(nga Stanislaw Lec*)
Është më lehtë të shpallesh perandor, se portier pallati.
Madhështinë e matim ndonjëherë me distancën që na ndan nga krimi.
Kam qenë gjithnjë kundër shpërndarjes së haremeve. Gratë do të integroheshin në jetën sociale, por eunukët do të kishin influencë tejet të madhe.
Disa nuk bëjnë dallim mes onanizmit dhe “besimit te vetja.”
Gjilpëra e një busulle të prishur nuk dridhet më. Është çliruar nga çdo përgjegjësi.
Ndonjëherë ndëshkimi sjell me vete fajësinë.
Kanibalët preferojnë ata që nuk kanë asgjë në bark.
Ata që mund të urdhërojnë me gjeste, nuk janë të detyruar të kenë gjë të madhe për të thënë.
Ndonjëherë, edhe fjala që e humb funksionin, nuk e humb përdorimin.
I kemi ditët të numëruara: nga statisticienët.
Çfarë tmerri të notosh kundër rrymës në ujë të pistë!
Kur t’i popullojmë shkretëtirat, oazat do të zhduken.
Vetëm ata që janë në kafaze të arta shpresojnë se do t’i lirojnë.
Kur gjendesh në të njëjtën strofkë me ujkun, mos i trego sa e përçmon.
Kur uji të vjen te goja, nuk ia vlen të shqetësohesh nëse është apo jo i pishëm.
“Ç’ta bëj një grua vetëm, mua më duhet gjithë haremi!” tha eunuku.
Profeti ka të drejtë të gabojë. Por jo kur parashikon datën në të cilën nuk do të jetë më profet.
Ëndrrat varen nga pozicioni i atij që fle.
Gjurmët e shumë krimeve të çojnë drejt së ardhmes.
Duhet zhveshur njeriu lakuriq, por pa ia treguar të brendshmet e palara.
Veprimi ndjek mendimin. Por ç’fatkeqësi, sikur ta kapte…
Ta hash armikun të gjallë nuk është gjë e madhe; duhet t’ia gëlltitësh edhe frazën e fundit.
Nga goja e atyre që u kanë rënë dhëmbët, shumë gjëra dalin më lehtë.
Është e vështirë, kur lexon për llogarinë tënde, që ta dallosh sa analfabet je.
(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).