– jeta e dytë e një komedie arbëreshe –
nga Gjeto Bashari
Shkrimtari minor arbëresh Zef Bilotta, që publiku shqiptar e ka njohur kryesisht si autor të përmbledhjes me poezi erotike Mëndafshërat e Doruntinës, la pas edhe një numër pjesësh teatrale të cilat, për një arsye ose tjetrën, nuk e panë kurrë skenën. Mes tyre edhe Il Bagno (titulli alternativ: Don Cuccureddu va a caga’), një komedi e shkruar italisht nga Bilotta dhe e lëvduar, mes të tjerësh edhe nga vetë Luigi Pirandello-ja, që e pat lexuar në dorëshkrim. Për fat të keq, Bilotta vdiq pak javë pasi kolegu dhe mentori i tij i famshëm i pat premtuar se do ta ndihmonte për realizimin e veprës, dhe ashtu edhe Il Bagno pati fatin e shumë premtimeve teatrale të cilave nuk e arritën dot publikun, në ato vite që i paraprinë Luftës II Botërore dhe që provuan të ishin veçanërisht të begata për artin e skenës.
Komedisë së Bilottës iu dha, megjithatë, një shans i dytë, vite më pas, kur një stërnip i tiji, Mario Bilotta, student i dramaturgjisë pranë Universitetit të Benevento-s, vendosi ta vërë në skenë, me grupin teatral amator La Cipria, të bazuar në Avellino. Libri i sapo-botuar Komedia e dytë (Botime Uqbar, Prizren 2020), i studiueses shqiptare Armina Dabulla, që po mbron një doktoratë në semiotikën e teatrit në UniCal, përshkruan historinë kurioze të këtij produksioni të La Cipria (me regji të Goffredo delle Capre) dhe interesin teorik që ngjalli përfshirja aty e Gruppo 89, një kolektiv kritikësh të artit nga Universiteti i Foggia-s.
Por le t’i rrëfejmë ngjarjet me radhë. Komedia Il Bagno (Don Cuccureddu va a caga’) shtjellohet e tëra në apartamentin modest të Don Cuccureddu-t, një meridional tipik i viteve 1930, nëpunës i kadastrës në Benevento dhe përfaqësues i vlerave tradicionale të provincës italiane; por që shquhet, në kontekstin e komedisë, vetëm për konstipacionin e tij kronik, i cili e bën – e detyron – të kalojë një kohë të gjatë në nevojtore. Në fakt, teksti i Bilottës kërkon një skenografi të ndarë më dysh, me banjën e familjes Cuccureddu në anën e djathtë, dhe korridorin në anën e majtë; dhe sipari hapet me protagonistin, të zotin e shtëpisë, tashmë të ulur në nevojtore me syzet majë hundës, duke shfletuar një manual të trashë me titullin Il Diritto Fascista, teksa dy vajzat e tij, Ottavia dhe Artemisia, shkojnë e vijnë nervoze para derës së banjës dhe trokasin atje herë me histeri, herë me dëshpërim.
Siç e përshkruan Dabulla në hollësi, pas dy bijave të Cuccureddu-t, publiku njihet me të zonjën e shtëpisë, Donna Anna, dhe më tutje me të voglin e familjes, Ippolito; të gjithë duan të përdorin banjën, por e kanë të pamundur, sepse Don Cuccureddu nuk lëviz nga pozicioni, duke mbetur indiferent ndaj protestave dhe kërcënimeve që i vijnë (përmendet policia dhe zjarrfikësit, madje Donna Anna një moment matet t’i telefonojë priftit famullitar). Më pas shfaqen në apartament edhe personazhe të tjera, si Ennio, i fejuari i Ottavia-s; motra e Donna Anna-s, e hijshmja Penelope Del Monte; Don Pasquale, një koleg i Cuccureddu-t, që mund të jetë edhe i dashuri të paktën platonik i Donna Anna-s; të gjithë këta herë ngacmohen, herë zihen dhe herë pajtohen mes tyre, teksa kryqëzohen nervozë para derës së banjës.
Pjesa e fundit e komedisë merr tone surreale: nuk kuptohet më sa gjatë ka ndenjur Don Cuccureddu i ngujuar në banjë, por pjesëtarët e tjerë të familjes kanë pësuar ndërkaq ndryshime të pamjes, ndonjëherë drastike: Donna Anna tani i ka flokët të thinjur, e bija Ottavia është dukshëm shtatzënë dhe Pasquale, kolegu i të zotit të shtëpisë, duket sikur është bartur dhe jeton në apartament, meqë shfaqet me shapka dhe pizhame. Don Cuccureddu, ende i ulur në nevojtore, edhe ai është plakur dhe, për më tepër, e ka vënë ta “lexojë” librin e vet së prapthi. Të ketë rënë fashizmi vallë? Një lule fikusi në mjediset e banjës tani është shndërruar në pemë të hijshme. Herë pas here dëgjohen zhurma artilerie ose bombash që shpërthejnë përjashta, ndërsa shtëpisë i ndërpritet përkohësisht energjia elektrike dhe gjithçka zhytet në errësirë, me përjashtim të qiririt që fërgëllon i ndezur në banjë dhe fytyrës ekuine të protagonistit, që përvijohet frikshëm mes hijeve.
Siç e thekson Dabulla, komedia e këndshme e Bilottës nuk do ish shquar dot mes simotrave të asaj periudhe tashmë gjysmë të harruar, po të mos kish pasur nipi Mario Bilotta idenë për ta vendosur, shfaqjen e saj, shpinë-më-shpinë me një kundër-komedi të krijuar rishtas dhe pjesërisht të improvizuar, ku do t’i bëhej analiza kritike veprës origjinale nga një komision kritikësh autentikë të teatrit. Komisioni madje do të thërriste, për të marrë në pyetje njërin pas tjetrit, aktorët e Il Bagno-s, të cilët do të recitonin, këtë herë, tekstet kritike të shkruara posaçërisht nga kolektivi Gruppo 89, për t’i dhënë publikut një “dekonstruksion” të pjesës. Për t’u shënuar se, edhe gjatë kësaj kundër-komedie, aktori që luante Don Cuccureddu-n në origjinal, do të rrinte në nevojtore dhe do t’u përgjigjej pyetjeve që andej, i lidhur simbolikisht me Skype.
Edhe vetë dekonstruksioni, vëren Dabulla, ishte menduar në trajtë komedie; dhe kritikët e Gruppo 89, që njëlloj si aktorët e Il Bagno luajnë edhe ata vetveten gjatë pjesës së dytë të shfaqjes, hyjnë në debat post-marksist të ekzagjeruar mes tyre, citojnë Deleuze dhe natyrisht Guattari, dhe përjetojnë antagonizma të papajtueshëm, në të cilat sakaq përfshihen edhe personazhet e komedisë paraprijëse, herë si personazhe dhe herë si aktorët që i luajnë ato personazhe. Çfarë i “bashkon” mes tyre të dy pjesët, shkruan Dabulla, është dekori i pandryshuar i apartamentit dhe fakti që Don Cuccureddu nuk ua lëshon banjën të tjerëve, megjithë lutjet, arsyetimet dhe kërcënimet e palëve të ndryshme të interesuara: familjarët e tij, aktorët që i luajnë familjarët dhe kritikët e Gruppo 89, që në fund të shfaqjes largohen të gjithë me ngut, për të shkuar në banja të tjera.
I shkruar me një stil të këndshëm dhe miqësor ndaj çdo lexuesi dashamirës të teatrit, libri i sapo-botuar i Dabullës nuk synon vetëm të prezantojë një eksperiencë teatrale unike, dhe aq t’i japë ekspozim një autori pak të njohur, por të meritueshëm, të “Rilindjes” së dytë arbëreshe, si Zef Bilotta; por edhe të rrëfejë një eksperiencë unike të produksionit teatral, e cila lexohet si aventurë intelektuale dhe artistike post-moderne. Dabulla me atë rast u rekomandon producentëve teatralë në Shqipëri dhe në Kosovë që t’i japin edhe ata një “shans tjetër” komedisë, së bashku me aparatin meta-komedik shoqërues, i cili – sipas autores – mund t’u përshtatet lehtësisht rrethanave lokale dhe të rishkruhet, në pajtim me qëndrimet e kritikëve specifikë dhe aktualisht të angazhuar në produksion.
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.