstein-it, dhe të shijojmë rrëshqitjen e kuptimit, falë kontekstit të përtërirë, ku duart – falë gjeometrisë relativiste, ndërrojnë vend dhe e majta bëhet e djathtë dhe anasjellas.
Ky operacion në thelb semiotik u ngjan marifeteve të tjera që ndesh sot në rrjet – që nga memet, te kolazhet dhe rikuperimet e tjera. Në çdo rast, as teksti, as autorësia nuk kanë aq ndikim në interpretim, sa ç’ka rikombinuesi vetë; i cili ashtu afirmon identitetin e vet, me kusht që t’i besojë me zemër punës që ka bërë.
Kam vënë re se burimi më pak i besueshëm për grimca të tilla urtësie – ose më krijuesi – janë statuset e politikanëve, që duan fort ta mbajnë lidhjen me kulturën. Kjo ndodh, me gjasë, ngaqë martesa e politikanit me kulturën pjell vetëm kitsch, sikurse rrezikon të përftojë kitsch kombinimi tekst-autor, në tenxheren e supës së rrjeteve.
Sa më shumë që zbrazen shpirtërisht, sa më shumë që thahen, sa më shumë që harrojnë t’i relaksojnë muskujt e buzëqeshjeve, sa më shumë që u ikën dita nga një tavolinë në tjetrën, nga një telefon në tjetrin, nga një avion në tjetrin, aq më i fortë e i ftohtë u shpifet ankthi, se mos kanë mbetur mbrapa.
Dhe si ka thënë Einstein-i për ata që kanë mbetur mbrapa?
[…] të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit, sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur
Edhe pse disa, tani vonë, po fillojnë t’ia atribuojnë këtë maratonomakut etiopian, Abebe Bikila, të cilit i ka kënduar edhe Fan Noli.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
(Kopertina) The Rutles – All You Need Is Cash