Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

REINHOLDI, KLOSI DHE SHQIPJA E GREQISË

nga Anila Omari

Në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta të Ardian Klosit, studiuesit, hulumtuesit dhe publicistit, veprimtarit të guximshëm shoqëror dhe mbrojtësit të paepur të mjedisit e të vlerave kulturore kombëtare, dëshiroj të paraqes një aspekt të rëndësishëm, por jo të vlerësuar sa duhet, të veprimtarisë së tij në fushë të albanologjisë.

Një punë së cilës Ardiani i kushtoi vite të tëra të jetës dhe që përbën një kontribut të çmuar në filologjinë e teksteve shqipe, është botimi i plotë i dorëshkrimeve të mbledhësit të teksteve të vjetra shqipe të Greqisë, Karl Reinholdit, punë që u kurorëzua me librin “Netët pellazgjike të Karl Reinholdit”, botuar nga shtëpia botuese që ai drejtonte së bashku me të shoqen. Reinholdi, një mjek erudit gjerman, që si shumë bashkatdhetarë të tij specialistë fushash të ndryshme, kishte ndjekur mbretin Otto të Bavarisë, i pari mbret i Greqisë së pavarur, për të ndihmuar në ngritjen e shtetit të ri, u dashurua me gjuhën shqipe e me shqiptarët kur ishte kryemjek i flotës greke, në të cilën siç dihet mbizotëronin detarët shqiptarë të Hidrës, Salaminës etj. dhe flitej gjuha shqipe. I furnizuar me tekste shqipe, qoftë pjesë popullore, qoftë përkthime apo sajime të vetat, nga prifti i flotës mbretërore, Vasil Saqelarit nga Porosi, Reinholdi mblodhi  gjatë viteve 1850-1860 një pasuri të madhe gjuhësore të arbëreshëve të Greqisë, nga të cilat arriti të botojë vetëm një fletore, në vitin 1855, me titullin “Noctes Pelasgicae”, që përmbante një kapitull gramatike, një fjalorth dhe një përmbledhje të vogël këngësh e vargjesh të veçanta. Fletoret e tjera, nga të cilat disa materiale u botuan nga Gustav Meyeri në veprën e tij “Studime Shqiptare” dhe të tjerat mbetën në dorëshkrim, kaluan në disa duar, deri sa përfunduan një pjesë në Arkivin e Shtetit shqiptar dhe një pjesë tjetër në Bibliotekën Marciana të Venecies. U desh puna e pasionuar kërkimore-arkivistike, studimore e filologjike e Ardian Klosit, që ky “thesar i fjetur për 150 vjet”, të shihte dritën e botimit në vitin 2005. Duke ndjekur në fillim njoftimet e ndryshme për ekzistencën e dorëshkrimeve dhe pjesëve të botuara dhe më pas duke mbledhur copëzat e mozaikut të lëndës, të shpërndara në vendruajtjet e përmendura e gjetiu, ai arriti të grumbullojë materialin e plotë të regjistruar nga Reinholdi e mbas një pune të imtë e skrupuloze filologjike, ta sistemojë, ta organizojë e ta riprodhojë në alfabetin e sotëm, duke ruajtur të gjitha shenjat me të cilat Reinholdi kishte shënuar tingujt e veçantë të të folmeve arbëreshe. Ai e pajisi lëndën edhe me fjalorë fjalësh të rralla, greqizmash e turqizmash, shprehjesh frazeologjike, që lehtësojnë të kuptuarit për lexuesin e sotëm shqipfolës.

Në studimin e tij të ngjeshur që u paraprin teksteve të transkriptuara në alfabetin e sotëm, autori ka sjellë të dhëna e përfundime shumë interesante, që vlejnë të njihen edhe nga lexuesi i gjerë.

Ardian Klosi ka bërë një studim gjuhësor të teksteve shqipe të mbledhura nga Reinholdi në të gjitha nënsistemet e gjuhës duke arritur në përfundimin se gjuha e këtyre teksteve, që ai e quan shqipja e Peloponezit perëndimor (SHPP), është një toskërishte jugore me elemente të shumta arkaike dhe tipare të fundmesjetës, si dhe me elemente greke kryesisht në leksik. Nga studimi dalin veçori interesante të këtyre të folmeve arkaike, karakteristike për faza më të vjetra të shqipes, që i hasim edhe në tekstet më të vjetra shqipe. Dhe në fakt autori ka bërë edhe krahasime me gjuhën e Gjon Buzukut e të Lekë Matrëngës, dy autorë të të njëjtit shekull XVI, i pari nga skajet veriore të trojeve shqiptare dhe i dyti arbëresh nga Sicilia, përfaqësues i një dege të toskërishtes jugore, dhe ka gjetur mjaft pika të përbashkët e përkime me gjuhën e këtyre dy autorëve më të vjetër të shqipes, gjë që përforcon përfundimet e Çabejt lidhur me një afërsi më të madhe të dy dialekteve kryesore të shqipes në një periudhë më të vjetër, paraturke. Nga ana tjetër ai gjen edhe dukuri të rëndësishme evolutive në SHPP që janë kryer pas pushtimit turk, dhe që kanë shkuar në ato drejtime si edhe nëndialektet e tjera të shqipes jugore, labërishtja e çamërishtja. Këto përfundime e bënë që të vërë në dyshim pohimin e bërë nga Claus Haebleri, autor i një studimi mbi dialektin shqiptar të Salaminës, dhe i rimarrë nga studiuesi i mëvonshëm i të folmeve arvanitase Hans Jürgen Sasse, sipas të cilëve shqipja e Greqisë, që nga koha e përfundimit të migrimit drejt Greqisë, ka ecur në rrugën e vet të pavarur duke ndërprerë lidhjet me atdheun shqiptar. Për të përforcuar dyshimet e tij, ai ndërmerr krahasime edhe me gjuhën e fjalorit të Marko Boçarit, me origjinë nga Suli, pra përfaqësues i çamërishtes si një e folme në vazhdimësi të hapësirës kompakte shqipfolëse, botuar nga Pukëvili më 1809. Krahasimi tregon përkime të shumta në fonetikë, morfologji e sidomos në leksik, ku bien në sy edhe greqizmat e përbashkëta. Autori arrin në përfundimin se shqipja e Greqisë, me gjithë tiparet e shumta arkaike të saj, nuk mund të shihet “assesi e shkëputur një herë e përgjithmonë” nga trualli i vijueshëm i toskërishtes. Gjuha e Boçarit na tregon se dallimet midis çamërishtes së fillimshekullit XIX dhe shqipes që regjistroi Reinholdi në Poros, Hidra e Specia disa dekada më pas janë minimale. Ai sjell si përforcim të dëshmive gjuhësore edhe dëshmitë historike që përkojnë me to dhe që tregojnë se në fillim të shek. XIX, ashtu si dhe gjatë gjithë kohës së sundimit turk, viset ku banonin shqiptarë të Greqisë, që ishin të shumta, nuk jetonin të izoluara nga njëra-tjetra. Faktor bashkues ishte në radhë të parë sistemi i përbashkët i administrimit nën perandorinë osmane, por edhe shërbimet e fushatat ushtarake, kryengritjet kundër pushtetit qendror, e sidomos ajo për pavarësinë e Greqisë që i afroi shqiptarët e krishterë nga të gjitha anët e Greqisë dhe bëri që gjuha e tyre të vendosej si gjuhë komunikimi në asamblenë e fitimtarëve të Kolokotronit të vitit 1822.

Përkundrazi, thekson autori, izolimi i vërtetë i shqiptarëve të Greqisë dhe shkëputja e çdo lloj lidhjeje me truallin mëmë fillon jo me pushtimin turk, por me pavarësinë greke të vitit 1832, dhe erdhi duke u shtuar në të gjitha etapat që përshkoi shteti helen, më 1881, 1912, 1913, derisa mbërriti në kufijtë e sotëm të një gjuhe në agoni, në prag të shuarjes. Përshkrimin e gjendjes së këtyre të folmeve në mesin e shek. 19 e jep me një saktësi parashikuese Hahni në veprën e tij “Studime Shqiptare”, cituar nga Klosi: “Të dyja racat jetuan, aty ku dhe sot banojnë, për shekuj të tërë të ndarë preraz nga njëra-tjetra: nuk bëheshin martesa të përziera. Mirëpo revolucioni grek e theu akullin; qysh prej asaj kohe, gjithmonë e më shumë po vihet re te elementi shqiptar prirja për t’u tretur në elementin grek. Shqiptari i Greqisë nuk ka qejf kur e thërresin me këtë emër, sepse për të ai është njësoj me emërtimin barbar; e quan veten helen dhe përpiqet ta meritojë këtë emër. … Ky zhvillim po ecën aq shpejt, saqë… pas tre brezash shqipja do të flitet vetëm në zonat më të thella të vendit e në dyfishin e kësaj kohe shqipja do të ketë vdekur krejt brenda kufijve të Greqisë.”.

Në kushtet kur hulumtimet për shqipen e folur në Greqi nga studiuesit shqiptarë kanë qenë të pamundura, është aq më i madh nderimi e mirënjohja jonë për mundin e mjekut të pasionuar gjerman Reinholdit që mblodhi dëshmitë ende të paasimiluara të kësaj të folmeje shqipe, dhe aq më e vlerësueshme nisma për nxjerrjen e tyre në dritë nga Ardian Klosi, duke na bërë të njohur një pasuri të çmuar kulturore, letrare e folklorike, pjesë e mozaikut kulturor të kombit tonë. I falemi nderit për këtë trashëgimi të çmuar që na ka lënë.

 

© 2021, Anila Omari. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Kopertina: monumenti kushtuar sakrificës së grave suliote, në malin e Zallongut afër Prevezës, nga Jorgos Zongolopullos (ngritur në 1961).

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin