Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Botime

SEVASTIA: EMËR I NJOHUR, VEPËR E PANJOHUR

nga Teuta Toska

 

Sevasti Qiriazi-Dako dhe Parashqevi Qiriazi, emra shumë të njohur për shqiptarët, falë edhe një imazhi publik të krijuar me kujdes nga historiografia komuniste vetëm pas vdekjes së tyre (veçanërisht pas vdekjes së Parashqevisë në 1970), kryesisht përmes seleksionimit të veprimtarisë dhe jetës së tyre – fshehur disa anë dhe shformuar disa të tjera – është pikërisht prej këtij imazhi publik të përhapur që njihen edhe shumë pak. Shpesh veprimtaria e tyre ngatërrohet dhe madje edhe studiues të njohur të historisë flasin për njërën dhe në realitet është tjetra që ka kryer punën, ose ndoshta përmendin njërën dhe kanë ndërmend tjetrën.

Kjo përhapje mendoj se lidhet kryesisht me suksesin e një filmi, si “Mësonjëtorja”, prodhuar në vitin 1979 nga Kinostudioja “Shqipëria e re”, me regji të Muharrem Fejzos dhe skenar të Natasha Lakos. Filmi mbështetet në të dhëna biografike të jetës së familjes Qiriazi. Edhe pse i ngarkuar me ideologjinë e kohës, ku spikatin edhe trajtime jorealiste dhe të pavërteta, si rasti i kaçakut Kajo, filmi vijon të transmetohet edhe sot dhe ta emocionojë publikun me historinë e një gruaje të re që për çeljen e një shkolle luftoi me gjithë qytetin dhe pushtetin.

Në tekstet e historisë së letërsisë shqiptare dhe zërat e enciklopedive për arsimin shqiptar nuk mungojnë emrat e Motrave dhe janë të përhapura në faqet e ndryshme të internetit sinorët kryesorë të jetës së tyre, edhe pse ngatërrohen shpesh me njëra-tjetrën: ngritja e shkollës nga Sevastia, drejtimi i saj, mësuesja dhe drejtorja e parë e shkollës, pastaj ftesa për në Kongresin e Manastirit, në të cilin shkon Parashqevia. Ngatërresa e parë mes të dyjave. Ftesa dhe prania në Kongresin e Elbasanit një vit më vonë (1909). Krijimi i shoqatës “Ylli i mëngjesit”, një ngatërresë tjetër. Sevastia ishte “kryesonjëse” e shoqatës. Parashqevia ishte pjesë e komisionit drejtues, sigurisht gruaja më aktive e kësaj shoqate.

Marrëdhënia e të dyjave është shënuar që herët: Sevastia është mendja, Parashqevia është krahu. Sevastia është udhëheqësja, Parashqevia veprimtarja dhe realizuesja energjike. Nuk mendohet dy herë të bëjë atë që është e drejtë. Më pas Parashqevia nis të shkruajë (Abetaren, Himnin e Alfabetit), Sevastia ende jo. E gjithë energjia e saj shkon për shkollën, mbijetesën e saj në kohë rreziqesh që s’mbarojnë dhe organizimin e veprimit politik e patriotik lidhur ngushtësisht me Korçën, kryeqendër e lakmisë dhe egërsisë greke. Në vitin 1912 Sevastia shkruan librin e parë të botuar prej saj, një tekst gramatike të gjuhës shqipe.

Më pas zhvendosen në Amerikë. Sevastia themelon dhe drejton Partinë Politike Kombëtare, së bashku me Kristo Dakon, bashkëshortin e vet. Parashqevia vepron politikisht brenda kësaj partie. Kjo e fundit boton revistën “Ylli i mëngjesit” (1917-1920) dhe shkon në Paris si delegate e kësaj partie në vitin 1919. Ngatërresë tjetër mes të dyjave. Periudha e Amerikës është periudha më e rëndësishme për të dyja Motrat. Sevastia boton rregullisht, në çdo numër të “Yllit”, kujtimet e saj nga ngjarjet e Luftës Ballkanike, një narrativë historike. Shkruan dhe boton edhe 3 tregime. Boton në 1917 “Mjeshtëria për të shkruar letra”. Mendoj se kësaj periudhe i takon edhe një tekst i botuar pa autor, i cili gjendet në Bibliotekën Kombëtare me një shënim me dorë që ia vesh asaj autorësinë, “Kindergarten”.

Në 1920 Parashqevia kthehet në Shqipëri dhe në 1922 edhe Sevastia. Të dyja bashkëpunojnë për ngritjen e Institutit Kyrias në Tiranë. Parashqevia tani merret me drejtimin e gjithçkaje. Shëndeti i Sevastisë ka nisur të ketë probleme që në Amerikë. Shkolla do të jetë jeta e tyre deri në vitin 1933. Ajo u mbyll si rrjedhojë e reformës arsimore të ndërmarrë nga Mbreti Zog. Në vitin 1935, e nxitur nga miq të saj amerikanë, ajo nis të shkruajë një autobiografi, në gjuhën angleze. Dana Stucky shkruan: “Drafti i parë i kujtimeve të Sevastisë, shkruar me shkrim dore më 1935, u kthye në një dokument më të pasuruar dhe më të zgjeruar të shtypur me makinë shkrimi më 1938, i cili besohet të ketë qenë përbërë prej dymbëdhjetë kapitujsh…”[1].

Ky jetëshkrim mbeti i pabotuar, i ruajtur në Arkivin Qendror Shtetëror, një kopje edhe në Bibliotekën Kombëtare, dhe i shumëfishuar në disa kopje për familjarët. U botua në anglisht dhe i përkthyer edhe në shqip në vitin 2016, me titullin “Jeta ime”, prej Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, dhe sot është libri më i përhapur dhe më i njohur i shkruar prej saj. Pas shkrimit të kujtimeve të saj, jeta e Sevastisë fillon të perëndojë me një muzg gri dhe më tej në errësirë të thellë: konfiskimi i pasurisë prej italianëve, gjermanëve, dërgimi në Kampin e Përqendrimit në Beograd, konfiskimi i gjithçkaje dhe dëbimi nga komunistët, arrestimi i djemve të saj, vdekja e Gjergjit dhe burgosja e Aleksandrit (Skënderit). Vdiq në dhimbje të plotë shpirtërore dhe fizike në vitin 1949.

Jeta e Sevastisë, falë edhe botimit të jetëshkrimit, është e njohur, edhe pse ende opinioni publik nuk i dallon mirë kontributet e Motrave nga njëra-tjetra. Veprimtaria e saj intelektuale njihet me pak, për të mos thënë aspak.

Po kaloj shpejt në kronologji në këtë shkrim informues gjithë çfarë botoi Sevastia dhe çfarë ka mbetur prej saj sot (në atë bibliotekë të konfiskuar e të djegur në Kamëz mund të kemi humbur dorëshkrime të Kristos, Sevastisë dhe të Parashqevisë).

I. “Gramatikë filltare për shkollat elementare” (95 f), është botuar për herë të parë në Manastir në vitin 1912. Botimi i dytë u bë në Amerikë në vitin 1916. Veprën e saj të parë ajo ia kushton të vëllait, Gjerasim Qiriazit, frymëzuesit të saj. Ajo shkruan “për kujtim të të ndyerit vëlla, Gjerasim Qirias, i cili më mësoj për të parën herë të këndonj dhe të shkruanj gjuhën amtare dhe i cili rënjosi në zemër t’ime detyrën e madhe, që të punonj, pa reshturë, për të ndrituarit e kombit t’im”. Nuk pretendon të ketë shkruar një “vepër akademike të plotë”, d.m.th. nuk pretendon të radhitet me gramatikat e shkruara deri në atë kohë në toskërisht, si ajo e K.Kristoforidhit, Sami Frashërit, por ajo po paraqet rezultatet e viteve të punës së saj me këto gramatika në klasë me nxënëset. Si shkruan vetë në Parathënie, ajo ishte fryt i “i nevojës që më ka treguar praktika që kam bërë 19 vjet si mësonjësë në shkollën e çupave në Korçë”.

Gramatika, sipas saj, ndahet në 4 pjesë, në orthografi, etimologji, sintaksë, prosodi. Në këtë tekst elementar Sevastia qëndron në dy pjesët e para të saj: në orthografi, ku paraqet njohuri bazë për sistemin fonologjik dhe shkronjor të shqipes, dhe në etimologji. S’kemi njohuri për sintaksën e prozodinë. E gjithë pjesa e dytë i kushtohet “etimologjisë”, që është në fakt një pasqyrë e sistemit morfologjik të shqipes. Sevastia i dallon shqipes 9 pjesë ligjërate. Emri ka 6 rasa (rënije) [shton edhe vendoren/pritëtore ndër rasat e shqipes], folja ka 5 mënyra, ka 3 kohë (mote), edhe pse dëftores (së premes) i rendit 16 kohë. Ajo që bie në sy është se shembujt e fjalive tek ushtrimet kanë shpesh mësime morale (“Bëj të mirën”. “Djem, dëgjoni prindërit” etj.)

 

Në dijeninë tonë është e para dhe e fundit gramatikë e shkruar prej një gruaje shqiptare për shqipen (që ta dallojmë nga Oda Bucholtz, bashkautore me Fidlerin, autorë të një gramatike të shkëlqyer të shqipes, dhe Emine Sadikun, autore të një gramatike për shqipen si gjuhë e dytë, por shkruar në gjermanisht).

II. Narrativa historike e shkruar nga Sevastia përfshin tekstin (nëse mund ta quajmë kështu) “Kujtime të paharruara”, i përbërë prej 18 kapitujve-artikuj, të botuar përgjatë dy viteve në periodikun që Parashqevia drejtonte në Amerikë. Ata fillojnë që në numrin e parë, në 15 janar 1917, dhe përfundojnë në volumin e tretë, në numrin 5 të tij, në gusht të vitit 1918. Këtu, këtë muaj e këtë vit, duket se përfundon edhe kontributi i Sevastisë për “Yllin”. Ngjarjet e rrëfyera në numrat e “Yllit” rrëfehen në anglisht edhe në jetëshkrimin e saj (të botuar me “Jeta ime”, siç edhe e përmendëm më sipër). Ato fillojnë në kapitullin 12, “Lufta ballkanike”, vijojnë me “Në fije të perit”, “Në arrati” (në gjysmë të tij). Tregimi në shqip është shumë më i pasur dhe kam ndjekur paragrafët që jenë të ngjashëm në tematikë me tregimin e saj në anglisht. Sipas shembullit të të vëllait (Gjerasim Qiriazit me “Pengun e kaçakëve”) dhe të shoqes së saj të ngushtë, Edit Durhamit, ajo rrëfen ngjarjet e jashtëzakonshme për jetën e saj dhe njëherësh për punën e saj, Mësonjëtoren, për Korçën, po edhe për gjithë Shqipërinë. Ky tekst është i pari në radhë në raport me jetëshkrimin e saj në anglisht, pra, mund të themi se ky është burimi i një pjese të tekstit të mëvonshëm. Në botimin e ardhshëm të “Jeta ime” jetëshkrimi do/duhet të pasurohet me këto faqe të një rrëfimi të bukur të ngjarjeve dramatike historike.

Ndërsa i lexoj çfarë ka shkruar te “Kujtime të paharruara”, mendoj se jam duke lexuar faqet e periudhës më të ethshme shkrimore të Sevastisë – në pak vite dhe në një kohë të shkurtër brenda muajit ajo shkruan kujtimet e saj për luftën ballkanike, shkruan tregime, kryen veprimtari patriotike e politike duke vizituar kisha dhe shoqata të tjera për të promovuar çështjen shqiptare. Është si të thuash koha më e artë e saj nga pikëpamja intelektuale, ajo e qëndrimit në Amerikë. Përpiqem të imagjinoj, ndërsa lexoj këto radhë, se çfarë do të kishte qenë Sevastia në një vend tjetër, ku të kishte shkollim të rregullt, ekonomi të qëndrueshme, siguri politike në vend?!

III. Po të “Ylli” Sevastia boton edhe 3 tregime të thjeshta, por interesante: “Të çdukurit e Manushaqes” (dhjetor 1917), “Mundimi i ndërgjegjes” (shkurt 1918) dhe “Gjaku ujë s’bëhet” (gusht 1918). Kanë të gjitha atë deus ex machina, që e karakterizon letërsinë e thjeshtë, ku është rrëfimtari që rregullon me dorën e tij fatet e personazheve në mënyrë të dukshme dhe të beftë. Mirëpo është gjuha dhe mënyra e rrëfimit që e bëjnë tërheqës, koha e largët, përpjekja për të kuptuar brendësinë e Sevastisë që rreket ta provojë veten si shkrimtare, e para përpjekje prej një gruaje. Nuk di sa këto tregime të thjeshta mund të meritojnë të jenë pjesë në historinë e letërsisë shqiptare, por fakti është se ajo është e para grua që u përpoq ta lëvrojë tregimin e shkurtër në shqip.

IV. Vepra e vetme e Sevastisë, që mund të gjendet prej publikut, është libri që njihet sot si “Jeta ime”, i shkruar në anglisht. U botua në shqip dhe në anglisht vetëm në vitin 2016. Sevastia e shkroi në anglisht, sepse planifikonte ta botonte në Amerikë. Libri duhet t’i shërbente Shqipërisë e shqiptarëve. Nuk do të ndalem gjatë në këtë botim, për shkak se tashmë është i njohur, i referuar gjerësisht. Dua të citoj vetëm fjalët e saj e më pas të Dana Stucky-t, falë së cilës (në bashkëpunim edhe me David Hosaflook) ne kemi të botuar jetëshkrimin e saj. Sevastia shkruan: “Në pranverën e vitit 1933, unë u detyrova të hyj në rrugën e përvojës sime më të hidhur. Ishte pikërisht atëherë kur më erdhi ideja për të shkruar historinë e jetës sime”. Dana shkruan: “Ajo vuri në pikëpyetje motivet e veta, duke e pyetur veten nëse jeta e saj ia vlente të rrëfehej, por brezat që pasuan e konsiderojnë fat të madh që kanë në dorë kujtimet e saj dhe që ajo u ka përcjellë përshtypjet e saj në lidhje me ngjarje të mëdha shqiptare dhe botërore[2].”

V. Në gjykimin tim, “Mjeshtëria për të shkruar letra”, botuar në 1917 (48 f.) në Massachusets, është si një vijim i “Gramatikës”. Ka në këtë libër jo vetëm udhëzime që lidhen me shkrimin e letrës (pjesë e asaj që sot janë kurse universitare, si shkrimi akademik, shkrimi krijues), por ka edhe rregulla për përdorimin e shkronjave të mëdha, të shenjave të pikësimit (ndoshta manuali i parë për rregullat e pikësimit të shqipes, në çështje, si: pikat dhe rregullat e tyre, të përdorurit e presjes, të përdorurit e vijëzës, të përdorurit e parantezës, të përdorurit e pikëpresjes, të dy pikave, të përdorurit e shenjës pyetëse, të përdorurit e shenjës çuditje, të përdorurit e gjilimelevet[3], të përdorurit e apostrofit) për strukturimin e tekstit etj. Libri duket është shkruar për shqiptarët e Amerikës: “me anën e kësaj librëzë po vijmë t’u japim bashkatdhetarëvet t’onë disa këshilla si mund ta mësojnë këtë mjeshtëri kaq të vyerë…”. Shkrimi i letrave ishte mjeti themelor i komunikimit social në atë kohë, dhe, sipas Sevastisë “për një letrë-shkronjës as një portë nuku është e mbyllur në këtë botë”.

Nuk dua të përsëris, po ky libër, me njohuri të gjera dhe shembuj për shkrimin e këtij tipi teksti është i pari dhe i fundit në shqipe. Nëse dikush do njohuri si mund të shkruajë një letër në shqip, duhet të përdorë një tekst të shkruar në vitin 1917. Njohuritë e tjera që i gjejmë sot në manuale shkrimi, janë të gjitha përkthime.

VI. Teksti i fundit i Sevastisë është një broshurë pa autor dhe vit botimi, me titullin “Kindergarten”, që gjendet në Bibliotekën Kombëtare dhe që i njihet për autor Sevastisë në të dhënat e fondit të kësaj biblioteke. Në frontespicin e këtij teksti një shënim me dorë shkruan se libri i është dhuruar Bibliotekës Kombëtare në 22 qershor 1938 dhe është “përgatitur për shqiptarët e Amerikës nga Sevasti K. Dako”. Broshura është një kryesisht një përkthim[4], edhe pse shënimi me dorë flet për “përgatitje”. E kemi këtë ide qoftë për shkak të titullit të lënë në anglisht, qoftë edhe prej një pjese të mënyrës së organizimit të jetës shoqërore (ajo në Amerikë) dhe të emrave të përveçëm të fëmijëve në tregimin që mbyll broshurën (“Flamurtari”). Libri është i pari që flet për ciklin parashkollor, për kopshtet, dhe karakterizohet nga mjeshtëria e përkthimit, një gjuhë e pasur dhe një toskërishte e rrjedhshme dhe e bukur (Ja një shembull nga teksti: “Fëmija mësojnë lodra edhe punëra të ndryshme në Kindërgarten, të cilat i mbajnë me punë në shtëpi. Kjo punë e shpëton nënën nga pyetja e paprerë: Ç’të bënj, nëno? Kur fëmija bëjnë një pyetje të tillë është më mirë t’u tregohet se ç’të bëjnë sesa t’u thuhet shko jashtë dhe loj! Edhe këtu edhe foshnja edhe nënja munt të shohin gjithë kush punën e vet si edhe më parë”).

Në fund mund të them se vepra më e njohur e jetës së Sevastisë për shqiptarët është shkolla e saj. Jeta e saj, në fakt, ishte shkolla e saj, themeli i një sistemi arsimor në Shqipëri. Por ajo nuk ishte vepra e saj e vetme. Jeta e saj prodhoi edhe një angazhim intensiv politik dhe atdhetar, gjithashtu dhe një veprimtari intelektuale me 6 tekste, të parat në llojit e vet në fusha të ndryshme. Të gjitha këto e bëjnë Sevasti Qiriazi-Dakon një rast të përveçëm në historinë e shqiptarëve, në radhë edhe të burrave, edhe të grave. Kështu ajo ia doli ta përmbushë synimin madhor të jetës së vet “hap pas hapi ndërsa çapitesha përmes shtegut plot ferra dhe kujdesesha të bëja pjesën time mes popullit tim, duke u përpjekur t’u ndriçoja mendjen, t’i mëkëmbja dhe t’i çliroja prej zgjedhës së rëndë të paditurisë e besëtytnisë.[5]

 

Shënim. Shkrimi është kumtuar në veprimtarinë jubilare me rastin e 150-vjetorit të lindjes së veprimtares Sevasti Qiriazi, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në 21 maj 2021.

[1] “Jeta ime. Jetëshkrimi i pabotuar i Mësueses së Popullit Sevasti Qiriazi-Dako”, Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante, Tiranë, 2016, përgatitur nga Dana Stucky dhe David Hosaflook, f.XIV.
[2] “Jeta ime”, vepër e cituar, f.294.
[3] Thonjëzat.
[4]David Hosaflook gjeti origjinalin me titullin “The Kindergarten, Why should we send our hildren to kindergarten”, Board of Y.W.C.A., New York.
[5] “Jeta ime”, vepër e cituar, f.11.

 

(c) 2021, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin