Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Semiotikë

KOMPASI DHE BUSULLA

Gjatë një vizite në varrezat e Woodlawn-it, në Bronx, na solli shtegu përpara një mauzoleu të shënjuar me simbolin mason të “skuadrës dhe të kompasit” (square and compasses), me ç’rast nipi ynë, arsyeja dhe frymëzimi i këtij udhëtimi në veriun e largët të New York-ut, pyeti ç’ishte ajo gjëja, për të shtuar pastaj – kur mori përgjigje – se nuk po shihte ndonjë “kompas” atje, dhe aq më pak, “kompase”; sikurse nuk shihte ndonjë “katror” (angl. “square”). Pa folur pastaj për enigmën e masonëve dhe të masonerisë.

Skuadra dhe kompasi janë vegla vizatimi teknik, që i përdorin ndërtuesit – ose më mirë, që i kanë përdorur; skuadrën për të vizatuar drejtëza dhe përftuar kënde të drejta, kompasin për të vizatuar rrathë dhe harqe; por sot fëmijët nuk i njohin, përveçse po t’ua tregojë kush. Nipit, që ende nuk duhet të ketë mbërritur te gjeometria e rrethit në shkollë, rrathët besoj se ia vizaton një aplikacion në iPad; për më tepër, në anglishte fjala compass i referohet më fort busullës, se kompasit. Një libër aventurash nga Philip Pullman, The Golden Compass, mbase ka ndihmuar për popullarizimin e instrumentit gjeografik mes kalamajve në SHBA po aq sa Kapiteni 15-vjeçar i Jules Verne-it për brezin tim në Shqipëri (kujt i kujtohet ende mashtrimi i kuzhinierit Negoró me busullën e balenierës Pilgrim?) – dhe le të përmend edhe se sot çdo telefon celular e ka një magnetometër, për të lexuar fushën magnetike të Tokës.

Shqipfolësi nuk e shquan dot menjëherë lidhjen mes kompasit të gjeometrisë dhe “kompasit” të gjeografisë – meqë këtë të dytin e quan busull. Në anglishte fjalët sot janë gati homonime, edhe pse etimologjikisht të lidhura mes tyre: busulla, si instrument, ka formë rrethore dhe, më tej akoma, anët e horizontit tregohen zakonisht si katër pika në një rreth. Për t’i ngatërruar punët edhe më shumë, kompasin e gjen shpesh të shkruar në shumës, compasses; dukuri e ngjashme me atë që ndodh në shqip me darët e me gërshërët, meqë vegla shihet si dy-pjesëshe a si çift instrumentesh (një palë kompase).

Në lëndën e gjeometrisë na jepnin shpesh “probleme ndërtimi” – të cilat duheshin zgjidhur vetëm me kompas dhe vizore; dhe që mua më tërhiqnin veçanërisht. Edhe vizorja vinte me një magji të fshehtë: me të mund të hiqje vija të drejta, por edhe të matje gjatësinë e diçkaje. Të dyja veglat mund t’i blije rëndom, në kinkaleritë dhe në dyqanet e mjeteve shkollore. Busullën, përkundrazi, nuk e gjeje në treg; ndoshta ngaqë sillte me vete tundimin për t’u arratisur.

Kur im atë pat shkuar dikur në Francë, herët në vitet 1970, i pata kërkuar të më sillte një busull; kërkesë që u komentua me hilaritet nga fisi. Busull? Po ç’të duhet ty busulla?  Kjo dëshirë për busull më vinte prej romaneve që lexoja – përndryshe, vërtet, nuk kisha ndonjë nevojë për ta gjetur veriun magnetik në Tiranë. Atë instrument e lypte udhëtari imagjinar brenda meje, si aksesor të fantazive. Busulla e fëmijërisë më ishte kujtuar pastaj, vite më vonë, kur nipi ynë, pasi pat zbuluar, lexuar dhe rilexuar Harry Potter-in, na kërkoi një fjalor xhepi të latinishtes (!), për habinë e të gjithëve; mezi e kuptuam  se latinishtja i duhej për të kuptuar formulat dhe munxët që i kishin në gojë personazhet e librit. Si gjuhë jo e liturgjisë katolike, por e ritualeve dhe teknikave për magjitë: Finite incantatum! Expelliarmus! Expecto Patronum!

Unë vetë, para se të njihja e të kuptoja simbolin e masonerisë, me skuadër e me kompas, me siguri do të kem parë një simbol të ngjashëm, që përdorej në stemën e Republikës Demokratike Gjermane (RDGJ – e quajtur ndryshe Germania Lindore, një shtet jetëshkurtër, mes viteve 1949 dhe 1990. Te stema zyrtare e këtij shteti kishte një çekan dhe një kompas, të rrethuar me kallëza gruri. Hiq kallëzat e fshatarësisë punonjëse, që i gjeje anembanë heraldikës socialiste në ato vite, çekani thuhej se përfaqësonte punëtorët e fabrikave ndërsa kompasi shtresën e intelektualëve, ose inteligentsia-n.

Më i zakonshmi, në Lindjen socialiste, ishte simboli i draprit dhe çekanit, për të cilin kam shkruar këtu; me origjinë ruse-sovjetike, ai do të përfundonte i adoptuar edhe nga komunistët shqiptarë. Studiuesit e simbologjisë, por edhe ndonjë poet si nobelisti Josip Brodsky (tek “Ikja nga Bizanti”)  kanë vërejtur ngjashmëritë mes çekanit dhe kryqit të krishterë, por edhe mes draprit dhe gjysmëhënës së Islamit. Duke pasur parasysh se çekani sovjetik i stilizuar i ngjan jo pak të ashtuquajturit kryq françeskan, ose Tau-t, pata shkruar atëherë (në 2022-shin) se, “me pak imagjinatë si të Brodsky-t, mund të përfytyrohet Krishterimi si tezë, Islami si antitezë dhe komunizmi si sintezë, që rikthehet te Krishterimi por pasi ka absorbuar trashëgiminë islame – çfarë e konfirmon edhe thirrja për bashkim që i shoqërohet simbolit drapër e çekan (proletarë të të gjitha vendeve, etj.).”

Përndryshe, për t’u shënuar që socialistët në Gjermaninë Lindore patën zgjedhur t’i përfaqësojnë njerëzit e mendjes, në emblemë, nëpërmjet kompasit, një vegël e ndërtuesit, e inxhinierit dhe e arkitektit; dhe jo me librin a me penën, siç veprohej shpesh gjetiu – edhe në Shqipëri. Këto kategori profesionale përdornin, veç kompasit, edhe vegla të tjera të mahnitshme, si vizorja logaritmike, portamina (lapsi mekanik) dhe format për vizatimin e lakoreve (stencils në anglishte, kurbalinja në shqipen profesionale, siç më thotë tani miku G.Ç, me gjasë nga italishtja curvilinea), pantografi; dhe disi më modeste, si niveli me flluskë dhe plumbçja e ustait murator; cili nga ne të atëhershmit nuk kish ëndërruar t’i kishte dhe t’i vinte në punë?

Edhe kur marrin kuptime të reja dhe i lënë pas krahëve kuptimet më të vjetra, simbolet janë pjesë e një kodi të domosdoshëm, për të kuptuar botën; aq më tepër kur këto kuptime i shtohen simbolit më pas, si në rastin e yllit pesëcepësh, të adoptuar nga bolshevikët në Bashkimin Sovjetik, dhe që pastaj erdhi dhe përfaqësoi, nëpërmjet cepave të tij, pesë kontinentet dhe unitetin proletar. Për masonerinë, kompasi simbolizon detyrën e një masoni që t’i mbajë në pasionet dhe dëshirat e veta brenda kufijve moralë – kjo është një detyrë ndaj vetes, ndryshe nga detyrat ndaj të tjerëve që përfaqësohen nga skuadra. Për shkak të një homonimie të anglishtes, kompasi në simbol thuhet se i referohet edhe “busullës së brendshme morale” të anëtarit (“moral inner compass”); por ky përkim metaforik nuk funksionon në gjuhë të tjera.

Nipi ynë do ta kish njohur tashmë busullën nga Harry Potter-i (ku shfaqet një “broom compass”, si aksesor i bishtit të fshesës, që e ndihmon udhëtarin të gjejë se në ç’drejtim është duke u zhvendosur. Hermiona i pat dhuruar Harry-t një “takëm shërbimi për bishtin e fshesës” (Broomstick Servicing Kit) kur ky mbushi 13 vjeç; i cili takëm përmbante edhe një busull. Shoh tani se ekziston, në libër, edhe një magji katër-pikash (“four-point spell”), e cila e bën shkopin magjik të sillet si busull dhe të tregojë veriun. Edhe në Minecraft, një nga fushat kryesore të ekspertizës për nipin hero të kësaj historie, ekzistojnë dhe përdoren busullat, të cilat madje lojtarët mund t’i sajojnë vetë.

Tek e fundit, librat që i lexojnë të gjithë – si romanet e Jules Verne-it për brezin tim dhe Harry Potter-i për disa breza sot, pa harruar His Dark Materials të Philip Pullman-it – ofrojnë një kod të përbashkët, një enciklopedi, që u mundëson pastaj lexuesve jo vetëm ta njohin botën, por edhe të orientohen atje së bashku. U japin lexuesve një busull. Unë një roman të Jules Verne-it nuk do ta ndërroja kurrë me Harry-n; por nuk jam aq naiv, sa t’i gjykoj shijet e mia private si njëherazi më të arsyeshmet. Gjithsesi, një serial televiziv i bazuar në aventurat e Dick Sand-it, kapitenit 15-vjeçar, nuk më duket hiç ide e keqe. Ose një serial në Tetëdhjetë ditë rreth botës, produksion që e përfytyroj bardhezi.

Shkas për këto përsiatje u bë leximi – dhe interpretimi – i simboleve në varret e Woodlawn-it; duke qenë varreza njëherazi edhe një lloj fjalori enciklopedik apo arkivi, për ata që dinë ta vlerësojnë. Dhe jo aq ngaqë atje ruhet e shkuara, por ngaqë atje e shkuara komunikon në mënyrë unike me të tashmen. Ndryshe nga institucionet, varret përfshi këtu edhe mauzoletë janë individuale, e shumta familjare, dhe bashkëndajnë me vizitorin simbolika personale. Të njëjtën ndjesi e përjetoj edhe kur vizitoj varret e prindërve të mi, në Tiranë; qetësia dhe emrat e njohur, që heshtin si libra në raftet e parcelave, më ndihmojnë për ta riorganizuar kujtesën dhe vetë identitetin tim.

(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë