Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Antropologji

BUKË E ZEHËR: SA POSHTË KA RA KATUNDI

Nga Sait. N. Saiti

Të tanë atyne që më kanë shkrue sprovën Pyllit pa spatë, të njoftun dhe të panjoftun, që kishin vlerësue me dashamirësi apo prishaqefas pyetjet dhe aludimet e mija; po ashtu, të zotit të shtëpisë që më nderoi me një përvijim të asaj linje ngritje çështjesh dhe pyetjesh, z. Doja dhe antropologut tonë z. Bardhoshi. U falënderoj për kohën dhe vëmendjen që i keni dhanë.

Kisha dashtë me i dhanë xhevapë njenës prej pyetjeve që z. Doja radhit te Spata e druvarit se ç’po nënkuptoja unë me spatën, apo ma mirë me thanë me mungesën e saj: fjala asht për pozitat e mija ndër këto tematika, ku realisht i hyj një pylli/disipline pa spatë/tagre, së paku konvencionale. Si çdo merakli që e sheh diçka nga jashtë, rreket herë me leje e herë me bërryla me folë, me pyetë për diçka dhe pse jo: me ia prishë ndokujt rehatinë. Kjo ndoshta tue marrë tepër për të mirëqenë se mirëkuptohet edhe mundësia, kufini dhe tagri i shtruesit të pyetjeve, se me u keqkuptue asht kollaj në vatanin tonë gjuhësor e mendësor.

Mënjanë spektaklin vajtojc që projektohet te tjetri, nuk pretendova se trajta kujria nuk ekziston, por bana një pohim që ka qenë Gjeçovi ai i cili i ka dhanë atë kumtin e së përbashkëtës nga synimet social-kulturore që i ka bashkangjitë materialit në kodifikim e sipër. Dizdarin e vuna vetë në dispozicion për t’ia pranëvendosë trajtën që ai zgjedh si dominante korije – thjesht për “pyll” – kundrejt kujrisë. Fjalor i cili mundëson edhe kontekstin periferik të trajtës kanunore, kontekst të cilin e ka të mbrendashkrueme periferinë qysh se dihen viset ku asht mbledhë landa. Sa për rrugëtimin e kumteve nuk pres me e ba domosdoshmërisht diskutimin leksikografik, thjesht më duket (nëse lejohet) anashkaluese që nuk përmendet. Për kontekst, meranat të mëhallës Tophanë, ku llogaritej edhe mëhalla jeme, ishin në Tarabosh. Kullotat e përbashkëta i papërmenduni Valentini zgjedh me i kodifikue me këtë trajtë. Faktorizimi i trajtës periferike se si përshkruhen disa institucione asht njëfarë inercie e zotimit herderian për këto punë, kur i shtohet edhe ndonjë angazhim shtesë atëherë nis e stonon vedit kallpi.

Në hullinë e mospërmendjes asht edhe Martucci, të paktën te punimi Antropologji e kanunit që nënkuptova me “historik kodifikimi”, nuk citohet. Martucci konstaton e aludon edhe ma tej për purifikimin të tabanit islamo-osman të landës zakonore nga mbledhësi Gjeçov, unë thjesht po e përmend dhe po e përkthej tejmase thuktazi në këtë format. Nëse do ta ballafaqonim antropologun tonë me fjalët e veta te punimi i tij për të cilin gëzoj respekt “këmbëngulja për të vërteta absolute ka dëmtuar imagjinatën dhe mendimin kritik” (bot. II, fq. 125), kështu edhe antropologjia e kanunit damtohet kur pretendimet shterruese për punët (që po i mbron pa ia sulmue apo kotësue kush, përkundrazi) kanë mospërmendje të këtilla. Në kujrinë e antropologjisë damtohet edhe antropologjia e memories nëse areali i cili zgjedhet me u servirë asht i cunguem. Në sajë të mospërmendjeve të kësaj kategorie i lejon vetes përshkrime të vagullta si “njësi autonome në kuadër të Perandorisë Osmane” (fq. 123). Pikërisht sepse e bashkëndaj merakun për institucionet zakonore dhe krejt rrjetin e komunikimit të institucioneve tejzakonore me të cilat asht lidhë, i përmenda çka përmenda, se përndryshe na del një kanun jetim nga pikëpamja fenomenologjike. Kështu do të kishim pasë fatin me pasë edhe një antropologji të institucioneve përtej kornizave të përcaktueme. Përfund kështu m’duket mue e udhës, apo logjike, pse edhe antropologji pa logjikë s’di si ka me pasë. Mund të kisha përmendë kontributin e klerit katolik se si, në Selcë b.f., kanë bindë krent mos me e kërkue gjakun përtej familjes së dorërasit.[1] Këto dhe të tjera i mësojmë nga Valentini, një tjetër i papërmendun, me aq sa kam pa; por asht merak të cilit duhet me i dalë për zot tjetërkush, gja që nuk bahet nga llogoret. Mbasandej krahpërkrahjet imagjinare e bracnisë e cubnisë – që ende sot i atribuohen disa krahinave, ose në kushte bashkëbiseduesish të pajisun me autoironi, ta pranojnë vetë se si nuk i jepej nuse atij që s’i çonte dashin e kumbonës si dëshmi aftësimi – me qytetarinë që asht angazhue vaktit për me ndihmue në paqtimin e fenomenit janë dikotomina të rrejshme me të cilat nuk e di si i del koha me u eglendisë. Për këto dorëzanitë e elitës së kohës (hoxhallarë, dervishlerë apo thjesht parí qytetare me itibar), Reinkowski e Bushati japin përshkrime shtesë ndaj atyne shumë të vyemeve që citohen nga Ulqini edhe me presje. Ironikisht (nuk) trajtohet një përmasë kohore kur kodi zakonor, i njohun si urf, njihej nga shteti i kohës. Kur të përmendet krejt network-u i institucioneve, kur të konstatohen narrativat kolonialiste mbrenda të cilave mshehen edhe idetë racore të kohës si te parathania e Fishtës, ka me u vu re që ç’ke me të që orientalizmi teorik i Saidit jo vetëm ka vend, por asht i domosdoshëm.

Nëse ndër mexhliset e Tiranës vërejtjet e tilla përjetohen ende si gjyqe politike se – larg qoftë – rrezikohet edhe buka, këtej nga i nënshkruemi nuk kena shkue hala në atë djerrinë merhametit, pavarësisht shpotitjeve. Dihet pak a shumë botnisht anekdota e Kristoforidhit që del me mbledhë fjalë në Pazar, dhe me apo pa dashje ia thyen voet/vezët një fshatareje nga rrethinat e Elbasanit. Fshatarja u çue tue namë se një shkallafat ia çoi dam bereqetin, por Kristoforidhi nisi ndërkohë tuj i radhitë në defter namët. Kish’ të mujshe edhe unë me pasë çka me radhitë me këtë rast.

Përdora te shkrimi dy pare muhabet sepse e shoh domethanëse rranjën e fjalës muhabet, kusht pa të cilin muhabeti nuk bahet. Ndoshta e përdora shumë gjatë parimin “mendo si për veten” (fq. 137). Pyetjet apo daljet në përfundime që bana ishin me aq sa pata mundësi me pa online, tue u përpjekë me i ba një lexim ndryshe kodit të nebiut Gjeçov, por si duket mundësia qenka trajtue jo si sebep me e ngritë tabanin e diskutimit, por për me e ulë në ad hominem që me përligjë ndamjet, pozicionimet dhe llogoret si vijojnë. Për mos me përmendë përgjegjësinë, këtë trajtim e shoh si zgjedhje, se nuk ma do mendja që ishit në trafik kur përdorët plot 13 herë temën vaj, o antropologu jonë.[2]

 

© 2021 Sait Saiti. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Giuseppe Valentini (1956), Il diritto delle comunità nella tradizione giuridica albanese: generalità, Firenze: Vallecchi Edittore. “Selce, VIII 1902: «La tribù [rectius: bandiera] di Selze si è resa l’esemplare tra le alter limitrofe per avere conservato in vigore la legge [d’iniziativa ecclesiastica] che proibisce di vendicarsi fuori della famiglia dell’uccisore. […]»

[2] Antropologu jonë e përdora shkrimin e parë që pikë së pari mos ta baj personale, meqë edhe shumëkush ende më kujton se jam nofka e ndokujt. Pikë së dyti sepse randësi për mue kishte trajtimi i idesë, gjithnjë pa pretendimin se ka ndonjë vlerë të bashkëmatshme metodologjikisht me antropologun në fjalë. “Një poet, piktor” ose thjesht “një shok i joni” të paktën në mjedise ku kam ndejtë kanë qenë formula bisedore për me e përmendë dikë tuj nënkuptue një minimum karshillëku. Në të njëjtën mënyrë si A.V. iu drejtova me i zoti i shtëpisë, nëse ndihmon ma tej shpjegimi i kësaj përftese retorike me zhdavaritë nervovizmin dhe animozitetin e kotë dhe të keqvenduem / misplaced atyne që ferra u qenka ba Brahim.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin