Nobeli letrar, këtë vit, i shkoi një autori britanik me origjinë nga Zanzibari, Abdulrazak Gurnah, praktikisht i panjohur për lexuesin anembanë botës. Në SHBA, që ka treg libri të madh, të gjithë titujt e tij së bashku kanë shitur rreth 3,000 kopje (burimi); edhe pse ai shkruan anglisht dhe nuk ka nevojë të ndërmjetësohet nga përkthimi. Kësaj shifre, në vetvete, nuk i duhet dhënë shumë rëndësi – tre mijë kopje mund t’i shiten edhe një gjeniu, të cilit nuk i kuptohet lehtë vepra; ose një shkrimtari qëllimisht të vështirë, si Joyce-i; në një kohë që një roman infantil me super-heroes mund të shesë miliona. Kështu në vështrim të parë, shifra veç na thotë se Gurnah-ut iu dha çmimi Nobel për ta promovuar.
Ata që nuk e kanë lexuar, arsyet e këtij nderimi – që ende mbahet si suprem në disa qarqe kulturore – do t’i gjejnë te motivacioni që shoqëron çmimin:
“Për zhbirimin prej tij, empatik dhe pa kompromis, të efekteve të kolonializmit dhe fatit të refugjatit në hapësirën midis kulturave dhe kontinenteve.”
(“for his uncompromising and compassionate penetration of the effects of colonialism and the fate of the refugee in the gulf between cultures and continents.”)
Çfarë vura unë re menjëherë te ky motivacion, dhe që besoj nuk u ka shpëtuar edhe të tjerëve, është mungesa totale e çdo referimi ndaj letërsisë si formë arti dhe meritave artistike të autorit në fjalë: Gurnah-u portretizohet si një person intransigjent por edhe empatik, që merret me atë plagë të hapur të globit sot, që është zhvendosja gjeografike e detyruar e njerëzve dhe ballafaqimi i kulturave, në një sfond ende të kushtëzuar nga memoria koloniale. Kemi pra virtytin moral, siç kemi kolonializmin, refugjatët, kulturat dhe kontinentet. Nuk kemi artin, letërsinë dhe shkrimtarin.
Me të njëjtin motivacion, komisioni i Nobelit letrar mund t’ia kishte dhënë çmimin këtë vit një raporti të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët.
Atë lloj letërsie si të Gurnah-ut e bëjnë me mijëra e mijëra shkrimtarë anembanë botës, mes tyre edhe një mori oportunistësh; të emigruar në metropolet nga vende ish-koloniale, që duan ta rrëfejnë eksperiencën e tyre për publikun e atyre vendeve. Motivacionit i mungon pikërisht ajo arsye që do ta shquante fituesin përballë mijëra të tjerëve – dhe që, idealisht, do të ishte virtyti i tij artistik.
Që juria e Nobelit ka kohë që i është dorëzuar qasjes sociologjike ndaj letërsisë dhe i përligj vendimet e veta me një gjuhë që do t’ia kishin zili, mes të tjerësh, Zhdanovi dhe Koço Bihiku, këtë nuk na duhej gjë të prisnim motivimin e fituesit të këtij viti, për ta mësuar.
Por edhe motivimi sociologjik vulgar, si ky i tanishmi, mund të bënte vend për një vlerësim artistik; dhe të mos mjaftohej vetëm me epitete si “uncompromising” dhe “compassionate”, që u referohen virtyteve prej politikanësh, ideologësh dhe priftërinjsh.
Dua të përfytyroj si do ta motivonte juria e Nobelit një çmim për, të themi, Eskilin e Orestias:
“Për qasjen zhbiruese dhe pa kompromis ndaj shthurjes dhe zhbërjes së familjes aristokratike, në vazhdën e efekteve të Luftës së Trojës në shoqërinë greke.”
Ose një çmim për Mann-in e Malit Magjik:
“Për analizat shteruese të institucionit të sanatoriumit si vend i performativitetit të tuberkulozit kontinental dhe locus ku riprodhohen marrëdhëniet sociale të dekadencës së borgjezisë mittel-europiane.”
E lexoj edhe një herë motivacionin e tanishëm dhe them: ky është dënimi me vdekje i letërsisë si art; pastaj e mbledh veten dhe them: ky është dënimi me vdekje i Nobelit letrar, si çmim që i jepet shkrimtarit si artist. Sepse motivacioni na mëson edhe si ta lexojmë Gurnah-un: si aktivist social, që interesohet dhe zhbiron efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatit në përplasjen mes kulturave dhe kontinenteve.
Arsyeja është vulgare dhe fyese, për këdo që e mendon letërsinë si art; sikurse është frymëzuese për të gjithë letrarët dhe publicistët anembanë botës, që i qasen këtij arti me pasionin e një OJQ-je a të një misionari laik. Ajo dëshmon se Nobeli letrar tashmë ka adoptuar një vizion qartësisht politik dhe se, nuk duhet të habitemi, nëse nesër atë ta marrë një autor që shkruan për efektet e ngrohjes globale – pavarësisht si e bën këtë dhe si dëshiron që t’i lexohet vepra.
Librat e Gurnah-ut me siguri kanë vlerë të madhe, për të kuptuar sociologjinë e post-kolonializmit dhe të refugjatit; por kjo vlerë i bashkëlidhet përdorimit të tyre nga sociologët, ideologët, historianët dhe politikanët, jo konsumit të tyre si vepra letrare. Veprat letrare vërtet janë përdorur dhe do të përdoren nga humanitetet, por gjithnjë me vetëdijen se letërsia fillon atje ku mbaron përdorimi i saj, njëlloj siç fillon lulja atje ku mbaron bima e gjelbër.
Prandaj edhe motivacioni më ndihmon shumë mua, si lexues specifik, duke më kursyer orë të tëra që do të kisha kaluar, në kërkim të esencës “nobeliane” të Gurnah-ut shkrimtar; sikurse i “ndihmon” të gjithë ata autorë ambiciozë, që tashmë e kanë kuptuar se nuk ka nevojë të synojnë të bëjnë art, për t’u vlerësuar në nivelin institucional; por u mjafton “të angazhohen” në tema të nxehta, të cilat gëzojnë përkrahjen dashamirëse të një kategorie të caktuar elitash.
Çfarë e mire mund t’i vijë letërsisë nga ky Nobel, në nivelin global dhe në nivelin lokal? Edhe te ne, në Tiranë, do të ketë filluar tashmë puna, gjëkundi me ngulm, për ta përkthyer Gurnah-un. Edhe pak muaj dhe ai do t’u bjerë në duar letërsi-dashësve dhe snobëve dhe të gjithë atyre që duan të jenë në korrent me zhvillimet botërore dhe të bëjnë selfie me librat e nobelistit të fundit në plazh ose në vaskë; edhe pak muaj dhe një masë jo e vogël lexuesish do t’i lënë ata libra përgjysmë për të kërkuar, në rastin më të mirë, ngushëllim te, të themi, te Nabokovi (nuk po sjell lista). Çfarë do të thotë se shpresë megjithatë ka, edhe në kohë kaq të errëta.
© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.