Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

RRETH VETË-EKZOTIZIMIT

Ka qarkulluar një legjendë urbane, në vitet 1980, për kryeministren e atëhershme të Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher, që u paskësh shprehur se vende si Shqipëria, që atëbotë shembëllzonin një formë tejet dogmatike dhe primitive të totalitarizmit komunist, duheshin “preservuar” njëlloj siç “preservohen” speciet e rralla në biologji, në gjithfarë zoo-sh e rezervatesh, për t’i mbrojtur artificialisht nga zhdukja; sepse do të mjaftonte përballja me realitetin e vendit të vetëm socialist në botë, për të dëshmuar se socializmi real, të paktën në format e veta të shtangëta, nuk mund veçse të përftonte mjerim, shëmti, vuajtje dhe maskarallëk. Të ruheshin, pra, vendet si Shqipëria, por – paradoksalisht – vetëm në mënyrë që të mos replikoheshin gjetiu.

Legjendë apo jo legjendë, ajo e Thatcher-it nuk u realizua dot; dhe vende si Shqipëria, megjithë problemet e mëdha që kanë, nuk i tërheqin më aventurierët e emocioneve të forta politike, zhytësit e thellësive të qytetërimit dhe të apasionuarit pas trofeve të rralla. Mizerja jonë sot, në atë masë që ekziston, është e mërzitshme; në një kohë që vizitorët ftohen të vijnë me josha të tjera, paçka se gjithnjë ekzotike.

Lexoja këto ditë një intervistë disi të hershme të Shaban Sinanit (“Besa nuk ka lindur me shqiptarët”, Panorama 27 prill 2011), ku ky përmendte një ide të albanologut F. Nopcsa, se Shqipëria e kohës së tij – e fillimshekullit XX – duhej ruajtur njëfarësoj si “muze i gjallë i së shkuarës kalorësiake, me qëllim që Europa metropolitane t’u japë mundësi brezave të rinj të shohin të shkuarën e stërgjyshërve të tyre.” Një qëndrim të tillë Sinani ka gjetur edhe te Rose Lane, e cila propozonte diçka të ngjashme, në emër të “ruajtjes” së disa vlerave historike, të cilat gjetiu ishin rrëgjuar. “Një pjesë e albanologëve të huaj e kanë idealizuar dhe hyjnizuar virtytin shqiptar,” thotë Sinani.

Kam përshtypjen se ende na mungon një analizë psikologjike e studiuesit dhe udhëtarit të huaj, që i qasej Shqipërisë në shekujt XIX dhe XX – përfshi këtu edhe albanologët. Çfarë i shtynte këta njerëz të kuturiseshin në skajin tonë të Perandorisë Osmane dhe të rrezikonin kokën, përtej ndonjë misioni spiunazhi me pagesë ose për të mbledhur të dhëna topografike, gjeologjike dhe antropologjike, në kornizën e përgatitjeve për një pushtim a kolonizim të ardhshëm? T’i konsiderojmë këta si bij të Herderit, pelegrinë a shpirtra romantikë që kërkonin – në “malet shqiptare” – shkëlqimin e një së kaluare të virtytshme që në Evropë përndryshe ish gëlltitur nga historia?

Gjithsesi, për arsye të vetëkuptueshme, ne priremi të mbajmë mend ata vizitorë të huaj që kanë shkruar “mirë” për shqiptarët, kanë lëvduar virtytet e tyre, punët dhe ditët, zakonet e ruajtura, thjeshtësinë e marrëdhënieve sociale, vërtetësinë, nderin dhe besën, kreshnikët dhe legjendat. Të tjerë – se tek-tuk do të ketë pasur – që nuk janë mahnitur me stërgjyshët tanë – tashmë do të jenë harruar; librat nuk ua ka përkthyer kush dhe emrat e tyre nuk i gjen në asnjë rrugë të Shqipërisë së sotme.

Përndryshe, ende e ndesh rëndom prirjen në kulturën tonë – sidomos atë zyrtare – për t’i glorifikuar udhëtarët të djeshëm dhe vështrimin e tyre ndaj realitetit shqiptar; duke refuzuar, ndonjëherë me vetëdije, për të përshkruar filtrin opak në sytë e tyre prej vëzhguesish; subjektivitetin flagrant në gaze-in e tyre, rigorozisht orientalist, ndaj shqiptarëve dhe jetesës së tyre. Tek e fundit, kur udhëtonin, shumë nga këta aventurierë – zakonisht në kuptimin e mirë të fjalës – kërkonin të gjenin diçka nga vetja dhe ashtu edhe e gjenin; por bota që ka mbijetuar sot në veprën e tyre nuk duhet marrë kurrsesi – dhe sidomos pa filtër kritik – si “fotografi” e Shqipërisë së atëhershme.

Edhe më absurde vjen e bëhet kjo qasje, kur botëvështrimin e vizitorit të huaj orientalist të dikurshëm e bëjmë tani tonin, e spërkatim pak me salcë turistike, dhe ua servirim të huajve që dëshirojnë të dinë diçka për Shqipërinë dhe shqiptarinë; duke u dhënë këtyre të huajve, me zell të habitshëm, një formë jo dhe shumë të përditësuar të gjërave që patën gjetur këtu Nopcsa, Edith Durham-i dhe të tjerë udhëtarë – a thua se të huajt e sotëm mund ta kuptojnë realitetin shqiptar vetëm në qoftë se ky u shërbehet ashtu siç e shihnin romantikët e djeshëm nga Europa; dhe ndoshta, duke shpresuar se këta udhëtarë të sotëm do t’i shërbejnë imazhit të shqiptarisë njëlloj siç i shërbyen pelegrinazhet e djeshme në Orientin Otoman të Ballkanit – mbase edhe duke u nxitur pak.

Pa folur pastaj për momentin sa të trishtuar aq edhe logjik, kur qarku mbyllet, dhe vizionin aq specifik të travelogëve europianë të atyre kohëve ne fillojmë t’ia rrëfejmë edhe vetes, që me fëmijët e shkollave; për ta interiorizuar – pa na u dredhur qerpiku – orientalizmin e disa pak udhëtarëve, që dikur kërkonin të jashtëzakonshmen në ekzotizëm. Kështu edhe e realizojmë idenë e Thatcher-it, të shprehur në legjendën urbane që përmenda në krye të këtij shkrimi – vetëm se kjo Shqipëri, sa e virtytshme aq edhe imagjinare, kjo Shqipëri liridashëse, luftëtare dhe e paepur, kjo Shqipëri burrash dhe burrneshash, tashmë duket të jetë muzeifikuar vërtet, por kryesisht për ne.

 

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa leje. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin