Një pothuajse ribotim i tanishëm i kujtimeve të Pablo Nerudës në anglisht, u bë shkas për një rivlerësim të raportit mes statusit të tij si poet i madh i spanjishtes dhe i shekullit XX, dhe njeriut Neruda.
Të paktë janë ata që do të dyshonin në artin e poetit, por të shumtë ata që do të refuzonin zgjedhjet e tij morale.
Duke filluar nga simpatia e bujshme për Stalinin dhe stalinizmin, prej së cilës Neruda përfitoi jo pak në rrjedhë të viteve të tij si poet dhe misionar i filo-sovjetizmit në botë.
Nëse ky filo-stalinizëm kaq publik i kushtoi gjë Nerudës, këtë nuk e dimë – pa çka se ai ishte në dijeni të krimeve të Stalinit që herët, madje duket sikur edhe u përfshi personalisht në vrasjen e Trockit në Meksikë.
Nerudën e mbajnë si poeti më i madh i dashurisë i shekullit XX. Megjithatë, ka një pasazh te kujtimet ku Neruda vetë tregon si ka përdhunuar një pastruese të etnisë Tamil, në Cejlon.
Para tre vjetësh, një propozim për t’ia vënë emrin Pablo Neruda aeroportit të Santiagos, në Kili, u pengua nga organizatat feministe, mu për këtë arsye.
Një gjë është të kryesh një krim, një gjë tjetër të adhurosh një kriminel dhe t’i shërbesh atij. Megjithatë, ka diçka që nuk shkon, me atë që poeti i madh i dashurisë del të ketë qenë edhe përdhunues i një gruaje të pambrojtur.
Thonë që nga bajga del trëndafili. Vërtet, por kjo nuk e bën dot bajgën që të mbajë erë trëndafil.
Çfarë mund ta ketë shtyrë Nerudën që ta përfshijë incidentin me gruan tamil, në kujtimet? Arroganca e poetit të madh? Pafajësia e atij që nuk e kupton se ka kryer një krim? Bindja se në penën e tij edhe krimi mund të tingëllojë si art? Dëshira për t’u rrëfyer?
Vështirë të thuash, edhe pse unë anoj nga hipoteza konfesionale.
Edhe pse Neruda e kërkoi shkëlqimin dhe e arriti, nuk besoj të ketë shpresuar se lexuesit do ta adhuronin edhe si njeri të shenjtë. Mania e sotme, për t’i nxjerrë biografitë e artistëve para gjyqit moral, është e ekzagjeruar dhe cirkulare.
Kjo do të thotë se do të na duhet të mësohemi me idenë që një përdhunues i pandëshkuar mund të shkruajë poema dashurie të mrekullueshme.
A nuk ishim mësuar tashmë me idenë tjetër, se një stalinist i bindur mund të jetë poet i madh dhe nobelist?
E gjitha kjo të paktën na tregon sa patetike – ose më mirë mjerane – janë përpjekjet për të rishkruar biografitë e atyre artistëve të mëdhenj, që për arsye të ndryshme duam të vazhdojmë t’i adhurojmë.
Edhe pse do të mjaftonte që t’i shijonim.
© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.