PARA SE TË BININ TËRMETET

nga Gentiana Minga

Më 2017-ën, sapo isha kthyer nga pushimet e përvitshme në Durrës, kur Mara Da Roit, një mikesha ime nga Bolzano, më telefonoi për të më bërë të ditur, jo pa emocion, që po gatitej të nisej për herë të parë në Shqipëri. Një udhëtim pak-ditësh, më tha. Më tutje më telefonoi sërish e më lypi ca këshilla. Pyetjet klasike të të huajve që unë u përgjigjem gjithmonë me një lloj ankthi të sikletshëm ngase kam kuptuar që nuk jam personi i përshtatshëm për t’u sjellë si udhëzues turistik. Kështuqë, kur Mara më rreshtoi një breshëri të tilla, lashë një çast telefonin e vërejta tavanin me shqetësim. Pikë së pari, patjetër duhet të gdhish një natë në Durrës, e porosita. Për sa i takonte vendeve për të parë atje, medeomos do t’i kisha këshilluar ato ku fëmijërinë time e kisha kaluar duke u llangosur për ibret me baltë e bar pas pallatit pesëkatësh në kërkim të aventurave alla Jules Verne, zemërplasur për rriskun e keq të David Copperfieldit. Përtej pallateve madje, në atë fushën pafund e plot llum në anë të stacionit të trenit, që e kalonim me hap harrakat, duke u përpjekur të këndonim me britma sa gryka na digjte, me llafet tona, Violino tzigano* të shokut tonë të shtrenjtë Joselito**:

“suona suona per me, o violino zigano…”

Do t’i këshilloja patjetër vilën bojë rozë të Mbretit Zog mbi kodrën e pishave, akullorerinë e vëllezërve Bllaca, mbretëri kasatash më të shijshme sa s’ka. Rrënojat e lashta e nëndherat e amfiteatrit ku dikur zbaviteshim duke lujatur kukumçefthi e u frigoheshim shpirtrave të të parëve. Pa lënë mënjanë furrat e mëhallave, radhët e gjata të së djelave në mëngjes, me gratë me përparëse në anë të majtë e me burra me sqetulla të djersitura në të djathtë. Të tërë me tepsi të lyrshme në duar. Tepsi ngjyrë sermi, ku me pula e patate, ku me thela merluci e byrekëra. Po ashtu edhe rrugicat me kalldrëm prej nga dilnim me shapka në sheshin Iliria e prej andej për pak minuta në plazh. Po edhe nga plepat me pluhur kur kalonin shinat e trenit e u hipnim gurëve e kodrinave të leshterikëve, mbathur me kostume basme të sajuara për gjynah të Zotit.

Vende këto të zhdukura ose të braktisura. Si dalja shëtitje mbrëmjeve të të shtunave me prindërit, në restorantin Vollga, buzë detit. Unë atë e dija një ishull larg botës, i mbyllur përgjysmë mes palmash e kallamash që e fshihnin prej shumë syve të pallateve të peshkatarëve mënjanë. Kaloje pra këtë thurimë prej natyre të oleandrove e të përpinte një gjullurdi ngjyrash të forta e lëvizjesh spazmore, që anohej nga e majta në të djathtë, lart e poshtë, porsi në një tango në ajër. Palmat shkurtabiqe me gjethe gjatoshe e të hapura, tavolinëzat katrore me karriget e drurit rrjepacake, buzët e njërës e hunda e tjetrit, kundërmimi i patateve të skuqura në tigan, i biftekëve në gjak, të qofteve e të barbunëve të rreshkur. Djemtë e orkestrës në një cep tek u binin veglave deri vonë, e mes tyre njëri me mustaqe të gjata deri tek veshët, me këmishën e ngjitur pas trupit me vizatime lulesh të mëdha. Në qendër, mbi barishtet e shkelura kërcenin çifte, ndërsa ne kalamajtë, shkonim në kërkim të xixëllonjave që i sillte, kujtonim ne, vetë deti. Nganjëherë këto viheshin të gjitha bashkë e mbi kallamishte ngjizej një re magjike vezulluese. Këtë mbaj mend deri në vitet 80. Sot, aty ku dikur pluskonte ishulli im, ngrihet një si piramidë e ulët, mua më duket si akullore rënë prej kaushi. Në majë çohet një shtatore e errët e një djali të armatosur. Ushtari i Panjohur. Mban pushkën me krahët lart e ndërsa sheh në të majtë të tij s’di pse tytën e drejton në të djathtë, diku mes qiellit e tokës, diku në horizont.

Ç’është e vërteta, Marës, mikeshës time, nuk i zura gjë në gojë. Pas kthimit më dërgoi një lumë fotosh. Njëra e tregonte ulur përgjysmë mbi muroren në anë të detit, pak metra larg molit, diku afër shtëpisë time. Pas saj shtrihej bluja e thellë e Adriatikut e një shenjë e madhe diellore e kuqërremtë njomej në natën që avitej. “Këtu, Durrësi, magjia e bregdetit me ngjyrat e ngrohta e të shkrira të perëndimit…” kishte shënuar. Një tjetër në sheshin Iliria, përballë prefekturës. Ky ishte sheshi i ri, i padëshiruar nga shumica e qytetarëve që kishin ende për zemër të vjetrin. Një lulishte me vjollca e karajfila. Në mes ngrihej një shatërvan që prej 1930-ës. Në krah, afër teatrit Aleksandër Moisiu, shtrihej një tjetër me ca pemë plot hije, e shtruar me bar. Kishte edhe stola druri me mbështetëse ku në verë pleqtë rrinin e luanin me letra e domino. Herë herë, në të hyrë të pranverës, vinte një si karusel, një rrotullamë e vogël që rrinte aty deri në fund të verës. Përtokë, rrëzë pemëve, rehatoheshin familje të mëdha romësh. Shatërvanin e vjetër e kishin shkulur me ligështimin pa masë të durrsakëve të vjetër. Ky shesh i ri tani kishte palma shtatgjata e shtatholla, prej betonit vinin ca vrimalecë prej të cilave lëshoheshin currilëza uji. Stola drejtkëndësh prej guri që të përvëlonin në verë e të thanin ftohti në dimër.

Po ja që Mara, Mara da Roit, që s’dinte gjë hiç, ishte vënë në mes të sheshit të ri buzagaz, pas një stoli të tillë, ku ulur ishin gjashtë gra të moshuara, me tesha të errëta.

* * *

Pas Shkodrës Durrësi është qyteti që kam shijuar më shumë” më rrëfeu po të njëjtën verë një tjetër mik, profesor i gjuhës e letërsisë italiane në Bolzano. Me të dashurën e tij ishte nisur me makinë për një udhëtim dyjavor nga Kroacia. Edhe ata kishin ndaluar një natë në Durrës, në Hotel Nice. Eshtë një grua që banon në të njëjtën ndërtesë karshi Hotel Nice, në kat të tretë. Atë verë, pasditeve me vapë, e shihja të varej prej ballkonit me një zorrë uji në dorë që e sillte prej lavamanit të kuzhinës. Nga sipër jepte e merrte për të ujitur lulet poshtë. Pak më tutje mbi një karrige në buzë të shëtitores ulej nga mëngjesi deri në mbrëmje Dante, pronari i një dyqani të vogël e të këndshëm me punime zejtarie. Në mbrëmje, bolzaninët, pasi kishin ngrënë vaktin e darkës diku nga Vollga, në kthim kishin vënë re rrëshqanthi amfiteatrin. Nuk e dinin që Hotel Nice, pak minuta prej detit, kishte në të djathtë të tij “Shtëpinë Muze të Aleksandër Moisiut”, portreti i të cilit hijeshon mes tjerash muret e brendshme të teatrit publik të Bolzanos. Pak më në të djathtë të tij gjarpëron rruga Kolonel Thomson, në kujtim të Lodewijk Willem Johan Karel Thomson, kolonel holandez, hedhur në Shqipëri për llogari, sot do të thonim, të Europës, për të shtypur rebelimet e fshatarëve shqiptarë kundër Princ Vidit. Më 15 qershor të 1914 në Durrës, mes një katrahure të radhës, ndërsa u lëshonte urdhëra ushtarëve të tij në të djathë e në të majtë, një plumb që vinte nga afër e kishte goditur nga mbrapa qafe e i kish dalë prej grykës. Sidoqoftë, gjynah që miqtë e mi nuk i dinin këto gjëra. Nuk kishin sesi. As se Rruga e Kolonelit fatkeq vinte paralelisht me atë të Anastasit të I të Durrësit, perandorit të Bizantit për të cilin thuhet që më 430 i mveshën aktin e vënies së taksës së ashtuquajtur “pro haustu aeris”, të “thithjes së ajrit”. Nuk më është fort e qartë në ka e nëse po në funksionojnë zyrat e informimit turistik në Durrës. Shpesh hasa në grupe turistësh që çalltisnin vetë nëpër rrugica, familjarë me harta të zhubrosura në duar si shami hundësh e me mollëza të përvëluara prej diellit.

* * *

Kur mbërrita unë në verën e 2017-ës gjëja e parë që bëra ishte ajo që bëj përherë. Mora rrugën për nga bashkia, kalova shëtitoren Epidamnus e ndalova në sheshin përballë portit të vjetër. U ndala e mbeta pagojë. Në mes të asfaltit që dikur barte një stol me statujën e John Lennon-it m’u shfaqen ca shqyerje të thella e të shtrira. Tre a katër syresh. Prej së poshtmi dukeshin pak a shumë mbetjet e qytetit të vjetër, zgjuar pas mijëra vitesh. Dikush tregonte për tre varre mesjetare, varre grash. Sapo kishin nisur ndërtimet e të shumënjohurës Velierë, kjo që duhet të jetë një barkë gjigante prej hekuri e paparë në Durrës. Ishte një pasdite e hasa me protestën e një pjese të shoqërisë civile që kërkonte ndërprerjen urgjente të punimeve. Të tjerët, shumica për fat të keq, vijonin ritmet e tyre të paciflosura nga gjithë kjo katrahurë. Shëtisnin, preheshin nëpër kafenera, rrëkëllenin ndonjë gotë, kafshonin kausha e lëpinin akullore. Ndalova disa herë edhe në sheshin Iliria, përballë me bashkinë, aty ku Mara kishte pozuar mes palmave. U vura të kërkoja gratë me tesha të errëta. Thuhet që durrsakët janë njerëz ritualë. Mblidhen në të njëjtin vend për një kohë të gjatë. Këtu ca pleq i shoh shpesh të ulen në të majtë të bashkisë, mbi shkallët e xhamisë së madhe. Gjithsekush në vendin e vet, nga ora 15 deri me 16, nga ora 18 deri me 20 e kështu me radhë. Rreth orës gjashtë të mbrëmjes i gjeta edhe gjashtë gratë me tesha të errëta. Mbi të njëjtin stol prej guri, medoemos. U përshëndetëm e u llafosëm ca. U tregova për Marën dhe për fotografinë e saj. U habitën, u gëzuan, ndukën faqet, morën në lojë njëra tjetrën. Pastaj dielli filloi të rrëshqasë e ato u çuan e morën për në shtëpi. Ndërkaq, një gjysh me flokë të shpupurisura u shfaq me kallinjtë e misrit e me një stufetë në anë të sheshit. Zhvoshku me zhdërvjelltësi kallinjtë e i vuri mbi prush njërin pranë tjetrit. Pesë nga pesë. I rrotullonte herë pas here e e bërtiste pa e çuar kokën: ”Misra të pjekur!”. 500 lek për kalli. Shtrenjtë për të moshuarit tanë që marrin pak a shumë 150 euro pension.

Unë ika pas dy javësh, e fill mbas meje erdhi Monika, një shoqe romane, gazetare e televizionit të Alto Adiges. Me tre mike të saj. U kisha lënë çelësat e shtëpisë, një apartament në kat të pestë, të një prej kullave bizele që shohin mbi Vollgë. Ç’është e vërteta nga të gjitha dritaret mund të shihnin një copë historie. Nga njëra detin e portin e vjetër. Nga tjetra kullën veneciane. Prej ballkonit do kishin mundur të shihnin diçka prej rrënojave të kalasë para se të rrasnin aty, as tre metra më larg, një kolegj amerikan gjigand, me taksa tepër të kripura, i përshtatshëm për zengjinë. Shpesh duke kaluar atje më ka ndodhur të shoh në hyrje të tij çifte të sapomartuar që marrin poza. Ajo me fustan të bardhë, ai në kostum. O aty o pak më poshtë. Tek shkallët. E rëndësishme ngjan të ruhet i pavdekshëm brenda portretit dasmor një njollë kolegji. Pse vallë të rinjve tanë ua ka ënda të marrin poza para një kolegj kaq kaba? Në të dyja anët janë vënë dy shtatore të bardha. Kerubinë që çojnë vështrimin drejt kubesë ngjyrë ari të Xhamisë së madhe. Të dy mbajnë në dorën e djathtë një flakadan, simbol i përshndritjes së shpirtit, Më të shumtëve ama u bëhet si një angjinare, një angjinare e bardhë.

Durrsakët thuhet pra të jenë njerëz ritualë. Orare të caktuara për gjumin e drekës, për shëtitjen e pasdites. Kemi kasapin tonë të besueshëm, parrukieren tonë, zonën tonë të preferuar ku bëjmë plazh e madje katrorin imagjinar në rërë ku fusim bishtat e çadrave që shumë prej nesh i sjellin ende nga shtëpia, bashkë me shtrirëset. Edhe mua me tim shoq, na ka mbetur zakon para se të nisemi për në Itali, pirja e kafes së fundit tek Mulliri i Vjetër, kjo kafene e këndshme në një cep mes Shëtitores Epidamnus e Rrugës së Kalasë, pesë minuta në këmbë nga xhamia Fatih, ku për herë të parë kam dëgjuar lutjen e imamit Zenel, imamit tim të preferuar. Më shumë se tetëdhjetë vjeç shquhet kur në perëndim përshkon rrugën drejt xhamisë me kokën e tij të vogël e të çuar lart. Ka një trup të hollë e vishet me tesha me ngjyra të ngrohta. Majën e kokës e mbulon me një qeleshe bojë hiri. Hov mbi asfalt më një lloj ritmi fëminor e u buzëqesh gjithkujt.

Ulur pra, tek Mulliri i Vjetër, në orën gjashtë e gjysmë të mëngjesit Shëtitorja Epidamnus është një fllad në zemër. Prehet ende i shtendosur në dlirësinë e vet qyteti, klithjet e pulëbardhave, kambanat, minaretë. Gjithçka mbetet e dëlirë deri pa mbërritur ata: të fortët e qytetit. Ata që mbërrijnë gjithmonë në makina të mëdha, të errëta e të reja. Parkojnë ku t’ua thotë mideja duke ua bllokuar shikimin të tjerëve. Ecin me hap të avashtë e vënë në pah barqet e tyre të majme. Kërcasin tufat e çelësave mbi tavolinë e dy tre celularë. Porosisin mëngjesin. Kush duke britur, kush duke mërmëritur, kush duke bërë një shenjë të vogël me kokë me vështrim të sertë. Të fortët e qytetit, ata të radhës. Që vendosin nëse shembet apo jo një mëhalle ilirike për të ndërtuar përmbi pallate të larta, tepër të larta, veliera të mëdha, tepër të mëdha. Ata që betonojnë bregdetin, shkulin pemë të vjetra e rrasin palma, e hapin vrima e të tjera si këto.

Prej avionit që largohej, sodisja, më 2017-ën Durrësin, sesi zvogëlohej e zvogëlohej. Një grusht rrënojash, pallatesh, shtëpi galiç mbi det, të vetmuara në mbijetesën e tyre të përditshme. Kush pra do ta mbronte Dyrrahiumin nga rrënimi përfundimtar? Një-shi mbetet gjithmonë një numër i vetmuar, po ashtu edhe dyshi. Edhe njëqind po të jenë të tulatur, të pasigurt, të varfëruar. Papritur avioni u shkund me hov e mori për më lart. Në atë çast nuk kisha si ta merrja me mënd që në Durrës, do të kthehesha veç më 2021-shin. Pas lebetisë së tërmetit e gjëmës së kovidit. Po ky është një rrëfim më vete që i lipset medoemos koha e vet. Atë drekë në qiell, më nuk pashë përveçse re e re, bardhësira e vetëtima të buta, të çuditshme, si prej sermi.

 

(c) 2021 Gentiana Minga. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


* https://www.youtube.com/watch?v=e4fUvhfn3Jw : Escucha mi canción, film spanjoll i 1959

** José Jiménez Fernández, i njohur me emrin Joselito, një ish-këngëtar fëmijë, një yll i kinemasë spanjolle, sidomos në vitet ’50 e ’60.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin