Artur Koestler-i e pat menduar romanin e tij Eklipsi (angl. Darkness at Noon) si pjesë të një trilogjie. Filloi ta shkruante gjermanisht në Paris, teksa partnerja e tij, skulptorja Daphne Hardy ia përkthente anglisht. E përfundoi në prill të vitit 1940, teksa përballej me gjithfarë vështirësish ekonomike dhe politike, i përndjekur si refugjat i padokumentuar nga policia frënge. Versioni i përkthyer u dërgua në Londër me postë, në maj të vitit 1940, ndërsa Koestler-i gjeti një mënyrë për t’u larguar nga Franca, më parë në Afrikë, pastaj në Portugali, dhe më në fund në Londër – ku libri u botua herët në vitin 1941.
Titulli i romanit në origjinalin gjermanisht ishte Sonnenfinsternis, “Eklipsi i diellit”; përkthimi anglisht mbante në fillim titullin The Vicious Circle, që pastaj u ndërrua – me sugjerimin e botuesit – në Darkness at Noon, duke qenë ky titull i dytë një referim i drejtpërdrejtë ndaj Librit të Jobit (5:14). Origjinali gjermanisht u kujtua i humbur për shumë kohë, për t’u zbuluar pastaj nga një studiues në një bibliotekë në Zurich. U botua për herë të parë në maj të vitit 2018; mbi të, u bazua një përkthim i ri anglisht, që doli në 2019.
Romani përshkruan episode dramatike nga vitet e terrorit totalitar në Bashkimin Sovjetik, kur Stalini po eliminonte masivisht rivalët e vet politikë, edhe pse Koestler-i, i cili kish qenë në Bashkimin Sovjetik si anëtar i Partisë Komuniste Gjermane, shfrytëzoi edhe eksperiencën e vet si i burgosur politik në burgjet e Franco-s, gjatë luftës civile në Spanjë. Kur u botua Eklipsi, ai ishte ftohur tashmë krejt me regjimin e Moskës; e megjithatë, në roman nuk përmenden me emër as Bashkimi Sovjetik as Stalini. Personazhet, megjithatë, mbajnë emra rusë (Rubashov, Ivanov, Gletkin).
I botuar para 1984-ës së Orwell-it dhe i pakrahasueshëm për nga ekspozimi me ndonjë vepër si The Case of Comrade Tulayev e autorit trockist rus të mërguar Viktor Serge, Eklipsi ishte ndoshta e para vepër letrare që trajtonte drejtpërdrejt temën e represionit të dhunshëm në një shtet totalitar të majtë, si Bashkimi Sovjetik, pikërisht në një kohë kur Perëndimi kish nevojë për Stalinin, që t’i bënte ballë kërcënimit nazist. Ka mendime se ishte ky roman, që e bindi Orwell-in se fiksioni ishte më efektiv se gazetaria dhe memuaristika, për të komunikuar esencën e totalitarizmit.
Në Francë romani u botua me titullin Le zero et l’infini (1945); në Itali si Buio a mezzogiorno (1946). Edhe pse i shkruar para se të shpërthente Lufta II Botërore, ai u integrua shumë shpejt në skemat e Luftës së Ftohtë: Ministria e Punëve të Jashtme britanike financoi shpërndarjen e 50 000 kopjeve në Francë, të cilat Partia Komuniste Franceze më kot u përpoq t’i blejë të gjitha, për t’i hequr nga qarkullimi (thuhet se ky roman, i botuar dhe i shpërndarë në momentin e duhur, bëri që e majta frënge t’i humbte zgjedhjet e vitit 1946).
Vetë Koestler-i, që ishte vendosur tashmë në Angli, filloi punë, në 1942, në Ministrinë e Informacionit, si autor skenarësh për filma dhe emisione radiofonike të propagandës – në 1941 botoi librin e vet të parë në anglisht. Me mbarimin e Luftës, ai u angazhua në veprimtari të ndryshme antikomuniste dhe, veçanërisht, anti-sovjetike, sidomos pas ngjarjeve të Hungarisë në 1956. Shkroi një numër librash, por pa e përsëritur dot suksesin e Eklipsit. Pjesa më e madhe e veprave të tij u mbështetën financiarisht dhe u shpërndanë anembanë botës nga një zyrë sekrete e propagandës në Ministrinë e Jashtme Britanike (Information Research Department).
Statusi i Eklipsit në letërsinë europiane është problematik; sepse vepra u shkrua gjermanisht, por u përhap dhe u lexua në versionet e përkthyera, duke filluar me botimin fillestar në anglisht. Autori i saj, hebre origjinalisht nga Hungaria, i lindur në Budapest si Kösztler Artúr në 1905, e njihte mirë hungarishten por edhe gjermanishten si gjuhë të dytë; paçka se shkroi më shumë anglisht. I shkolluar në Austri, ai u interesua shumë herët për lëvizjen sioniste dhe jetoi ca kohë në Palestinë, për t’u kthyer pastaj në Europë. Jeta e tij në vitet 1930 është një udhëtim i palodhur nga një kryeqytet europian në tjetrin: si shumë intelektualë të tjerë të kohës, mori pjesë në Luftën e Spanjës, në krahun e Republikanëve.
Vetë romani, edhe pse i shkruar gjermanisht, nuk duket të jetë menduar për lexuesin gjerman; lexuesi model, që përvijohet në tekst, është intelektuali i majtë europian, militanti i Kominternit, bolsheviku i rënë nga vafti dhe anëtari i një partie komuniste në Perëndim, që ka filluar të dyshojë në natyrën e regjimit sovjetik, pasi ka dëgjuar për terrorin stalinist të viteve 1930. Ky lexues i përket asaj mase shumëngjyrëshe që ishte kristalizuar, në Europë, nën ndikimin e iluzionit të ushqyer nga Moska për një alternativë ndaj kapitalizmit dhe sidomos së djathtës fashiste dhe naziste. Që libri u botua në anglisht, kjo nuk ndryshon gjë, në identitetin e lexuesit të tij të synuar – prandaj është po aq e vështirë, madje problematike, ta studiosh si pjesë të letërsisë angleze të shekullit XX, me të cilën nuk ka asgjë të përbashkët. Proza e romanit, atmosfera dhe teknika e ndërtimit të personazheve e afrojnë me letërsinë mittel-europiane, që lëvrohej në atë kohë nga shkrimtarë kryesisht hebrenj, produkte brilante të liberalizmit kulturor të Perandorisë Austro-Hungareze.
Atdheu i kësaj vepre i përket një gjeografie të ndryshme nga ajo e Europës së kombeve, të cilën e marrim sot për të natyrshme – unë do ta identifikoja me të gjithë ata lexues, të cilëve u kish ndodhur të përballeshin, në jetë, me sfidën komuniste ndaj realitetit. Ashtu edhe ajo ndryshon mjaft nga vepra të ngjashme, si Ne e Zamjatin-it, që i përket qartësisht letërsisë ruse (moderniste), së bashku me Anthem të Ayn Rand-it, që edhe pse e shkruar dhe botuar në anglisht, i përket së njëjtës rrymë letrare me romanin e Zamjatin-it; dhe Brave New World e Huxley-t e 1984 e Orwell-it, që i përkasin po aq qartësisht traditës letrare britanike.
Edhe pse u botua dhe u shpërnda në anglishte, Eklipsi do të ketë qenë i vështirë për t’u kuptuar, nga lexuesi standard i kulturës anglisht-folëse, të rrënjosur në traditat liberale; i njëjti lexues, e ka pasur më të lehtë të ndjekë dramën e romanit 1984 të Orwell-it, me ndjeshmëri “britanike” të spikatura, ku nxirret qartë në pah skandali i asaj përdhosjeje të njeriut, që në realitete më pak garantiste, si ato Europës gjermanike dhe sidomos të Lindjes europiane, do të merreshin për të mirëqena. Edhe sot e kësaj dite, lexuesi shqiptar do ta përjetojë romanin më mirë e më fort, se ai në Londër ose në San Francisco – sepse teksti i flet pavetëdijes totalitare, të rrënjosur në mendjen kolektive dhe nuk mjaftohet thjesht me evokimin e një makthi kafkian.
Ndoshta kjo ka qenë arsyeja që Eklipsi u mobilizua si armë anti-sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë dhe u mbështet fort nga institucionet propagandistike të Britanisë së Madhe dhe të SHBA-ve, të paktën sa nuk kishin filluar të qarkullonin në Perëndim vepra më topike, si ato të Pasternakut dhe të Solzhenjitsinit. Por në të njëjtën kohë, edhe vetë Koestler-i ishte mobilizuar, ai vetë, si intelektual antikomunist, nga të paktët që sponsorët e tij mund të nxirrnin në tribuna, për të baraspeshuar ndikimin e së majtës pro-sovjetike në Europën Perëndimore të Pasluftës.
© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Bibliografi: Adam Kirsch, The Desperate Plight Behind Darkness at Noon, The New Yorker, 23 shtator 2019.