Mes shumë të bardhave, bluve të detit dhe dritëzave të tjera, qyteti Polignano a Mare në Puglia i blaton vizitorit edhe një mori poezish të shkurtra dhe aforizmash, të shkruara me dorë në mure shtëpish, në dyer të vjetra, në shkallë dhe në gjithfarë hapësirash të tjera të papritura. Këto janë vepra të brishta të një Guido le Flâneur, i ardhur nga Bari por i natyralizuar në Polignano, i cili ka 30 vjet që kërkon – siç thotë – të afrojë të rinjtë me letërsinë dhe të bukurën.
Ashtu, të njëjtat vargje të Torquato Tasso-s, “Perduto è tutto il tempo, che in amar non si spende,” Guido-ja i ka shkruar me dorë në pika të ndryshme të qytetit, ndoshta me shpresën se koha nuk do të arrijë t’i shuajë dot njëherësh të gjitha. Por dorën korrigjuese kohës nuk ia ndal dot kush – si në shkallaren djathtas, ku vargu i fundit është prishur përgjysmë, duke e lënë lexuesin ta plotësojë frazën me mendje.
Qendra e vjetër e qytetit është e qëndisur e gjitha me tekste si këto, të cilat zënë një vend të ndërmjetëm mes mbishkrimeve dhe graffiti-ve; janë kaq delikate, sa nuk i akuzon dot si vandalizëm, por edhe kaq “serioze” sa t’i afrohen ndonjëherë kitsch-it. Çfarë i mbron nga tundimi për t’u paraqitur si sublime, ka të bëjë me atë që mund t’i fshish në çdo moment, për t’i zëvendësuar me të reja.
Nisma private e flâneur-it Guido, me mbështetjen e bashkisë lokale, më kujton një nismë të ngjashme në New York, me titullin Poetry in Motion, që vendoste tekste të shkurtra poetike në vagonët e metrosë e gjetiu në qytet. Njerëzit e mirëprisnin poezinë në hapësira që zakonisht ruheshin për reklama, informacione praktike dhe porosi të ndryshme të rendit publik, pa çka se poezitë – për shkak të vendit ku afishoheshin – ishin aq të shkurtra sa u ngjanin aforizmave. Rreziku i kitsch-it mbetej i pashmangshëm: gjithnjë zgjidheshin vargje të buta, qetësuese, që nuk shponin as kafshonin as turbullonin; duke trashëguar nga lajmërimet zyrtare dhe informative kundërvënien ndaj çdo lloj subversioni dhe rebelimi.
Edhe në Polignano a mare, poezitë shërbejnë njëfarësoj si markime të territorit, duke trashëguar diçka nga performativiteti i mbishkrimeve publike informative: u thonë vizitorëve e ndoshta edhe vendësve se qyteti tashmë është shpallur “zonë poetike”, ku gjithkush mund ta shijojë lirinë që jep estetika e fjalës. Mbishkrimet e Guidos madje tashmë kanë zënë vend në guidat turistike dhe në atraksionet e Polignano-s, aq sa mund të rrezikosh të mos i lexosh më dhe t’i trajtosh si arabeska a lodra të tjera ornamentale, jo dhe aq të ndryshme nga lulet ose porcelanët në mure. Megjithatë, momenti është i favorshëm për këdo, që të shprehet me vargje – siç ma tregoi edhe kjo pllakë, e vendosur pranë një hoteli të vogël të quajtur Relais del senatore dhe ku senatori italian Prof. Biagio Tatò ka shkruar një poemth të vetin kushtuar “tramundanës”.
Ndryshe nga tekstet e Neruda-s, Petrarca-s dhe Tagora-s, katërvargëshi i senatorit Tatò nuk shquhet për ndonjë farë shkëlqimi poetik, pavarësisht dëshirës së heroit lirik për t’u mumifikuar me kripë deti. Më shumë më tërhoqi vëmendjen, përkundrazi, një korrigjim i pazakonshëm te mbishkrimi në pllakën e gurtë, ku një dorë anonime ka hequr një fjalë duke e kruar me daltë, në mënyrë që hyrja të lexojë: “Këtu […] Senatori Prof. Biagio Tatò shkroi:”
Nuk do të kem qenë i vetmi, që ta ketë pranuar sfidën dhe të ketë vrarë mendjen se ç’mund të ketë qenë fjala e hequr. Supozova se korrigjuesi kish hequr diçka, për ta bërë fjalinë më gramatikore dhe se viktima e daltës do të kish qenë ndonjë folje, e tipit “visse” (jetoi) ose “abitò” (banoi), sa kohë që fjalia e tipit “qui visse il Senatore Prof. Biagio Tatò scrisse” nuk është gramatikisht korrekte.
Mendova se korrigjime si ky, në mbishkrime mbi pllaka guri, janë të kushtueshme – dhe se do të ishte më e arsyeshme sikur teksti të ish ndrequr para se të pavdekësohej në mbishkrim. Ndryshe nga poezitë e kaligrafuara nga Guido Le Flâneur-i, që mund t’i ndreqësh me një furçë dhe pak bojë, pllaka si kjo, mishërim i latinishtes scripta manent, nuk e pranojnë ndryshimin, madje prandaj edhe ekzistojnë, që t’i japin një stabilitet shekullor tekstit.
Pastaj kërkova pak online dhe e gjeta një foto të pllakës te RELAIS DEL SENATORE, në versionin origjinal:
Ku shfaqet edhe fjala fajtore, që është abitò, me kuptimin “banoi, jetoi”. Se ç’ka menduar autori i tekstit të hershëm, vështirë ta thuash; mbase është nisur të tregojë se tek ajo shtëpi banoi senatori Tatò, i cili shkroi kështu (sa më poshtë të shkosh në Itali, aq më shpesh e gjen të përdorur të kryerën e thjeshtë në vend të së kryerës). Ndoshta pas fjalës Tatò duhej një pikëpresje, dhe scrisse ishte menduar si kallëzuesi i një fjalie tjetër; ndoshta fjalisë i mungon një che (Qui abitò il Senatore Prof. Biagio Tatò, che scrisse). Nuk e gjej dot.
Ashtu siç duket tani, pllaka tërheq vëmendjen jo aq për talentin poetik të senatorit, sa për korrigjimin që përmban – më ka qëlluar të shoh pllaka të prishura e të vandalizuara, për arsye politike a ideologjike, për të prishur një emër, gjykim a datë; më ka qëlluar të shoh pllaka aq të dëmtuara nga koha dhe elementet, sa të mos i lexoj dot; por nuk kisha parë kurrë një pllakë që të përjetësonte në gur korrigjimin e tekstit të vet. Ndoshta ndërhyrjen e ka bërë ndonjë palë e tretë, një vizitor pedant, që nuk e ka duruar dot shkeljen gramatikore dhe ka kërkuar ta vërë të drejtën gjuhësore në vend. Por ky gjest, i fshirjes së një fjale, e afron mbishkrimin në gur me poezitë e kaligrafuara gjetiu, sepse e bën të përkohshëm.
© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.