Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

ME DIALEKT

Dialekt është nga ato fjalë të cilave kujtojmë se ua dimë kuptimin, por që në fakt janë të vështira për t’u përkufizuar. Në raport me gjuhën, dialekti është sistem më i kufizuar dhe një gjuhë ka si rregull disa dialekte – p.sh. gegërishtja dhe toskërishtja, si dialektet kryesore të shqipes; dhe në kuptimin që të dy këto kryedialekte i përkasin shqipes, pra i nënvendosen (i nënrenditen). Pastaj, kemi kundërvënien midis dialektit dhe gjuhës letrare, sado i kontestuar të jetë ky term i dyti; dhe kjo kundërvënie zakonisht parakupton se dialekti zakonisht nuk ka formë të shkruar, meqë në momentin që fillon të shkruhet, kthehet në gjuhë letrare; por zakonisht kjo kundërvënie interpretohet si midis dialektit dhe gjuhës standard, duke qenë kjo e fundit një variant letrar, i shpallur si standard për gjuhën e shkruar të një kombi, një shteti, etj. Konfuzioni këtu ka lidhje me atë që gjuha standard u kundërvihet edhe dialekteve edhe varianteve letrare, p.sh. shqipja e 1972-shit i kundërvihet gegërishtes, por edhe variantit letrar të Shkodrës ose variantit letrar të Prishtinës. Më në fund, dialekti si koncept shënjon çdo sistem gjuhësor që i nënrenditet gjuhës, sepse flasim edhe për dialektin e Shkodrës ose dialektin e Elbasanit ose dialektin e Gjirokastrës, ose edhe më tej, për dialektin e Dushmanit ose dialektin e Gjormit; por ky përdorim është i gjuhës së folur dhe jo shumë i saktë, sa kohë që termi më i saktë, në këto kontekste, është e folme.

Një përdorim transversal i termit, sidomos në shqipen bisedore, ndeshet shpesh në shprehjen me dialekt, si të flasësh me dialekt – por këtu zakonisht është fjala për atë që e quajnë theks ose aksent; një person që flet me dialekt nuk është e thënë ta flasë dialektin të pastër, sepse mjafton që ta spërkatë ligjërimin me disa shenja të dialektit, që mund t’i kenë mbetur, ose mund t’i ketë vendosur aty qëllimisht. Kështu, ndodh që shumë banorë të Tiranës që dalin në TV përdorin herë pas here forma të dialektit qytetar (tironçes), pa folur tironçen e kulluar. Një person që “flet me dialekt” është dikush që bie në sy (teknikisht, bie në vesh) për të folmen e vet; një korçar nuk flet me dialekt kur është në Korçë, por vetëm kur vjen në Tiranë. Në përgjithësi, arsimimi gjuhësor synon t’u mësojë përdoruesve të shqipes se kur DUHET të flasin në shqipen standard dhe kur mund të devijojnë, duke përdorur forma jo-normative, përfshi edhe ato dialektore; dhe në këtë kuptim, gjysmanalfabeti mund të përkufizohet edhe si ai që nuk arrin të zgjedhë se kur të flasë “me dialekt” dhe kur të flasë në standard (ose “me drejtshkrim”, siç e dëgjon ndonjëherë të thuhet). Ka pastaj edhe nga ata që e përdorin qëllimisht dialektin në kontekste ku duhej përdorur standardi, edhe pse janë në gjendje ta përdorin standardin; e bëjnë këtë si gjest politik, ose për t’u distancuar nga politikat e homogjenizimit të shqipes.

Vetë struktura e togfjalëshit, flas me dialekt, e fut në një bashkësi me flet me vështirësi, flet me inat, flet me zë të lartë, flet me shpejtësi duke shërbyer ky rrethanor, me dialekt, për të përshkruar një mënyrë të foluri (modus), gjë që ndryshon nga si përcillet kuptimi në togfjalëshin flas shqip (flas anglisht, flas toskërisht, etj.), ose edhe në variantin e këtij të fundit e flas shqipen (e flas anglishten, e flas toskërishten), ku gjuha, si produkt i të folurit, jepet me një ndajfolje, ose me një emër në kallëzore (kundrinë). Me gjasë një ndërtim tjetër, flas në dialekt, është kalk nga italishtja (parlare in dialetto). Gjithsesi, flas toskërisht nuk është e barasvlershme me flas me dialekt; te flas toskërisht, toskërishtja është produkt i atij sistemi rregullash dhe paradigmash leksikore që e quajmë “toskërisht”; te flas me dialekt, kjo “dialekt”, që mund t’i referohet edhe toskërishtes, nuk është produkt i ndonjë sistemi rregullash dhe as instancë e atij sistemi, por vetëm një modalitet i të folurit, që mund ta afrojmë edhe me timbrin ose nuancën. Nga ky këndvështrim, të flasësh shqipen me dialekt nuk është e njëjta gjë me të flasësh aksh dialekt; sepse te shprehja me dialekt theksi kuptimor bie te shmangia nga një normë a një standard, jo te aktualizimi (instancimi) i një sistemi alternativ ndaj normës, siç është dialekti.

Dialekti mund edhe të mbetet i kufizuar në “aksentin”, një ngjyrim i të folurit që nuk fiksohet dot me shkrim; sepse një shkodran, bie fjala, mund të dallohet edhe nga zanoret – nga melodia e zanoreve – edhe kur e flet shqipen standard pa gabime; të gjithë e bartim njëfarësoj origjinën gjeografike në mënyrën si flasim, sikurse të gjithëve na ngjiten, rrugës, shenja gjuhësore të personave me të cilët kemi më shumë kontakt; kështu motra ime gjithnjë më ngacmon, kur përdor ndonjëherë – pa vetëdije – forma të gegnishtes (p.sh. ka shku, ka ardh), të cilat tani i kam të gjalla kryesisht ngaqë jetoj me një dibrane. Të flasësh me dialekt nuk është thjesht punë sallonesh dhe lojërash të identitetit; një lajm nga shtypi: “në klasë të pestë, kur sapo kishte ardhur nga Erseka në Tiranë është përballur me bullizmin për shkak se fliste me dialekt”, na kujton se fëmijët janë shpesh të pamëshirshëm ndaj diferencave; dhe ato në të folur i luftojnë sikur të ishin pengesa fizike ose mendore. Në qytete të mëdha, si Tirana, të flasësh “me dialekt” mund të krijojë – dhe në fakt krijon – probleme të mëdha psikologjike për fëmijën.

Për të njëjtën arsye, lexon shpesh në lajmet se keqbërësit, ose autorët e një krimi, “flisnin me dialekt” – kjo sepse dialekti i tjetrit bie në sy njëlloj si një cen fizik (çalonte), por edhe sepse shërben si grep për të varur paragjykimin (“keqbërësi nuk ishte yni, vinte nga një vend tjetër, ishte i ardhur, etj.”). Ja një lajm: “fliste me dialekt verior: ku e ke kasafortën?” Ose një tjetër: “Njëri prej tyre, sipas dëshmitares, kishte veshur pallto të zezë dhe fliste me dialekt verior”; dhe më tej: “Ndërkohë që njëri prej tyre na mbante armën e drejtuar dhe fliste me dialekt verior, dy të tjerët nxorën disa fasheta dhe na lidhën duart mua dhe gruas. Më pas nisën të më kërkonin se ku ndodhej kasaforta.” Ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini: “Ka qenë e paimagjinueshme që ngrihet opozita e akuzon që ministrja flet me dialekt dhe të thotë që dikush që flet dialektin e Kosovës, dialektin verior, është më pak inteligjent se të tjerët.” Diskutime të ngjashme ka pasur (në 2015) edhe mes Bamir Topit dhe Jozefina Topallit; madje kjo e fundit, e akuzuar se fliste “me dialekt”, u përgjigj se “Topalli flet me krenari dhe vetëdije shqipen më të bukur, atë me të cilën foli Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Migjeni, Luigj Gurakuqi.”

Këtë kuptim të fundit, të fjalës DIALEKT, që u referohet diferencave të ligjërimit të dikujt nga një model standard (normativ) fjalorët e shqipes nuk e kanë; dhe njëlloj gabojnë, kur e konsiderojnë kuptimin “e folme” të dialektit si të vjetruar. Kjo shpjegohet edhe me origjinën librore të termit, meqë ai ka zbritur nga ligjërimi teknik (linguistik ose sociolinguistik) në atë popullor; gjuhësia ka edhe një degë të vetën, dialektologjinë, që merret me variacionin sinkronik të gjuhës dhe që përdor përkufizime të sakta të termit; por ndërkohë përdorimi në ligjërimin popullor ka ndjekur rrugën e vet, deri aq sa sot të vijë dhe të shënojë, kryesisht, shmangien nga norma (standardi) për shkak të origjinës gjeografike – e cila edhe në popull shihet si cilësisht e ndryshme nga shmangiet nga norma (standardi) për shkak të mos-shkollimit në masën e duhur. Në kuptimin që disa shkruajnë keq sepse shkruajnë keq, pa pasur kjo lidhje të drejtpërdrejtë me dialektin (paçka se dialekti mund të ndikojë në lehtësinë me të cilën përvetësohet norma nga fëmijët në shkollë); ndërsa ata që flasin me dialekt, edhe pse nuk flasin detyrimisht keq, tregojnë mangësi të një lloji tjetër (kur nuk e bëjnë si formë rebelimi). Me fjalë të tjera: shqipja e folur nuk mësohet në shkollë dhe, në atë masë që askush nuk e mëson në shkollë, askush nuk flet keq (me gabime, etj.); gabimet në të folur vijnë nga interferencat e standardit, ose kur dikush përpiqet të flasë një version më formal të shqipes, por pa e zotëruar; përkundrazi, shqipja e shkruar gjithnjë mësohet në shkollë, si çdo teknikë tjetër; prandaj edhe gabimet në të shkruar mund të vijnë jo vetëm nga interferencat e standardit, por edhe thjesht nga mangësitë në përvetësimin e formës së shkruar; më tej, të flasësh me dialekt nuk është gabim, por mund të jetë gabim vendimi për të folur me dialekt atje ku normat sociale (ose protokollare, ose profesionale) kërkojnë që të flitet standardi; dhe më në fund, të shkruash “me dialekt”,  p.sh. të përdorësh formën e kam lexu dhe jo e kam lexuar mund t’i detyrohet interferencës dialektore, dhe të mos ketë lidhje me vullnetin për të shkruar në një variant letrar alternativ (p.sh. shkodranishte, kosovarishte, elbasanishte, etj.).

© 2021 Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin