Shtëpia botuese Allen Lane, ku u botua për herë të parë Free i Lea Ypit, e quan këtë libër memoir:
Free is an engrossing memoir of coming of age amid political upheaval.
Edhe uebsajti i shtëpisë botuese W.W. Norton & Company, e quan librin memoir:
A reflection on “freedom” in a dramatic, beautifully written memoir of the end of Communism in the Balkans.
Ashtu quhet libri, memoir, edhe në Amazon, në Barnes & Noble, në gazetën The Guardian, në sajtin Goodreads dhe kudo gjetiu.
Për memoir si zhanër letrar gjen shumë përkufizime, por nuk dyshon kush se është narrativë e llojit non-fiction.
Janë vënë në dukje edhe marrëdhëniet e memoir-it me biografinë (dhe autobiografinë), sërish si lloje të letërsisë non-fiction.
Çuditërisht, i njëjti libër tashmë i përkthyer në shqip, iu prezantua lexuesit si “roman”.
Kështu e quajtën, roman, ABC News, Bukinist, Lapsi, Shtëpia e librit, Dosja, KultPlus (“gjysmë-roman autobiografik”), Gazeta Express, Tirana Book, Tema dhe shumë media të tjera, madje edhe në prani të autores, e cila këtë kategorizim nuk e ka kundërshtuar, por në rastin më të mirë e ka relativizuar.
Kjo, edhe pse në faqen zyrtare të Botimeve Dudaj, entit botues që e ka nxjerrë librin, ky paraqitet si i gjinisë “kujtime fëmijërie, rrëfime vetjake”.
Tani, një vepër letrare nuk mund të jetë njëkohësisht edhe memoir, edhe roman, përveçse po të jetë fjala për një roman që ka formën tekstore të një memoir-i (p.sh. “Kujtimet e një geishe”, nga Arthur Golden).
Kjo, sepse memoir-i dhe romani vendosin marrëdhënie të ndryshme me të vërtetën historike: rrëfimi në memoir pretendon vërtetësi faktike, ndërsa në roman jo; në kuptimin që një memoir i vendos ngjarjet në të njëjtën botë me atë ku jeton lexuesi, ndërsa një roman nuk mund të jetë i tillë, pa elementet fictional në plan të parë. Le të themi se fiction luan në roman atë rol që luan fakticiteti (si lloj i vërtetësisë) në memoir.
Brenda hapësirës së letrave shqipe, memoir-i na ka ardhur zakonisht si “kujtime”. Ka një traditë të kujtimeve, edhe brenda kësaj hapësire – por që si shumë tradita të tjera, është përçudnuar nga trashëgimia totalitare.
Kujtimet e botuara, në fakt, vendosin menjëherë marrëdhënie me historinë – dhe në totalitarizëm historia buron nga aktualiteti dhe i përket atij, duke qenë e kodifikuar në burim.
Disave prej nesh ende na kujtohet tsunami i kujtimeve të Enver Hoxhës, që e pushtoi tregun e librit në Shqipëri gjatë viteve 1980 – dhe që, krahas me Historinë e PPSH-së, “vendosën rregull” në rrëfimet historike.
Pas 1990-ës, në duart e lexuesit shqip ka mbërritur një numër po aq i madh kujtimesh – një pjesë nga disidentë, ish-të burgosur, ish-të persekutuar, viktima të regjimit totalitar; një pjesë tjetër nga profesionistë si dr. Isuf Kalo, të cilët i kanë shërbyer nga afër liderit Hoxha dhe e gjykojnë eksperiencën e tyre si me interes për publikun e sotëm.
Pavarësisht nga arti i rrëfimit që nuk është i njëjtë, të gjitha këto kujtime kërkojnë të kontribuojnë në të vërtetën historike, duke sjellë ngjarje, personazhe dhe përshtypje që janë “të vërteta” së paku për autorin.
Kjo nuk përjashton që në kujtimet e botuara të ketë edhe të pavërteta, edhe trillime; ngaqë autorët nuk i kanë verifikuar faktet, por edhe ngaqë kanë zgjedhur, me vetëdije, të thonë gjëra të paqena, sepse u pëlqen ose ngaqë ashtu mendojnë se i shërbejnë më mirë tekstit ose kushedi për çfarë synimi tjetër.
Por statusi i këtyre pamendjeve, trillimeve dhe të pavërtetave në kujtimet kushtëzohet nga konvencionet e zhanrit, ose nga pretendimi implicit, i këtij lloj teksti, për të qenë besnik ndaj fakteve dhe i realitetit.
Në totalitarizëm, edhe letërsia e realizmit socialist pretendonte vërtetësi, të cilën e arrinte nëpërmjet pasqyrimit të realitetit dhe teknikës së “tipizimit”. Prej një teksti letrar fiction gjithashtu kërkohej që t’i rrëfente gjërat “ashtu siç kishin ndodhur”.
Dhe kjo do ta afronte vetvetiu letërsinë me memuaristikën, sidomos kur një autor shfrytëzonte elemente autobiografike, për ta ndërtuar një vepër.
Për shembull, Kronikë në gur e Kadaresë është quajtur roman dhe jo memoir, megjithë elementet narrative të panumërta me natyrë memuaristike – që nga Gjirokastra e fëmijërisë së autorit, te Lufta II Botërore dhe hyrje-daljet e ushtrive të ndryshme në qytet. Është vënë në dukje edhe se disa nga personazhet e përmendura me emër në roman, nga Dino Çiçoja te Aqif Kashahu, përkojnë me banorë realë të qytetit, gjatë viteve të Luftës II Botërore. Edhe struktura narrative e tekstit, me fëmijën që tregon në vetë të parë, por me zë të amplifikuar nga ai i të rriturit që shkruan nga e sotmja, përkon me atë të memoir-it.
Megjithatë, autori e ka shkruar dhe botuar Kronikë në gur si roman, në kuptimin që elementet jo-fiksionale – të cilat nuk mungojnë në asnjë tekst fiksional – thjesht ndërtojnë kontekstin historik të një narrative përndryshe të trilluar.
Edhe këtu mund të jetë ngritur ndonjë dhe të ketë pyetur sa “të vërteta” janë ngjarjet që tregohen në roman; siç janë ngritur ata që e kritikuan Kadarenë se “e kish nxirë realitetin”, çfarë do të thotë, në thelb, se pat shkruar “të pavërteta” për Gjirokastrën në kohën e luftës. Këto kritika erdhën nga disa anë; deri edhe Arshi Pipa shkroi, për romanin, me këto tone, për ta nxjerrë Kronikë në gur si provë të herezisë ideologjike të Kadaresë.
Këtë sëmundje – le ta quajmë foshnjore – në qasjen ndaj një vepre narrative, do t’ia faturojmë një lloj pritjeje realiste naive, nga ana e lexuesit, për veprën e artit; e cila duhet ta rrëfejë botën “ashtu siç është”. Një pritje që përligjet, në rastin e një memuari, por që tradhton së paku keqkuptim, kur shtrihet edhe mbi veprat fiksionale.[1]
Edhe “Të lirë”, i Lea Ypit, përmban një numër faktoidësh të cilat nuk bindin; në kuptimin që shumë lexues i kanë “denoncuar” si fiksionale. Por a mjafton licenca letrare e autores për ta cilësuar atë tekst si roman?
Aq më tepër që, i njëjti tekst, iu prezantua si memoir lexuesit në Perëndim?
Emërtimi “roman” lë të kuptojë se është fjala për një vepër ku mbizotëron fiction-i dhe ku realiteti është në funksion të rrëfimit fictional. Por “Të lirë” jo vetëm që rrëfen një periudhë historike reale, të pikësuar nga ngjarje historike reale; por edhe personazhet kryesore atje përkojnë me njerëz realë, duke filluar nga identiteti i autores dhe pastaj te prindët e saj dhe familjarët e tjerë.
Elementet fictional kanë edhe ato një rol për të luajtur në memoir, sa kohë që vërtetësia nuk duhet të na bëjë ta identifikojmë, këtë lloj teksti, me një dëshmi të sjellë para gjyqit. Kufiri, në përdorimin e tyre, përkon me kufirin që ndan the how me the what.
Por që një memoir, me elemente fictional jashtë funksionit të tyre konvencional[2], mund të vihet në diskutim si memoir, kjo nuk e bën kurrsesi roman.
Dhe kjo, megjithëse statusi i memoir-it, si zhanër letrar, ka në Perëndim një status tjetër nga ai i “kujtimeve” në hapësirën kulturore shqiptare. Është thënë që memoir-i sot po e mbizotëron tregun e librit, madje në atë masë që letërsia non-fiction po e mbyt letërsinë fiction.
Pavarësisht diskutimeve të shumta, që kanë vazhduar ndonjëherë edhe në gjykata, statusi i elementeve fictional në një memoir (ose gjërat që ka shpikur autori) është shumë më problematik se statusi i elementeve reale në një tekst fiction (p.sh. në një roman).
Ne ende nuk e kemi përjetuar, si kulturë, përmbytjen e rafteve të librarive me memoir-e dhe obsesionin konfesionalist të celebriteteve, politikanëve, aktorëve, sportistëve, këngëtarëve dhe figurave të tjera të njohura të showbiz-it.
Sikurse nuk kemi përjetuar maninë, po aq konfesionaliste, të anonimëve për të lënë gjurmë në vetëdijen kulturore, duke rrëfyer për traumat dhe shëlbimet e tyre.[3]
Për ne, brenda hapësirës së kulturës shqipe, “kujtimet” kanë mbetur diçka që njeriu i shkruan në fund të jetës, për të korrigjuar disa gjëra dhe për të vënë disa pika mbi i, dhe sidomos për t’i sjellë lexuesit një perspektivë unike ndaj ngjarjeve historike dhe eksperiencave publike.
Mirëpo kaq nuk mjafton, për ta përligjur kalimin nga memoir në roman; dhe një kureshtar mund të pyesë, në këtë rast, se mos ky ndryshim tonaliteti ka të bëjë me atë që teksti që u është dhënë lexuesve shqip nuk është i njëjtë me atë që iu dha lexuesve në Perëndim.
Dhe nuk është i njëjtë jo ngaqë autorja ka bërë modifikime (e mirëkuptueshme dhe siç duket ta ketë pranuar haptazi) ose edhe thjesht ngaqë kemi të bëjmë me përkthim; por për shkak të ndryshimit radikal në pritjet e lexuesit (në receptim).
Lexuesi perëndimor i memoir-it Free e merr për të mirëqenë çfarë i rrëfehet dhe, për shkak të vetë klasifikimit të tekstit si memoir, nuk ka arsye të dyshojë për vërtetësinë e gjërave që tregohen në atë libër. Madje një nga arsyet kryesore, në mos arsyeja për të cilën po lëvdohet libri lirshëm në Perëndim, është aftësia me të cilën ai përcjell imazhin besnik të një realiteti përndryshe pak të njohur, si Shqipëria e fundshekullit XX (“Funny, precise, accessible, serious memoir” e quan Ed O’Loughlin në The Irish Times).
Por kur lexon vlerësimet e mëdha që i janë bërë librit në Perëndim, duket sikur kritika këndej e ka admiruar tekstin e Ypit duke u mahnitur me pikërisht ato detaje pikante, të cilat shumë lexues të versionit shqip ia kanë kontestuar.
Në të vërtetë, lexuesi i versionit shqip, të së njëjtit libër, i qaset tekstit me versionin e vet të ngjarjeve dhe të eksperiencave, të cilat vetvetiu do ta krahasojë me çfarë lexon. Prandaj ka pasur lexues – dhe jo pak – që janë ngritur dhe i kanë kundërshtuar disa nga faktet e rrëfyera në libër, me arsyetimin se “nuk ka qenë ashtu.”
Unë vetë, si lexues i memoir-it të Ypit (në anglisht) e pohoj se nuk e kam respektuar dot paktin e vërtetësisë me autoren dhe ia kam vënë në dyshim – vetmevete – shumë nga ato që rrëfen, detaje të vogla dhe më pak të vogla. E megjithatë, nuk mendoj se ky efekt do të shmanget, duke e quajtur tekstin “roman”; aq më tepër që, po të ishte roman, ky tekst do të ishte roman i keq dhe artistikisht i dobët.
Dhe sidomos, duke përfytyruar se si do të ish pritur libri në Perëndim, sikur W.W. Norton & Company ta kish paraqitur versionin origjinal si “novel”!
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht ribotimi në mediat. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.
P.S. Ftoj që të marrin pjesë në debat vetëm kolegë që e kanë lexuar librin dhe që duan të diskutojnë për librin.
[1] Por nga momenti kur një lexues fillon të verifikojë, fakt pas fakti, vërtetësinë e një memoir-i, raporti i këtij lexuesi me tekstin fillon të përçudnohet; dhe vetë teksti, në atë masë që i ka shërbyer autorit për të ndërtuar një imazh të rremë të vetes, ose një ideal ego, po i shërben tani lexuesit për të ndërtuar një imazh të rremë të vetes, si super-ego, ose autoritet verifikues dhe gjykues.
[2] Funksionit të sanksionuar në paktin e heshtur që vendos memoir-i si tekst me lexuesin.
[3] Për boom-in e memuaristikës në Perëndim, lexoni Ben Yagoda, Memoir: A History, Riverhead Books, 2010.