Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi / Gjuhësi / Semiotikë / Shkencë

NGA HISTORIA NË MAGJI

Në një shkrim të para ca ditëve (Fjala që ke marrë në punë), diskutova interesin e disave për prejardhjen e fjalëve shqip, duke u përpjekur të kuptoj se çfarë e nxit këtë interes, përtej kuriozitetit intelektual, sa kohë që prejardhja nuk luan rol në funksionimin e fjalës. Meqë në shqip fjalët kanë edhe status, unë dyshoj fort se informacioni për prejardhjen e një fjale i shërben përcaktimit dhe ruajtjes së statusit, sa kohë që, për një botëkuptim të themi kombëtarist rilindës, një huazim – si fjalë e marrë nga një gjuhë tjetër – ka status të ulët dhe duhet idealisht shmangur ose zëvendësuar; ndërsa një fjalë “e lashtë” meriton të përdoret me përparësi, sikurse meriton përparësi neologjizmi, ose fjala e krijuar rishtazi me mjetet e shqipes. E gjithë kjo qasje, që i kategorizon fjalët në vendëse (të trashëguara), të huazuara dhe neologjizma, është specifike, sepse varet nga një këndvështrim historik ndaj gjuhës, duke kërkuar ta përvetësojë dhe ta shpjegojë si funksion të prejardhjes, ose të jetës së saj në përmasën kohore. Pyetja themelore këtu është nga vjen. Jo çfarë bën, ose çfarë strukture ka ose si lidhet me elemente të tjera, por thjesht nga vjen, meqë prejardhja i jep fjalës statusin dhe na ndihmon të orientohemi sipas aksit të rrezikshmërisë, në kuptimin “na ndihmon apo na pengon kjo fjalë” në përpjekjet tona. Për shembull, për të çuar përpara çështjen kombëtare, por jo vetëm. Kjo nuk më habit, teksa shoh që sot e kësaj dite ka njerëz që gjithçka e peshojnë me kandarin e vlerës kombëtare – p.sh. një shkrimtar është i madh sepse ia ka rritur vlerat shqiptarisë, ose një kampion sporti meriton respekt sepse ka tundur flamurin kombëtar, etj. Në përgjithësi, qasja historike nuk kufizohet vetëm me fjalët, dhe as vetëm me gjuhën; sa kohë që çdo objekt dhe entitet ka historinë e vet, përfshi këtu edhe individët dhe institucionet, madje edhe shtetet vetë; dhe është produkt i të njëjtit mentalitet bindja se, për shembull, Austrinë e kemi shtet mik sepse “na ka ndihmuar në të kaluarën”, ose përdorimi i të dhënave historike për të nxjerrë në dritë të vërteta ose për të zgjidhur probleme konkrete, të së tanishmes. Dhe qasja historike është një lloj epistemologjie popullore, edhe pse jo e vetmja. Në fakt, për të mbetur brenda temës, përveç qasjes historike ndaj gjuhës dhe elementeve të saj, për shembull fjalëve, ka edhe një qasje tjetër, që do ta quaja analogjike, dhe që kërkon t’i kuptojë dhe t’i shpjegojë fjalët sipas ngjashmërive me fjalë të tjera; për shembull, emri i Detit Jon shpjegohet me pronorin “jonë”, në kuptimin që Deti Jon është “mare nostrum”, yni; ose emri i përveçëm Chelsea dhe shqipja çelësi, një përkim rastësor. Si metodë heuristike, kjo e analogjisë i paraprin në kohë asaj historike, sepse kërkimi përparësor i ngjashmërive mekanike, në etimologji dhe kudo gjetiu, ka qenë në bazë të dijes mesjetare, nga gjuhësia në alkimi; dhe gjurmët e saj mbeten të forta në mjekësinë popullore, ose në ndonjë fushë dijeje jo ekzakte, si homeopatia (similia similibus curantur), që është edhe një formë e së ashtuquajturës magji simpatike. Foucault-i ka folur gjerë e gjatë për këtë te Les mots et les choses. Segmentimi i fjalëve në elemente të thjeshta dhe “leximi” i tyre si fraza të kompaktësuara mund të shërbejë për humor dhe shaka, por ndonjëherë merret seriozisht; dhe jo rrallë përdoret si metodë bazë e etimologjive në veprat e të ashtuquajturve “pellazgologë”, që duan të ri-etimologjizojnë fjalët shqipe, në kërkim të një lashtësie kimerike, ose për ta vendosur shqipen në rrënjë të gjuhëve europiane. Ndryshe nga metoda historike-krahasuese, e cila tashmë ka arritur statusin e një disipline shkencore rigoroze, kërkimi spekulativ i fjalëve brenda fjalëve dhe i rrënjëve brenda rrënjëve i ngjan fort alkimisë dhe historisë së natyrës, ashtu siç praktikohej në Mesjetë; ku marrëdhëniet mes entiteteve – p.sh. një sëmundjeje dhe bimës që duhej përdorur kundër saj – bazoheshin në ngjashmëri të jashtme, ose në rregullsi të rastit. Për shembull, meqë shpesët e egra, përfshi edhe rosat, sëmuren shpesh nga gripi, atëherë një preparat homeopatik, i bazuar në mëlçinë dhe zemrën e rosës së egër (oscillococcinum), rekomandohet prej homeopatëve si efektiv kundër gripit. Për mjekësinë e sotme perëndimore ky rekomandim është pa kuptim. E njëjta epistemologji popullore i bën disa që të pinë vetë, ose të rekomandojnë pirjen e urinës kundër sëmundjesh të tilla si verdhëza (urinoterapia). Edhe sisteme të tjera të dijes, si astrologjia ose frenologjia mbështeten në ngjashmëri dhe korrelacione analogjike. Për t’u kthyer te gjuhësia dhe fjalët, ndryshe nga qasja epistemologjike gjenetike, e cila në fund të fundit mbështetet mbi dijen akademike (gjuhësinë historike-krahasuese), qasja analogjike, ose analiza e fjalëve jashtë historisë së tyre (p.sh. për të krahasuar “me sukses” dhe për të zbuluar identitete mes një fjale të shqipes së sotme dhe një fjale të shumerishtes ose të etruskishtes) plotëson më shumë një nevojë të përmbylljes dhe të mbrojtjes epistemologjike nëpërmjet thjeshtimit; dhe për mua, si atavizëm i një epistemologjie tashmë të kapërcyer, ose si formë e të menduarit magjik, duhet klasifikuar në patologjitë e shkencës. Përkundrazi, qasja historike ndaj realitetit, ose ajo që e themelon njohjen mbi prejardhjen, gabon në atë masë që zhvendoset nga një fushë epistemologjike në tjetrën, duke përzier – për të sjellë një shembull nga gjuhësia saussureane – diakroninë me sinkroninë. E para do të ishte, për mua, infantile (regresive); e dyta paranojake.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin