Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Totalitarizëm

FIKSIMET E DIKTATURËS SË VONË

nga Elidor Mëhilli 

Një skicë së fundmi e Ardian Vehbiut, me rastin e botimit të librit Stranieri nell’Albania rossa—nga dy autorë italianë të ardhur pranë ambasadës në Tiranë në vitin 1981—flet për tre lloje izolimesh në përditshmërinë e diktaturës shqiptare të vonë. Dihet që asokohe vendi i kishte mënjanuar në ekstrem kontaktet fizike me botën përtej.

Kjo nuk do të thotë se nuk hynte asgjë “e ndaluar”, temë që është shtjelluar edhe në tekste të tjera të Vehbiut. Përkundrazi, arkivat shqiptare e bëjnë të qartë që një masë e kufizuar sendesh e njerëzish të huaj hynin, por se filtrat ishin arbitrarë, se aparatçiket e ndiqnin me vëmendje këtë punë, se partia dhe shteti mobilizoheshin herë pas here.

Vehbiu sjell në vëmendje edhe një lloj izolimi tjetër—refleks psiko-social për t’u arratisur mendërisht në një realitet të paketuar mediatikisht si fantazi italiane (dhe jo vetëm, duke qenë sa kanalet italiane përçonin edhe figura amerikane). Ky realitet përjetohej mes shqiptarëve si i shkëputur nga ata fare pak italianë me mish e me kocka që gjendeshin në Tiranë.

Mospërputhjen fatale mes Italisë mendore shqiptare dhe italianëve e kam përjetuar edhe vetë shumë më vonë, në fillim të viteve 2000, që do të thotë se dinamika i ka mbijetuar “mbylljes” së komunizmit. Izolimi shqiptar pra nuk ka mbaruar si me magji në vitin 1991—por temë tjetër kjo. Shpesh, italianët që hasja në Perëndim nuk e kishin përjetuar Italinë e fillim-viteve ’90 aq intensivisht sa e kisha përjetuar unë nëpërmjet medias.

Të huajt që vinin në Shqipëri gjatë diktaturës së vonë jetonin edhe ata të mënjanuar nga realiteti vendas. Është me rëndësi trajtesa e diferencuar që kërkon Vehbiu mes llojeve të izolimit. Ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim; mua izolimi si fjalë-koncept nuk më është dukur i kënaqshëm (edhe pse nuk e kam shmangur në përdorim). Këtë çështje e kam trajtuar në një kontekst tjetër, atë të sferës së kinematografisë së Luftës së Ftohtë si projeksion paradoksal mendor dhe gjeografik, botuar në revistën profesionale flagship për studimet e këtij lloji në SHBA.

Këto qasje nuk janë të përdorshme kollaj në ambjentin shqiptar—sa kohë që e kaluara komuniste duhet patjetër të jetë ose terror i kuq me statuse-meme në Facebook dhe sharje “nga babai dhe nëna”, ose zënka qorre për ballistët apo datën e ikjes së gjermanëve. Sidoqoftë.

Temës dua t’i shtoj tre shënime. Së pari, një ndërhyrje kronologjike që besoj se ka rëndësi përtej periodizimit. Mendoj se ka vlerë të shihet më konkretisht lidhja mes raporteve zyrtare me jashtë (Kina, “bota e huaj”, “Perëndimi”) me politikat e brendshme kulturore të mbylljes, që në fakt i paraprijnë prishjes me Kinën në fund të viteve ‘70.

Përpunimi i modelit “shfaqje të huaja” në Shqipëri është shumë më i hershëm se ç’është paraqitur deri më sot. Megjithatë, është e vërtetë se pas piketimit të “liberalizmit” si problem kyç në vitin 1973, “e huaja” filloi të kërkohej më imtësisht nëpër trupa njerëzish. Në maj të atij viti, për shembull, janë dërguar urdhëra për klasifikimin e veshjeve të papërshtatshme tek të huajt që kërkonin të hynin në territorin shqiptar.

Edhe trupi diplomatik ishte trup ku duhej evidentuar e huaja. Nëpërmjet diplomatëve hynte diçka nga Perëndimi, dhe jo detyrimisht sipas ligjit (dhe kufizimeve) të valëve televizive, të huqeve të radios apo të motit. E mbajtur mënjanë nga realiteti vendas, kjo mini-botë e “të huajve” në Tiranë detyrohej të flirtonte me veten, të sajonte pak aventurë përtej shtrëngimeve.

Po e ilustroj këtë pikë të dytë me një relacion që pata në duar para disa ditëve. Shkresa me siglën “Sekret” e Ministrisë së Punëve të Brendshme i është dërguar Ramiz Alisë më 13 mars 1975, dhe mban titullin “Mbi veshjen, sjelljet dhe paraqitjen e jashtme të personelit të përfaqësive të huaja dipllomatike e tregtare të vendeve kapitalisto-revizioniste”.

Sipas rregullave të 73-it, të huajt me veshje dhe paraqitje që “propagandojnë mënyrën borgjeze e revizioniste të jetesës” nuk lejoheshin të hynin në Shqipëri. Por rregullat kishin bërë përjashtim për diplomatët e huaj dhe familjet e tyre.

“Kjo nuk na duket e drejtë,” ankohej Kadri Hazbiu, “për arsye se, ndërmjet tyre, ka mjaftë persona që jo vetëm ndikojnë negativisht në edukimin e njeriut tonë të ri, por njëkohësisht ngjallin pakënaqësi tek të huajt e tjerë, të cilët shpesh herë pyesin: ‘Përse nuk i zbatoni rregullat njësoj për të gjithë të huajt?’”

Diplomatët e huaj, thuhej aty, ishin të dhënë pas modës. Kishte ndër ta njerëz që mbanin “favorite e flokë të gjatë, pantallona kauboj, mini e maksi funde”. Hazbiu i sjell këta me emër e kombësi, duke nënvizuar “të huajën” tek secili: gratë çeke që “provokonin” me minifunde e pantallona (dhe njëra që “ka kryer mardhënie intime në makinë” me shoferin e ambasadës gjermane); polaket që putheshin me nëpunësit e ambasadës turke tek Dajti; gjermanët, grekët dhe italianët që mbanin flokë të gjata e veshje ekstravagante.

Deri në 75-ën, të huajt në Rinas zhvisheshin në banjot e aeroportit, ndërsa rrojtorja nuk ishte e përshtatshme. Tashmë kërkohej që të gjitha pikat e kalimit, po sidomos Rinasi, “të paisen me rrojtore e dhoma të posaçme xhveshjeje”.

Interesant fakti që Hazbiu donte që urdhërat për rruajtje dhe zhveshje në Rinas të mos jepeshin nga ushtarakët (sepse “masat marrin karakter policor”). Ato t’i jepnin nëpunësit e doganës, të cilët duhet të shpjegonin “me takt e korektësi” normat për paraqitjen e jashtme. Për këtë propozim, zyrtarët e tregtisë nuk paskan qenë dakort, që do të thotë se ka patur një lloj sikletosjeje administrative se në cilën pikë duhej disiplinuar e huaja që kërkonte të hynte në Shqipëri.

Çfarë duhej bërë? Hazbiu kërkonte që Ministria e Punëve të Jashtme të lajmëronte përfaqesitë e huaja se këto tendenca kishin “rënë në sy të opinionit tonë shoqëror” dhe se ato binin “në kundërshtim me etikën e normat e moralit tonë socialist.”[1] Ambasadat shqiptare të mos u jepnin vize të huajve që paraqiteshin në kundërshtim me normat shqiptare.

Kjo na sjell tek dinamika e tretë që dua të vë në dukje në lidhje me disiplinimin e të huajës (përtej “izolimit” si kategori grab bag). Çfarë i ka shpëtuar analizës së këtyre dukurive, për mendimin tim, është fakti se nuk disiplinohej thjesht Perëndimi dhe “armiqtë” që vinin prej tij, por edhe miqtë e huaj të zemrës. Ndodh që njehsojmë gabimisht fiksimin e shqiptarëve me Perëndimin në përditshmërinë e tyre me fiksimet e regjimit vetë.

Nën kontroll mbaheshin edhe marksistët-leninistët qe vinin nga Amerika Latine, nga Australia, nga Gjermania, nga Franca, etj. Pra, përveç “izolimit” që vlen të diferencohet si koncept në Shqipërinë e viteve ‘70-’80, vlen të shtjellohet edhe “e huaja” si kategori që zgjerohej e ngushtohej sipas nevojave të caktuara. Atje realitetet nuk përkonin domosdoshmërisht me binomin Lindje-Perëndim.

Ultra-komunistët e huaj që vinin në Shqipërinë e asaj kohe jetonin edhe ata mes botëve, të monitoruar me kujdes, me jetë vendase të kufizuar. Tek arkivi i KQ të PPSH-së, fondet “e miqve” janë plot me raportime të hollësishme deri dhe për çështjet familjare e intime të miqve të huaj. (Disa prej tyre kanë botuar kujtime nga vitet e kaluara në Tiranë.) Jetonin edhe në një lloj karantine, si dhe librat, revistat e modës, dhe veshjet moderne që dorëzoheshin në Rinas. Madje, në një farë mënyre, vetmia e tyre ishte kategorike—sepse Shqipëria mendohej të ishte shpresa dhe shpëtimi i tyre ideologjik.

 

 

[1] “Mbi veshjen, sjelljet dhe paraqitjen e jashtme të personelit të përfaqësive të huaja dipllomatike e tregtare të vendeve kapitalisto-revizioniste”, 13 mars 1975, AQSH, F. 14/AP, Struktura, V. 1975, Dos. 484, Fl. 1-4. Hysni Kapoja ka lenë shënim me dorë (dt. 15 mars 1975) ku thotë se çështja duhet biseduar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe vendosur në mënyrë shtetërore.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin