nga Arben Dedja
Limeriku është një formë poetike e light verse që lindi në Anglinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ka vetëm një strofë (me katër ose pesë vargje) dhe i duhet, brenda kësaj hapësire, të shprehë gëzim, humor dhe një mungesë të plotë logjike e zhvillimi mendimi, që ia thonë nonsense. Skema është kjo: pesë vargje anapestike (∪ ∪ —), i pari, i dyti dhe i pesti me nga tri këmbë dhe që rimojnë mes tyre; i treti dhe i katërti me nga dy këmbë dhe që rimojnë mes tyre. Këto të fundit mund të shkruhen edhe si një varg i vetëm, me kusht që të ketë rimë të brendshme.
Ndërsa origjina e lindjes së kësaj poezie është e mbuluar me mjegull, kulmin e famës limeriku e arriti me Edward Lear-in. Ne shqiptarët Lear-in e njohim si piktor të peizazheve të mëmëdheut (tonë) dhe si përshkrues të botës shqiptare në ditarët e tij prej udhëtari metikuloz. Kurse bota anglosaksone, në përgjithësi pjesa tjetër e botës, e njeh për limerikët që shkroi, duke filluar nga libri i parë, “A Book of Nonsense”, botuar më 1846 me shpenzimet e veta (si çdo poet i denjë për këtë emër). Limerikët e tij Lear-i i shoqëronte me një vizatim, edhe ai absurd, me njerëz në ca pozicione të çuditshme, ndonëse krejt në harmoni me ç’rrëfenin vargjet. Ja, të shqipëruar, disa nga limerikët e librit (vizatimet janë të autorit).
Na qe një Plak mustak-e-mjekër
që thosh: “E çë të ndodhë tjetër!—
Dy Bufë një Trumcak,
një Pulë katër Ferrakë
fole pleksur kanë në mjekër!”
Na qe një Zonjushkë prej Rajdi
që gand lidhëset zgjidhur i mbajti;
me nallane-furi
e qenushë pullali,
fort shpesh u faneps përgjat’ Rajdi.
Na qe një Burrë Plak me hundë,
që thosh: “Pandehni ju po mundët,
që qenkam hundëderr
dhe bëkeni qeder!”
Ky Burrë i shquar me hundë.
Na qe Burri Plak mbi një çukë,
që rrallë, po qe se, ndejti squkë;
pa vrapoi sërish,
me të Gjyshes këmishë,
stolí e Burrit Plak mbi çukë.
Na qe një Zonjushkë me kësulën
q’u zgjidh kur do zogj aty u ulën;
tha ajo: “S’ka përse!
Tërë zogjtë me hare
le t’ulen mbi timen kësulë!”
Na qe një Plak pemës përpjetë
q’ja nxiu keq jetën një Bletë;
kur i thanë: “A zhuzhet?”
u përgjigj: “Aq ia pret!”
“Bah ç’shtazë shtazarake kjo bletë!”
Na qe një Zonjë q’fulqiri i saj
i ngjante porsi gjemb me majë;
për së mbari e mprehu
dhe një harpë sa bleu
e cimbis me fulqirin e saj.
Na qe një Gërxho prej Kilkeni
që s’pati kurrë dot dy peni;
se tërë ato sumbulla
i bëri rrush e kumbulla
ky Gërxho kokëgdhë Kilkeni.
Na qe një Gërxho në kaike,
që thosh: “U mbyta! Ore, ika!”
Kur i thanë: “Jo mor ti!”,
sa s’i ra vilani,
atij Gërxhoje qyq në kaike.
Na qenkësh një Person prej Bude
me sjellje dreqe e harbute;
gjer u quk nga vareja
dhe ju squk batareja
personit t’zgërlaqur prej Bude.
Na qe një Plak që derdhte lot
se derë e gardhit s’mbyllej dot;
pa do minj barkbaula
llupën pallto e kësula
tek kotej ky kreshnik i kotë.
Na qe një Zonjushkë me sytë
me ngjyrë e formë pa të dytë;
që kur i zgurdullonte
miletin tej e zbonte,
kollitur nga ç’i shihnin sytë.
Na qe një Zonjë nga Norvegjia
q’u ngec tek e derës burgjia;
kur aty u bë petë
ulëriti: “Ç’të jetë?”
Kjo Burrëreshë nga Norvegjia.
(vijon)