Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Semiotikë

ËSHTË THJESHT NJË PADREJTËSI

nga Feralbo Mustafa

Nuk më ndodh shpesh, që kur lexoj fjalime, tekste ose qëndrime të ndryshme me natyrë politike, të ndiej nevojën të identifikoj diçka të fshehur përtej fjalëve, të vërtetën e së cilës subkoshienca ime – uni im semiotik – pretendon se e di më mirë se kushdo tjetër dhe lufton që unë të shkruaj mbi këtë. Në shumicën e rasteve njëri nga unit e mi, ai që nuk interesohet shumë për politikë, si shumë të rinj të brezit tim, të cilët tashmë e kanë humbur besimin se mund të ndryshojnë diçka me qëndrimet e tyre, e injoron këtë ndjesi dhe vazhdon të përpunojë çështje të tjera të së përditshmes, por jo gjithmonë ia del. Herë pas here këta të dy arrijnë në kompromisin, që unë të paktën ta çoj nëpër mend këtë temë gjatë gjithë kohës, deri në momentin që kjo kalon dhe pastaj harrohet. Por sot nuk është rasti.

Në fjalimin e fundit që lexova më bëri përshtypje e thëna e pathënë e një të thëne, simbolika që ka në vetvete tërësia e një teksti (statusi në Facebook), mesazhi i mesazhit dhe se si ekzistenca e një mesazhi përbën në vetvete një mesazh të pathënë. Bëhet fjalë për qëndrimin mohues që ka mbajtur S.T. nëpërmjet një statusi në Facebook pas vendimit të GJKKO (Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) për dënimin e tij me 3 vjet e 4 muaj burg.

S.T. njihet prej vitesh në media si fjalëkyçe e përfshirjes së politikës në krimin e organizuar. Shqiptarët e interesuar kanë vite që mbajnë frymën për të dëgjuar verdiktin përfundimtar të gjykatës pas akuzave të shumta për korrupsion dhe krim të organizuar si dhe kërkesës së SPAK për dënimin e tij me të paktën 12 vite burg.

Në një status në Facebook S.T. ka shkruar:

“Ju dua shume te gjitheve! Me vjen keq qe shkoi keshtu. Jam moralisht i qete, nuk kam shkelur kurre ligjin, kam dashuruar cdo dite te punes sime, jam i lumtur qe kam bere detyren sic me mire munda.

Eshte thjeshte PADREJTESI!”

Në këtë shkrim do të argumentoj nëpërmjet mjeteve gjuhësore dhe semiotike, përse audienca (unë + x) evidenton në statusin e mësipërm përpjekje me karakter manipulativ nga ana e autorit dhe është në gjendje të dekodojë më së miri mesazhin e fshehur pas mesazhit.

Në fjalinë e hyrëse “Ju dua shume te gjitheve!” S.T. shpreh empati për personat që e ndjekin në Facebook. Me shumë gjasa, ai përjeton shitposting gjatë gjithë kohës. Kjo gjë është fatkeqësisht normale për një figurë politike me mbi 71000 ndjekës, sidomos për një figurë që ka ndezur kaq shumë debate dhe një emër që nuk është dëgjuar ose lexuar vitet e fundit në një kontekst veçanërisht pozitiv. Ai është i vetëdijshëm për këtë dhe sipas motos “kill them with kindness” “të vrasësh me mirësjellje” përgatit audiencën për të thënë diçka, me të cilën ai e di shumë mirë, që kjo e fundit vështirë se do pajtohet.

Fjalia e dytë “Me vjen keq qe shkoi keshtu.” më ngjason me diçka që thuhet për të kërkuar falje, në një rast kur ti nuk do me të vërtetë të kërkosh falje. Një pseudo-sinonim i përkthimit nga anglishtja “I’m sorry” – “më vjen keq” nuk ka në vetvete ndonjë kumtim që sinjalizon reflektim nga ana e folësit. Në shqip kjo shprehje nënkupton më shumë një gjendje keqardhjeje në një situatë, në të cilën folësi mban një qëndrim më neutral dhe të distancuar nga ajo që ka ndodhur.

S.T. është “viktima” e vendimit të gjykatës, pra pala që humbi gjyqin. Siç duket, ai shpreh keqardhje për mënyrën se si shkoi ky proces, duke e distancuar veten nga faji dhe përgjegjësia, të cilat gjykata ia caktoi nëpërmjet vendimit të saj. Një lëvizje e njohur manipuluese, por jo e vetmja në në këtë qëndrim.

S.T. e thellon edhe më shumë këtë kontradiktë duke i thënë audiencës të kundërtën e asaj, të cilën audienca pret prej tij. Në rrjetet sociale S.T.-së i drejtohen shpesh komente të tipit “turp të kesh” ose thirrje të ngjashme që implikojnë veprime imorale që S.T. mund të kishte kryer gjatë shërbimit të tij, të lidhura me krimin dhe korrupsionin. S.T. është i vetëdijshëm, që pas vendimit të gjykatës ai u ekspozohet më fort komenteve të tilla. Në këtë status, ai i përdor këto thirrje në mënyrë të anasjelltë si një mburojë. Disa sintagma të ngjashme që mund të evidentohen në këtë tekst janë:

“s’duhet të jesh moralisht i qetë” – “jam moralisht i qetë”

“e ke shkelur shumë herë ligjin” – “nuk e kam shkelur kurrë ligjin”

“nuk e ke kryer siç duhet punën tënde” – “e kam dashuruar ç’do ditë të punës sime”

“turp të kesh, që nuk e ke kryer detyrën siç duhet” – “jam i lumtur që kam bërë detyrën siç më mirë munda”

Në fjalinë e fundit “Eshte thjeshte PADREJTESI!” Ai përmbledh qëndrimin e tij ndaj vendimit të gjykatës dhe e etiketon atë me fjalën “padrejtësi”, të shkruar me shkronja kapitale për të tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe për t’i dhënë kësaj fjalie një ton edhe më thirrmor dhe dramatik. Ai akuzohet për shumë padrejtësi, që ka kryer gjatë shërbimit të tij dhe përdor njësoj si më sipër të njëjtin emër për të etiketuar procesin, nëpërmjet së cilit ai vetë u dënua me heqje lirie.

Nëpërmjet këtij mesazhi, S.T. ushtron aftësitë e tij për të manipuluar audiencën. Ai e përshkruan veten si viktimë të një padrejtësie dhe i përdor akuzat e palës kundërshtare (në këtë rast, të gjykatës përkatëse, e cila në thelb përfaqëson interesat e qytetarëve) për ta drejtuar audiencën mbi mënyrën sesi ajo duhet ta gjykojë atë. Ai përdor me qëllim mbiemra dhe folje të ngarkuara me kuptim pozitiv për ta nxitur audiencën, që ta ndërlidhë emrin e tij me veprime pozitive. Kësisoj paradigmash të evidentueshme në këtë tekst janë:

“Ju dua…”, “jam i qetë…”, “kam dashuruar…”, “jam i lumtur…”

Ai e përmbledh qëndrimin e tij me një sintagmë që e kornizon atë si një person që ka kryer vetëm veprime pozitive.

“Një personi të qetë, që i do të tjerët, që dashuron punën dhe është i lumtur po i ndodh një padrejtësi.”

Mesazhi që mund të nxirret nga teksti i S.T. është i qartë. Ai distancohet nga faji dhe përgjegjësia që i është bashkëngjitur nga gjykata. Madje ai i drejtohet audiencës së tij, me fjalët që ai do të donte t’i dëgjonte nga kjo e fundit, “më vjen keq”.

Nëse do isha një person i huaj, i cili nuk ka shumë njohuri mbi skenën dhe ngjarjet politike në Shqipëri (pjesërisht ndihem si i tillë, por jo sot), do ta interpretoja këtë tekst si një thirrje për drejtësi të një personi (publik, për shkak të simbolit blu pranë emrit në Facebook).

Si pasojë e njohurive të përgjithshme dhe kontekstin politik në të cilin ndodhet S.T. sot, ato që Roland Barthes i quan Kode Kulturore (cultural codes), të cilat për hir të së vërtetës kanë të bëjnë me politikën po aq sa kanë të bëjnë me kulturën, ky tekst na paraqet një tjetër nivel kuptimor. Për faktin që, ndër të tjera, sintagma “kjo që po më ndodh, është thjesht një padrejtësi” është shkruar nga S.T., e bën audiencën ta marrë këtë fjali më pak seriozisht, sesa po ta shkruante dikush tjetër, si p.sh. babai i D.H., i cili u qëllua nga policia sepse shkeli orën policore gjatë lockdown-it.

Audienca e di që S.T. më në fund e humbi luftën me gjykatën dhe është me fat, që duhet të vuajë vetëm 3 vjet e 4 muaj dënim nga 12 vite që e prisnin, si pasojë e privilegjeve dhe pushtetit që ka ndërtuar ndër vite. Ky fakt shërben si një çelës për dekodimin e kuptimit të fshehur në këtë status:

Ky qëndrim që S.T. ka mbajtur në Facebook është një britmë false për t’i lënë audiencës të kuptojë që ky e mori dënimin e shumëpritur. Duke e quajtur këtë proces “një padrejtësi”, ai e zhvendos vëmendjen nga padrejtësia e vërtetë në këtë histori: Fakti që ai u dënua shumë më pak sesa do të dënohej një person tjetër në vendin e tij.

Kjo gjë, në analizë të fundit, mund edhe ta bënte publikun ta linte mënjanë pyetjen “A e meriton S.T. dënimin që mori?” dhe ta zëvendësonte me: “Pse S.T. nuk e mori dënimin e duhur?”

(c) 2022 Feralbo Mustafa. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin