Shtresa e leksikut fetar në “Fjalorin e gjuhës shqipe” të A. Xhuvanit
nga Teuta Toska
Gjatë procesit të përkthimit më të fundit të Biblës në shqip nga gjuhët e origjinalit (Versioni Bibla PRO) me drejtuesin dhe koordinatorin e këtij projekti, Beni Pango, lindi edhe interesi për shtresën e leksikut fetar të “Fjalorit të Gjuhës Shqipe” të Aleksandër Xhuvanit, botuar për herë të parë i plotë në 2020. Duke diskutuar për përkthimin e tri fjalëve të greqishtes biblike të një fushe leksikore me objekte ndriçuese të kohës së Dhiatës së Re[1] (nga shek.1 p.K deri 1 m.K), ai u interesua të dinte nëse Xhuvani e kishte fjalën “llambadhë” në fjalorin e vet. Me rastin e konferencës shkencore për kontributin e prof.A.Xhuvanit në leksikografinë shqipe[2], organizuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në bashkëpunim me Universitetin e Elbasanit në dhjetor 2021, unë po kërkoja në fjalësin e këtij fjalori veçanërisht shtresën e leksikut fetar dhe për këtë u zgjua edhe interesi i përkthyesit.
Në fjalor gjeta një fjalë tjetër në shqipe, edhe pse krejt e rrallë, fjalë që i shtohet fondit të leksikut historik, dhe në rastin e përkthimeve biblike ajo, kushedi, mund të ketë shansin të hyjë në përdorim: luqerë. Xhuvani jep gjegjësen e saj në greqisht, që është λύχνος [lihnos], gjegjësen në italisht, “lambade” dhe se ku e ka gjetur – te Buzuku. Për të ndihmuar grupin e përkthimit, i premtova se do t’ia vë në dispozicion të gjithë listën e gjetjeve të mia nga Fjalori i Xhuvanit.
A. Xhuvani duket se kishte punuar gjithë jetën e vet (që sa kish nisur të merrej me shkollën dhe gjuhën) për hartimin e një fjalori sipas shembullit të fjalorit të Konstantin Kristoforidhit, të cilin ai e njihte shumë mirë, për shkak se e transkriptoi[3], e përpunoi dhe e botoi në shqip në vitin 1961. Lënda gjuhësore mund t’i takojë një periudhe 60-vjeçare[4], dhe nisi të botohej 10 vjet pas vdekjes së profesorit. Falë punës së dy gjuhëtarëve dhe studiuesve aq të zot, prof. Mahir Domi dhe Qemal Haxhihasani, nga viti 1971 deri në 1990 u botuan pjesë nga fjalësi i këtij fjalori në 54 numra të revistës shkencore Studime Filologjike[5] në rubrikën “Materiale dhe dokumente”.
Fjalori nuk ishte një vepër e përfunduar, dhe pikërisht për këtë unë e hulumtova me shumë kureshtje dhe dëshirë, emocione jo aq të zakonshme në kërkimin shkencor, për të kuptuar se si ishte regjistruar mirë e bukur një shqipe që i kishte shpëtuar darës ideologjike të shkencës shqiptare, veçanërisht në leksikografi, darë të cilat ishin bërë edhe më të forta pas vdekjes së Xhuvanit. Me gjithë arritjet e periudhës së diktaturës, leksiku i shqipes iu nënshtrua një spastrimi e “pasurimi” të diktuar institucionalisht. Kërkimi im u bë më i ethshëm edhe pasi u sigurova nga puna e përgatitëses së këtij fjalori se në shumë raste shembujt “janë cunguar, veçanërisht nga censura e kohës kur është bërë botimi”[6] – M. Domi dhe Q. Haxhihasani, studiues ndër më të mirët e gjuhësisë shqiptare, ishin të detyruar të vepronin brenda skemave epistemike e ideologjike të kohës.
Pikërisht fakti që ishte një vepër e papërfunduar, e mbledhur drejtpërdrejt nga terreni, pa asnjë përpunim nga dora e profesionistit, e bëri për mua edhe më tërheqës këtë fjalor. Vepra të tilla të papërfunduara e përfshijnë edhe më fort atë që i lexon, i studion, kërkon, për shkak të materies së saj ende të paformë, edhe që pret të përvijojë një trajtë sipas interesit e kureshtjes së atij që e ka në dorë. Ideja se ky fjalor pasqyronte një shqipe pak përpara kohës së fuqizimit të autoritetit normëzues me krijimin e standardit dhe përhapjen e tij masive në aq shumë sfera të komunikimit publik dhe jo vetëm, më nxitën të bëj diçka që zakonisht nuk ndodh me një fjalor: ta lexoja atë si një libër që do të më tregonte shqipen si ishte.
Interesi im i parë për këtë fjalor (të cilit dua t’i kthehem sërish për kërkime të tjera) ishte të lexoja shqipen e leksikut fetar përpara ndalimit të fesë në vitin 1967. Pushteti komunist jo vetëm ndaloi veprimtarinë fetare, sanksionoi me ligj ateizmin, shembi ose denatyroi funksionin e godinave fetare, por ushtroi të njëjtën dhunë edhe mbi gjuhën. Si ishte shqipja para kësaj periudhe? Si ishte tingulli i fjalive me urime shpirtërore dhe mallkime me autoritet hyjnor? Sa kishin arritur të hynin në leksikun e popullit fjalët e lëvruara të përkthimeve fetare që nga Buzuku dhe sa fjalë të leksikut popullor ishin terminologjizuar në terma fetarë prej përkthyesve, lëvruesve historikë të shqipes së shkruar? Sa janë ende sot të gjalla në shqipen e përditshme dhe të diskursit fetar termat e këtij fjalori dhe të kësaj gjuhe të humbur prej dhunës së një sistemi të sofistikuar ideologjik?
Për të evidentuar fjalët e kësaj shtrese, kërkimi u bë në të gjithë fjalorin, duke synuar vjeljen e një lënde sa më të gjerë gjuhësore. Gjatë kërkimit mbajta parasysh se lënda e fjalorit ka për mua një përmasë historike të dyfishtë – së pari, leksiku është mbledhur në dhjetëvjeçarët e gjysmës së parë të shekullit XX, para ndalimit të fesë në Shqipëri, së dyti, është botuar para viteve të ndryshimeve politike, që sollën sërish lirinë shpirtërore te shqiptarët. Për shkak të ndryshimit të qenësishëm që pësoi shoqëria shqiptare në raportin me fenë, mund të mos ishte fort i qartë dallimi i termit fetar. Lënda e gjerë do të më jepte mundësi për të tëharrur më vonë një listë termash të mirëfilltë, që i takojnë a mund t’i kenë takuar realitetit fetar në shqipe.
Në fund të këtij procesi kërkimor, lista përfshiu 242 terma, në pjesën më të madhe fjalë dhe mes tyre edhe një grup fjalësh, në të cilat në shembuj shfaqen shprehje me përmbajtje fetare. Sigurisht kjo shifër në realitet është edhe më e gjerë dhe kërkon edhe një vjelje tjetër, më përfshirëse dhe më të gjerë, për shkak se shumë terma që janë në shembujt ilustrues nuk shfaqen si lema më vete, si: Bajram, Pashkë, Kërshëndella etj.
Më konkretisht, kam vlerësuar si fjalë të leksikut fetar fjalë që shënojnë koncepte të realitetit fetar, por edhe shpirtëror, duke e përdorur “shpirtëroren” këtu për të shënuar realitete përtej fizikes, natyrores, realitete feje politeiste, që shfaqen me rudimente të tyre në besëtytni ose koncepte pagane të botës shqiptare. “Shpirtërorja” kështu është parë më e gjerë, duke përfshirë në të edhe fjalë që mund të shënojnë realitete universale, që lidhen me jetën dhe ekzistencën njerëzore në raport me të padukshmen, të përtejmen, të përhershmen, si edhe vdekjen, si përmasë e kalimit nga një botë në tjetrën.
- Kështu janë të leksikut fetar ato fjalë që shënojnë jo vetëm koncepte që dalin nga teksti i shenjtë, por edhe të jetës së përshpirtshme, koncepteve të së përtejmes, të jetës dhe praktikës së feve të ndryshme në Shqipëri. Këtu përfshihen edhe fjalë, por edhe kuptime fjalësh, si për shembull: agjinúeshëm, amshuesh/ëm (i), besim, besimtar, djall, engjëll, famull, kushtim, betim, meshtar, mëshiriersh/ëm (i), myslimanëri, pagëzim, vetëmlindur (i, e), shenjt,-i etj. Këto fjalë janë feja në shpirtin e një populli. Kanë jetuar dhe ndryshuar prej qindra vitesh në gojët e këtij populli dhe ngaqë janë regjistruar prej Xhuvanit edhe në variantet e tyre historike, të japin ndjesinë e një udhëtimi shpirtëror në kohë, si nëpër kohën e tekstit të shenjtë.
- I kam kërkuar koncepte të tilla te fjalë që janë vjelë nga Xhuvani prej Buzukut, Bogdanit, Budit, G.Gjirokastritit (në fakt, përkthimit të Vangjel Meksit dhe redaktimit të Grigorit), Kristoforidhit, por edhe nga Anonimi i Elbasanit dhe Fan Noli, dhe ku në mënyrë të qartë Xhuvani ka vendosur adresën e vargut biblik (veçanërisht kur citon Kristoforidhin, Buzukun, Gjirokastritin). Bëhet fjalë sigurisht për terma të një gjuhe të lëvruar, fjalë të krijuara prej përkthyesve, që sipas Xhuvanit duhet të shtrihen në përdorim, kryesisht edhe për zëvendësimin e fjalëve të huaja. Për shembull çlironjës,- i për Shëlbyes; çpërnderim,-i për Shnderim; drejtëri,-a [edhe drejtëni,-a] për të qenët i drejtë; dëlirni,-a dhunëtij/ë,-a dhurëti,-a, hieruarshim, hiesuem (i), sipërmi (i) (për Zotin) etj.
- Ndonjëherë në këto lema dhe citime mund të jenë përfshirë edhe fjalë, jo vetëm terma, mirëpo i kam veçuar si lëndë gjuhësore, për shkak se mund të bëhen fare mirë pjesë e tekstit fetar në të ardhmen (dhe jo vetëm atij). Si edhe nga shembulli i diskutimit që u prezantua në hyrje të këtij shkrimi, duke qenë se Xhuvani ka vjelë fjalët nga përkthimet fetare, ky fjalor i shërben shumë edhe përkthimeve të reja të shqipes nga Bibla, për të rivlerësuar dhe rifutur në përdorim zgjedhjet e përkthyesve të dikurshëm. Ja disa shembuj: erator/e,-ja (lopata e drithit) (K. Kristoforidhi, T. Isaïa, 30, 24); gropësi,-a mëngjesëm (i), përdorur te Të dalëtë 14, 24; kordhëz,-A f. Psalti XXXIII 3 (Lavduroni Zotinë me qitharë, psallni ati me psallter me dhetë kordhëza. KK); kullotës,-i Bariu (Anonimi, T. Luka 8,34) etj.
- Fjalë që i përkasin botës mitologjike shqiptare, që shënojnë realitete të së përtejmes, paganizëm dhe besëtytni, si: hukat/ë,-a – Të kënduarit a të fryrët e një të sëmuri (në kohën e mëparshme); be,- ja – 1. Baj be për bukën etj.; kukudh,-i – Figura e mitologjisë sonë; it. Pestilenza; lumëz,-t – Qenje fantastike e demonologjisë popullore, xhint; lidhuna,-t (të) – Magjitë e të lidhunat (Budi, 63); lëpardh/ë,-a., lëpardha,-t – Dy ditë para ditës së verës çdo mbramje ndizen lëpardha, d.m.th. kashtë e thatë e vume tubë në dru të çame, ndizet edhe ecet me të; Grue avullore – grue magjistare, që ka syrin të keq, që mund të bëjë keq (Mirditë); ave,-(e)ja – Lakmi, sy i keq; pafolurë (të) – Ujë të pafolurë; shkalem – Sipas bestytnisë shuplakem, shitohem (prej hijeve etj.).
- I kemi mbledhur si lema më vete edhe variantet fonetike të një fjale, të cilat Xhuvani i ka mbledhur në skeda më vete dhe përgatitësja, për ta dhënë në mënyrë sa më besnike punën leksikografike të tij, i ka paraqitur po ashtu në fjalor. Kanë pasur interes për mua edhe për shkak se materiali leksikor që i shoqëron shfaq nuanca kuptimore dhe madje shembuj ilustrues me përmbajtje fetare, për shembull: fëjej fk., pj. fëjyem. Gaboj (Buzuku). fëlej fk. 1. Shaj, fryj: pse më fëlen (Çamëri). 2. Bëj faj, fëjej; ç’i kisha fëlier perëndisë fëjyer (nga fëlej, fëjen); sh. edhe fëjej. Ose ndëjyej fk.: Me ndëjye (falë, ndie) anëmiqtë (Budi), nga lat. Indulgere; ndjej fk. Ia fal gabimin, fajin: … më ndjeftë sa mëni e kam marrë etj.
- Fjalë që lidhen me tradita fetare popullore të zhvilluara ndër shqiptarë, të cilat Xhuvani i quan në shpjegimet e veta në skeda si të “besimit popullor”. Këto fjalë janë shumë interesante sot, sepse ndërthuren në to elemente të etnologjisë, antropologjisë dhe të teologjisë, përkthime të koncepteve që lidhen me objekte të ritualit fetar, sende, veshje, praktika, që janë zhvilluar në mënyrë të përveçme në botën shqiptare, si rasti i buzmit, por edhe qipull,-i (Figurë e besimit popullor, që përfytyrohej si xhind); be,- ja f. 1. Baj be për bukën, etj. Dërtoj – 2. Pagëzoj si nun (Shpat); kisht-kisht. Kur u kërcen ujët a tjetër gjë fëmisë, i thonë kisht-kisht (ndoshta nga Krisht thotë Xhuvani); palare,-ja f. 5. Limba me gurë që çonin dikur në kishë ortodoksit për ndjesë “të të vdekurit” (për të ndarë); preftoj fk. Mallëkoj, nëm (Kosovë).
Nga leximi i kësaj shtrese të fjalësit të mbledhur nga Xhuvani shqipja para vitit 1967 është gjuha e një populli me Bajram, Pashkë, Kërshëndella, por që vijon të jetojë një besim të lashtë pagan, veçanërisht përballë vdekjes, natyrës së panjohur dhe natës. Është gjuha e një besimi popullor, por edhe një gjuhë e përshpirtshme, që ka nisur të lëvrohet “çfaqurazi” bukur. Shqipja është një botë ku është i pranishëm një Perëndi “që dikon bekimet e veta mbi njerëzit” si shiu, bekime që vijnë nga lart, sepse Ai është i “Sipërmi”, që fal dhe dhuron, me besimtarin që falet, pra që e merr atë që pret nga procesi ndërkohë që e kryen (merr faljen ndërsa falet), që uron duke u lutur, që i rrëfehet[7] të afërmit të tij, mikut, vëllamit, sikur të ishte ky kleriku. Një botë ku Zoti është ai që e nderon njeriun dhe ku nderi është dhuratë prej së larti. Por një botë edhe me një prani aq të madhe të së keqes së përtejme: të djallit, që i shfaqet shqiptarit gjithandej dhe me forma të ndryshme (me emrat e tij të ndryshëm, si djall, kec, larkëtej, naspjes, i paqen/ë, i papjesi, shnjall/ë,-i, shejtani, dreqi), dhe të vendit të dënimit a pushimit të përtejmë dhe të përjetshëm (gérromi, kalosi, xhehenem, edhe kolas, ferri; por edhe për parajsën, lajsimi, xheneti).
Në fund të kërkimit tim të parë, mendoj se mund të mos e kem aq të plotë sigurinë e përgjigjes së pyetjeve të fillimit, për shkak se Xhuvani nuk i përshkruan fjalët sipas përdorimeve të tyre themelore/kryesore, por sipas kuptimit të posaçëm, që i ka tërhequr vëmendjen. Por, nga ana tjetër, për shkak se kemi këtu jo vetëm fjalë e kuptime, por edhe shprehje të atij diskursi, “ku zbulohet jeta e fjalës në përdorime të shumta në ligjërime të folura (sidomos në të folmet dialektore e krahinore, qytetëse e fshatëse)[8]”, unë e di se mund ta marr një shije thuajse të plotë të atij ligjërimi përmes këtij fjalori, i cili edhe për shkak të historisë së përveçme të feve në Shqipëri bëhet dëshmi dhe njëherësh i nevojshëm për përkthyesit, të cilët mund të shpluhurosin fjalën e bukur të perëndishme dhe shpirtërore.
(c) 2022 Teuta Toska. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Imazhi në kopertinë: Aleksandër Xhuvani dhe Eqrem Çabej.
[1] Fjalët janë: λύχνος [lihnos] = llambë; λαμπάδας [labadhas] = kandil; φανός [fanos] = pishtar.
Për fjalën e parë kemi vargun nga Mateu 5:15 – “Po ashtu nuk ndizet një qiri (λύχνος [lihnos]) për ta vënë nën babune, por për ta vënë mbi shandan, dhe t’u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi.”
Për fjalën e dytë e kemi te Mateu 25:1 – “Atëherë mbretëria e qiejve do t’u ngjajë dhjetë virgjëreshave, të cilat i morën llambat (λαμπάδας [labadas]) e tyre, dhe i dolën para dhëndrit.”
Këtë të fundit φανός [fanos], e ka “fener”, i vetmi rast i përdorur të Gjoni 18:3 – “Atëherë Juda mori një grup ushtarësh dhe rojat e dërguara nga krerët e priftërinjve dhe nga farisenjtë, erdhi atje me fenerë, pishtarë dhe me armë.” Të gjitha vargjet nga Bibla e Studimit, përkthimi i Albanian Bible Society, Tiranë, 2009.
[2] Konferenca u mbajt në Universitetin e Elbasanit më 3 dhjetor 2021.
[3] Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë e i Filologjisë, “Fjalor shqip-greqisht prej Konstandin Kristoforidhit”, hartuar së pari me alfabet greqisht dhe botuar në Athinë më 1904 – transkriptuar tani me alfabet shqip dhe përpunuar prej prof. Aleksandër Xhuvanit, printuar në Çekosllovaki, 1961 (gjithçka e shkruar sipas frontespicit, shënimi im TT).
[4] “…A.Xhuvani sendërton një punë misionare dhjetëravjeçare, të cilën ai e kishte filluar që në rininë e vet dhe që vazhdoi gati-gati derisa u largua nga jeta në nëntor 1961...”, nga Fjalë Përcjellëse “Aleksandër Xhuvani, Fjalor i gjuhës shqipe”, përgatitur nga prof.dr. Valter Memisha, f.II-III, tek A.Xhuvani, “Fjalori i gjuhës shqipe”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2020.
[5] Fjalori atë kohë nuk u botua i plotë dhe të gjitha ndryshimet mes botimit të parë në pjesë dhe këtij botimi të plotë janë te Parathënia e Engjëllushe Karajt, përgatitëses së këtij fjalori (f.VII-XXI).
[6] A.Xhuvani, “Fjalori i gjuhës shqipe”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, parathënia e Engjëllushe Karaj, f.XI. Nga 4 shembuj që ka dhënë 3 lidhen me censurën e fjalëve Perëndi, Zot, bekim.
[7] nunërohem fm. Rrëfehem, nunosem; flas me zë të ulët me një tjetër, u nunëruan bashkë, folën ngadalë si tek nuni.
[8] Nga Fjalë Përcjellëse “Aleksandër Xhuvani, Fjalor i gjuhës shqipe”, përgatitur nga prof.dr. Valter Memisha, f.II, nga A.Xhuvani, “Fjalori i gjuhës shqipe”, vep.cit.