Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Gjuhësi

LEIBNIZ-I MBI LEKSIKUN E SHQIPES

Bardhyl Demiraj
(LMU Mynih)

Në këtë pjesë të tretë dhe të fundit të shkrimit tonë mbi Leibniz-in dhe vendin e tij në historinë e albanologjisë jemi ka fokusohemi në do premisa metodike së bashku me aparatin shkencor përkatës, të cilat Leibniz-i, po në funksionin e historianit të gjuhës, ia kumton bibliotekarit La Croze në letrat nr. 6 dhe 7 (shih më poshtë) e që mëtojnë kryesisht qasje të  natyrës historike-etimologjike ndaj materialit gjuhësor shqip që shfletonte ndërkohë qoftë në Fjalorin e Frang Bardhit (1635) ashtu edhe në faksimilen me tekstin shqip të Doktrinës së Krishterë me autor Pjetër Budin (16643).

Përcjellim kështu një pamje tjetër të interesit të Leibniz-it për gjuhën shqipe, të cilin mund ta përmbledhim paraprakisht si: përsiatje mbi mënyrën e qëmtimit sistematik të të ashtuquajturit ‘relikuar’ fjalësh autoktone, të cilin shqipja bashkëkohore e paskësh trashëguar pandërmjetëm prej fazës antike të zhvillimit të saj, që vjen me thënë prej gjuhës së ilirëve të lashtë. Këtë ‘relikuar’ në kohën tonë jemi mësuar ta pagëzojmë dhe vlerësojmë ndryshe, shi si fondin e saj indoeuropian. Shtojmë gjithashtu që ky interesim nuk erdhi e iu shfaq Leibniz-it ashtu vetiu, si kërpudhat pas shiut, pikërisht kur i ra në dorë material shqip. Përkundrazi, synimi i tij i kahershëm me siguruar material leksikor prej gjuhësh ndër më të ndryshmet ishte pjesë e projektit afatgjatë që kishte nxitur me kohë dhe ndërkohë Leibniz-i d.v. në ato rrethe intelektuale-shkencore në Perëndim, ku bënte pjesë.[1] Bëjmë fjalë këtu për zbulimin e gjuhëve atëbotë ende të panjohura, ose pak të njohura, për të mbledhur në fondin e tyre leksikor ato ‘fjalë relike’, të cilat, duke iu bashkuar dhe përshtatur materialit gjuhësor më solid të tri gjuhëve biblike të kohës: hebraishtes, greqishtes së vjetër dhe latinishtes, do të mundësonin natyrshëm rindërtimin e patëmetë të gjuhës së të gjitha gjuhëve të botës, të asaj zanafillëse, e parë ajo si dhunti hyjnore e kryehershme ndaj qenies njerëzore. Kjo gjuhë hyjnore erdhi e u shprish në kohë e hapësirë prej vetë qenies njerëzore në rrethana e kushte nga më të ndryshmet, duke përfunduar kështu natyrshëm së pari në triasin e tri gjuhëve biblike, që vjen me thënë si gjuhë me dëme më të paka, deri në syresh si sajesa bastarde që gëzonin dhe mbarështonin vetëm sasi të konsiderueshme relikesh të saj, bash siç rezultonte të ishte për të njëherë për njëherë edhe shqipja, përkatësisht faza antike e zhvillimit të saj: gjuha e ilirëve të lashtë.

Asgjëmangut, lejohemi t’i mëshojmë fort në shkrimin tonë vetëm anës pozitive të këtij  koncepti logjik-operacional, meqë shërbeu vërtet si bazë teorike e metodike e studimeve etimologjike në motin e Leibniz-it. Bëjmë fjalë pra, as më shumë e as më pak, por thjesht e vetëm për atë fazë embrionale të gjuhësisë historike-krahasimtare që erdhi e hodhi rrënjë si disiplinë e mirëfilltë shkencore një shekull më vonë në traktatet gjuhësore të Rasmus Rask-ut dhe të Franz Bopp-it në indoeuropianistikë.[2] Të nxitur nga kjo perspektivë studimi, le të ndalemi tash në ndonjë kriter metodik dhe në ato pak analiza gjuhësore fjalësh shqip që Leibniz-i i këqyr kalimthi në dy letrat në fjalë:

  1. Shtresimi i leksikut të shqipes

Letrën e tij (nr. 7) drejtuar La Croze-s më dt. 26.12.1709, Leibniz-i e hap me një kërkesë në dukje të rëndomtë: “I. Do të ishte mirë të dallohej në shqipe çka është e vetja prej asaj që është huazuar; askush s’mund ta bëjë këtë më mirë se ju, zotëri!” Kemi të bëjmë në këtë rast me atë kriter gjuhësor-metodik që orientoi ecurinë e studimit ballor të leksikut të shqipes në shkencat gjuhësore historike në shek. XIX-XX e që ruan vlerën e tij aksiomatike edhe për ‘bijtë e shekullit të ri’. Dhe është fakt që të drejtën e primatit në albanologji lidhur me këtë kriter e ruan sot e gjithë ditën Leibniz-i dora vetë[3]. Fakt është gjithashtu, që në këto letra Leibniz-i nuk ndërmerr hapa konkretë në sendërtimin e këtij kriteri, përpos ndonjë vëzhgimi krejt sipërfaqësor, që nuk lejon të ndiqet më tej, siç është p.sh. rasti në këtë letër (nr. 7), kur përsiat që:  “Numërorët shqip nuk kanë asgjë që të duket se vijnë prej syresh të gjuhëve fqinjë.”, sindëkur në një letër më parë (nr. 6), kur ndërhyn me stil telegrafik, se: “…Ndërkaq unë vërej shumë latinizma…”

  1. Leksiku burimor në lupën e etimologut

Ndryshe operon Leibniz-i me atë numër sado të kursyer fjalësh, që na përcjell në këto dy letra e që rrokin gjithë-gjithë 17 njësi të parme, sipas tij të gjitha fjalë të burimit autokton(?). Prashtu, pasi ka lexuar ndërkohë faksimilen e lutjes Ati Ynë, ai mjaftohet thjesht dhe vetëm me ndonjë përqasje ndërgjuhësore (togje) fjalësh a frazash, bash ashtu siç ishin të shkruara bashkë edhe në letrën faksimile, duke mëtuar këtu (letra nr. 6), pa dhënë sqarime të rastit, se paskësh vënë re bashkëpërkime të mundshme me gjuhë të ndryshme, të tilla si gjuhët skithe apo gjermanishtja, si vijon:

“…Ndërkaq unë vërej shumë latinizma. [Lutja] Attiynë ‘[fr.] nôtre pére’ përshtatet me gjuhët skithe; duket gjithashtu, që të ketë ndoca gjurmë fjalësh që përputhen me gjermanishten, si [p.sh.] dheet  ‘[fr.] terre’, e-na-ndëje-nee ‘[fr.] pardonner’, ndë-të-keq ‘[fr.] en tentation’.” (Letra nr. 6, më 10 dhjetor 1709)

Konceptin e tij mbi marrëdhëniet burimore ndërgjuhësore lidhur me fondin leksikor autokton të shqipes, sikurse edhe të dhëna e hollësi lidhur me aparatin shkencor që mundëson shqyrtimin historik-etimologjik të fjalëve, jemi ka e mësojmë në letrën e radhës (nr. 7), ku Leibniz-i merr në analizë 10 fjalë shqipe: hundë, krah, mish, burrë, gaforre, çizme, kau, grua, e mirë dhe det, si vijon:

“I. Do të ishte mirë të dallohej në shqipe çka është e vetja prej asaj që është huazuar; askush s’mund ta bëjë këtë më mirë se ju, zotëri! Ndërkaq unë do shprehja mendimin tim për disa fjalë të kësaj gjuhe. Hundë ‘[lat.] naso’: mos duhet të themi se është keltizëm i vjetër(?) dhe që [gjerm.] Hund ‘qen’ ta ketë pasur emrin e tij prej hundës, meqenëse ai dallohet me anë të përdorimit të këtij organi; sikurse [fr.] truietroia [=dosë]’ vjen në një mënyrë tjetër prej trogue ose truyn ‘hundë’ te galët e vjetër, por edhe te galët e sotëm. Hunting tek anglezët është ‘gjahu’; por hint ende do të thotë tek ta ‘gjurmë, tregues’, si[kurse] gjermanët e sotëm i thonë Spuhr [gjurmë]. Kështu që ka mundësi, që të gjitha këto të vijnë nga një rrënjë që shënonte [kuptimin] ‘njohje’, prej së cilës mund të jenë përftuar edhe [fr.] connoître  dhe [gr.vj.] γνώσκειν [gnóoskein=njoh]. Unë nxjerr një rrjedhojë të ngjashme edhe për krah ‘[lat.] brachium‘ te shqiptarët, sepse [gjerm.] Krebs ose [fr.] crabe [=gaforre] është një kafshë me krahë [=këmbë]; edhe [gjerm.] Krallen ([fr.] griffes) [=kthetra], [gjerm.] kratzen ‘me gërvishtë’, kriechen ‘me u heqë zvarrë’, Kröte ‘breshkë’ duket se ndërvaren me to. Brenda rrënjës [së një fjale] shkronja K [k] shënon shpesh [nocionin] e përkuljes, dhe shkronja R [r] shënon lëvizjen në të; kështu që për krahët është [më se] e përshtatshme që të shprehen me [togun] KR.

Më duket se te sllavët massa do të thotë ‘mish’, kështu që kjo do të lidhej me [emrin] mish te shqiptarët dhe mis tek armenët, që do të thotë ‘mish’ si te të parët ashtu edhe te të tjerët. Burri ‘[lat.] maritus’ mund të ketë lidhje me [gjerm.] Braut [=nuse], Bräutigam [=dhëndërr], Freia [që është] Venusi i popujve teutonë. Lidhur me gaforreja ‘[lat.] cancer’ te shqiptarët, unë supozoj, se ajo mund të ketë lidhje me [gjerm.] Gafel [=Gabel, kërrabë], që do të thotë [lat.] furca, [fr.] fourchette.  Çizmet, të tilla që mbajnë zakonisht hungarezët, quhen në Vjenë Citme, sipas shqiptimit italian, dmth. çisme; kështu që do duhej shqyrtuar se mos ocrea nuk është ‘çizmja’ te hungarezët a te ndonjë popull tjetër fqinjë, sikurse [është] tek shqiptarët. Numërorët shqip nuk kanë asgjë, që të duket se vijnë prej sosh të gjuhëve fqinjë. Por, nëse te shqiptarët [fr.] boeuf është kau, [fr.] mer quhet deet, dhe [fr.] mulier : grue, [fr.] bon : e mirë, arsyen për këtë mund ta gjeni më mirë ju, zotëri, që njihni aq shumë gjuhë. Ndoshta është deet një shndërrim i [një paraforme] delt : gr. θάλασσα [thálassa=det] etj.”

Ndërsa për emrat ka dhe grua si edhe mbiemrin e mirë Leibniz-i, pas gjase, vetëm përsiat një burim të mundshëm autokton – duke i lënë radhë qoftë edhe për respekt bashkëbiseduesit La Croze –, për shtatë emrat e tjerë shqip ai rreket të qëmtojë deri edhe të analizojë fjalë gjegjëse në gjuhë të ndryshme, kryesisht europiane, me të cilat shqipja ndante, sipas tij, një fond leksikor burimor të përbashkët, më saktë ‘relike’ të gjuhës së ilirëve të lashtë, që lejonin të depërtohej më në thellësi, deri në rindërtimin e asaj gjuhe të kryehershme njerëzore. Shqyrtimi i këtyre shtatë emrave na lejon të ngjërojmë më nga afër dy premisa të tjera metodike në punën konkrete të Leibniz-it lidhur me afrinë burimore të fjalëve të fondit autokton të shqipes, si vijon:

a) Afria ndërgjuhësore në formë dhe përmbajtje

Leibniz-i edhe në këtë pasazh sado të shkurtër (letra nr. 7) i mbetet besnik në çdo rast këtij kriteri metodik, andaj edhe zbatimi i tij me konsekuencë në studimet e tija historike-etimologjike – siç e mësojmë edhe sot e gjithë ditën në historinë e gjuhësisë[4] – arriti të shpëtojë prej namit të keq dhe këndit të bodecit studimet etimologjike gjithfarëshe në kohën e tij. Pa dyshim, nuk do të tregoheshim assesi objektivë, madje aspak dashamirë ndaj vetë prurjeve të Leibniz-it në këtë fushë, sikur të mëtonim që paskësh qenë bash ky kriter ajo mashë magjike, më se e nevojshme me skuqur e kavërdisur ende sot e gjithë ditën çdo lloj afrie burimore ndërmjet njësish leksikore gjuhësh të ndryshme, përkatësisht marrëdhëniet farefisnore brenda një familjeje gjuhësh, që rrokin ungji atë fazë të përbashkët zhvillimi gjuhësor, të cilën jemi mësuar ndërkohë ta lëçisim dhe ildisim si protoindoeuropianishte (vitet 3500-2500 p.e.s.). Kritere metodike shtesë së bashku me aparatin shkencor bashkëkohor janë, ndër të tjera: a) rindërtimi brendshëm i fazave të ndryshme që ka përshkuar secila gjuhë e çdo fjalë në veçanti në kohë dhe hapësirë, b) rregullsitë ndërgjuhësore në zhvillimet e inventarit të tingujve me funksion kuptimdallues (fonemave), c) numri i përbashkët i leksikut themelor apo elementar, d) fondi i përbashkët i morfemave gramatikore (mbaresa e formante gramatikore etj.), si edhe e) qëmtimi i realieve historike-gjuhësore ku është familjarizuar çdo fjalë e parme me çerdhen leksikore përkatëse. Kjo dorë kriteresh metodike sendërton edhe ndryshimin e paradigmës në studimin gjuhësor-historik dhe etimologjik në shek. XIX, duke bërë si e tillë distancim të qartë e të plotë ndaj shkencave gjuhësore historike në motin e Leibniz-it.

Parë nga kjo perspektivë e studimit të sotëm etimologjik, jemi në gjendje të kumtojmë me siguri absolute, që Leibniz-i arriti atëbotë të qëmtojë – me sadopak fat!!! – afri burimore vetëm për shq. mish, duke e përqasur atë në formë dhe përmbajtje me gjegjësen armenisht mis ‘mish’ e me një fjalë sllavishte ende të paidentifikuar në këtë degë gjuhësore: ?massa ‘mish’. Këtij triasi njësish leksikore në tri gjuhë të ndryshme i bashkërendisim në kohën tonë gjegjëse gjuhësh indoeuropiane ndër më të ndryshmet që lejojnë rindërtimin e një forme të përbashkët protoie. *meemso- ‘mish’[5].

Sigurisht që po ky fat e “lë në baltë” Leibniz-in, kur rreket të përqasë p.sh. emrin det, (Bardhi) <deet>, me gjegjësen gr. thálassa, anipse shmangiet në strukturën tingullore e nxisin të supozojë një paraformë shq. ?delt-, thjesht dhe vetëm me e bërë disi të besueshme në formë këtë bashkëlidhje të supozuar po prej tij. Në kohën tonë e mënjanojmë bindshëm këtë përqasje, ndër të tjera duke përdorur si argument faktin gjuhësor që togu bashkëtingëllor l+t është ruajtur si e tillë në leksikun burimor dhe historik të shqipes, khs.: baltë, mjaltë, daltë etj. Rrethana të ngjashme me shmangie të forta në formë dhe kuptim, përkatësisht në shtresat e leksikut të shqipes nuk e bëjnë më të besueshëm Leibniz-in në kohën tonë, as kur përqas p.sh. shq. burri (fj. i Bardhit) ‘maritus, bashkëshort’ me gjerm. Braut ‘nuse’, Bräutigam ‘dhëndër’ apo kur përmend emrin (e huazuar) çizme.

b) Asociacioni logjik-semantik

Në shqyrtimin e do fjalëve të tjera në këtë letër, vërejmë të ngulitur si tjetër kriter metodik në studimet etimologjike të Leibniz-it prirjen drejt një bashkëlidhjeje logjike-sematike të fakteve gjuhësore që ofrojnë gjuhë të ndryshme. E për këtë mjafton, sipas tij, të përsiatet një spektër nocional-semantik gjithërrokës, çka tumir në pamje të parë një afri burimore mes sosh. Ky kriter i jep etimologut Leibniz-it ‘liri’ të mjaftë p.sh. të mëtojë një bashkëlidhje burimore ndërmjet shq. gaforre – e emërtuar, pas gjase, si e tillë prej dy mashave në krye – me gjerm. Gafel = Gabel ‘kërrabë; pirun’.

Le të ndalemi më hollësisht në një përqasje të dytë po-joshëse, që rezulton të jetë, sipas tij, një përkim par excellence, pikërisht kur bashkëlidh me njera-tjetrën shq. hundë dhe gjerm. Hund ‘qen’, çka e nxit të hedhë më tej në valle deri edhe angl. hunting ‘gjah’. Leibniz-i mëngon në këtë rast të përsiasë si spektër të përbashkët nocional-semantik ‘organin me shqisën e nuhatjes’, që ndërthur natyrshëm kuptimet e veçanta që paska përjetuar fjala e kahershme në dy gjuhë të ndryshme: shq. hundë ‘organ i nuhatjes’ kundrejt gjerm. Hund ‘qen’ si kafshë (gjuetie) që u shquaka, sipas tij, bash për shqisën e veçantë të nuhatjes. Përjetojmë me këtë rast njërën ndër ‘liritë’ e pacaka etimologjizuese në motin të Leibniz-it, kur nuk mungojnë as bashkëkohës të tij që e përqasin për nga burimi etimologjik gjegjësin latinisht canis ‘qen’ me lat. canō ‘këndoj’, pra duke i veshur pikërisht ‘qenit’ atributet e ‘një këngëtari të lindur’.

Zhvillimet që përjetoi më vonë gjuhësia historike-krahasuese dhe indoeuropianistika i mënjanuan përqasje etimologjike të kësaj natyre si operacione logjike-nocionale, në dukje bindëse(?). Prashtu njohja e rregullsive tingullore që shfaqin degët dhe gjuhët indoeuropiane me njëra-tjetrën lejon të përqasim  dhe interpretojmë bindshëm në përmbajtje dhe formë se si gjerm. Hund përkon etimologjikisht edhe në formë me lat. canis e se të dyja rrjedhohen, së bashku me gjegjëse të tjera gjuhësh të ndryshme indoeuropiane, prej një baze emërore me kuptimin themelor ‘qen’[6], si kafshë e zbutur shtëpiake qysh në fazën e përbashkët të zhvillimit gjuhësor protoindeeuropian. Sa i përket asociacionit logjik-semantik – i përforcuar e mbështetur ky fuqishëm me rregullsitë e zhvillimit të tingujve –, lejohemi të afrojmë sot në pikëpamje etimologjike po aq bindshëm foljen latine canō ‘këndoj’ me gjerm. Hahn ‘këndes, gjel’, si fjalë që ndajnë së bashku me shumë gjuhë të tjera indoeuropiane një rrënjë foljore të përbashkët me kuptimin ‘këndoj’[7]. Lidhur me këtë bashkëlidhje, mund të sjellim për krahasim fjalëformimin e brendagjuhësor që ka përjetuar shq. këndes prej foljes këndoj.

c) Simbolika e tingujve

Një kriter të fundit metodik, më saktë më të përhapurin atëbotë, e ndeshim në Letrat e Shqiptarëve vetëm në një rast, pikërisht kur Leibniz-i syzon një spektër të përbashkët nocional-semantik sado të kërkuar, por duke e mbështetur atë me tingëllime (deri edhe grafi ?) të ngjashme në struktura fonetike fjalësh të parme brenda një gjuhe ose ndërmjet gjuhësh të ndryshme. Në sfond të përsiatjeve etimologjike të kësaj natyre qëndron në thelb perceptimi i marrëdhënieve që sendërtojnë komunikimin gjuhësor, përkatësisht qenësinë e vetë gjuhës si ‘sistem shenjash’, të cilat ngërthejnë në vetvete bashkëlidhje të pandërmjetme ndërmjet sendit (objektit) dhe emërtimit të tij, ase siç i njohim sot në gjuhësinë e përgjithshme: ndërmjet ‘të shenjuarit’ dhe ‘shenjuesit’ (Ferdinand de Saussure: signifié : signifiant). Ndërsa në kohën tonë kjo ndërlidhje perceptohet si arbitrare – përjashto do fjalëformime me bazë onomatopeike – në motin e Leibniz-it ajo kuptohej si e kushtëzuar gjithkund e kryekëput ndërmjet elementesh të ngjashme në dy përbërësit e saj, ndoshta së paku në fondin leksikor të gjuhës zanafillëse. Prashtu, lidhur me etimologjinë e emrit krah, Leibniz-in e josh në tundim grupi bashkëtingëllor nistor kr- që e ndesh pas gjase “jo rastësisht” edhe në një numër emrash gjermanisht si Krebs (krahas frëngj. crabe) ‘gaforre’, Krallen (krahas frengj. griffes) ‘kthetra’, Kröte ‘zhabë’, sikurse edhe te foljet gjerm. kratzen ‘gërvisht’, kriechen ‘hiqem zvarrë’. Kjo rrethanë i jep atij ‘lirinë’ e nevojshme me arsyetuar se si në rrënjët e fjalëve shkronja K (= bashkëtingëllorja [k]) shënon shpesh ‘përkuljen’, ndërsa shkronja R (= bashkëtingëllorja [r]) ‘lëvizjen’ në të, andaj Leibniz-i kundron në shq. krah një emërtim më se të përshtatshëm për këtë gjymtyrë trupi të njeriut, e cila shpreh me anë të togut KR ‘lëvizjen’ e tij të rëndomtë me ‘përkulje’.

Pararendësin e operacioneve gjuhësore etimologjike të kësaj natyre lexuesi i Peizazheve e njeh ndërkohë në disa prej shkrimeve të spikatura në erudicion dhe stil të Ardian Vehbiut, ndër to lejohem të veçoj këtu Regresionin në gjuhësi[8], ku ai na kumton se ia vlen vërtet të shfletojmë dikur e kur të kemi nge Platonin me kryeveprën e tij Kratylos, në të cilën filozofi antik ravijëzon në diskursin e kohës atë të teori që sot e quajmë Simbolikë tingullore kratyleane.

Fakt është që kjo teori lulëzonte dikur edhe në shekullin e Leibniz-it, por ja që erdhi e u mënjanua hap pas hapi qysh në fillimet e shek. XIX falë ndryshimeve e sipërshënuara të paradigmës në gjuhësinë historike-krahasimtare e në shek. XX edhe në gjuhësinë e përgjithshme dhe teorike, ku zbatimi e saj – me shumë përmirësime(!!!) – është rrudhur vetëm në fushat anësore të leksikut, siç janë pasthirrmat, bukurtingëllimet, do pjesëza me bazë onomatopeike a diçka e ngjashme me to.

  1. Speculationes

Në do shkrime kryesisht të natyrës bibliografike mbi Leibniz-in ose në sosh që i referohen prurjeve të tij në albanologji ndeshim shpesh vërejtjen, se ai, duke mos e njohur shqipen, ka bërë shumë gabime ortografike gjatë riprodhimit të fjalëve a të togfjalëshave shqip[9]. Këto vërejtje zënë fill në një libër të rilindasit arbëresh Engjëll Mashi (= Angelo Masci) më 1807 dhe përsëriten shumëkund deri në ditët tona[10]. Që në letrën nr. 7 një pjesë e këtyre ‘shmangieve’ buron prej kopjimit të saktë të shembujve në fjalorin e Frang Bardhit e që ndonjë syresh do kërkuar në shtypshkronjë gjatë shtypit të këtyre shkrimeve postume, këtë e ka analizuar me akribi filologjike albanologu amerikan Eric Hamp[11]. Si ‘gabime’ gjatë përgatitjes për shtyp duan parë edhe shumica e shembujve të marrë nga Budi (letra nr. 6), që janë pasqyruar si të tilla edhe në letrën në letrën faksimile me lutjen Ati Ynë. Nga një përqasje e tekstit të faksimiles, ku pas gjase është mbështetur Leibniz-i, me gjegjësen e saj në botimin e Doktrinës së Krishterë të Budit (16643), ndeshim vetëm një shmangie prej origjinalit[12].

Ndërsa zanafillën e këtyre vërejtjeve ortografike e diktojmë në veprën e Mashit, në përkthimin e saj frëngjisht të botuar me vërejtje kritike nga Malte Brun-i më 1808 diktojmë një gabim, pasojat e të cilit i ndeshim edhe sot e kësaj dite në albanologji. Është fjala për të ashtuquajturat 102 fjalë shqipe që Leibniz-i i trajtoka në përqasjet e tij etimologjike, e si të tilla mëtohet të jenë rimarrë në veprën e Mashit, por i paskësh përmirësuar më tej nga Malte-Brun-i[13]. Prashtu mund të përmbledhim këtu shkurt se si mbledhja e 102 fjalëve ashtu edhe përqasjet e tyre të para me disa gjuhë europiane i takojnë Mashit. Ai ka marrë nga një shkrim tjetër i Leibniz-i 62 fjalë të gjeorgjishtes[14], duke i krahasuar ato në punimin e tij me gjegjëse shqipe vetëm e vetëm për të treguar se sa të ndryshme janë këto dy gjuhë ndaj njëra-tjetrës, andaj edhe se shqipja s’ka kurrfarë lidhje farefisnore me ndonjë gjuhë të Kaukazit. 40 njësi të tjera Mashi i ka mbledhur prej së folmes së vet arbëreshe në vendlindjen e tij (Santa Sofia d’Epiro), duke i shtënë edhe ato në punim[15].

  1. Facit

Sfondi i referimeve në letërsinë e sotme albanologjike, vijimi i metodës së studimit etimologjik, me të cilën Engjëll Mashi (1807) e një vit më pas Malte-Brun-i (1808) përpunuan dikur material shqip, sikurse vetë prezantimi i prurjeve të tij në albanologji për nga perspektiva historike-politike e -gjuhësore në kohën tonë, na yshtën t’i përcjellim lexuesit të Peizazheve edhe mendimin albanologjik bashkëkohor në këtë triptik shkrimesh mbi Leibniz-in, pra duke pranuar e mirënjohur si të mirëqenë rolin e tij historik si misionar i debatit albanologjik në rrethe të reja intelektuale në Perëndim në kapërcyell të shek. XVII-XVIII. Është një debat ky që kërkon doemos përkushtim edhe në këtë shekull të ri. Parë nga kjo perspektivë mund të përmbledhim thukët, se:

  • përsiatjet e Leibniz-it mbi ‘parajsën’ që do ta priste Shqipërinë pas rrokjes së saj në kufijtë e Perandorisë së Habsburgut, i ndeshim e përjetojmë në një mënyrë a një tjetër në politikat hegjemoniste të çdo superfuqie në Europën e çfarëdo kohe qoftë në veçanti ashtu edhe në pakt bashkëpunimi. Por, a të ka faj Leibniz-i, në rast se me këto me përsiatje – qoftë edhe për hir karriere personale(!!!) – mund të ketë shkaktuar sado ndërmjetshëm ‘ekzodin tragjik’ të popullsive të krishtera në Kosovë dhe Shqipërinë e Veriut gjatë Luftës së Madhe Austro-Turke?
  • tezën e tij mbi prejardhjen e shqipes prej gjuhës së ilirëve të lashtë e damkosin në kohën tonë, thuajse pa përjashtim, të gjithë studiuesit albanologë në Perëndim si “teza zyrtare” që formëson bazamentin kulturor-mitologjik së paku të dy formacionet shtetërore në hapësirën kompakte shqipfolëse në Ballkan. Por a të ka faj Leibniz-i, mor aman e derman!, meqë përsiatjet e tij ishin një gjakim me plotësuar në kohën e vet një hapësirë të zbrazët në hartën gjuhësore-etnike të Ballkanit antik dhe mesjetar?
  • Fakt është gjithashtu që ato kritere të dikurshme metodike – asociacioni logjik-semantik dhe simbolika e tingujve –, që Leibniz-i zbaton gjatë përzgjedhjes së ‘relikuarit’ me burim ilir, janë e përjetojnë në kohën tonë ‘rilindjen’ e së ashtuquajturës albanologji alternative, pas gjase e nxitur fillimisht prej ndonjë dikushi ende të respektueshëm, ndoshta thjesht dhe vetëm se nuk jeton më e se paskësh bërë dikur emër të mirë si përkthyes. Ja që sot ky soj e sorollop albanologjie ka rekrutuar ndërkohë një numër jo të vogël sharlatanësh, patriotësh ekonomistë, gjithollogësh të marrë, doktorësh dhe profesorësh të fandaksur, filoqylësh dështakë deri edhe astronomësh bythëpërpjetë, të cilët vijnë e sokëllijnë në kor në rrjetet sociale të internetit: “…të djegim Akademinë e Shkencave!!!”; të linçojmë studiues të vjetër dhe të rinj që hanë bukën e serbit dhe të grekut, bash ata bij plëngprishës dhe tradhtarësh të atmes së vet(!!!); të reformojmë – në mos me parimin e tiranisë së shumicës, së paku me anë të dhunës informale dhe mediokritetit masovik!!! – të gjitha programet shkollore e universitare, ku të mësojë fëmija, rinia, të rriturit dhe pleqtë e plakat se shqipja nuk është vetëm “mjalta e mjaltës” në zgjoin indoeuropian, por edhe, madje sidomos, ajo dhuratë hyjnore që i bëri botës njerëzore Zeusi d.v., kur u ul këmbëkryq bash në malet e Shqipërisë(!!!); e pse jo!!!, të njihet dhe mirënjihet zyrtarisht si formulë conditio-sine-qua-non prejardhja e pandërmjetme e shqiptarëve të sotëm prej neandertalit europian (e kurrsesi prej homo sapiens ase kryqëzimit me të!!!), meqë është e vetmja racë njerëzore që i shpëtoi zhdukjes së plotë në motet e akullnajave, falë rezistencës biologjike dhe konfiguracionit të viseve shqiptare(!!!); duke shtuar së fundi se mjafton që institucionet shtetërore të protokollojnë dhe të shpallin zyrtarisht si të mirëqena të gjitha këto prurje alternative, e nuk do të jetë e largët dita, kur Shqipëria të lulëzojë si Kopshti i Edenit, madje edhe me marakuja, sepse do të zhvillojmë me leverdi ekonomike të paparë turizmin gjuhësor alternativ!!![16] Por, a të ka faj Leibniz-i edhe për këtë?

(c) 2021 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Norbert Reiter: Leibniz’ens Albanerbriefe, në: “Zeitschrift für Balkanologie”, 16 [1980] 82-8.

[2] Norbert Jokl: Albanisch, në: Geschichte der idg. Sprachwissenschaft, bl. 2, pj. III. Straßburg 1917, 127vv.

[3] Norbert Jokl: vep. cit., f. 118, 127v.

[4] Hollësisht në: Bardhyl Demiraj: Si ta lexojmë Leibniz-in?, në: „Studime Filologjike“ [2001] (1-2) 163-175.

[5] Bardhyl Demiraj: Albanische Etymologien, në radhojën: „Leiden Studies in Indo-European“, bl, 7. Amsterdam – Atlanta GA 1997, f. 269v.

[6] Julius Pokorny: Indogermanisches Etymologisches Wörterbuch, Bd. I. Tübingen & Basel, 19943, 632v.

[7] Julius Pokorny: vep. cit., 525v.

[8] Shih: <https://peizazhe.com/2021/09/09/regresioni-ne-gjuhesi/>

[9] Ndër të tjerë: Dhimitër Shuteriqi: Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850, Tiranë 1976, f. 101; Jup Kastrati: Historia e albanologjisë, Tiranë 2000, f. 171v.

[10] Angelo Masci: Discorso sull’origine, costumi, e stato attuale della nazione albanese, Napoli 1807, f. 14.

[11] Eric Hamp: On Leibniz’s Third Albanian Letter, në: “Zeitschrift für Balkanologie” 17 [1981] 35.

[12] Krh. Pjetër Budi: ena ndeye nee (DC 1664, f. 36); faksimile: e nandeye nee; Leibniz (letra nr.6): enandeyenée.

[13] Shih Angelo Masci : vep. cit., f. 5vv., 25v.; C. Malte-Brun: Annales des Voyages III, Paris 1808, f. 148, 167vv.

[14] G. W. Leibniz: Epistola ad Andream Acoluthum (10. Octob. 1695), në: Collectanea etymologica 1/2, pars II, Hanoverae 1717 (ribotim: Hildesheim – New York 1970), f. 172vv.

[15] Bardhyl Demiraj: Si ta lexojmë Leibniz-in?…., f. 172.

[16] Sekush mund të shijojë e të trishtohet njëherësh me emisionin “Oksigjen. Pjesa I – Agron Dalipaj 16.06.2018” në faqen: <https://www.youtube.com/watch?v=lm9GCDweDEc>

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin