Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Letërsi / Lexim

MEMUARI – PËRSIATJE TEORIKE (II)

Sa përgjegjësi mban autori, për vërtetësinë e fakteve që sjell në memuar? Pyetja duhet gjykuar në raport me pavarësinë (sado relative) që ka autori i një teksti fiksional, nga çfarë ndodh ose thuhet në botën narrative përkatëse – sa kohë që kjo e dyta ka mëvetësi, ndaj botës sonë, ose botës që autori e ndan me lexuesin, si subjekte dhe si qytetarë.

Tani, lexuesi që nuk e vret shumë mendjen për sofistikime teorike, do ta konsiderojë autorin e memuarit – që është atje edhe personazh – si të pandashëm nga personi përkatës; ky i fundit ekziston, si me thënë, edhe atje edhe këtu, duke i vënë të dy botët në kontakt të pandërmjetëm.

Dhe nuk mund ta bësh lexuesin me faj, për këtë rrugë të shkurtër; sikur autori i memuarit të pranojë atje se ka kryer dikur një krim, atëherë policia ka të drejtë, në parim, që të hetojë; sepse një memuar mund të përmbajë vërtet elemente fiksionale, por gjithnjë ngrihet mbi parimin – e heshtur – se i referohet së njëjtës bote me tonën. Madje kjo edhe do ta dallonte prerazi memuarin nga fiksioni.

Në këtë kontekst, lexuesi do të kish edhe një farë të drejte që së paku të intrigohej, në qoftë se bota e rrëfyer në memuar nuk përkon me botën që ka ai si lexues të regjistruar në kujtesë: për shembull, në qoftë se lexon në memuar për një takim të protagonistit me një mik të vetin te statuja e Stalinit në qendër të Tiranës; sa kohë që ky lexues është rritur me statujën e Skënderbeut, jo të Stalinit, në qendër.

Kush lajthit dhe kush ka të drejtë këtu? Kjo varet nga viti kur është bërë takimi: autori i memuarit mund t’i referohet periudhës kur në qendër të Tiranës ngrihej akoma statuja e Stalinit, ose para vitit 1968, kur këtë e zëvendësoi monumenti i Skënderbeut. Lexuesi, nga ana e vet, nëse ka lindur pas vitit 1968, mbase nuk e di që monumenti i Skënderbeut, me të cilin ai është mësuar, është vendosur atje në vitin 1968; dhe do të kujtojë se autori e ka gabim.

Gabime të tilla, ose pamendje siç i kam quajtur gjetiu, nuk ngrenë shumë peshë, përveçse që i shërbejnë paktit të besueshmërisë mes tekstit (autorit) dhe lexuesit; por e dëmtojnë integritetin e një memuari më shumë se ç’dëmtojnë integritetin e një vepre fiksionale. Që këtej edhe nevoja për fact checkers, që përmenda më lart.

Por një tekst me karakteristika të memuarit mund të largohet nga e vërteta historike dhe të zhvillohet sipas linjash narrative fiksionale pa u diskredituar në sytë e lexuesit – mjaft që të ruhet vetëdija e zhanrit, ose lexuesi ta ketë të qartë se çfarë lloj teksti po lexon.

Për shembull, Kronikë në gur e Kadaresë është quajtur roman dhe jo memuar, megjithë elementet narrative të panumërta me natyrë memuaristike – që nga Gjirokastra e fëmijërisë së autorit, te Lufta II Botërore dhe hyrje-daljet e ushtrive të ndryshme në qytet. Është vënë në dukje edhe se disa nga personazhet e përmendura me emër në roman, nga Dino Çiçoja te Aqif Kashahu, përkojnë me banorë realë të qytetit, gjatë viteve të Luftës II Botërore. Edhe struktura narrative e tekstit, me fëmijën që tregon në vetë të parë, por me zë të amplifikuar nga ai i të rriturit që shkruan nga e sotmja, përkon me atë të memuarit.

Megjithatë, autori e ka shkruar dhe botuar Kronikë në gur si roman, në kuptimin që elementet jo-fiksionale – të cilat nuk mungojnë në asnjë tekst fiksional – thjesht ndërtojnë kontekstin historik të një narrative përndryshe të trilluar.

Edhe këtu mund të jetë ngritur ndonjë dhe të ketë pyetur sa “të vërteta” janë ngjarjet që tregohen në roman; siç janë ngritur ata që e kritikuan Kadarenë se “e kish nxirë realitetin”, çfarë do të thotë, në thelb, se pat shkruar “të pavërteta” për Gjirokastrën në kohën e luftës. Këto kritika erdhën nga disa anë; deri edhe Arshi Pipa shkroi, për romanin, me këto tone, për ta nxjerrë Kronikë në gur si dëshmi të herezisë ideologjike të Kadaresë.

Këtë sëmundje – le ta quajmë foshnjore – në qasjen ndaj një vepre narrative, do t’ia faturojmë një lloj pritjeje realiste naive, nga ana e lexuesit, për veprën e artit; e cila duhet ta rrëfejë botën “ashtu siç është”. Një pritje që përligjet, në rastin e një memuari, por që tradhton së paku keqkuptim, kur shtrihet edhe mbi veprat fiksionale.

Po çfarë të thotë lexuesi, kur konstaton se një memuar nuk i përgjigjet realitetit, ashtu siç e njeh lexuesi; dhe se atje, për shembull, statuja e Stalinit vazhdon të mbetet në qendër të Tiranës, edhe në vitet 1970?

(Shembullin e statujës nuk e kam marrë nga ndonjë memoir ekzistues, por e kam sajuar unë vetë si ilustrim.)

A ka të drejtë ta konsiderojë autorin e memuarit si jo-të-besuar, ose edhe më keq, si manipulues nëpërmjet të pavërtetave; apo duhet t’ia lexojë lajthitjet si momente fiksionale, brenda një teksti në vija të trasha jo-fiksional?

A mund të mendojë se këto lajthitje autori i ka bërë me qëllim, ose për t’ia rritur vlerën letrare-eseistike tekstit; apo duhet të tregohet zemërgjerë dhe të thotë se autori ka bërë aq sa ka ditur, dhe se nuk mund të qortohet, pse i funksionon keq kujtesa?

Nga ana tjetër, kur i vihen në dukje këto pasaktësi, a ka të drejtë morale autori që të shpjegojë se teksti deri më tash i prezantuar si memuar, është në fakt roman?

Janë pyetje që nuk u përgjigjet njeriu dot, pa sjellë në diskutim argumentin e synimeve të autorit.

Në letërsi, synimet e autorit i kemi kërkuar me pyetjen famëkeqe “çfarë ka dashur të thotë autori me…?”, e cila pranohet tashmë se e vendos komentin dhe interpretimin letrar mbi një bazë të rrejshme.

Megjithatë, autori i një memuari nuk është i mbyllur në tekst dhe as thjesht kategori tekstuale – sa kohë që shërben si hallka që e lidh memuarin me botën reale, duke qenë person(azh) edhe atje, edhe këtu. Madje kjo është edhe premisa, mbi të cilën verifikojmë vërtetësinë e atyre që thuhen në tekst.

Ky autor i afrohet shumë njërit prej përkufizimeve që i ka dhënë autorit Foucault-i, si subjekti formalisht përgjegjës për çfarë thuhet në tekst.

Madje vetë botimi i një memuari është pjesë e biografisë së autorit ndryshe nga ç’mund të ishte, bie fjala, botimi i një romani; sepse memuari i referohet një jete të jetuar dhe, me gjasë, e rishkruan pjesë të saj për lexuesin, por më parë mbase edhe për autorin vetë.

Synimet që kërkon të arrijë autori me memuarin e vet – të përshkruajë një transformim, të rrëfejë një sekret, të ndreqë një pasaktësi ose shpifje, të shpëtojë shpirtin e kushedi ç’tjetër – lidhen edhe me natyrën e rrenave që mund të perceptojë lexuesi në memuar.

Për shembull, në memuaret e veta si Titistët, Hrushovianët, Kur lindi partia, etj., Enver Hoxha kombinon të vërteta dhe të pavërteta, për të përshkruar momente të biografisë së tij politike, por në mënyrë të tillë që të përligjin të gjitha vendimet e tij politike, si udhëheqës i PPSH-së dhe i shtetit totalitar. Synimi i tij, si autor i këtyre veprave, është që t’i tregojë lexuesit se ka pasur gjithnjë të drejtë – çfarë u jep memuareve natyrë paranoide.

Paranoja është njëfarësoj e kundërta e rrëfimit të fajit; sepse memuari paranoid vjen edhe si gjyq – a posteriori, shumë a posteriori – i konflikteve historike. Por të dy herët bëhet fjalë për rishikime e rishqyrtime të moralitetit të një konflikti interpersonal.

Ka edhe memuare ku konflikti që rrëfehet është i brendshëm për rrëfimtarin; për shembull, kur dikush tregon si e patën gënjyer kur ishte fëmijë dhe si pastaj filloi ta zbulojë të vërtetën, dora-dorës, nëpërmjet një procesi po aq të dhimbshëm sa edhe heqja e garzave nga një plagë e malcuar.

Ose kur dikush tjetër rrëfen betejën që ka bërë për t’u çliruar nga një adiksion i drogës ose nga ndikimi skllavërues i një kulti, i një feje ose i një ideologjie.

Por në të gjitha këto raste, memuari asociohet me një intensitet të lartë të preokupimit moral, sa kohë që autori haptazi synon të arrijë të mirën, duke luftuar me të keqen. Është pikërisht ky intensitet moral që e bën lexuesin veçanërisht të lëndueshëm ndaj gënjeshtrës dhe të vëmendshëm ndaj besueshmërisë së tekstit.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

MEMUARI – PËRSIATJE TEORIKE (I)

FICTION NË MEMOIR

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin