nga Albert Riska
Nuk ka shumë kohë që ka ndodhur…
Isha në Kalanë e Lëkurësit në Sarandë, me sytë salduar nga Qafa e Botës, skaji jugor kufitar i Republikës. Isha i rrethuar nga një grup studentësh që u rrëzëllenin sytë nga kënaqësia dhe u mblidheshin duart grusht nga krenaria, teksa më kishin rrethuar dhe u kisha folur diçka për gjuhën shqipe.
Qafa e Botës…, nuk është as fillimi e as fundi i botës…, është thjesht vendi ku duhet të gjendet një tip balte (botë) që përdoret për të larë kokën… Gjithsesi, ajo fjalë mu në kufi… Të ketë ndikuar në vendosjen e kufijve!!? Ndoshta më kishte pushtuar edhe mua perceptimi popullor i toponimit, sepse kisha folur diçka gjatë dhe kisha folur si një patriot “i çartun”, siç bëjnë zakonisht mësuesit nëpër ekskursione të tilla, apo siç bëjmë të gjithë kur largohemi nga Shqipëria.
U kisha treguar se në kushtet e pushtimit romak të Ballkanit fati i popujve e i gjuhëve të gadishullit ishte i destinuar. Roma mori shumë masa për të përjetësuar pushtimin (ia numërova ato) dhe rezultati pritej të ishte romanizimi. Kështu ndodhi me trakët, me dakët dhe me pjesën dalmate të ilirëve dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe… gati njëmijë vjet…
Nuk mund të ndodhte kështu me grekët e me greqishten… dhe arsyeja, thuhet, kultura e lartë e grekëve…
Pa bërë asnjë koment u përmenda studentëve thënien e një gjeniu të (pa)shquar të botës tonë shkencore, kuptohet, me aq sa munda ta riprodhoja (përjashto detajin e nënvizuar që nuk do të mund ta harroj kurrë): përveç grekëve, në Ballkan nuk u romanizua edhe një tjetër popull dhe dëshmi e sigurt për këtë është bash ekzistenca e gjuhës shqipe…
Ata brofën, por nuk brohoritën…, të magjepsur po pëshpëritnin “të parët tanë nuk u romanizuan”, “vërtet, të parët tanë nuk janë romanizuar”.
-Dhe këtu do kërkuar një arsye, profesor.
Pa dyshim që do kërkuar një arsye, ndoshta disa arsye, por, kur nuk e ndiejmë veten të zotë për të dhënë një zgjidhje shkencore, ne e kemi të udhës që të kërkojmë një shteg tjetër… Le ta quajmë, për momentin, një vepër të zotit…
– Le ta quajmë një mrekulli, profesor, – saktësoi Elsa.
– Ashtu qoftë! – briti një tjetër engjëll.
U fola më pas për pjesën konservative të gjuhës shqipe, për sa gjuha shqipe mund të ndihmonte për rindërtimin e gjuhës së përbashkët indoevropiane, atë që mendohet të ketë qenë mëma e të gjitha gjuhëve të familjes.
U ngrysën kur u thashë se një gjeni i botës gjuhësore evropiane ka pasur mendimin se shqipja më shumë i prish punë indoevropianistit, sesa e ndihmon atë, por u çelën sërish kur u thashë se kjo nuk është e vërtetë dhe se ishte një ide që buronte nga mosnjohja e shqipes në masën e duhur.
U bënë shumë të vëmendshëm kur po u tregoja se nëpërmjet analizave historike të fjalëve apo të formave e kategorive gramatikore të shqipes ne mund të njihnim thellësinë e mendimit, inteligjencën e pafund të paraardhësve tanë…
Bëmë edhe humor. U shkrinë së qeshuri kur u tregova se mbiemri i kuq, ashtu si në greqisht e në latinisht, mund të burojë nga një fjalë dadaike që dikur tregonte frutin, koko.
Grekët kanë κοκκινος [koqinos]. Kjo u krijua nga baza greke e vjetër κοκκος [kokos], që donte të thoshte farë e frutit ose edhe fruti vet. Kështu, κοκκινος do të shpjegohej si “diçka me ngjyrën e kokrrës apo të farës” dhe prej këndej “e kuqe”. A nuk funksionon edhe sot në gjuhë mbartja e kuptimit nga një send te ngjyra e tij, bojë preshi, ngjyrë vjollcë, kafe, banane etj.
Në latinisht kemi coccĭněus dhe coccĭnus, mbiemra që tregojnë “diçka me ngjyrë të kuqe të ndezur”. Të dyja këto janë formime nga e njëjta bazë latine coccum, që tregon një lloj bime me fruta të kuq.
Edhe në shqipen e vjetër mund të supozojmë ekzistencën e kësaj fjale dadaike mesdhetare me trajtën *kok-, nga ku e sotmja kokë. Prej saj duhet të vijë mbiemri i kuq, edhe pse etimologët e konsiderojnë si huazim. Ndërkohë që është shumë më e sigurt se prej saj vjen forma zvogëluese kokërr. Edhe formën e shumësit të saj e dimë të gjithë…, është shumë e ngjashme me formën femërore e kuqe, përveç që e kemi si shumës të singularizuar te koqe kandari. Kjo më kujtoi një të fortë të të madhit Konica “e pse të mos jetë kështu?!”.
E, meqë ra fjala, nga forma e shumësit na vjen edhe një fjalë tjetër e gjuhës shqipe, një folje jo pak e rëndësishme, është folja shkoq, me pjesoren e vet shkoqur, që përdoret edhe si ndajfolje dhe, si e tillë, del sinonime me ndajfoljen shumë të dashur për ne shqip (a nuk janë identike shprehjet “ta themi shkoqur” dhe “ta themi shqip”?).
Pati edhe një moment qetësie. Ata mendoheshin, ndërsa unë shihja ishullin e Korfuzit dhe…
Sa afër… Sa e vogël është Shqipëria! Të parët tanë nuk duhet të kenë pasur lakmi për të zgjeruar territore. Janë mjaftuar edhe me një pëllëmbë vend. Më tej nuk kërkuan gjë…, ndoshta i pengonte shprehja shqipe “fundi i botës”. Është e frikshme të dëgjosh në gjuhën shqipe “fundi i botës” …dhe duhet të jesh i çmendur që ta kërkosh atë. E, pra, nuk kanë qenë të çmendur të parët tanë, megjithëse të çmendur të tillë kanë njohur plot: kanë njohur sulltanë, kanë njohur perandorë, kanë njohur edhe Aleksandrin e Madh që shoi një ushtri të tërë duke dashur të arrijë fundin e botës, dhe e imagjinonte atë pas çdo mali që i shfaqej. I madh…, pushtoi gjithë botën… dhe nuk ruajti dot atdheun e gjuhën e vet.
Ne jemi ndryshe… Ne kemi gjuhë…
…Po bëheshin njëzet e pesë vjet që kur m’u dha mundësia të shkoja në universitetin e Athinës për të njohur gjuhën dhe kulturën greke. Isha i ri dhe me dëshirën e madhe për të mësuar. E quaja veten me fat dhe… me atë ligësinë që na buron së brendshmi… lumturohesha kur mendoja se do të pajisesha me një armë të re për punën time, me një armë që nuk e kishte kushdo dhe…
Kështu mendoja… pa e ditur se armën më të fortë e kisha pasur me vete… prej nënës sime.
Nejse, doja t’u tregoja studentëve se, që në ditët e para të qëndrimit tim atje, në universitetin e Athinës u njoha me një profesor të greqishtes, madje të historisë së gjuhës greke. Jepte… asgjë më pak e asgjë më shumë, por …gramatikë historike… Me porosi!
Ndihesha vërtet me fat…
Një ditë të bukur dëgjoja, me atë pak greqishte që kisha nisur të mësoja, që profesori grek më thoshte diçka me “allvanika” dhe “tiqi”, ndërsa unë, duke dashur të tregohesha mirënjohës, me një shqiptim krejt të pasigurt, po pëshpëritja fjalën etike “efkharisto… efkharisto”.
Ndërsa profesori grek vazhdonte të përsëriste me një lloj këmbënguljeje pak të çuditshme po të njëjtën frazë…
Më dha dorën për të më përshëndetur dhe u largua, ndërsa unë mbeta si i shastisur. Gati sa nuk fola me zë: tiqi…tiqi… T’ëmën, more, po ky, tall menderen me mua…!?
M’u desh pak përqendrim që të kuptoja se ç’po më thoshte në të vërtetë greku dhe nuk po doja t’u zija besë as veshëve e as greqishtes time që nuk i kishte marrë këmbët ende…
Po, po… “e shqiptuar” shkoqur…, e dëgjuar mirë… ajo që ai po më thoshte me greqishten e tij të kujdesshme përkthehej në gjuhën time “është fat të dish shqip”.
Nuk e kanë thënë kot, gjuha e huaj mësohet duke vjedhur… Atë moment unë mësova, për të mos e harruar më kurrë, fjalën greke τύχη [tiqhi] (fat).
Në ligjëratën e tij unë munda ta veçoja fjalën me intuitë, sepse mendova në çast se ajo duhet të ishte pjesë e fjalës tashmë të njohur për mua επιτυχια [epitiqhia], të cilën e dëgjoja shumë shpesh në ambientet universitare, si urimin më të zakonshëm ndër studentë: “καλη επιτυχια” [kali epitiqhia] (fat të mirë = suksese).
Madje, në fillim (shumë konfidenciale kjo) kur dëgjoja “καλη επιτυχια” mendoja se më njihnin nënën. Nëna ime e ndjerë quhej Kalie dhe urimin “kali epitiqhia” unë e perceptoja si “Kalie pi ti qia”. Dhe kjo më konfondonte… Nisa të hap gramatikat dhe u lehtësova kur pashë se për një mënyrë dëshirore të foljes nuk flitej gjëkundi në greqishte. Më shkoi mendja se kuptimin e dëshirores greqishtja mund ta shprehte me mënyrën lidhore dhe… u qetësova përfundimisht kur mësova se pjesëza e lidhores greke ishte να [na] dhe jo pi apo ti. Kështu i dhashë kohë vetes për të kuptuar shprehjen… Natyrisht që këto nuk ua tregova studentëve…
E sot, po ta takoja profesorin grek, pas gati tridhjetë vjetësh, sot kur edhe unë kam atë përvojë që kish ai atëherë, çfarë do t’i thosha për atë bisedë?
Po të shiheshim në ndonjë stadium, ai do të më dëgjonte të bërtisja, bashkë me studentët e mi: “O sa mir me ken shqiptar, o hej, o hej!”.
Por, po ta takoja në universitet, unë do t’i thosha me bindje se kishte vërtet të drejtë: “është fat të dish shqip”…
Teksa shihja detin, në mes të atyre engjëjve që më rrethonin në Kalanë e Lëkurësit, ndërsa po mendoja se sa egoist tregohesha që vazhdoja të besoja se më kishte puthur vërtet fati, se në punën time “është fat të dish shqip…” , befas m’u rrëzua e tërë kalaja që mendova se kisha ngritur…
Njëri nga studentët më gjuajti me një pëshpërimë:
“Vërtet qenka fat të dish shqip, profesor, po të jetosh në Shqipëri… a është fat???”.
Nuk fola, por me vete i dhashë përgjigje një pyetjeje që bëhet jo rrallë nëpër ambiente intelektuale… Ja pse shqiptarët, kur jetojnë jashtë vendit dhe kanë kohë e mundësi të merren me punë intelektuale, nisin e u drejtohen të fshehtave të gjuhës shqipe, kërkojnë njëfarë ngushëllimi dhe…, për fat të keq, shumica përfundojnë në… pellazgologë.
Edhe unë… ndoshta, po të kisha mbetur jashtë e të mos vazhdoja të studioja Çabejn…
(c) 2021 Albert Riska. Të gjitha të drejtat të rezervuara.