Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Muzikë

E DHJETA

Para se të vdiste, Beethoven-i kish filluar të kompozonte një simfoni të re – të 10-tën; por që nuk e përfundoi dot.

Që nga ajo kohë, të gjithë admiruesit e Beethoven-it, muzikologët dhe kuriozët do ta kenë menduar, herë pas here, si do të ishte bota, arti dhe muzika, me atë simfoni të mbaruar.

Këto ditë dëgjuam se një ekip muzikologësh, kompozitorësh dhe informaticienësh po organizohen për ta sjellë veprën e pambaruar të Beethoven-it në jetë.

Pikënisja? Disa pak shënime muzikore të artistit të madh, të vështira për t’u lexuar dhe për t’u vendosur në kontekst. Ekipi i tanishëm ka marrë përsipër jo aq ta restaurojë simfoninë, por ta plotësojë duke u mbështetur në Beethoven-in autor, të shfaqur në indin e veprave ekzistuese.

Ose duke e shkruar ashtu si do ta kish shkruar Beethoven-i.

E reja në këtë mes është se rregullsitë beethoveniane në kompozim do t’i besohen inteligjencës artificiale (IA) ­që t’i distilojë, t’i kombinojë dhe t’i plotësojë.

Por thelbi i kësaj ndërmarrjeje ka të bëjë drejtpërdrejt me konceptin që kemi për autorin e një vepre arti.

Ose për atë gjurmë unike, që lë individi krijues, në veprat e veta.

Ka gjithnjë ekspertë muzikologë dhe historianë muzike, që janë në gjendje ta njohin Beethoven-in jo thjesht ngaqë ia kanë dëgjuar pjesët, por edhe ngaqë ia njohin “nënshkrimin”, stilin unik, skripturën.

Ose atë gjë që kanë të përbashkët të gjitha veprat, të cilave u njihet Beethoven-i si autor: nga sonatat për piano, te koralet, simfonitë dhe operat, te kuartet e harqeve dhe variacionet.

Beethoven-i është emërues i përbashkët i të gjitha kompozimeve të tij; por këto kompozime janë rregullisht të ndryshme nga njëra-tjetra.

Simfonia e pestë dhe e gjashta: të dyja tejet beethoveniane, por edhe sa të pangjashme!

Por Beethoven-i nuk është thjesht emëruesi i përbashkët i të gjitha kompozimeve të tij, por edhe tërësia e diferencave nga një kompozim tek tjetri.

Pra, jo vetëm autori i kësaj apo i asaj sonate, i kësaj apo i asaj simfonie, por edhe autori i kalimit nga një sonatë në tjetrën, nga një simfoni në tjetrën; nënshkrimi i ndryshimit.

Ajo gjë unike, e papërsëritshme, e trupëzuar në muzikën e tij, nuk është thjesht një strukturë thelbësore e përsëritur, por edhe – unë do të thoja sidomos – ndryshimi i domosdoshëm që dallon çdo vepër nga tjetra.

Por sa do të jetë në gjendje një program i inteligjencës artificiale, që ta replikojë këtë, sa kohë që edhe mendja e studiuesit e ka të pamundur ta përshkruajë në mënyrë racionale?

Në bashkëpunim me trurin prej silikoni, ekspertët e muzikës do të përpiqen të hartojnë një simfoni të plotë, në bazë të skicave të pakta të Beethoven-it, duke e plotësuar veprën me fraza dhe struktura që do t’i gjejnë në vepra të tjera të atij artisti.

Në fakt, një vepër e muzikës klasike mund të përfytyrojmë si një dialog të ngërthyer mes përsëritjes dhe rinovimit, temës dhe variacionit. Katër notat hapëse, të simfonisë së 5-të, përmbajnë formulën e krejt simfonisë.

Eksperimenti i tanishëm – sepse i tillë është, eksperiment – synon që ta replikojë mendjen krijuese të artistit nëpërmjet inteligjencës artificiale, të ushqyer dhe të korrigjuar nga ekspertët.

Është një eksperiment me vlerë për promovuesit e inteligjencës artificiale dhe mbase një mënyrë e re për të dëgjuar diçka “të re” nga Beethoven-i.

Në thelb, e gjitha kjo mund të reduktohet në përpjekjen – të vjetër sa njeriu – për ta ringjallur të vdekurin, me kompjuterin në rolin e Frankenstein-it.

Dhe rezultati do të jetë, druaj, njëlloj i frikshëm.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: faksimile e shënimeve të Beethoven-it për simfoninë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin