Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

TRI SHQIPE PËR NJË GJUHË

Lexoj te faqja “Gjuha shqipe” për një proces gjyqësor kundër prof. Valter Memishës, i cili “është shpallur fajtor e dënuar për kryerjen e veprës penale (së shpifjes) kundër Qendrës për Edukim dhe Përparim (QEP), me seli në Prishtinë.”

Është lajm që më trishton, sepse e njoh përkushtimin ndaj shqipes të prof. Memishës; por edhe sepse vendimi i gjykatës do të ketë pasoja të pallogaritshme, direkte dhe indirekte, për statusin e shqipes brenda hapësirës elektronike ndërkombëtare.

Prof. Memisha drejton, me cilësinë e sekretarit shkencor, projektin e tanishëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe.

Nuk jam në gjendje të them gjë, lidhur me mosmarrëveshjen e Memishës me QEP-in, një institucion i pavarur, lidhur me Fjalorin, që u bë shkas edhe për këtë proces gjyqësor.

Di që QEP-i, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, kanë punuar mirë për përkthimin në shqip të MS Windows dhe MS Office aq sa përdoruesit e këtyre programeve kanë në dispozicion sot një version të njësuar të ndërfaqes – arritje e jashtëzakonshme. Di edhe që QEP-i, paralelisht me ASSH-në në Tiranë dhe jo në bashkëpunim me të, po punon gjithashtu për një Fjalor të madh të gjuhës shqipe,

pjesë e projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, nisma më e madhe e ndërmarrë ndonjëherë për përparimin e gjuhës shqipe përmes digjitalizimit të saj, ku parashihen edhe dhjetëra zhvillime të tjera si, Morfologjia digjitale e shqipes 2.0, Drejtshkrimori 3.0 për MS Office, Sintaksori 1.0 për MS Office, Sinonimia 1.0 për MS Office etj.

Në njoftimin e tanishëm të faqes Gjuha shqipe, lexoj edhe se:

Përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë, të frymëzuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, kanë bërë veprime konkrete për përçarje kombëtare, duke ndikuar, lejuar dhe miratuar trajtimin e gjuhës shqipe si tri gjuhë të ndryshme zyrtare në platformat e Microsoft-it, që përdoren nëpër institucionet shtetërore e arsimore në Shqipëri. Korporata Microsoft, pa fajin e vet, duke respektuar qëndrimin politik dhe juridik të Shqipërisë, ka lejuar teknikisht dhe juridikisht në platformat e saj softuerike (MS Windows, MS Office etj.) të ketë tri gjuhë shqipe: Albanian AlbaniaAlbanian Kosovo dhe Albanian North Macedonia.

Kjo ndarje e shqipes më tresh nuk mund të përligjet as gjuhësisht as kulturorisht as politikisht, dhe veç dëmton përdoruesit e shqipes, gjuhën shqipe dhe statusin e saj.

Tani që u faktorizua edhe hartimi i Fjalorit të Madh të Shqipes në këtë proces divergjent, më duhet të theksoj se vetë projekti i Fjalorit duhet rishikuar menjëherë, nga një komision i përbashkët akademik dhe ndër-qeveritar. Dhe kjo – për mendimin tim – ngaqë një Fjalor i tillë, ashtu siç është konceptuar në Shqipëri, i përket në thelb një mendësie të shekullit XX dhe sot nuk i duhet kujt me urgjencë (tashmë puna me fjalorët është zhvendosur praktikisht e gjitha online); dhe ngaqë institucionet si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, NUK I KANË veç e veç kapacitetet, për të hartuar një Fjalor që t’u përgjigjet ambicieve të këtij projekti.

Sot përdoruesve të shqipes, në të gjitha nivelet dhe hapësirat, gjeografike dhe kulturore, u duhet një Fjalor i Madh i Shqipes Online, i hartuar mbi një databazë tërësisht elektronike dhe idealisht i shoqëruar me një ballafaqim me anglishten. Nëse Shqipëria garanton ende ekspertizë dhe eksperiencë të shkëlqyer në lëmin e leksikografisë tradicionale dhe të normës leksikore, QEP-i ofron, nga ana e vet, ekspertizë dhe eksperiencë të paçmuar në lëmin e gjuhësisë elektronike. Prandaj vetëm një bashkëpunim total mes ekspertëve në Shqipëri dhe atyre në Kosovë mund të sigurojë cilësinë e nevojshme të Fjalorit, me ndihmën dhe mbështetjen e qeverive përkatëse – të cilat të sigurojnë akses në databazat gjuhësore elektronike ekzistuese (p.sh. arkivat e shtëpive botuese). Fjalori i shqipes online do të krijonte edhe mundësinë për t’u korrigjuar dhe përditësuar dora-dorës, nga një ekip i dedikuar.

Këtë mendim ia kam shprehur, në takime private, edhe autoriteteve akademike në Shqipëri dhe vetë prof. Memishës.

Është fat i mirë për të gjithë ne, që Shqipëria dhe Kosova mund të ofrojnë, në këtë projekt, kapacitete komplementare; por është fat i keq, që deri më sot qeveritë dhe institucionet përkatëse nuk janë marrë vesh mes tyre, për t’i bashkërenduar punët. Vendimi i tanishëm i Gjykatës së Tiranës nuk ndihmon; përkundrazi, rrezikon ta komprometojë krejt projektin, për të cilin do të bëhet një investim publik jo i vogël.

Propozimi im do të ishte:

  1. Të rishikohen menjëherë dhe thellë projekti i ASHSH për Hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe dhe projekti paralel i QEP-it në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës të Republikës së Kosovës, gjithashtu për Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, duke u zhvendosur fokusi drejt ngritjes së fjalorit online dhe në bashkëpunim me një kompani profesioniste të inxhinierisë softuerike (si QEP-i).
  2. Dy qeveritë, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi të nivelit të lartë për këtë projekt kaq të rëndësishëm, duke garantuar edhe mbështetjen e institucioneve dhe të forcave shkencore dhe teknike që do të merren me Fjalorin.
  3. Në vija të trasha dhe në bazë të eksperiencës së deritashme, specialistëve leksikografë në Shqipëri t’u besohet menaxhimi i pjesës mirëfilli gjuhësore e projektit, ndërsa atyre në Kosovë përpunimi kompjuterik i materialit dhe krijimi i databazave.
  4. Qeveritë të bëhen palë në negociatat, me shtëpitë botuese, për t’u lejuar hartuesve të databazave akses në tekstet shqip ekzistues, në format elektronik (si dorëshkrimet e librave të botuar).
  5. Nëpërmjet kanaleve të duhura, qeveritë e tre vendeve – Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut – duhet të pengojnë, me çdo mjet, sanksionimin e tre versioneve fantazmë të shqipes, çfarë do të ishte katastrofë me kosto të mëdha ekonomike dhe kulturore për të gjithë qytetarët e tre vendeve dhe përdoruesit e shqipes anembanë globit.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin