Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

RRËFIMI I ASTROLOGES

nga Castigat

Quhem Lefteri Licaj, por lexuesit dhe ndjekësit e mi në rrjetet letrare më njohin me emrin Astrologe Leticia.

Rubrika ime astrologjike botohet, që prej 12 vjetësh, në mediat kryesore shqip. Emisioni im televiziv javor, “Shtatë kthesat e Kumtrit”, transmetohet në disa televizione kombëtare.

Jam me profesion astrologe, por kjo nuk më bën astronome. Në fakt, nuk kam kuriozitet për qiellin, nuk di të dalloj një planet nga një yll dhe as të identifikoj konstelacionet.

Njoh shenjat astrologjike dhe flas lirshëm për zodiakun në jetën e njeriut.

Si çdo astrolog i denjë, edhe unë përdor rregullisht softuer që më lejon të lexoj hartat yjore të cilitdo prej jush.

Megjithatë, mediat nuk presin prej meje lexime të imta, as kompetencë profesionale, por vetëm tekste me frymë pozitive dhe intriguese, për çdo shenjë, sipas datës përkatëse.

Softueri që përdor më lejon që t’i krijoj këto tekste dhe t’i përdor për horoskopët e mi, edhe pse e di që ata horoskopë nuk kanë lidhje me jetët e juve që i lexoni.

Çfarë gjithnjë më ka dalluar prej kolegëve të mi, është teknika që kam adoptuar për horoskopin. Dhe pikërisht: pasi t’i kem hartuar parashikimet për çdo shenjë, unë i përpunoj ato me një app, i cili i përzien, duke ua këmbyer shenjat.

Për shembull, në qoftë se horoskopi për sot i këshillon të gjithë ata të shenjës të Demit që të bëjnë kujdes dhe të mos ua hapin zemrën personave që sapo kanë njohur, app-i im ia kalon këtë këshillë shenjës së Gaforres ose të Bricjapit.

Një tjetër teknikë, që kam përdorur me sukses, është përshtatja e horoskopëve të vjetër, nga një koleksion integral i revistës italiane Oggi Sposi, të cilën një nip imi e pat blerë, në formë CD-je, te një treg librash të rrallë e të përdorur në Padova.

Kam bindjen se horoskopi i mirë vepron për dikë, në momentin që ky e beson. Kur ti lexon se, si i shenjës së Akrepit që je, duhet të bësh kujdes kur kapërcen rrugën me trafik, pikërisht në atë moment trafiku shndërrohet për ty në rrezik për t’u shmangur.

Kam takuar, dhe jo vetëm një herë, njerëz që, pa e ditur, e kanë ditur gabim datëlindjen e tyre në dokumente dhe që, megjithatë, bënin bé se e kishin verifikuar rregullisht saktësinë e parashikimit astrologjik, dhe jo vetëm nën penën time; edhe para se ta korrigjonin datën, edhe më pas.

Si autore horoskopësh, unë mund të shkruaj në kartë çdo gjë që më shkon në mendje, dhe pastaj t’i kaotizoj ato që shkruaj. Zoti që konfiguron yjet në qiell ma dikton tekstin dhe komandon mbi rastësitë. Fati i atij që më ndjek e më beson lidhet me ato që them unë njëlloj siç lidhet pozicioni i yjeve me fatin tim.

Liria ime për të hartuar një horoskop është e njëjtë me atë të Hënës për t’u rrotulluar apo jo rreth Tokës. Në kuptimin që, kur parashikoj, unë jam edhe Hëna edhe Toka, edhe bashkë edhe veçan.

I shkruaj këto radhë, para se të dal para gjyqit dhe t’i përgjigjem akuzës se kam mashtruar publikun. A do ta kuptojë vallë trupi gjykues, se astrologu është vetëm instrumenti, kanali që përcjell mesazhin e shifruar, tubacioni i dritës së yjeve? Se jeta e një njeriu, e çdo njeriu, jo vetëm pasqyron hartën e qiellit që ka mbi kokë, por edhe e përcakton atë?

Do ta përmbaj veten dhe nuk do ta pyes gjykatësin tim se i ç’shenje është. Por ti që do të më gjykosh mua, mos harro se je krijuesi jo vetëm i horoskopit tënd, por edhe i konstelacioneve që të shohin nga lart.

Unë nuk e di kush flet me fjalët e mia dhe kush shkruan me dorën time; por di që edhe banaliteti më i ulët, që del prej meje, sjell me vete sublimen, si njeriu që bart me vete ajrin që thith.

U kam lexuar yjet edhe VIP-ave, me metodën time. Njëlloj u kam dhënë tekste që i kam marrë poshtë e lart, horoskopë që i kisha selitur për të tjerë, fragmente dorëshkrimesh të harruara dhe tekste të përftuara nga një inteligjencë artificiale. Nuk e ndiej veten në faj, sepse e vërteta e horoskopit është te përdoruesi dhe unë jam paguar vetëm si kanali mistik.

Ata që do të më dënojnë për mashtrim, do të duhej të shkoqitnin e të ndanin më parë realitetin nga e vërteta. Përndryshe, njëlloj do të duhej të dënonin konstelacionet dhe dorën që i ka renditur në qiell, për ne që t’i shohim.

Dhe që të na shohin edhe kur ne bëjmë sikur nuk i shohim.

E kam të qartë se, edhe te ky rrëfim imi i tanishëm, disa prej jush do të lexojnë të ardhmen e tyre, siç lexoj unë atje të ardhmen e rruzullimit, tani që nuk do të mund të lexoj më hartat e yjeve.

Uroj që, pasi të kem shlyer shpenzimet e gjyqit, të më mbeten aq pará në bankë, sa të blej një teleskop dhe ta montoj në ballkonin e shtëpisë sime në shpinë të qytetit.

Ashtu do të mund t’u bëj të paktën horoskopin yjeve.

© 2022 Castigat & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin