Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

CILA LIRI?

Ngaqë merrem shpesh me semantikë (kuptimet e fjalëve), më ka qëlluar të vras mendjen nëse fjala liri, në togfjalëshin karakteristik “vdekje fashizmit liri popullit” përkon kuptimisht me fjalën liri në përkufizimin e njohur “liria është njohja e domosdoshmërisë”, të cilin na e mësonin në filozofi si të Engelsit (por që në fakt i ka rrënjët te Hegeli dhe më herët). Përkimi leksikor nuk vlen si premisë për identitetin konceptual – madje mund të maskojë një mospërputhje deri të pazgjidhshme.

Filozofët, ekonomistët, politologët, juristët, teologët – praktikisht të gjithë sjellin përkufizimet e tyre për lirinë, që nuk ndjekin gjithnjë konceptin e lirisë që ka njeriu i rrugës (“liria është që të bësh ç’të duash”). Liria politike – për pluralizëm dhe zgjedhje të lira dhe, në thelb, demokraci – nuk mund të ngatërrohet me lirinë që gjen besimtari në marrëdhënie intime me Zotin; dhe as me lirinë ekonomike të kujt nxjerr të shesë, tek trotuari, hurmat e bahçes së vet. Liria që ëndërron i burgosuri nuk mund të jetë e njëjtë me lirinë që i mungon të sëmurit.

Ndryshe nga shumë gjuhë të tjera të Europës, anglishtja ka dy fjalë për atë që në shqipe e sjellim si liri: freedom dhe liberty. Disa mendojnë se bëhet fjalë për sinonime të ndërkëmbyeshme, por të tjerë gjejnë mes tyre dallime të rëndësishme; dhe gjithsesi me natyrë konceptuale, jo idiomatike, meqë e shohin të parën si me natyrë “politike”, ndërsa të dytën si me natyrë “civile”.

Amerikanët duhen dëgjuar, kur bie fjala për lirinë, dhe kjo edhe ngaqë mes simboleve kryesore të amerikanizmit, gjithnjë përfshihet Statuja e Lirisë, në anglisht Statue of Liberty (asnjëherë Statue of Freedom), vepër e Frédéric Auguste Bartholdi-t dhe dhuratë e popullit frëng për Amerikën.

Shumë prej nesh sot e shoqërojnë mendërisht statujën me imazhin e Amerikës si vend mikpritës për mërgimtarët, refugjatët dhe të ikurit – kjo ngaqë ngrihet afër Ellis Island, por edhe për shkak të një pllake bronzi që iu shtua statujës, me një sonet nga Emma Lazarus (The New Colossus):

Not like the brazen giant of Greek fame,
With conquering limbs astride from land to land;
Here at our sea-washed, sunset gates shall stand
A mighty woman with a torch, whose flame

Is the imprisoned lightning, and her name
Mother of Exiles. From her beacon-hand
Glows world-wide welcome; her mild eyes command
The air-bridged harbor that twin cities frame.

“Keep, ancient lands, your storied pomp!” cries she
With silent lips. “Give me your tired, your poor,
Your huddled masses yearning to breathe free,

The wretched refuse of your teeming shore.
Send these, the homeless, tempest-tost to me,
I lift my lamp beside the golden door!”

Por statuja, origjinalisht, ish menduar të përfaqësonte konceptin e lirisë të përqafuar prej liberalëve të shekullit XIX, të cilët e shoqëronin lirinë (liberty) me rendin publik dhe sigurinë personale, prandaj edhe shmangën me qëllim çdo lloj referimi ndaj imazhit të “lirisë” në ikonografinë e Revolucionit Francez (si ajo e Delacroix-së). Ashtu edhe e mirënjohura “kësulë e lirisë” e Marianne-s frënge ia la vendin kurorës së yjeve ose diademës; dhe statuja u vu të mbante në dorë një tabula ansata, me datën e Deklaratës Amerikane të Pavarësisë (4 korrik 1776). Vargonjtë e këputur, në këmbët e statujës, i referohen ndalimit të institucionit të skllavërisë.

Ndryshimet në mënyrën si e kanë parë njerëzit statujën, në pajtim me shqetësimet e tyre kontekstuale, dëshmojnë edhe se është punë e kotë të përpiqesh t’i vësh në emërues të përbashkët kuptimet e një fjale si liria në rrjedhë të kohës a në kontekste të ndryshme; sikurse edhe të argumentosh pse njëri nga kuptimet është më “thelbësor” se të tjerët. Po aq problematike është që ta barazosh kuptimin amerikan të lirisë (“liberty”) si mos-interferencë të shtetit në jetën individuale a si mungesë të pengesave për t’u pasuruar, me kuptimin filozofik gjerman të lirisë si “njohje e domosdoshmërisë”, të cilin e përdornin lirisht, nën totalitarizëm, për të përligjur deri edhe shkeljet më arbitrare të së drejtave të njeriut.

E megjithatë, nuk ka asgjë absurde, në kuptimin e lirisë si “njohje” – përfshi këtu edhe njohjen e vetvetes (Sokrati, stoikët) ose njohjen e raportit unik të çdo subjekti me hyjninë. Kush e kërkon lirinë në arritjen e urtësisë (wisdom), nuk do të entuziazmohet shumë nga turmat që thërrasin “liri demokraci”; kush ëndërron lirinë për të punuar bahçen e vet, nuk do të mallëngjehet lehtë nga thirrjet që i bëhen proletariatit, për të luftuar “për liri”.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Bibliografi minimale: Annelien de Dijn, Freedom, An Unruly History, Harvard University Press, 2020.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin